Presidenti amerikan ka deklaruar përshpejtimin e misionit ushtarak amerikan teksa talebanët përparojnë

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka mbrojtur vendimin e tij për të tërhequr forcat ushtarake nga Afganistani, duke thënë se operacionet e SHBA-së do të përfundojnë në 31 Gusht.

Ne nuk shkuam në Afganistan për të ndërtuar kombin. Udhëheqësit afganë duhet të bashkohen dhe ta orientojnë vetë vendin drejt së ardhmes. Unë nuk do të dërgoj një brez tjetër amerikanësh në luftë në Afganistan, pa ndonjë pritshmëri të arsyeshme për të arritur një rezultat ndryshe”.

Biden gjithashtu përforcoi arsyet e vendimit të tij për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake amerikane edhe pse talebanët po përparojnë me shpejtësi në pjesë të konsiderueshme të vendit. Në fillim të këtij viti, Biden vendosi një qëllim për t’i tërhequr trupat në 11 Shtatorit 2021. Më herët ish-Presidenti amerikan Donald Trump kishte rënë dakord me talebanët për të tërhequr trupat amerikane deri në Maj 2021, por ky afat u shty nga Biden pasi ai mori detyrën në Janar.

SHBA pritet të mbajë 650 deri në 1000 trupa në Afganistan për të ruajtur ambasadën amerikane, aeroportin e Kabulit dhe institucionet e tjera kryesore të qeverisë. Sondazhet e fundit kanë treguar mbështetjen e gjerë të SHBA për largimin nga Afganistani, me votuesit republikanë më skeptikë ndaj vendimit për t’u tërhequr.

Biden gjithashtu tha se po bëhen përpjekje për të nxjerrë jashtë vendit përkthyes dhe afganë të tjerë që kanë punuar me qeverinë amerikane. Ai tha se 2,500 viza speciale të emigrantëve janë lëshuar për t’i lejuar ata të vijnë në Shtetet e Bashkuara, por vetëm gjysma kanë ardhur deri më tani. Shumica dërrmuese e forcave të huaja të mbetura në Afganistan janë larguar përpara afatit të 11 Shtatorit, duke e lënë ushtrinë afgane plotësisht të ngarkuar me sigurinë kombëtare.

Klan News