Opinion-A do të “sulmojë” Irani Shqipërinë; Vrasje me snajper; Bombë në zyrën e shtetit

Opinion-A do të “sulmojë” Irani Shqipërinë; Vrasje me snajper; Bombë në zyrën e shtetit

Autori: Blendi Fevziu

20:34 09/01/2020

Të ftuar në Opinion: Artan Hoxha, Klodi Lala, Mentor Kikia, Lorenc Vangjeli dhe Enton Abilekaj. Në lidhje direkte Aranit Shehu.

Pse Irani është i rrezikshëm

Irani është i rrezikshëm sepse shfrytëzon dhunën si mjet për ndikim. Është ky mendimi i drejtorit të Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI) për Lindjen e Mesme dhe Izraelin, Arianit Shehu.

Ai ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Opinion” në Tv Klan nga Amani i Jordanisë. Shehu tha se Irani ka lidhje me grupe terroriste në Liban, Siri dhe Irak, çka e bën një vend të rrezikshëm.

“Irani është shumë i rrezikshëm sepse secili shtet jodemokratik, i cili nuk ka kompas moral, ose etik për me realizuar qëllimet e veta është jashtë rrjedhave të së drejtës ndërkombëtare, është jashtë marrëveshjeve ose kontrollit që sot e drejtojnë një botë demokratike. Secili vend është i rrezikshëm. Irani me fuqinë e vet që e ka, posaçërisht me lidhjet e veta me grupet terroriste në Liban, Siri dhe Irak dhe me tendencën që të shfrytëzojë dhunën dhe terrorin si mjete për ushtrimin për ndikim, padyshim që është i rrezikshëm”, tha Shehu.

Për sa i përket deklaratave të Liderit Suprem Ajatollah Ali Khameneit, ku kërcënonte Shqipërinë, Shehu i konsideroi si komplimente pasi fuqizon aleancën e Shqipërisë me vendet perëndimore.

“Personalisht e përshëndes deklaratën e kryeministrit Rama. Unë si shqiptar kur dëgjova deklaratën e Liderit Suprem për mua ishte kompliment sepse vetëm sa e fuqizon aleancën strategjike që ne kemi me botën e civilizuar, jo vetëm me SHBA”, tha Shehu.

Çfarë u gjet në apartamentin e përdorur nga snajperisti që habiti hetuesit

Gazetarja Klodiana Lala, nga studio e “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të enjteje detaje rreth sendeve të gjetura nga policia në apartamentin e përdorur nga autori i vrasjes së 47-vjeçarit Kastriot Reçi, paraditen e së martës në Rrëshen.

Ajo tregoi se, autoritetet policore ndër të tjera kanë gjetur planimetrinë e aparatamentit të shkruar në gjuhë të huaj, detaj që ngre dyshime se vrasësi mund të jetë i huaj.

“Është gjetur një kanotiere e grisur. Është gjetur një pako me kikirikë, që mesa duket autori i dyshuar ka konsumuar kikirikë gjatë kohës që ka qëndruar. Ajo që bën përshtypje është gjetur planimetria e apartamentit e shkruar në gjuhë të huaj, por policia nuk e saktëson se në çfarë gjuhe. E gjithë planimetria e apartamentit, mënyra sesi ngjitesh dhe hyn në apartamentin numër 28, është në gjuhë të huaj”, tha Lala.

Ndërsa gazetari Blendi Fevziu shtoi: “Që do të thotë që edhe vrasësi mund të jetë i huaj… dhe snajper të këtij niveli zor se gjen në Shqipëri”.

Vrasja me snajper, veprimi i shoqëruesit të Kastriot Reçit

Vrasja me snajper e 47-vjeçarit Kastriot Reçi ka tronditur Rrëshenin dhe tërë opinionin publik. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha deklaroi se qitësi është profesionist.

Goditja e vetme që ai kreu në drejtim të Reçit i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Por duke komentuar edhe videon e kamerave të sigurisë, ku duket viktima teksa qëllohet, Hoxha tha se kjo ka çoroditur edhe shoqëruesin e Reçit.

Në pamje, shoqëruesi duket i hutuar dhe shikon rreth e rrotull për vrasësin pasi nuk e merr vesh nga vjen goditja.

“Ai lloj qitësi do ta godiste në çdo rrethanë. Vetëm me një shtënë të vetme në gjoks e ka hedhur në tokë dhe ka mbaruar punën. Shiko shoqëruesin që ka ai. Shoqëruesi në fillim hutohet dhe bën një lëvizje sepse nuk e mori vesh nga është goditja. Shikon me sy të lirë mos është në distancë. Pastaj vijnë tre a katër. Janë edhe njerëzit e vet nga lokali. E vetmja mënyrë që mund t’i afroheshe është kjo”, tha Hoxha.

Sipas gazetarit, një atentat i tillë është i kushtueshëm.

“Të bësh një goditje të tillë dhe të sjellësh këtë lloj vrasësi në skenën e krimit ka një kosto. Ky është një atentat me një kosto të konsiderueshme. Nuk e gjen këtë lloj vrasësi në rrugë. Nuk është vrasës i zakonshëm”, tha Hoxha. 

Përse u sulmua Kryetari i Bashkisë nga shoferi?

Një tjetër ngjarje që tronditi vendin ditën e fundit të 2019-s, ishte sulmi me granatë në zyrën e Kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe. Autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, ku mbetën të plagosur vetë Kryebashkiaku dhe sekretarja e tij, ishte ish-shoferi i Tushes, Gëzim Saraçi, i cili vijon të mbetet në arrati.

Shkaqet e ngjarjes së rëndë vijojnë të mbeten të pazbardhura. Megjithatë mbrëmjen e kësaj të enjteje, në studion e “Opinion”, paneli i të ftuarve foli për një marrëdhënie të vjetër miqësore mes Tushes dhe Saraçit, por edhe për debate të ashpra kohët e fundit. Kryeredaktori i “Klan Plus”, Mentor Kikia, e cilësoi këtë ngjarje si tepër të rëndë, mbi të gjitha pasi ndodhi në një institucion shtetëror.

Kikia vlerësoi si tepër të rëndësishme që pyetjes “përse u sulmua Kryetari i Bashkisë nga shoferi” t’i jepet një përgjigje.

“Në Rrëshen dinim pse-në dhe nuk dinim kush, këtu dimë kush dhe nuk dimë përse-në. Për arsye shtetërore nuk ka ndodhur dhe nëse ajo e Rrëshenit është e rëndë për shkak të gjësë që është konsumuar në publik, kjo e Kryetarit të Bashkisë është edhe më e rëndë për një atentat që ka ndodhur brenda në zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe pyetja që meriton absolutisht përgjigje është, përse u sulmua Kryetari i Bashkisë nga shoferi?”

I pyetur se cila është arsyeja e këtij sulmi Kikia tha: “Unë nuk kam prova përse, por nuk ishte një njeri që kishte një problem shtetëror me Kryetarin e Bashkisë, nuk ishte një atentat që lidhej me detyrën, pra Kryetari i refuzoi dikujt lejen e ndërtimit, një biznes a koncesion, etj, dhe ky u hakmor. Shoferi, siç ndodh rëndom në Shqipëri, për zyrtarin është njeriu më i besuar”.

Hoxha: Frika e Tropojës pas qetësisë 10-vjeçare…

Tropoja do të tronditej nga një vrasje natën e 5 Janarit, ku nga një atentat vritet 47-vjeçari Guxim Gjyriqi. Sipas gazetarit Artan Hoxha, pas një qetësie 10-vjeçare, në këtë qytet të vogël është rikthyer frika e serialit të vjetër të ngjarjeve që ndodhën disa vite më parë në Tropojë.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, Hoxha u shpreh se Gjyriqi ishte një person pa të shkuar kriminale. Ai shtoi se kjo vrasje është kryer në të njëjtën ditë kur u vra edhe vëllai i Fatmir Haklajt, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i tij Artur Demiri, në vitin 1998.

“Pas një dekade u duk sikur Tropoja ra në qetësi. Kjo është ngjarja e parë që e trondit opinionin aty, sepse viktima është një personazh pa asnjë lloj ngarkese. Ndryshe nga ajo që thamë në Rrëshen, deri në 2 të natës lokali rrinte hapur. Edhe në kohën kur kanë qenë konfliktet në Tropojë, ky njeri shkëputej nga të tjerët, madje edhe nga njerëzit e vet. Nuk është përfshirë asnjëherë në këtë histori. Kjo gjë e ka bërë më të vështirë situatën dhe i ka trembur njerëzit atje, sepse duke mos patur ky ngarkesë, dyshimet shkojnë te seriali i vjetër i ngjarjeve në Tropojë. Vrasja është bërë më 5 Janar kur ka nisur gjithë ngjarja. Më 5 Janar 1998-s ka nisur ngjarja, kur është vrarë vëllai i Fatmir Haklajt, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i tij, Artur Demiri në Qafën e Luzhës. Vrasja është bërë me autorë të cilët e kanë ndjekur makinën prapa. Tropoja është vend i vogël”, tha Hoxha.

Pak momente para atentatit, Gjyriqi ka qenë i shoqëruar nga një familjar i tij, i cili është larguar më vonë. 47-vjeçari sipas gazetarit është ekzekutuar sapo ka mbyllur lokalin dhe po shkonte për në shtëpi. Hoxha shtoi se vëllai i viktimës ishte shok i afërt me Fatmir Haklajn. Prandaj autoritetet dyshojnë se ekzekutimi i 47-vjeçarit është bërë në pamundësi për të goditur vëllain e tij, pasi ky i fundit ndodhet në SHBA.  

“Ka qenë me një familjar para se të ndodhte ngjarja. Për fat të mirë ai është larguar se është edhe në moshë të re. Ai është larguar sepse mund t’i kishin vrarë të dy. Autorët si duket këtë kanë pasur objektiv. E kanë ekzekutuar. Nuk ruhej. Dyshimet janë që autorët nuk janë banorë lokalë, por të ardhur. Është me pagesë. Ajo është dyshimi që ka lidhje me ngjarjet e vjetra sepse vëllai i viktimës, i cili u largua që në 2003-n për të jetuar në SHBA, ka qenë shok i afërt i Fatmir Haklajt… kur ky ka qenë shef komisariati ai ka qenë shef i zyrës së pasaportave. Gjithë frika në atë qytet është frika që kjo ngjarje, nëse nuk veprohet shpejt, rrezikon të kthejë ciklin e ngjarjeve të vjetra në Tropojë dhe pastaj aty ngatërrohet historia dhe ne arrijmë te pika, këta janë vrarë për trafiqe apo për hasmëri? Aty lidhen ngjarjet dhe nuk i zbërthen dot më”, tha Hoxha.

Gjenerali amerikan: Irani është kërcënim për rajonin, SHBA dhe aleatët

Gjenerali amerikan, Michael Barbero, në një intervistë për emisionin “Opinion” thotë se nuk beson që ka një kërcënim të vërtetë për Shqipërinë nga Irani, megjithatë ai shprehet se është koha që Shqipëria të mbrohet nga sulmet kibernetike nga ky vend. Gjenerali amerikan thotë se Irani është një vend agresiv dhe burimi më i madh i sulmeve në Lindjen e Mesme, duke e bërë atë përgjegjëse për çdo mungesë stabiliteti në këtë rajon. Për këtë arsye, Barbero e cilëson Iranin kërcënim për rajonin, SHBA dhe aleatët e saj. Në intervistën për “Opinion”, Gjenerali tregon gjithashtu edhe sesi është njohur me emrin e Qassim Soleimanin.

Cili ka qenë misioni më i rëndësishëm në karrierën tuaj?

Përveçse si bashkëshort dhe si baba, misioni më i vështirë është se kam kaluar 4 vjet në Irak në luftë dhe profesionalisht ai ka qenë misioni më i vështirë. Në terren ka pasur vështirësi të veçanta, sepse kishte disa grupe të cilët kanë qenë kundra nesh, gjë që ishte edhe rrezikshme. Aty ishin edhe trupat shqiptare në koalicion me ne. Kur isha komandant aty, për trupat shqiptare kam vlerësimet më të mira për punën që kanë bërë.

Sa e fuqishme është sot ushtria amerikane, krahasuar me 10 vjet më parë apo më shumë?

Ushtria amerikane është sot tmerrësisht më e fuqishme, kemi qenë në luftë për 18 vjet. Tashmë jemi përshtatur dhe kemi më tepër pajisje. Por sot kemi një tjetër lloj kërcënimi nga terrorizmi për të cilin duhet të jemi të përgatitur, sepse edhe ai ndryshon.

Por cilat janë kërcënimet e Iranit?

Irani është sot burimi më i madh i sulmeve në Lindjen e Mesme. Libia, Siria, Jemeni, Iraku, çdo mungesë stabiliteti është prej Iranit. Ata duhet të kuptojnë se kjo nuk është më e pranueshme. Prandaj Irani është një kërcënim për rajonin, SHBA dhe aleatët tanë.

Sa të shqetësuara janë SHBA për këto kërcënime?

Shumë të shqetësuara. Por Presidenti Trump ka marrë vendime shumë precize dhe të sakta, të cilat duheshin ndërmarrë. Ai e dinte se do të kishte sulme të mëpasshme pas veprimeve të tij. Por në fund të ditës ato ishin veprime të drejta dhe ne duhet të jemi gati për këto lloj sulmesh dhe të përgjigjemi.

Pyetja është sa i fuqishëm është Irani, nëse flasim për trupat ushtarake apo armët që disponon?

Irani është shumë agresiv. Por modeli i tyre nuk është që të dërgojë ushtarët iranianë, por Hezbollahun dhe luftëtarët lokalë, të cilët për hir të së vërtetës janë shumë efektivë. Ata njihen gjithashtu edhe për sulmet kibernetike, pikërisht këto lloj sulmesh, presim më shumë prej tyre. Pra ata janë shumë të zotët dhe për këtë duhet të ketë një përgjigje për sulmet e tyre.

…dhe nisur nga eksperienca juaj sa do të zgjasë ky konflikt?

Kjo tashmë varet nga Irani. Ne asgjësuam Qasim Solejmanin, i cili ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të terrorit. Ai kishte gjak në duart e tij dhe ishte një person djallëzor. Irani u përgjigj me sulme raketore, por tani urojmë që Irani të zgjohet e të kuptojë se duhet të ketë dialog, do të shohim. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u mbrojtur nga sulmet.

Kur dëgjuat ju për herë të parë emrin e tij, pra për Solejmanin?

Për herë të parë dëgjova për të në vitin 2003 dhe ishte viti im i parë në Irak. Ne kishim patur disa sulme, analizova të dhënat dhe më çonin direkt tek ai. Pastaj ishte një rast tjetër në 2007-2008, ndërsa ne ishim duke kërkuar për të. Krimet e tij e lidhnin gjithnjë me Irakun duke organizuar sulme për forcat tona, kështu që emrin e tij e kam dëgjuar prej shumë kohësh. Por ai ishte mjaftueshëm i zgjuar për të mos ardhur personalisht në Irak, e të mos përballej nga afër me ne, ndryshe nuk do kishim folur për të sot. Por i kam dërguar mesazhe shpesh përmes ndërmjetësuesve Irakianë dhe ai përgjigjej.

Çfarë mendoni për deklaratat e bëra nga Ajetollahu Kahmenei në lidhje me Shqipërinë?

Mendoj se ai regjim është nën sulm, ata ndihen shumë paranojakë e të kërcënuar. MEK dhe Shqipëria nuk janë kërcenim për ta. Shqipëria është një nga aleatët më të mirë të SHBA e nuk surprizohem që Irani të thotë këto gjëra. Nuk besoj se ka një kërcënim të vërtetë nga Irani për Shqipërinë. Por tani është koha që Shqipëria të mbrohet nga sulmet kibernetike të Iranit dhe siguria këtu në përgjithësi. Ne të gjithë duhet të jemi vigjilent, kjo është një kujtese për të gjithë Shqiptarët, të jenë vigjilentë nga këto sulme terroriste, që janë kudo në botë çdo ditë.

A mendoni se do ketë një luftë në Lindjen e Mesme, apo përshkallëzime sulmesh?

Lindja e Mesme do të vijojë të jetë një vend i rrezikshëm, por besoj se nuk do të ketë një luftë. SHBA nuk do të pushtojnë Iranin, as Irani nuk do të ndërmarrë sulme të mëdha ndaj SHBA-ve apo aleatëve. Mund të këtë sulme të izoluara, por që duhet t’i mbajmë të vizualizuar. Nuk besoj se do të këtë një luftë, jo në Lindjen e Mesme./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:34 09/01/2020


Grupi