Katër persona u arrestuan nga policia e Tiranës pasi u kapen me 102 kilogram kanabis që po tentonin ta trafikonin në periferi të kryeqytetit. Droga ishte sjellë nga Mallakastra dhe ishte fshehur mes disa thasëve me ushqim për bagëtitë.

Droga ishte futur në një fuoristradë tip “Mitsubishi” dhe ishte mbuluar me disa thasë me ushqim për bagëtitë. Një makine tjetër e shoqeronte atë. 

Arjan Mustafaj, 43 vjeç, Shpetim Sinaj, 40 vjeç, Erjon Zenelaj, 33 vjeç, të tre nga Mallakastra, si dhe Niko Dula, 41 vjeç nga Tepelena, u arrestuan në afërsi të Ndroqit.

Kanabisi ishte ambalazhuar në 7 thasë plastikë dhe ishte vendosur poshtë disa thasëve të bardhë me himë.

Lënda narkotike sipas burimeve të policisë ishte siguruar në zonën e Mallakastrës dhe Tepelenës.

 

                   Të arrestuar

  1. Arjan Mustafaj, 43 vjeç, banues në Mallakastër.
  2. Shpetim Sinaj, 40 vjeç, banues në Mallakastër.
  3. Erjon Zenelaj, 33 vjeç, banues në Mallakastër.
  4. Niko Dula, 41 vjeç, banues në Tepelenë./ TV KLAN

***

Njoftimi zyrtar i Policisë

Ditën e djeshme, Specialistët e Seksionit për Narkotikët në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë finalizuar operacionin “Befasia”, në kuadër të cilit janë arrestuar në flagrancë:

  1. Arjan Mustafaj, 43 vjeç, banues në Mallakastër.
  2. Shpetim Sinaj, 40 vjeç, banues në Mallakastër.
  3. Erjon Zenelaj, 33 vjeç, banues në Mallakastër.
  4. Niko Dula, 41 vjeç, banues në Tepelenë.

Këta persona në bashkëpunim me njeri tjetrin, kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar te llojit “Cannabis Sattiva”, kryesisht në periferi të Tiranës.

Në bazë të informacioneve është bërë e mundur goditja e këtij grupi dhe më saktësisht në aksin rrugor Pezë – Ndroq.

Nga kontrolli në automjetet e këtyre shtetasve, në bagazhin e automjetit tip “Mitsubishi”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 7 thasë të zinj të fshehur poshtë disa thasëve të tjerë ngjyre të bardhë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

– 102 kilogram lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sattiva.

– 2 automjete të markave të ndryshme.

– 8 aparate celulare të markave të ndryshme.

 Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”./tvklan.al