Pesë orë pritën 14 të arrestuarit e operacionit ndërkombëtar anti-drogë në Gjykatën e Posaçme për t’u njohur me masat e sigurisë.
Gjatë kësaj seance gjyqtarja, Rudina Palloi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes, por edhe vetë të akuzuarve në seancë gjyqësore dhe më pas dha verdiktin.
Magjistratja vendosi të lërë në masën arrest në burg për 11 nga të akuzuarit për trafik droge dhe grup kriminal ndërsa liroi nga qelia në masën detyrim paraqitje 3 të tjerët.
Ndryshim mase pati për Ervis Detin, Bexhet Memën dhe avokatin Armand Tragaj i cili kërkoi masë të lehtë sigurie për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe kushteve familjare.
Ndërsa avokatët e ta pandehurve të tjerë kërkuan nga prokurorët e SPAK që të përcaktojne pjesëmarrësit e grupit, rolin e secilit dhe episodet.
Seanca që nisi në orët e paradites, u shty për në orën 15:30, pasi avokatët kërkuan kohë të njiheshin me dosjet voluminoze hetimore.
SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane ka zbardhur rolin e drejtuesve të 3 grupeve kriminale.
Dosja hetimore ‘Ura’ që ndodhej në duart e hetuesve për disa vite, është e mbështetur mbi përgjime telefonike, ambientale, pamje video si dhe zbardhjet e SKY ECC.
Sipas hetimeve, grupi ishte përgjegjës për transportin dhe shpërndarjen me shumicë të sasive të mëdha të kokainës, heroinës dhe kanabisit të trafikuara midis Ballkanit, Evropës Veriore, Amerikës së Jugut dhe Pulias në Itali.
Në total u lëshuan 52 urdhër-arreste. Janë ekzekutuar 42, 30 prej tyre në Shqipëri. Gjatë operacionit të Koduar “Ura” u prangosën anëtarë të kësaj organizate, policë dhe biznesmenë.
Gjatë hetimit janë sekuestruar 3 milionë Euro kesh, 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.
Klan News