Mohamed Abrini u arrestua të premten nga policia belge në komunën Anderleht në Bruksel, në një operacion që në total dërgoi në pranga 6 persona. Përmes një deklaratë për shtyp, prokuroria federale belge konfirmoi lajmin.

Kjo video amatore shfaq momentet e kapjes së terroristit të shumëkërkuar. 31-vjeçari belg me origjinë marokene ishte kthyer në personin më të kërkuar në Europë, që pas arrestimit të Salah Abdeslam më 18 mars. Ai ishte një nga autorët kyç të masakrës së Parisit më 13 nëntor të vitit të kaluar. Abrini ishte fotografuar në shoqërinë e Abdeslam dy ditë përpara sulmit terrorist në Paris.

I pyetur nga gazetarët nëse Abrini ishte terroristi i tretë i aeroportit, i identifikuar si “Burri me kapele”, prokurori belg tha se një skenar i tillë është i mundshëm, por nuk e konfirmoi me saktësi.

Ndërkohë e përditshmja belge  Derniere Heure, publikon detaje të rëndësishme rreth arrestimeve në Belgjikë pas atentatit të 22 marsit. Abderrahmane Ameroud, personi arrestuar më 25 mars në një stacion në lagjen Sharbek, kishte në çantën e tij material biologjik dhe se i arrestuari dyshoje se do të prodhonte një armë biologjike.

Tv Klan