Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka komentuar nga Madridi, aty ku po zhvillon një vizitë, operacionin e SPAK në bashkëpunim me policinë.
Balla vlerësoi operacionin dhe theksoi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Operacionin, ministri i Brendshëm, e sheh si një përgjigje edhe ndaj kritikëve për goditjen e “kokave” të krimit.
“Përgëzoj SPAK dhe prokurorët që kanë drejtuar hetimin. Falenderoj Policinë e Shtetit, të cilat janë marrë me zbatimin dhe pjesën tjetër hetimore që lidhet me mbarëvajtjen e këtij operacioni. Është një operacion i rëndësishëm që ndërlidhet edhe me personazhe të krimit në Shqipëri të cilën nuk e kanë zhvilluar dhe zhvillojnë aktivitetin kriminal jo vetëm në Shqipëri, por bëhet fjalë për aktivitete kriminale të zhvilluara në disa vende europiane përfshirë edhe Spanjën në fakt. Uroj që operacione të tilla të vijojnë të konsolidohet edhe më tej për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë së elementëve të grupeve kriminale. Kështu i kthejmë një përgjigje atyre që shpesh pyesin ‘po kokat po kokat’ besoj që ky është një prej atyre rasteve që përgjigja flet vetë”, tha Balla.
Që prej orëve të para të mëngjesit, një operacion po zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjentët e BKH, me urdhër të SPAK.
Burime për Klan News bëjnë me dije se Prokurori Alfred Shehu ka lëshuar 43 urdhërarreste për krim të organizuar në Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin, Durrës, Shijak dhe Tiranë./tvklan.al