Pentagoni jep alarmin, Rusia po inskenon akte provokimi

Rusia po komploton të organizojë akte provokimi për të krijuar një pretekst për të pushtuar Ukrainën. Një zyrtar i Pentagonit tha se operativët rusë po planifikojnë operacionin “flamur i rremë”, për të lejuar Moskën të akuzojë Ukrainën për përgatitjen e një sulmi. Rusia i ka hedhur poshtë pretendimet.

Alarmi vjen pas një jave bisedimesh SHBA-Rusi që u zhvilluan për zbutjen e tensioneve. Ukraina akuzoi ndërkohë të premten Rusinë se qëndron pas një sulmi kibernetik ndaj dhjetëra faqeve zyrtare të internetit.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby foli me gazetarët për ato që ai i quajti plane të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Kremlini ka caktuar paraprakisht një grup operativësh për të kryer atë që ne e quajmë operacioni ‘flamuri i rremë’, një operacion i krijuar për t’u dukur si një sulm ndaj tyre ose njerëzve që flasin rusisht në Ukrainë që të shërbejë si një justifikim për të pushtuar”, tha ai.

Operativët janë trajnuar për luftë urbane dhe duke përdorur eksplozivë për të kryer akte sabotimi kundër rebelëve pro-rusë, thanë zyrtarët amerikanë. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se akte të ngjashme po përgatiten kundër trupave ruse të dislokuara në rajonin separatist të Transdnistria të Moldavisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj duke i përshkruar pretendimet amerikane si të pabazuara dhe “të konfirmuara nga askush”.

Alarmi i Pentagonit pason një deklaratë të mëparshme të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, se zbulimi rus po krijonte baza në përpjekje për të sajuar një pretekst për pushtimin e Ukrainës. Ai tha se ishte i njëjti libër lojërash që Rusia përdori kur pushtoi Krimenë në 2014.

Në këtë situatë të tensionuar ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një plan prej dhjetë pikash për një qasje të unifikuar ndaj Rusisë. Plani parashikon veprime të bashkuara, me një përzierje parandalimi dhe dialogu.

Përfaqësuesi i BE për çështjet e jashtme, Josep Borrell, tha pas takimit dy ditor të ministrave të Jashtëm në Brest se mbetet i hapur për dialog me Rusinë, por kurrë në kurriz të lirisë apo respektimit të vlerave themelore.

Klan News