Opinion-A do të kthehet djali shqiptar nga Siria?

Posta

Opinion-A do të kthehet djali shqiptar nga Siria?

Autori: Blendi Fevziu

21:36 21/10/2019

Të ftuar: Ylli Gurra, Fatjona Mejdini, Avenir Peka, Artan Hoxha, Bedri Elezi, Etien Xhafaj dhe Adrian Shtuni në lidhje direkte.

Gazetari i Le Iene që gjeti 11-vjeçarin shqiptar në Siri tregon detaje për “Opinion”

Pak ditë më parë, emisioni investigativ italian Le Iene, përcolli një reportazh në qendër të së cilit ishte babai shqiptar, Afrim Berisha, djali 11-vjeçar i të cilit ndodhet në një kamp në Siri.

I zhdukur prej 5 vitesh, atëherë kur nëna e tij iu bashkua luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe u largua drejt Sirisë, gazetarët e Le Iene arritën ta gjenin Alvinin. Ata bënë ç’ishte e mundur, madje udhëtuan sëbashku me babain e Alvinit për ta marrë atë nga kampi në Siri, por kjo qe e pamundur.

Mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Opinion”, një prej gazetarëve të Le Iene, Osvaldo Verri, në një intervistë tregon më shumë detaje për këtë rast të ndjekur prej tyre. Ai thotë se nuk kishte qenë e lehtë të futeshe në kampin Al Hol dhe se të vetmit që i kishin ndihmuar kishin qenë kurdët.

“Kam qenë në Siri për reportazhe të tjerë, por në Kampin Al Hol ishte hera e parë që shkoja. Ishte e vështirë derisa mbërritëm. Ne menduam se do të kishim ndihmën e organizatave që janë atje, mbështeteshim tek ushtarakët, ambasadorët, por askush nuk na ndihmoi. Në fund, ata që e vunë dorën në zemër dhen u prekën nga babai e vendosën të na ndihmonin ishin kurdët që na lejuan të hyjmë në kamp me një pritje shumë të reduktuar krahasuar me normën e televizioneve, që presin nga 3 ditë në një javë, ne hymë për një ditë, duke patur një baba të dëshpëruar”.

Verri tha se në kamp kishin parë shumë fëmijë dhe kishin mësuar se aty kishte edhe familje e fëmijë të tjerë shqiptarë.

“Të hyje në atë kamp është e vështirë dhe e rrezikshme, sepse kishte gra dhe fëmijë që janë familje të luftëtarëve të ISIS. Të qëndroje brenda tendave për pak kohë, duhet të bije dakord me kurdët sirianë, tu thoje çfarë doje të bëje dhe ata të shoqëronin. Përqendrimi ynë ishte tek Alvin, ndaj u përqendruam pak në histori të tjera dhe raste të tjera. Pamë shumë fëmijë dhe na thanë që në një pjesë të kampit kishte familje shqiptare fëmijë shqiptarë, por nuk arritëm të shkonim. Kampi ishte shumë i madh. Por pamë fëmijë në kushte shumë të këqija, pisllëk, dhe unë që jam baba më dhemb zemra”.

Gazetari italian tha se kishin provuar të gjitha mënyrat për ta marrë 11-vjeçarin nga kampi, por nuk kishin mundur pasi iu tha se kishte një procedurë fikse. Duke qenë se Alvini kishte pasaportë shqiptare, duhej një përfaqësues i shtetit shqiptar për ta marrë fëmijën.

“Ne i provuam të gjitha mënyrat për të marrë Alvinin dhe për ta kthyer tek i ati. Ka procedura që në atë terren lufte ka interesa ndërkombëtare, ndaj ka vëmendje nga e gjithë bota mbi fatin e njerëzve që janë në atë kamp. Kurdët, ata që drejtojnë kampin na thanë se në asnjë mënyrë nuk mund ta mbanin atje babain që donte të rrinte atje, pasi atje çdo ditë vriteshin njerëz nga ish luftëtarët e ISIS. Por nuk mund ta jepnin fëmijën, pasi kishte procedurë fikse, që për të marr një fëmijë i lindur në Itali dhe rritur Itali, por kishte pasaportë shqiptare duhej një figurë e një përfaqësuesi nga shtetit shqiptar. Pa këtë figurë nuk e jepnin fëmijën. Na thanë se raste të ngjashme ka patur. Na treguan se nëna daneze me fëmijë danezë, që s’kishin asnjë lidhje me ISIS dhe donin të ktheheshin. Ata janë kthyer me një funksionar të qeverisë daneze dhe në 10 minuta kanë marr fëmijën. Ne këtë mundësi nuk e patën, provuam edhe me ambasadorin shqiptar, por patëm premtime dhe deri më sot fëmija është atje”.

Më tej Verri tregon se kishin udhëtuar drejt Sirisë përpara ndërhyrjes turke. Përveç kontrolleve në rrugë, ai thotë se nuk kishin pasur probleme. Gazetari italian shprehet gjithashtu se tani që ai territor nuk është më nën kontrollin e kurdëve është shumë vend i rrezikshëm, sidomos për fëmijët.  

“Shkuam përpara ndërhyrjes turke. Ne nuk patëm asnjë problem. Me ne të gjithë ishin të sjellshëm, fjetëm në hotel, shkuam për darkë në restorant. Të varfër sigurisht, por nuk patëm probleme me askënd. Sigurisht që kishte kontrolle në rrugë që të shihnin kush je e çfarë bën, por nuk patëm probleme. Të vetmet që ishin pak më ndryshe ishin gratë e ISIS brenda kampit. Kur ishim atje shkëmbyem pak batuta me gratë e veshura me të zeza atje që na thanë se kanë frikë atje, ka dhunë, ka njerëz që u vënë flakën tendave. Dhe tani që kurdët nuk kanë më kontroll mendoj se është shumë më e rrezikshme. Për fëmijët mendoj se është edhe më e rrezikshme. Të vjen vërtet të qash”.

Zv/ministri i Jashtëm: Si do të shpëtohet Alvini nga kampi në Siri

Pothuajse të gjithë shtetasit shqiptar që ndodhen në kampin e kontrolluar nga kurdët në Siri, janë të identifikuar nga autoritetet shqiptare.

Zv/ministri i Jashtëm Eltien Xhafaj, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të folur për rastin e 11-vjeçarit Alvin që gjendet në këtë kamp i vetëm, thotë se operacioni në situata të tilla është delikat.

Sipas tij, autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere të angazhuara në riatdhesimin e shtetasve të huaj që ndodhen në Siri, të cilët kanë luftuar apo kanë qenë pjesë e ISIS.

Zv/ministri Xhafaj theksoi se shqiptarët që kanë shkuar në Siri për të luftuar me ISIS, nuk kanë hyrë apo regjistruar me emrat e tyre realë, por me emra arabë.

Për të rikthyer Alvinin, Eltien Xhafaj thotë se do të përdoret e njëjta procedurë sikurse do të veprohet me të gjithë shtetasit e tjerë.

“E gjithë historia në fjalë është një gjë shumë prekëse. Është një gjë shumë e vështirë për të komunikuar. Pavarësisht momentit kur emisioni ka zgjedhur të kontaktojë ambasadorin, ka pasur prej muajsh përpjekje aktive të shtetit shqiptar për të arritur të lidheshin kontaktet.

Mënyra që kaë zgjedhur dhe shtete të tjera është duke vendosur kontakt në terren. Nëpërmjet partnerëve të huaj jemi lidhur prej kohësh. Kemi të dhëna mbi ato që janë presupozime. Por një nga pjesët e domosdoshme për t’u bërë edhe identifikimi në terren. Nuk mund të kaloj në detaje operacionale. Ajo që mund të them është që ne jemi në komunikim të vazhdueshëm për të mundësuar këtë kthim. Kemi informacion të detajuar, por nuk është ndarja specifike. Shumica e shqiptarëve nuk kanë më dokumentin e tyre shqiptar. Ose emrat me të cilët janë të regjistruar nuk janë emrat e tyre shqiptarë por emrat arabë.

Me djalin do të veprohet në të njëjtën mënyrën që do të veprohet me të gjithë të tjerët. Ajo që bëhet duke i mediatizuar këto raste është që ekspozohet. Ka një operacion, ka një konsensus të lartë. Kosova ka bërë një operacion tepër specifik që ka qenë i pari i llojit të vetë. Pasi e bëri Kosova kemi nisur edhe ne kontaktet. Shqipëria ka bërë disa hapa që ka qenë ndërtimi i të gjithë strukturës operacionale”, deklaroi zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Eltien Xhafaj.

Publikohet foto e operacionit të Alvinit në Siri

11-vjeçari shqiptar në Siri, Alvini, për të cilin babai i tij kërkon rikthimin e të birit, është operuar në këmbë në muajin Maj të këtij viti. Gjymtyrët e tij u dëmtuan nga shpërthimi i një predhe në kampin ku ai qëndronte në Siri me mamanë e tij shqiptare dhe njerkun.

Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për Studime për Siguri, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka publikuar një fotografi të Alvinit fill pas operacionit. Fotografinë ai e ka marrë nga mjekja amerikane që e operoi.

Bedri Elezi: Ky është djali i operuar. Këtë e kam marrë nga një mik i imi, vajza e të cilit është mjeke në kamp. Është një amerikan, vajza e tij e ka operaruar. Dhe kjo fotografi është ditën kur Alvini është kthyer nga operacioni, i ka akoma shenjat. Këtë fotografi nuk e ka pasur as vetë Afrimi.

Blendi Fevziu: Mamaja ishte e vrarë në bombardim?

Bedri Elezi: Nuk e dimë nëse mamaja ishte e vdekur, për shkak se në rastin kur ka ndodhur në veturën me Alvinin ishte babai i tij i dytë dhe ishin një vajzë dhe një çun i vogël, 6 muajsh dhe 2 vjeç.

Blendi Fevziu: Motra dhe vëllai i tij të lindur me baba tjetër?

Bedri Elezi: Po, edhe ai ishte një shqiptar.

Blendi Fevziu: Edhe ai ishte shqiptar?

Bedri Elezi: Po! Ishte një shqiptar nga Ferizaj. Pastaj aty ra një predhë dhe dyshohet se kanë humbur jetën edhe dy fëmijët dhe prindi. Por për nënën ka pasur plagë serioze dhe akoma nuk ka informacione të sakta nëse ajo ka vdekur apo i ka mbijetuar plagëve.

Blendi Fevziu: Pra e ëma ishte martuar me një shqiptar nga Ferizaj dhe kishte lindur dy fëmijë të tjerë përveç dy vajzave që kishte në Itali dhe Alvinit që kishte me vete.

Bedri Elezi: Ishte një djalë edhe një vajzë e mitur. Një predhë kishte rënë në makinën e tyre.

Rasti i Alvin Berishës, i cili aktualisht ndodhet në një kamp në Siri të kontrolluar nga kurdët, mori vëmendje pas investigimit të emisionit italian “Le Iene”. Babai i Alvinit, i cili jeton në Itali, kërkoi ndihmën e emisionit për të gjetur djalin e tij. 11-vjeçari u gjet nga gazetarët italianë në kampin në veri të Sirisë, por babai i tij nuk mundet që ta tërheqë prej andej pasi kurdër kërkuan një përfaqësues të shtetit shqiptar. 

Gazetarja rrëfen historinë e gjyshes shqiptare që shkoi në Siri për nipin dhe mbesën

Gazetarja Fatjona Mejdini ka rrëfyer historinë e familjes Dumani, që u përfshi në luftën e ISIS në Siri. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja tregoi se si babai shkoi të luftonte dhe mori me vete dy fëmijët.

Ai kërkonte edhe bashkëshorten e tij që të shkonte aty, por kjo e fundit refuzonte. Për të mos lënë vetëm dy fëmijët e mitur në një zonë lufte, në Siri shkoi edhe gjyshja e tyre.

Një vit më vonë, babai i tyre u vra në luftë. Sot e kësaj dite, dy fëmijët ndodhen në kamp në veri të Sirisë së bashku me gjyshen e tyre.

Po flasim për rastin Dumani, kur babai rrëmbeu dy fëmijët në vitin 2014. I rrëmbeu nga nëna dhe i çoi në Siri. Flasim për Eva Dumanin dhe Indrit Dumanin. Vajza ishte 8 vjeç në ato momente, djali 6 vjeç. Babai i rrëmbeu dhe shkoi atje. Dhe i kërkonte të ëmës që të vinte dhe t’ju bashkohej atyre. Sigurisht që e ëma nuk mund ta bënte këtë gjë. Dhe gjyshja u bë si të thuash edhe heroinë dhe shkoi atje me atë idenë që mos t’i linte fëmijët mes luftëtarëve të ISIS.

Dhe në këto momente i ati i fëmijëve vdiq një vit më vonë. U vra në luftë. Dhe gjyshja ka qëndruar me fëmijët duke sakrifikuar praktikisht jetën e vetë. Sot është në kamp me fëmijët në Al-Hol. Shkoi për mos t’i lënë fëmijët aty. Është shumë e moshuar dhe është në gjendje të vështirë edhe shëndetësore. Sepse mund ta imagjinojmë çfarë kushtesh janë ata dhe po qëndron aty vetëm për të mos i lënë fëmijët jetimë”, tha gazetarja Fatjon Mejdini.

Gazetarja nxjerr zbuluar zv/ministrin për mos kthimin e shqiptarëve nga Siria

Gazetarja Fatjona Medini thotë se Shqipëria nuk ka marrë asnjë hap për të kthyer në atdhe shqiptarët të cilët ndodhen në Siri. E ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion”, Medini solli një listë të vendeve që kanë kthyer shtetasit e tyre. Ajo tha gjithashtu se të gjitha këto vende kanë dërguar përfaqësues, si pjesë e një procedure standarde. Ky fakt u kundërshtua nga zv/ministri i Jashtëm, Eltien Xhafaj,  i cili thotë se i gjithë kontakti vjen nëpërmjet partnerëve dhe zhvillohet nëpërmjet tyre.

Fatjona Medini: Shqipëria është vendi i fundit, nga të gjitha vendet që ka pasur këtë problematikë që ka marrë hapa. Në fakt, nuk ka marrë asnjë hap. Nëse duam të dimë se çfarë kanë bërë vendet e tjera, atëherë unë mund të jap një listë. Në muajin Prill Kosova ka tërhequr 110, nga këta 74 fëmijë, 4 burra dhe pjesa tjetër gra. Në muajin Maj, Kazakistani, një vend i cili ka pasur të njëjtën problematikë, ka tërhequr mbrapsht 281 burra, gra e fëmijë. Në muajin Maj përsëri Uzbekistani, 148 përfaqësues. Belgjika, në Qershor ka kthyer 6 jetimë. Franca në Qershor ka kthyer 12, pasi kishte kthyer 6 të tjerë në muajin Mars.

Blendi Fevziu: Në të gjitha rastet kanë çuar përfaqësues atje?

Fatjona Medini: Është procedurë standarde. Domethënë shteti i këtyre vendeve, është një shtet serioz, i cili bisedon me administratën kurde. Ata kanë komandën e tyre, kanë një zinxhir komandimi, sepse janë një trupë e përgatitur, gati për të ndërtuar një shtet, prandaj sigurisht që kanë përfaqësuesit e tyre. Të paktën në rastin e Austrisë, unë e di me detaje sesi është bërë i gjithë operacioni. Në datën 1 Tetor ata kanë kthyer 2 nga 4 fëmijët që kanë pasur. Është lidhur shteti austriak, Ministria e Jashtme austriake me përfaqësuesit kurdë, kanë vënë amerikanët në dijeni për këtë operacion, kanë shkuar. I kanë pajisur fëmijët në kamp atje me dokumente identifikimi austriake, sepse kanë qenë në zonë lufte dhe sigurisht që nuk kanë pasur. Dhe pas i kanë çuar në Irak, në avion në Bagdat drejt Vienës. Domethënë ky është mekanizmi që kanë përdorur gjithë këto shtete. Kthehemi tek Amerika, në muajin Qershor ka kthyer 2 gra dhe 6 fëmijë. Amerika, që ne po e përdorim, të paktën Kryeministri Rama e ka përdorur si arsye të faktit që po negociojmë me amerikanët. Në asnjë moment amerikanët nuk kanë pasur pengesë. Kanë qenë aty thjeshtë për të facilituar procesin e kthimit.

Ajo që është më e rëndësishme është që situata sot është shumë e vështirë. Shqipëria ka humbur një shans të artë, për t’i kthyer ata njerëz nga muaji Shkurt kur ata shkuan në kamp, deri në këto momente që po flasim. Nesër ju e dini shumë mirë që armëpushimi mbaron dhe fillon përsëri ofensiva turke dhe situata bëhet shumë e vështirë. Amerikanët kanë dalë komplet nga zona e Sirisë dhe kanë shkuar në zonën e Irakut. Tani se çfarë do ti ndodhë atyre fëmijëve dhe grave, realisht është e paparashikueshme dhe shteti shqiptar, sot jo vetëm që s’ka bërë asgjë në të gjithë këtë periudhë, por edhe shtetet e tjera më të fuqishme sot, vërtetë që janë përpara një dileme.

Eltien Xhafaj: Kjo nuk është absolutisht e vërtetë dhe ndoshta ju duhet të verifikoni e para njëherë që janë 10 mijë të huaj në Al Hol. Janë 10 mijë të huaj nga të cilët ka edhe kombësi franceze, ka edhe kombësi italiane etj. Në fakt atje ka edhe shumë kombësi të tjera përfshirë edhe amerikanë, ka edhe belgë e holandezë, të cilët janë të intervistuar aty dhe po ta shikoni deri në fund emisionin edhe vetë gazetarët thonë se duhet vendosur një kordon sigurie për të kaluar diplomatë. Dhe asnjëherë në asnjë rast nuk e kemi përjashtuar që është e domosdoshme prezenca qoftë identifikim, qoftë për komunikim. Ajo që është problematike është që nuk ka një interlokutor shtetëror të njohur. Rrjedhimisht i gjithë kontakti ka ardhur nëpërmjet partnerëve dhe është zhvilluar nëpërmjet tyre. Hapat specifike unë nuk mund t’i tregoj, sepse vë në rrezik njerëz të tjerë.

Fatjona Medini: Po si mundet, domethënë të gjitha këto vendet e tjera që unë rreshtova, kanë pasur operacione të tilla.

Eltien Xhafaj: Ka një operacion që ka muaj që po zhvillohet dhe ka muaj edhe para këtij emisioni, një komunikim të vazhdueshëm që kemi pasur me partnerët, për të mundësuar kthimin në Shqipëri të këtyre personave, sidomos të grave dhe fëmijëve. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:36 21/10/2019

Reklama
UKT
Grupi
UKT