#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Artan Lame. Lidhje Skype: Keida Kostreci, Elja Zotka

Artan Lame: Për herë të parë në 200 vjet prona shtetërore po regjistrohet tani

“Për herë të parë në këto 200 vjet, po regjistrohet prona shtetërore”, u shpreh kështu Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lame ka dhënë më shumë detaje rreth historikut të pronave shtetërore shqiptare ndër vite.

Artan Lame: Nëse të gjitha shtetet e tjera kishin bërë luftë me Turqinë kur u ndanë dhe në Traktatet e Paqes, kishte parashikuar dhe ndarjen e pronave dhe marrjen e kopjeve të Kadastrave nga Perandoria Osmane, ne jo vetëm që nuk bëmë luftë për t’u ndarë sepse ashtu na erdhi puna, natyrisht që nuk u bënë.

Blendi Fevziu: I morën dokumentat?

Artan Lame: Në 28’ u bë gati gjithçka, në Shtator Zogu u bë Mbret, u prish me Mustafa Qemalin, u prenë marrëdhëniet, mbeti prapë historia dhe për këtë arsye nuk shkoi komisoni në Turqi të merrte pronat.

Blendi Fevziu: Është regjistruar ndonjëherë prona shtetërore?

Artan Lame: Jo. Për herë të parë në këto 200 vjet, po nis tani.

Artan Lame: Shteti shqiptar ka 30 vjet që ndërton pa leje

Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i ftuar sonte në “Opinion” në Tv Klan sqaroi deklaratën e tij se institucionet shqiptare nuk janë të legalizuara. Lame thotë se shteti shqiptar ka 30 vjet që ndërton pa leje sepse thuajse të gjitha pronat shtetërore janë të paregjistruara.

Artan Lame: Historia nis qëkur filloi historia e legalizimeve dhe ne atëherë ishim në dilemë, do merremi  me legalizimet e miletit njëherë apo me legalizimet e shtetit sepse për turpin e vet shteti shqiptar ka 30 vjet që ndërton pa leje.

Blendi Fevziu: Shteti shqiptar ndërton pa leje? Po pse i kërkon llogari privatëve kur ndërton shteti pa leje?

Artan Lame: Është si kjo  pyetja që pse Enver Hoxha nuk i regjistronte pronat, i kishte të gjitha të vetat dhe thoshte për çfarë t’i regjistroj.

Blendi Fevziu: Edhe shteti thotë i kam të miat dhe thotë për çfarë t’i regjistroj.

Artan Lame: Të vetat në kuptimin e shtetit kështu që nuk regjistroheshin. Ne atëherë u morëm me legalizime masive të publikut dhe kemi filluar me legalizimin e objekteve shtetërore prej gati një viti vetëm, që u bë edhe një VKM e veçantë. Të njëjtën procedurë po ndjekim tani edhe me pronat pasi pak a shumë filloi të vihet në linjë situata me pronat e privatëve, që do të thotë u miratua ligji, u miratuan aktet, ka filluar të funskionojnë. Do të jap vetëm dy shifra. Vjet janë 1 milionë e 550 mijë aplikime të qytetarëve në sistem për pronat e tyre dhe përgjgijet natyrisht, sivjet janë diçka më pak, ka arsye përse janë dhe mua më gëzon  që janë më pak se tregon që po fillon të bjerë, të kthehet në normalitet gjëja dhe tani filluam të merremi me pronat e shtetit shqiptar, histori që shteti shqiptar e ka filluar që në 1912 dhe se ka bitisur dot asnjëherë.

Blendi Fevziu: Çfarë pronash shtetërore janë të paregjistruara?

Artan Lame: Praktikisht të gjitha.

Sipas Lame, në këto prona futen pronat e patjetërsueshme si vijat bregdetare, liqenore e lumore, kodrat, malet,  pronat pa zot, godinat shtetërore dhe objektet publike.

Çështja “McGonigal”, gazetarja Elja Zotka: Dorian Duçkën e kam parë në aeroportin e Rinasit kur erdhën afganët

Dorian Duçka, njëri nga dy shqiptarët që del në akt-akuzën e drejtësisë amerikane për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, ka qenë në Tiranë në muajin Gusht 2021, kur në Shqipëri mbërritën afganët.

Kështu thotë gazetarja e Tv Klan Elja Zotka në një lidhje për emisionin Opinion në Tv Klan, e cila deklaroi se z.Duçka e ka parë pikërisht në atë periudhë në aeroportin e Rinasit së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ambasadoren amerikane.

Gazetarja Elja Zotka: Rama pranon që ka takuar në Tiranë por dhe në Nju Jork ish-shefin e zyrës së Nju Jorkut të FBI, po ashtu pranon që ka takuar edhe shqiptaro-amerikanin të clin e ka takuar pikërisht prej zyrtarit të FBI-së. Dhe takimet që ka pasur me të i ka pasur vetëm kur kanë qenë së bashku të tre. Po ashtu pranon dhe dihet në fakt botërisht që Dorian Duçka ka qenë këshilltar i Kryeministrit. Në fakt ai më parë ka qenë në zyrën e ish-ministrit të Jashtëm të asaj kohe në koalicionin PD-LSI, Ilir Metës, kur ishte ministër i Jashtëm. Më pas kaloi zv/ministër dhe kohët e fundit ishte këshilltar i Jashtëm i Kryeministrit. Unë në fakt për herë të fundit z.Duçka e kam parë kur në aeroportin e Rinasit mbërritën afganët. Ai ishte së bashku me z.Rama dhe me ambasadoren amerikane.

Blendi Fevziu: Ka qenë po ai që e ka shoqëruar Ramën në udhëtimin në Kiev dhe në takimin me Zelenskyn?

Gazetarja Elja Zotka: Në pamje nuk ka dalë, në pamjet që na janë shpërndarë ne, z.Duçka nuk shfaqet. Por për herë të fundit unë në pamjet televizive e kam parë z.Duçka kur erdhën në muajin Gusht 2021 afganët në Tiranë. Ndërkohë që mësohet që ai ka qenë këshilltar i jashtëm i Kryeministrit. Vetë Kryeministri e pohoi këtë dhe tha ka qenë këshilltar i jashtëm pa pagesë i imi, por të paktën 6 muajt e fundit ai nuk e ka ushtruar këtë funksion. Po ashtu z.Rama pranon që i ka takuar por sipas tij ka zero lidhje. Të gjitha ato çka akuzohet në Tiranë, sepse sipas tij po i bëhet një lexim i gabuar dhe i qëllimshëm në Tiranë gjithë këtij hetimi që po i bëhet zyrtarit të FBI. Dhe sipas tij është pikërisht z.Berisha që po e bën këtë lexim të gabuar me synimin siç thotë Rama për të fashitur të gjitha akuzat që atij i janë bërë aktualisht për 21 Janarin dhe implikimin që PS pretendon se ka pasur z.Berisha, ish-ministri i atëhershëm i Brendshëm Lulzim Basha dhe kreu i Gardës në vrasjen e 4 protestuesve të 21 Janarit 2011.

McGonigal u deklarua i pafajshëm në gjykatë, gazetarja jep detajet: Seanca zgjati 15 minuta, aktakuza ka vetëm 1 të pandehur

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal u deklarua i pafajshëm sot në Gjykatën Amerikane, lidhur me akuzat se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve dhe zyrtarë të shteteve të tjera.

Në lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan gazetarja e “Zërit të Amerikës” Keida Kostreci ka deklaruar se seanca gjyqësore ishte e shkurtër dhe zgjati 15 minuta.

Gazetarja Kostreci ka thënë se në këtë seancë gjyqësore kishte vetëm 1 të pandehur dhe ai ishte McGonigal, teksa ka thënë se Personi A dhe B që përmenden në dosjen hetimore janë në funksion të aktakuzës që është ngritur ndaj ish-agjentit të FBI-së, McGonigal.

Blendi Fevziu: Ka dalë në Gjykatën e Washingtonit sot dhe pritej që të shtyhej gjyqi?

Keida Kostreci: Dje u tha që mund të mbahej seanca gjyqësore në një ditë tjetër dhe jo sot. Pastaj pati një njoftim tjetër që seanca do të mbahej sot dhe ka përfunduar para 2 orësh. Ishte një seancë e shkurtër, 15 minuta, rutinë ku McGonigal e deklaroi veten të pafajshëm. Ishte një procedurë e shkurtuar, kjo ishte gjëja kryesore që doli nga kjo seancë. U tha se do të ketë një seancë tjetër në një kohë të dytë për të vazhduar me procedurën.

Blendi Fevziu: A është Agron Neza shqiptari që i ka dhënë atij 225 mijë Dollarë, por edhe para të tjera? A ka qenë ky personi që ka dëshmuar? Le të themi a është ai një dëshmitar i penduar?

Keida Kostreci: Nuk e dimë këtë. Nuk kemi të dhëna që të konfirmojmë një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: Ju vazhdoni të keni të njëjtin informacion që nuk ka çështje të ngritur ndaj Nezës dhe Duçkës, apo jo?

Keida Kostreci: Seanca sot ishte pikërisht për këtë aktakuzë. Aktakuza ka vetëm 1 të pandehur dhe është McGonigal. Personi A dhe personi B që përmenden aty, përmenden në funksion të shkeljeve të këtij personi dhe në funksion të kësaj aktakuze që Departamenti i Drejtësisë ka ngritur ndaj ish-agjentit për shkeljet që ai ka bërë, për kontaktet dhe takimet që nuk ka raportuar dhe për përfitimet që mund të ketë pasur./tvklan.al