Një operacion 3 ditor i Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda çoi në sekuestrimin e 328 kilogramëve kanabis, ndërsa në pranga përfunduan 10 persona.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Delta Forcën dhe Policinë Kufitare, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, pas një hetimi  të gjatë me metoda speciale, si dhe pas 72 orësh operacion për gjurmimin, ndjekjen dhe gjetjen e mjeteve lundruese, të lëndës narkotike si dhe kapjen e arrestimin e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, mesditën e sotme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Petruna””,

thotë policia në një njoftim për mediat.

Si rezultat i operacionit 2 persona u arrestuan në flagrancë, ndërsa 8 të tjerë u ndaluan si anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar.

Ata janë tre organizatorët E. Ç.,  35 vjeç, S.  D., 45 vjeç, A. Gj., 22 vjeç, si dhe anëtarët: Xh. H., 26 vjeç, G. K., 27 vjeç, N. S,  45 vjeç, O. P., 29 vjeç, E. M., 40 vjeç, H.B, 51 vjeç, A.B., 19 vjeç”.

“Operacioni nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë. Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese  të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës. Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve O.P dhe E.M, të cilët po ruanin lëndën narkotike”,

sqaron Policia e Shtetit.

Në këtë operacion policor u përfshinë rreth 80 forca policore, Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mjete lundrimi të Delta-Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë. Ndërkohë vazhdon puna për dokumentimin më të plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga ky grup i strukturuar kriminal, si dhe për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“Ky operacion u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr.156 të vitit  2018,  të drejtuar nga Prokurorët  e Prokurorisë për Krime të Rënda, Anton Martini dhe Manjola Kajana, procedim i regjistruar për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve narkotike”, ku në funksion të këtij procedimi më datë 29.08.2018 në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë sekuestruar në brigjet e Italisë 700 kg kanabis, 1 gomone e cila shërbeu për trafikimin e lëndës si dhe janë arrestuar shtetasit A.R dhe D.K”,

thuhet më tej në njoftimin e policisë.

/tvklan.al