#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Në studio: Berat Buzhala, Enton Abilekaj, Mark Marku, Tomorr Alizoti, Esmeralda Mulaj, Artan Hoxha Lidhje direkte: Adriatik Kelmendi

“Do ia ndjeni krismën nesër”, Rama ndërmjetëson lirimin e policëve të Kosovës? Fevziu: Mund të jenë dhe llafe

Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat speciale serbe është bërë kryetema e diskutimeve në 24 orët e fundit.

Kosova po kërkon lirimin e tyre, ashtu si dhe DASH ka bërë thirrje që të lihen të lirë pa kushte.

Por në qarqet mediatike po qarkullojnë informacione se lirimin e 3 policëve të Kosovës po e negocion edhe Kryeministri Edi Rama.

Ishte një ndërhyrje e gazetares Esmaralda Mulaj në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, që cito Fatmir Shehollin se “punës së Ramës sonte do ia ndjeni krismën nesër”.

Moderatori i emisionit Blendi Fevziu tha se ka informacione që Rama të ketë ndërmjetësuar lirimin e policëve të Kosovës, por theksoi se kjo teori nuk është e konfirmuar.

Blendi Fevziu: Kush e ka reagimin?

Esmeralda Mulaj: Është një Fatmir Sheholli, thotë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sonte e ka kryer një punë të madhe, nesër ia ndjeni krismën. Tani Fevziu pyete Edi Ramën çfarë pune ka kryer sonte?

Blendi Fevziu: Më çuan dhe mua një po nuk besoj të jetë e vërtetë. Me sa di unë sot në Shqipëri është Victor Orban, Kryeministri i Hungarisë. Dhe Rama duhet të jetë me Orbanin. Ka qarkulluar ideja që Rama po ndërmjetëson lirimin e.., po deri tani unë nuk kam konfirmim zyrtar. Mund të jenë dhe llafe.

Artan Hoxha: Edhe ato lirimet e murgeshave ne Afganistan Ilir Kulla i mbaronte. S’ka nevojë të çojmë Ramën. E bën Iliri ose Behgjet Pacolli.

Pse po mbyllet Klan Kosova? Kelmendi: Qeveria do të heqë vëmendjen nga sanksionet perëndimore. Ne nuk dorëzohemi

Ish-drejtori i Përgjithshëm dhe gazetari i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi ka shpjeguar në detaje se pse është urdhëruar mbyllja e Klan Kosovës nga Ministria e Tregtisë dhe Biznesit.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Adriatik Kelmendi thotë se ky vendim nuk është aspak ligjor dhe është bërë për të tërhequr vëmendjen tek një çështje tjetër dhe për ta larguar atë nga tensionet në veri dhe sanksionet perëndimore për Kosovën.

Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur se ka një konfuzion për idenë e mbylljes së medias?

Adriatik Kelmendi: Nuk jemi krenuar gjithmonë me lirinë e medias në Kosovë. Diçka që na bregos është marrë një pretekst nga një portal fare i vogël i cili e mbështet Lëvizjen Vetëvendosje, që ka bërë një shkrim me gjysmë të vërteta dhe ka sjellë një pretendim që edhe unë që kam qenë deri para një jave drejtor në Klan Kosova, nuk e kisha ditur që paska pasur një problem që sipas tyre, në regjistrimin e kompanisë në Maqedoninë e Veriut, është përdorur një dokument identifikimi që nuk është i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur asnjë problem që Klan Kosova të regjistrohet si medium i Republikës së Kosovës, të marrë lejen e biznesit e të licencohet nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të ushtrojë veprimtarinë e saj. Nga një shkrim i një portali të panjohur që nuk ka fare peshë. Është gjetur një pretekst, pra se është bërë një shkelje ligjore dhe ka intervenuar Ministria e Tregtisë e Biznesit duke thënë se e revokon certifikatën e biznesit për Shoqërinë Tregtare Klan Kosova dhe ka ngritur kallëzim penal. Por sipas të gjithë juristëve, nuk ka të drejtë ministria ta bëjë një hap të tillë dhe të githa organizatat ndërkombëtare dhe vendore, të gjitha mediat e kanë parë këtë si një sulm frontal të qeverisë drejt medias më të madhe në Kosovë si dhe një paralajmërim për të gjitha mediat e tjera.  

Blendi Fevziu: Pse është marrë ky vendim? Cili është argumenti që jepni ju?

Adriatik Kelmendi: Besoj se e para, është shmangia e vëmendjes. Ne kemi një krizë në veri të Kosovës. Ne kemi një situatë të paprecedentë që kanë filluar tashmë sanksionet në Kosovë për një mosdëgjueshmëri që po quhet nga shtetet perëndimore për të shtensionuar situatën në veri dhe është një krizë që është duke pasur Kosova në ballafaqimin me aleatët dhe duket se qeveria e zënë ngushtë me këtë situatë, dëshiron të shkaktojë çështje për të cilat të merret vëmendja e opinionit publik.

Ne kemi kontaktuar disa nga krerët e institucioneve, por jo drejtpërdrejtë Kurtin. Kemi folur dhe me drejtues të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, i kemi dërguar mesazh Vjosa Osmanit. Kemi parë që disa deputetë e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë për të marrë vëmendje lidhur me çështjen e Klan Kosovës.

Ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Ne nuk do ta mbyllim gojën asnjëherë. Për ne është bafasi si një hap i tillë.

Klan Kosova po mbyllet, gazetari Berat Buzhala shpjegon rastin: Shkak, dokumenti “Serbia”

Klan Kosova në Prishtinë po mbyllet me urdhër të Ministrisë së linjës dhe ndaj saj është bërë një kallëzim penal.

Por si ka nisur kjo histori? Gazetari Berat Buzhala i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka shpjeguar se pronari i Klan Kosovës është një shqiptar i Kosovës i cili ka dhe pasaportë të Serbisë.

E në regjistrimin e Klan Kosovës si biznes, në dokumentin zyrtar shtetëror shkruhet Serbia.

“Klan Kosova është regjistruar në Maqedoni sepse operojnë edhe në Maqedoni. Ai që e ka regjistruar Klan Kosovën në Maqedoni ka pasaportën e Serbisë, është shqiptar i Kosovës. Te baza e të dhënave shkruan aty “Gjakovë-Gjakovica”, Serbia. Ai e ka marrë atë dokument, ka shkuar në Agjencinë Rregullatore për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë edhe e ka regjistruar dhe në Kosovë. Ata ja kanë regjistruar në Kosovë. Qeveria thotë kemi ngritur kallëzim penal se si është e mundur të regjistrohet një biznes në Kosovë ku shkruan Serbia. Ata i kanë ne na ka regjistruar Agjencia. Nëse ke problem, e ke me Agjencinë që më ka toleruar mua të regjistroj biznesin. Ajo (ministrja) thotë kemi ngritur kallëzim penal edhe thotë do ta pezullojmë deri kur të zbardhet rasti”, u shpreh Berat Buzhala. 

“Serbia mund të bëhet më interesante se shqiptarët për amerikanët”, teza e Alizotit revolton Buzhalën: Pse na nënçmon?

“Nëse tani Serbia është bërë më interesante për amerikanët se vetë Kosova dhe mund t’i japin shumë më shumë favore Serbisë, kush do ta ndalojë atë?”, ishte kjo teza që ngriti njohësi i çështjeve ndërkombëtare Tomor Alizoti në “Opinion” në Tv Klan.

Kjo tezë ka sjellë mjaft reagime në studio mes të ftuarve dhe një ndër ato ishte edhe ai gazetarit Berat Buzhala.

Tomor Alizoti: Po e lëmë ne që gjithë këtë dëm të madh e ka bërë Kurti. Tani gjeopolitika nuk funksionon me Kurtin dhe pa Kurtin. Nëse po e hedh një tezë kot, po e hedh në ajër: Nëse tani Serbia është bërë më interesante për amerikanët se vetë Kosova dhe mund t’i japin shumë më shumë favore Serbisë, kush do ta ndalojë atë? Po jua them si tezë. Mund të bëhet më interesante Serbia se sa shqiptarët, atëherë ky nuk është problemi i Kurtit, por gjeopolitik. Pse i turreni Kurtit ju?

Berat Buzhala: Ku po e lexon këtu ti? Pse po mendon që mund të bëhet Serbia më faktor se shqiptarët kur shqiptarët janë faktorë në 3 shtete. Pse po e nënçmon aftësinë tonë?

Tomor Alizoti: Unë e hodha si tezë.

Alizoti zbulon planin e hershëm të Serbisë në raport me Shqipërinë dhe Kosovën

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Tomorr Alizoti, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka zbuluar një plan të hershëm të Serbisë, plan për të cilin thotë se e ka dëgjuar dhe lexuar në periudhën kur ai vetë ka qenë diplomat në Gjermani.

Sipas Alizotit, Serbia ka synuar që të zhbëjë Kosovën duke pasur partneritet direkt me Shqipërinë.

“Ka dy elemente që me dashje, pa dashje, dëmton situatën tonë. Një, Serbia ka pasur plan të saj, që kur kam qenë diplomat në Gjermani e kam dëgjuar dhe lexuar, që të ketë partneritet rreth Kosovës direkt me Shqipërinë, të zhbëjë Kosovën. E dyta, qëndrimi i Shqipërisë, i Kryeministrit aktual bashkë me Vuçiçin, jep perceptimin ndërkombëtar që njeriu destruktiv sot në këtë marrëdhënie është Kurti dhe jo Vuçiçi”, u shpreh Alizoti.

Ndër të tjera, Tomorr Alizoti u shpreh se Kryeministri shqiptar Edi Rama do duhej që të koordinohej më shumë me shqiptarët në rajon.

“Kurti po vepron gabim”, Marku për kryeministrin e Kosovës: Pse e bën garipin kur s’ke fuqi ta bësh?

Lidhur me situatën në Kosovë, analisti Mark Marku thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vepron gabim në shumë drejtime.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Marku shprehet se Kurti ka rënë pre e provokimeve të Serbisë, teksa shton se Kurti po bën “garipin” për situatën e krijuar në Kosovë.

Mark Marku: Edhe sikur të duan forcat e policisë, nuk mund të përballen me forcat serbe sepse Kosova është produkt i një rezolute të OKB-së dhe ka një forcë qeverisje edhe prej asaj forme qeverisje, por ka edhe kufizime. Unë nuk mendoj se Serbia është aq e fortë sa t’i marrë përpara të gjithë shqiptarët. Ndoshta ka fuqi ushtarake më të madhe. Edhe sikur të duan shqiptarët të përballen me Serbinë në luftë frontale, nuk i le kush. Shqiptarët nuk bëjnë luftë sepse Kosova është produkt i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Albin Kurti po vepron gabim në shumë drejtime, por jo se Kurti po nxit përplasje në veri sepse ato po i nxit Serbia. Serbia ka humbur 1 të 4 e territorit të vet. Serbia nuk ka më çfarë të humbë, Kosova nuk kthehet më nën kontrollin e Serbisë. Kurti është i provokuar, por pse bie në provokimet e serbëve? Pse e bën garipin kur nuk mundet që të ndërhysh aty? Pse e bën garipin kur nuk ke fuqi që ta bësh? Kurti është në të drejtën e tij që të vendosë rendin në shtet, por edhe ka vetëdijen dhe kur është bërë kryetar e ka ditur se është në këtë shtet me disa specifika. Nuk mund ta vendosë ai rendin, aty ku e kanë ndërkombëtarët. Nuk mund të bëjë akte që e fusin në konflikt me ndërkombëtarët, që të hysh në konflikt me atë faktor që të ka shkëputur nga Serbia. Nuk është e zgjuar, është e rrezikshme. Ku do të shkojnë shqiptarët nëse prishen me SHBA? Me Kinën apo Rusinë? Ku do të kemi përkrahje në Indi, në Rusi? Ky është gabim.

Rrëmbimi i 3 policëve, Artan Hoxha: Operacion mirëfilltazi i organizuar nga forcat speciale serbe

Gazetari Artan Hoxha thotë se rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe ishte një operacion i organizuar.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Hoxha theksoi se fotografimi i policëve pas rrëmbimit kishte një synim të caktuar nga Serbia.

“Më shumë se sa veprimi konkret, pra rrëmbimi, sepse ata janë rrëmbyer. E ai veprim është qartazi që është bërë me synim të caktuar. Pamjet e arrestimit në Mitrovicë të njërit nga organizatorët e protestave nga Policia e Kosovës sigurisht që patën një efekt të madh. Kjo patrullë ka qenë për të ruajtur një shteg që përdoret nga kontrabandistët. Forcat speciale serbe e kanë përgatitur këtë operacion.

Unë di që Policia e Kosovës ka armatim perëndimor. Me këtë lloj automatiku ka luftuar Adem Jashari.

Ata (serbët) nuk kanë simbole, sepse nuk kanë dashur të identifikohen. Kosova me Serbinë ka një problem, nuk e ka kufirin e shenjuar. Kufiri i Kosovës me Serbinë nuk është i shënjuar, prandaj dhe Vuçiçi luan e thotë i kapa në brendësi të territorit. Është një kufi që KFOR i ka të dhënat e asaj dhe lëviz. Ushtria serbe ka kaluar vijën e kufirit. Ai është operacion mirëfilltazi i organizuar”, tha ndër të tjera gazetari Artan Hoxha.

Buzhala: Vetëm NATO mund ta ruajë kufirin e Kosovës me Serbinë

Gazetari Berat Buzhala shprehet se forcat e Kosovës nuk mund ta mbrojnë kufirin me Serbinë, një gjë që thotë mund ta bëjë vetëm NATO.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Buzhala deklaron se nuk mundet Kosova që në total ka 10 mijë policë të mbrojë kufirin, përkundrejt Serbisë për të cilën thotë se ka fuqi të jashtëzakonshme ushtarake.

Blendi Fevziu: Ajo që më përshtypje, si shpjegohet që janë kapur? Duhet të kishin reaguar sepse ata ishin me kallashnikov në dorë?

Berat Buzhala: Më mirë që nuk kanë reaguar, do të ishin 3 njerëz të vdekur. Këta janë një njësi policore. Shumë mirë që janë dorëzuar të gjallë sepse nuk mundesh të luftosh 3 veta kur shteti serb ka qenë duke e përgatitur kurthin për ta. Nëse ti nuk ke fuqi si shtet që të organizosh diçka që t’i ruash këta në prapavijë, cili kishte me qenë efekti nëse t’i vrarë 3 njerëz aty, 3 prindër e bashkëshortë?

Kufirin e ruan ushtria. Në rastin e veriut, e ruan NATO. Ne nuk kemi potencial që ta luftojmë Serbinë atje në veri. Këtë potencial e ka vetëm SHBA. Me marrëveshjen e Brukselit, ushtria jonë nuk e ka të lejuar që të shkojë atje në veri të vitit 2013. Ne duhet të dimë se ne nuk mundemi ta ruajmë përballë Serbisë sepse ka fuqi ushtarake të jashtëzakonshme. Vetëm NATO mund ta ruajë kufirin e Kosovës me Serbinë, të gjitha këto të tjerat janë improvizime, janë ndjenja të larta patriotike. Ne nuk mund ta mbrojmë kufirin me Serbinë. Nuk mundemi ne ta mbrojmë sepse i kemi në total 10 mijë policë. Ne kemi marrëveshje me NATO-n. Po kërkojmë mish për top? Akt kriminal është i Serbisë! Jam i bindur se do të kthehen. Duhet t’i presim sikur heronj./tvklan.al