Aksioni antidrogë godet 7 grupe kriminale

273 persona janë vënë në pranga nga policia si të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në të gjithë vendin. Gjatë operacionit kombëtar të koduar “Tempulli 2”, policia zbuloi se të dyshuarit shpërndanin kryesisht kanabis dhe kokainë. Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, nga shkolla “Sami Frashëri” dha detaje për operacionin.

“Policia e Shtetit mbi bazë të një organizimi absolutisht profesional ka arritur që të finalizojë arrestimin, ndalimin dhe arrestimin në flagrancë, pra të tre nocionet, të 273 shtetasve. Janë sekuestruar një sërë provash materiale, që dokumentojnë aktivitetin e tyre kriminal në drejtim të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike… Mund t’ju themi që për këtë rast kemi të goditur anëtarët e 7 grupeve kriminale“.

Ministri i Brendshëm teksa përgëzoi Policinë e Shtetit tha se ky operacion nuk është dekonspiruar.

“Por suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi pasur asnjë rrjedhje informacione dhe numri i madh i urdhrave të ndalimit janë realizuar dhe ndërkohë që ne flasim, forcat e policisë janë në terren për të vijuar me punën.”

Pas disa orësh kontrolle, blutë përveç dozave të shumta të lëndëve narkotike, të kanabisit dhe kokainës, sekuestruan dhe armë zjarri. Aksioni i policisë është vijim i fazës së parë të operacionit “Tempulli” ku në total u goditën 24 grupe kriminale dhe u arrestuan gjithsej 530 persona.

Klan News