Enxhi Boraj përfaqëson një shtresë vulnerabil të të rinjve që kanë vuajtur bulizmin për shkak të pamjes së jashtme.

Një vajzë 24-vjeçare e mbyllur në vetvete, e kompleksuar nga pamja e hundës dhe syrit. E rritur në një qytet të vogël si Patosi, Enxhi e ka pasur të vështirë adoleshencën. Me një fëmijëri të lumtur ku pamja nuk ishte akoma në qendër të vëmendjes, Enxhi e kupton rëndësinë e saj gjatë viteve të adoleshencës.

“Doktor Plastik” në bashkëpunim me klinikën “Da Vinçi” kreu rimodelim estetik dhe funksional të hundës dhe zmadhim i mjekrës me protezë.

“Kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur, kisha shumë shoqëri dhe nuk i vija re problemet që kisha. Normalisht si të gjithë fëmijët mendjen e kisha tek lojërat, kisha shumë dashuri nga familja, por edhe problemi i hundës nuk ishte kaq i zhvilluar. Edhe koha ka qenë ndryshe, nuk jemi rritur me idenë e pamjes perfekte. Rreth moshës 13-vjeçare kur nisa të shoh edhe më shumë filma dhe vajza shumë të bukura, nisa të bëj krahasimin me to. Nisi dëshira për të ndryshuar për të pasur një hundë tjetër dhe jo këtë të madhen që kam. Shihja edhe motrën dhe doja të isha si ajo, sepse ajo ka tipare të vogla dhe hundë të bukur. Në moshën 16-vjeçare në kapakun e syrit më doli një masë dhjamore, e cila bënte që kapaku i syrit të ulej poshtë duke bërë diferencë nga tjetri. Kjo bëri që problemet me hundën të liheshin mënjanë sepse ky ishte problem më i madh. Por këto ndikuan edhe në karakterin tim, u bëra më e mbyllur dhe jo sociale. Nëse takohesha me njerëz të gjithë më pyesnin: “Po ti çfarë problemi ke, çfarë të ka syri?” Kjo gjë më mërziste shumë dhe vendosa të diferencohesha. Kur shkoja në shkollë shokët dhe shoqet me thoshin “qorre” dhe qeshnin me mua. Më shanin drejtpërdrejt, por pas operacionit të syrit fillova të ndihesha më mirë. Nisa të mbaj syze për të fshehur problemin me hundën. Nuk kam frikë të hy në operacion sepse mendoj që do të kem një hundë të bukur. Do jenë xhirimet e fundit kur unë do shoh veten me hundë të shëmtuar”, tha Enxhi Boraj.

Pas operacionit Enxhi Boraj u shpreh se ishte shumë e kënaqur me rezultatet e operacioneve dhe me pamjen e saj të re./tvklan.al