Pakësimi e deri humbja e dëgjimit mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme, disa prej të cilave u përmendën gjatë programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave e tingujve të lartë, trashëgimia gjenetike dhe medikamentet toksike janë disa prej faktorëve kryesorë.
Në rastin e pakësimit të dëgjimit rekomandohen aparatët ose implantet, ndërsa nëse daullja është çarë, nevojitet ndërhyrja. Në hapësirën e telefonatave me mjeken ORL, Iva Cakonin, një telefonuese ndau rastin e vëllait të saj. Ai është 30 vjeç dhe ka dëmtim të daulles së veshit, por ngre një pyetje: a e dëmton ndërhyrja veshin tjetër?
Telefonuesja: Dua të pyes në fakt për vëllain tim, është 30 vjeç dhe mjekët i kanë thënë që ka dëmtim të daulles së veshit. Na kanë thënë ose për ndërhyrje, ose do të vazhdojë ashtu se nuk ka mjekim. Çfarë mund të thotë doktoresha për këtë rast? Ne s’i kemi bërë operim pasi kemi një frikë, kemi dëgjuar që mund të dëmtohet edhe veshi tjetër.
Iva Cakoni: Dëmtimi i daulles së veshit mund të jetë nga infeksionet që ka kaluar në fëmijëri…
Katerina Trungu: A mund ta dimë shkakun?
Telefonuesja: Po. Ka pasur probleme gjatë fëmijërisë, shumë me veshët dhe besoj edhe nga mjekimi i gabuar sepse është mjekuar pafund dhe nga kjo besoj që e ka.
Iva Cakoni: Infeksionet e shpeshta, herë pas here, me rrjedhje veshi, nëse nuk janë mjekuar siç duhet ose nuk janë ndjekur nga afër sepse ka fëmijë që në fëmijërinë kalojnë shpesh. E rëndësishme është që sot të mjekohen vazhdimisht në mënyrë që t’i japë mundësi veshit të shërohet dhe nëse ka çarje të vogël të daulles, duke qenë veshi i thatë nga infeksioni, ai ka aftësi që të rigjenerohet dhe të mos ngelet daullja e çarë. Në rastin e djalit që është 30 vjeç dhe tani jemi në faktin që ai e ka daullen e çarë, e vetmja mundësi për ta mbyllur apo për ta korrigjuar është timpanoplastika që është një operacion plastik i daulles së veshit.
Katerina Trungu: Por a është e vërtetë kjo që thotë zonja në telefon, që dëmtohet veshi tjetër?
Iva Cakoni: Jo, absolutisht nuk ka lidhje. Operacioni bëhet në veshin që e ka problemin, veshi tjetër nuk preket kështu që mos të ketë merak./tvklan.al