Një operacion i nisur që në Tetor të vitit 2020 është finalizuar sot nga Policia e Durrësit. Autoritetet bëjnë me dije se kanë goditur një grup kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa qytete në vend si  Durrës, Lushnje dhe Tiranë.

Mësohet se në pranga gjatë operacionit “Trinomi” ka rënë S.T. 20 vjeç si dhe K. T. 26 vjeç, të dy banues në Lushnje. Po ashtu në kërkim është shpallur dhe një person me iniciale L. S., i cili në momentin e kontrollit të policisë nuk është gjetur në banesë.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se procedimi penal është nisur që në 2020, pas arrestimit të M. R. dhe J.B., të cilëve iu gjet një sasi narkotike në makinë.

Nga hetimet disamujore të kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike me klientë të ndryshëm në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Lushnjës“, sqarojnë autoritet.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al