Në kuadër të Marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Frontex, për kontrollin e kufijëve detar, gjatë një operacioni antidrogë të përbashkët mes Frontex-it, GDF italiane dhe Policisë Shqiptare, për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, është bërë e mundur goditja e një tentative për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit të përbashkët u bllokua mjeti lundrues dhe u vu në pranga 30-vjeçari nga Vlora, shtetasi E. I. Gjatë kontrollit në brendësi të mjetit lundrues u gjetën dhe u sekuestruan 400 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 100 gr hashash.

Ishte një helikopter i Guardia di Finanza që merrte pjesë në operacionin e Frontex mes Shqipërisë dhe Italisë që ra fillimisht në gjurmët e mjetit lundrues 6 metra të gjatë, që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të brigjeve të Brindizit.

Në ndjekje u vunë edhe dy anije të Guardia di Finanza që bënë të mundur ndalimin e skafit përpara se të kishte mundësinë që të mbërrinte në brigjet italiane. Droga u gjet e fshehur në vende të posaçme. Frontex shkruan se kjo sasi droge nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 4 milion eurove./tvklan.al