COVID – 19 ka patur ndikimet e tij në shumë sektorë të jetës ekonomike apo sociale në vend, por nuk ndryshoi fokusin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për t’ju gjendur pranë qytetarëve në vështirësi.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e shoqëruar nga deputeti i qarkut Taulant Balla, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, prefekti dhe drejtori i Emergjencave Civile, ndoqën nga afër grumbullimin e pakove për qarkun e Elbasanit në pallatin e sportit si dhe shpërndarjen e tyre për disa banorë në fshatrat e kësaj bashkie dhe asaj të Peqinit.

“Operacioni i nisur dy muaj më parë do të vazhdojë për të ndihmuar që të gjitha familjet në nevojë të përballojnë këtë situatë të vështirë. Unë shpresoj që shumë shpejt t’i rikthehemi normalitetit. Deri atëherë, ne do t’i jemi në krah dhe do të mbështesim çdo familje në nevojë. Përmes operacionit humanitar, mbështetur në një skemë të mirëkoordinuar mes shumë institucioneve në dy muaj mbi 370 mijë familje dhe individë janë ndihmuar me ushqime, barna e shërbime të tjera, ndërsa janë shpërndarë nëpër shtëpi rreth 500 mijë pensione në të gjithë vendin. Shpërndarja e pakove ushqimore bëhet në bazë të listave të cilat vijnë nga bashkitë përmes administratorëve socialë, por që kryqëzohen e verifikohen pastaj me shërbimet sociale e institucione të tjera për të bërë një identifikim të mirë të nevojave të tyre dhe asistencës që mund t’ju ofrojmë”, tha mes të tjerash ministrja Xhaçka.

Kryebashkiaku Llatja dhe deputeti i qarkut Balla theksuan se ndihmat po shpërndahen në vijueshmëri për familjet më në nevojë dhe kërkuan që operacioni humanitar të mos politizohet.

“Për ata që përdorin pakot për politikë, bujrum të vijnë t’i shohin këtu, të mos flasin për turp qoftë në Parlament qoftë opozita rrugore, por të vijnë t’i shohin pakot. Shqip i thonë të vijnë t’i plasin sytë këtu dhe të shohin se si janë të konceptuara këto pako me ato që janë ushqimet bazë për çdo familje”, theksoi Balla.

Operacioni i shpërndarjes së ndihmave në qarkun e Elbasanit po mbikëqyret nga krerët më të lartë të Forcave të Armatosura dhe do të vijojë në qarqet Shkodër, Lezhë, Korçë, Fier, Berat, Gjirokastër e Vlorë.
Paralel me këtë angazhim, Forcat e Armatosura mbështesin Policinë e Shtetit në pika kontrolli apo në patrullime 24 orë në 24./tvklan.al