“Ka interes, por duhet të kishim hapur më parë paketat për rezervime”

Shpresat e operatorëve turistikë për një sezon të mirë këtë vit janë të pakta, edhe pse kërkesat nga shtete në Europën Lindore e Qendrore nuk kanë munguar.

Kliton Gërxhani, zv/kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë thotë se nuk mund të priten rezervime në kohën që nuk është hequr ende karantinimi 14-ditor, apo në momentin që ende nuk janë miratuar rregulloret e funksionimit dhe distancave që duhet të ruhen ne strukturat akomoduese.

“Patjetër që ka, por ne më e pakta nuk kemi hequr karantinimin, sot për sot të paktën. Çdokush që do vij, nëse do karantinohet 14 ditë, nuk besoj se do vij, nuk besoj se do pranonte të vinte. Nga ana tjetër, hoteleria ka dhe një plan masash që u propozua para ca kohësh, që ka qenë draft meqë ra fjala dhe nuk dimë akoma nëse ka hyrë në fuqi”.

Pritjet e turistëve të huaj i sheh të vështira për t’u realizuar edhe Besnik Vathi, drejtues i një agjencie turistike. Ai thotë se përpara se të nisësh punën në hotel, të duhen minimalisht 20 ditë për të përgatitur paketat e rezervimeve.

“Duhet të ketë patjetër një njoftim dhe një përcaktim të qartë të të gjitha masave për hapjen e kufijve. Pra cilat vende do jenë, do ketë apo s’do ketë testime, çertifikata shëndetësore, etj. Duhet të përcaktohen qartë”.

Operatorët turistikë thonë se këtë vit do të jenë të kënaqur edhe nëse kanë 30% të fluksit të turistëve që kanë pasur një vit më parë, ndërsa e shohin si një mundësi të çuar dëm mbylljen e qarkullimit dhe të plazheve këtë fundjavë. Ata kërkojnë siguri dhe politika të qarta.

Kliton Gërxhani: Kur tani kriza është në rënien e vet, nuk mundet më që të marri vendime ekonomike të momentit të fundit sepse çdo gjë do një plan.

Besnik Vathi: Strukturat akomoduese nuk kanë patur ndonjë problem për të mos qenë gati. Ato tashmë duhet të ishin të hapura.

Hapja e kufijve tokësorë do të bëhet në 1 Qershor, ndërsa do të lejohen në këtë datë edhe plazhet në hotele, ndërsa pas 10 Qershorit plazhet do të hapen për të gjithë popullatën, por ndryshe nga më parë, nuk do të ketë biznese që do të marrin shfrytëzimin e tyre dhe vendosjen e shezllonëve.

Tv Klan