Të ftuar në Opinion: Paulin Vilajeti, Rezarta Caushaj, Agim Baçi, Delina Fico, Alion Çaçi, Doriana Bezat.

“Kam takuar gra deri në moshën 60 vjeç që ofronin seks”

Prostitucioni në vendin tonë, ndonëse jo i ligjshëm, duket se ushtrohet gjerësisht, madje më hapur nga ç’mund të mendohet. Nga studio e “Opinion”, gazetarja Doriana Bezat solli rastin e një vajze 22-vjeçare, e cila ushtronte prostitucion në mes të Tiranës.

“Nga kurioziteti që kam pasur sesi funksionon jeta e një punonjëse seksi unë kam kërkuar që të ndjek një ditë të një vajze, e pagëzova me emrin Lorena për të ruajtur anonimatin e saj. Ishte një vajzë që punën e kishte kthyer në biznes, kishte bërë vetëm 4 vjet shkollë. Nuk kam asnjë aftësi tjetër përveçse të shes trupin, më tha. Ishte nënë e 3 fëmijëve, megjithëse ishte 22 vjeç. Të tre fëmijët i kishte çuar tek Shtëpia e Fëmijës, sepse nuk mundej që t’i rriste e vetme. Më tha qartë, që nëse do që të bisedosh me mua, duhet të blesh kohën time. Unë e kam paguar për të qëndruar me mua dhe për të më treguar jetën e saj. E ka nisur punën që në moshën 13-vjeçare. Jetonte fillimisht në Lushnje, prindërit i vdiqën për arsye të ndryshme, Kaloi në shtëpinë e tezes në Fier, aty u ndje e keqtrajtuar dhe iu drejtua rrugës, ku u vetëshfrytëzua. Fillimisht kishte një bashkëjetues i cili e shfrytëzonte, më pas u nda nga ai pasi pati edhe një fëmijë. Dy fëmijët e tjerë i bëri në rrugë me partnerë që nuk i dinte cilët ishin baballarët e fëmijëve, vetëm për faktin që nuk kishte njohje për ruajtje në marrëdhënie seksuale. Ajo vajzë më tregoi se prostitucioni nuk është aq i fshehtë sa ne e pandehim, apo aq i vështirë. Ajo ishte në mes të Tiranës, pas Muzeut. Mjafton të qëndroj këtu dhe unë arrij të shikoj njerëzit sesi ecin se kush është në gjendje të blejë seks, më thoshte”.

Bezat tregoi më tej se kjo vajzë, i kishte treguar se ata që paguajnë për seks janë njerëz të arsimuar, me profesione të ndryshme. Gazetarja zbuloi gjithashtu se trupin e shesin femra deri në moshën 60-vjeçare.

“Më tregoi se personazhet nuk ishin nga ata që blejnë me 5 mijë lekë. Ishin njerëz me profesione, të arsimuar, dhe përsëri blinin seks nga kjo vajzë. Shkonte në një hotel që ishte shumë pranë zonës së Muzeut ku ajo shkonte, edhe punonjësit e hotelit e dinin këtë aktivitet të paligjshëm, por e lejonin. Aty ishin edhe shumë vajza të tjera, nga mosha minorene, 16 vjeç, deri në 60 vjeç, që ofronin këtë shërbim. Deri në 60 vjeç kam takuar gra që ofronin këtë shërbim”.

Avokatja: Prostitutat e klasit mbrohen nga pushteti

Prostitucioni është i paligjshëm në Shqipëri. Megjithatë janë të shumta rastet në të cilat ushtrohet. Disa janë publikuar në media. Në emisionin “Opinion”në TV Klan u diskutua këtë të mërkurë rreth kësaj çështje.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, avokatja Enida Bozheku, tregoi se çfarë dënimesh jepen për prostitutat nga gjykata. Ajo u shpreh se në përgjithësi shikohet niveli ekonomik që ka personi që është vënë në pranga.

Ndërkohë, sipas avokates, prostitutat e klasit nuk dënohen, për shkak se shkojnë me njerëz të pushtetshëm dhe mbrohen.

“Varet. Duke qenë se këtu prostitucioni është vajzë ose grua, unë do të thoja edhe meshkuj… Përtej kësaj do thoja që tendenca tek femrat varet tek mosha, është me ndonjë gjobitje. Kjo varet në nivelin ekonomik për të paguar. Do të thotë varet çfarë prostitute është. Është prostitutë klasi, apo jo. Prostituta e klasit, për aq kohë sa merr atë lloj shifrash do të thotë që shkon me njerëz të pushtetshëm ndërsa njerëz të pushtetshëm në një situatë, në të cilën prostitucioni në të dyja anët është i ndaluar, do të thotë që mbrohet”, tha avokatja.  

Në raste të tjera, tek ndëshkimi i prostitucionit ndikon edhe se çfarë gjykatësi ke përballë, mashkull ose femër. Sipas avokates, gjykatëset femra kanë tendencën të jenë më tolerante, ndërsa gjykatësit meshkujt më të ashpër.

Varet se kush ndëshkon. Është gjykatësi mashkull apo femër. Ka edhe kjo impaktin e vet psikik. Ka shumë të bëjë. Varet nga niveli moral personal i gjykatës kur vlerëson situatën, por femrat kanë tendencën që të jenë më pak tolerante ndërsa meshkujt për të treguar idenë e burrnisë tregohen pak më të ashpër”, tha Bozheku.

Ajo shtoi më tej se personat që paguajnë për shërbimin e prostitucionit nuk dënohen. Avokatja tha se prostitutat shpeshherë i mbrojnë, për shkak të pasojave që mund të vijnë mbrapa.

Ndërsa personat që organizojnë prostitucionin dënohen nga 2 deri në 5 vite burg dhe nuk ndaj tyre nuk ka gjobë. Sipas avokates, ata që organizojnë prostitucion janë në përgjithësi njerëz të njohur, me profile publike.

“Përgjithësisht ata që e organizojnë janë individë të tretë, që rrallëherë janë prezentë. Janë njerëz me kontakte dhe rrjet shumë të gjerë shoqëror. Janë njerëz me profile publike, kryesisht të njohur. Pra që duhet të jenë në ambiente. Janë njerëz brenda shoqërisë tonë, të njohur”, tha Bozheku.

Pastori: Prostitucioni në masë skandaloze; Reagon aktivistja: Aman mos bëni nga këto…

Debati për prostitucionit shkaktoi replika mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e “Opinion” mes aktivistes për të drejtat e njeriut Delina Fico dhe pastorit Paulin Vilajeti. Shkak u bë deklarata e pastorit, i cili tha problem në Shqipëri nuk është vetëm prostitucioni në vetvete, por dhuna që sipas tij ushtrohet ndaj të rinjve për të shkuar drejt kësaj rruge. Për këtë ai solli si shembull rastet kur pedagogët kërkojnë seks nga studentet në këmbim të provimeve. Kjo deklaratë hasi kundërshtinë e Ficos, e cila i kërkoji Vilajetit që të mos përgjithësonte, pasi sipas saj, rastet që publikohen në media nuk tregojnë domosdoshmërisht që ky është një fenomen i përgjithshëm, sa kohë nuk ka një studim me shifra konkrete.

Paulin Vilajeti: Ajo që doja të thoja është se nuk është thjeshtë prostitucioni në Shqipëri, por është edhe dhuna që ushtrohet ndaj të rinjve, vajza dhe djem, për të shkuar drejt prostitucionit. Sepse thjeshtë ne kemi parë nëpër televizione, që për provime nëpër universitetet shqiptare, ti duhet të paguash me seks për të marrë provimin, pra do të thotë që këtu është në një masë skandaloze prostitucioni në këtë vend.

Delina Fico: Aman mos bëni nga këto përgjithësimet, nuk ka bërë asnjeri studim. Është një fyerje e jashtëzakonshme për pedagogët e universiteteve shqiptare dhe për studentët. Nëse dini raste konkrete, thuaj di raste konkrete. Por këto përgjithësimet që studentët shqiptarë shkojnë shesin seksin për të marrë provimet… nëse ke bërë një studim, a ke të dhëna? Unë nuk i kam dëgjuar ndonjëherë. Të flasim pak me respekt për njerëzit, sepse i humbim edhe respektin dhe vëmendjen atyre që vuajnë vërtetë, se kur e bëjnë të gjithë, atëherë qenkemi të gjithë njëlloj.

Paulin Vilajeti: Nuk e di sa e ndiqni televizionin, por unë po flas me atë që kanë dhënë fakte në televizionin shqiptar.

Delina Fico: Një rast nuk është… tingëllon fyese për të gjithë gratë, vajzat.

Paulin Vilajeti: Nuk thashë të gjitha.

Delina Fico: Edhe duhet me kualifikuar fenomenet, se edhe kjo ideja se në të gjithë Shqipërinë të gjithë shesin trupin për ecur përpara në jetë, kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Është një plagë e rëndë shoqërore, nuk ia dimë përmasat reale, as në Shqipëri dhe asnjë vend tjetër, sepse është shumë e vështirë të nxjerrësh një përgjithësim, hajde të flasim për rastet që njohim. Më fal po…

“Kryejnë raporte në publik hapur, kush jeton në bulevard e di shumë mirë”

Prostitucioni ishte çështja që u diskutua këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. I ftuar në studio ishte edhe skenaristi Alion Çaçi, i cili deklaroi se në bulevardin “Zogu i Parë” kryhet seks hapur.

Ai u shpreh se ka denoncuar disa raste në polici, ku prostitutat dhe klientët e ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm në hyrje të pallateve, poshtë dritareve të familjeve, ku ka edhe fëmijë.

Madje për shkak të këtyre skenave, njerëzit janë detyruar që të vendosin hekura dyerve sipas skenaristit.

“Ata ligjërisht konsiderohen pa punë, prandaj e bëjnë zgëqeve, që nuk është fare zgëqeve. I gjithë Bulevardi “Zogu i Parë” vetëm unë kam telefonuar disa herë, policinë sepse futen zgëqeve të pallatit dhe futen nëpër hyrje pallatesh ku ka familje, ka fëmijë, poshtë pallateve, këtë e dinë të gjithë. Kryejnë raporte në publik hapur. Kush jeton në bulevard e di shumë mirë. U kanë vënë hekura dyerve sepse hyjnë nëpër hyrje pallatesh. Po të ishte e ligjshme asnjë nga këto nuk do ishte. S’do kishin frikë femrat apo çunat, apo fëmijët të kthehen vetëm në shtëpi se papritur do shihnin, aq më tepër tranvestitë”, tha Çaçi.

Sipas Alion Çaçit, nuk ka asgjë të keqe që një njeri i pjekur të vendosë ta shesë trupin si të dojë.  

“Individualisht këtu nuk ka asgjë të keqe që një njeri i pjekur dhe mendërisht dhe nga ana ligjore të bëjë ç’të dojë dhe ta shesë si të dojë, qoftë kjo femër apo mashkull se është krijuar ideja sikur janë vetëm femra. Ka edhe meshkuj. Dëgjojmë raste pafund edhe njerëz që i njohim nga afër që nuk kanë një partner. Zgjidhja do ishte njerëz që paguajnë taksa. Të taksojë shteti prostitutat dhe të marrë lekët. Në këtë rast do ishte edhe shteti krenar se do rriste shifrat e punësimit”, tha Çaçi./tvklan.al