Thirrjes së policisë për të dalë nga banesa, një 77-vjeçar nga fshati Remas i Lushnjes iu përgjigj duke dalë me armë gjahu në dritare. Në këto kushte, efektivët qëlluan në ajër dhe i bënë sërish thirrje Haxhi Likës që të dilte nga banesa.

Kështu deklaron policia në një reagim për mediat, për ngjarjen e ndodhur paraditen e kësaj të premteje, ku i plagosur mbeti pikërisht 77-vjeçari Haxhi Lika.

Rreth orës 05:30, forcat speciale të RENEA-s ndërmorrën një operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ndër to ishte edhe banesa e 77-vjeçarit Lika, pasi sipas policisë, disponohej informacion se në këtë banesë strehoheshin dy persona të dyshuar si autorë vrasjesh.

“Në momentin që policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, H.L., nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (rezultoi armë gjahu). Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri H.L për të dalë nga banesa”,

thotë policia në reagimin e saj

.

Po sipas kësaj të fundit, Lika është dëmtuar në kokë në rrethana ende të paqarta. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat.

“Policia e Shtetit u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë Policinë për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe t’u përgjigjen thirrjes së Policisë duke zbatuar kërkesat dhe urdhrat e saj. Nga ana tjetër, Policia falenderon qytetarët për ndihmën dhe bashkëpunimin, duke besuar fort se të gjithë bashkë e bëjmë këtë vend më të qetë e të sigurt

“, e mbyll reagimin e saj policia.

Nga ana e tyre, familjarët e Likës pretendojnë se ai u plagos nga forcat RENEA, gjatë kohës që flinte gjumë. Banorët e akuzuan policinë gjithashtu për dhunë fizike ndaj tyre.

Ndërkohë,

tvklan.al

ka mësuar se forcat speciale RENEA e ndërmorën operacionin e paradites së sotme në Remas të Lushnjes, pas dyshimeve se në këtë fshat fshiheshin autorët e masakrës së Lushnjes.

Në kërkim për vrasjen e dyfishtë, të ndodhur me 11 Tetor të vitit të shkuar, vijojnë të jenë Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili. Ata akuzohen si personat që ekzekutuan në qendër të Lushnjes, Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifit.

Laert Haxhiu rezulton person me të shkuar kriminale pasi është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e Gerti Salës i njohur si “Iriqi”, në Korrik të vitit 2011. Atij i faturohet edhe një tentativë vrasje në 2016-ën. 

/tvklan.al