Zbardhja e vrasjes së 3 personave në dy ngjarje kriminale të ndodhur në Shkurt të vitit 2005, u finalizua ditën e sotme nga Policia e Shtetit nën drejtimin e SPAK-ut.

Në operacionin e koduar “Asgjë nuk harrohet” morën pjesë forcat speciale RENEA, forcat e posaçme operacione, Drejtoritë Vendore të Policisë së Tiranës, Durrësit e Vlorës si dhe Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Kukës e Interpol Tirana.

Katër persona u arrestuan dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u ekzekutua edhe një urdhër ndalimi nga SPAK.

Në pranga ranë Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi, ndërsa në Prizren u arrestua Indrit Taullai për llogari të autoriteteve shqiptare. Një tjetër i arrestuar është edhe Emiljano Shullazi, i cili ndodhet në burg ku vuan dënimin me 14 vite për një tjetër vepër penale.

Ndërsa në kërkim ndërkombëtar janë shpallir Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishi, pasi nuk u arrit që të arrestoheshin gjatë operacionit.

Nga hetimet ka rezultuar se Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishi, Indrit Taullai, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi akuzohen për vrasjen e Vajdin Lames dhe Artan Arsit, të cilët humbën jetën nga shpërthimi me eksploziv në ashensorin e pallatit ku banonte Lame në vitin 2005.

Të njëjtër persona, përveç Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerit, akuzohen edhe për vrasjen e dytë ndaj Klodian Saliut, i cili u ekzekutua teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës-Tiranë.  /tvklan.al