Një operacion i përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë çoi në goditjen e një grupi të fuqishëm kriminal me bazë në Durrës.
Ajo që ka ndihmuar autoritetet ta zbërthejnë në detaje ka qenë përveç përgjimeve të ndryshme audio e ambientale edhe mesazhet e dekriptuara nga platforma Sky ECC.
Ka qenë kjo e reja e përdorur mes institucioneve të drejtësisë, të cilët shprehen se sapo kanë siguruar mesazhet, i kanë shpërndarë me njëra-tjetrën duke i kryqëzuar informacionet me rezultatet e hetimit. Kjo u pranua edhe në konferencën për shtyp nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme, Vladimir Mara, i cili ka ndjekur hetimet.
“Krahas të dhënave të përftuara nga veprimet siç kanë qenë përgjimet telefonike, janë përdorur në mënyrë të menjëhershme edhe të dhënat nga platformat e enkriptuara”, u shpreh Mara.
Drejtoria Hetimore e Antimafias (DIA) sqaroi se bisedat mes tyre në aplikacion kanë dokumentuar lidhjen se si kokaina dërgohej në Bari, kryesisht nga Shqipëria dhe Europa Veriore.
Bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha, ku vetëm njëra prej tyre ishte me 250 kilogramë kokainë dhe heroinë të pastër.
Në të njëjtat biseda është zbuluar edhe “rrjedhja” e parave nga Puglia drejt Shqipërisë. Janë pagesa që bëheshin nga shoferët e autobusëve ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të DIA-s janë kapur shuma prej 4.5 milionë Eurosh.
Po ashtu, autoritetet kanë zbuluar nëpërmjet bisedave të përgjuara dërgesat e parave për të paguar drogën, të cilat janë zhvilluar në Bari për 500 mijë Euro.
E njëjta sasi është transferuar në Dollarë nga Shqipëria drejt Amerikës Latine për të blerë kokainë me anije nga Guayaquil-i i Ecuadori-t, si dhe janë regjistruar episode të abuzimit me detyrën në territorin shqiptar.
Këto grupe kanë qenë subjekt i goditjeve të drejtësisë edhe më parë. Për shembull, janë sekuestruar 3 milionë Euro cash në Durrës, 30 kilogramë heroinë dhe disa laboratorë në Bari, 2 tonë kokainë në Roterdam, 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro dhe 400 kilogramë hashash në Bari.
Në Shqipëri masat e sigurisë janë lëshuar për një familje të fuqishme në Durrës, dy efektivë policie, një avokat dhe gjashtë shoferë autobusësh ndërkombëtarë.
Sa i përket sekuestrimeve, janë në total nëntë apartamente, shtatë llogari bankare, gjashtë kompani, mes të cilave dy tregtare, tre makina, katër restorante luksoze, një agjenci pronash të patundshme dhe një televizion. Sipas DIA-s vlera e tyre arrin disa miliona Euro.
Masat janë marrë ndaj 12 italianëve dhe 40 shqiptarëve. 49 masa sigurie janë arrest me burg, një është arrest shtëpie dhe një është detyrim paraqitje. Sa i përket Shqipërisë aksioni është kryer në Durrës, Shkodër, Tiranë, Fier dhe Vlorë./tvklan.al