“E thënë me troç, do të jetë apo jo Lulzim Basha ai që do të drejtojë Partinë Demokratike, në katër vitet e ardhshme, kjo është ekskluzivisht puna juaj, por me apo pa Lulzim Bashën ne e kemi shumë të qartë se opozita jonë e vetme është Partia Demokratike dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na e bën më të vogël, por më të madh, detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim, apo kufizim, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve”, tha Rama gjatë fjalimit të fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kjo deklaratë e përmendur nga kryeministri Edi Rama të martën u komentua në studion e “Opinion” në Tv Klan. Mes të ftuarve u fol për një ftesë nga ana e Ramës për të bashkëpunuar dhe bashkëqeverisur me PD-në. Por çfarë do të sillte kjo për vendin sipas të ftuarve?

“Nëse e kanë këtë plan është katastrofë për vendin”, tha gazetari Blendi Fevziu.

Ndërkohë, drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, u shpreh se fitorja me 74 mandate e Partisë Socialiste në zgjedhje e bën të pamundur një bashkëqeverisje mes dy forcave politike më të mëdha në vend. Sipas tij, një qeveri e madhe mes dy palëve të mëdha do të ishte në të mirë të vendit pasi do të kalonin reforma të rëndësishme. Frangaj u shpreh se ka vende demokratike, duke përmendur Gjermaninë, që kanë bërë një qeveri të madhe.

“Kam frikë se e bën të pamundur ky rezultat. Nuk do ishte keq. Prej shumë kohësh e kam artikuluar që është në të mirë të vendit, të reformave të mëdha, të integrimit në Europë, për reforma kushtetuese, reforma prone që janë bërë të sajuara, shtesa amendamente dhe asnjëherë nuk kanë dhënë rezultat si duhet që nga problemi i pronës e me radhë. Do ishte e mirë për vendin. Një vend i vogël me 2 milionë banorë që zihemi dhe kacafytemi për asgjë dhe xhirojmë në vend tash 30 vjet, unë them që një qeveri e madhe e dy palëve të mëdha do të ishte në favor të zhvillimit të vendit. Ka vende demokratike që e kanë bërë. Unë them që këtë radhë është e pamundur sepse po të ishte me numra 70-70 nuk do e përjashtoja dhe do e mbështesja”, tha Frangaj.

Ndryshe mendon analisti Armand Shkullaku. Sipas tij një koalicion i gjerë nuk i bën mirë vendit pasi nuk mbrohen interesat e qytetarëve. Shkullaku shtoi se qytetarët kanë votuar PD-në për të larguar Ramën dhe nëse do të futeshin në një qeveri bashkë Basha bëhet “noter që t’i vulosë Ramës, çdo gjë që bën.

“620 mijë njerëz që kanë votuar këtu për PD, nuk kanë votuar që ta shohin me Edi Ramën. Ata kanë votuar kundër Edi Ramës. Lëreni LSI-në se po marr PD-në. Ata 620 mijë vetë kanë votuar që të mos e shohim më kryeministër. Kjo është fryma që rriti votat. Ai është vullneti i sovranit për të pasur në opozitë PD-në, pikë. Në një vend që nuk ka sindikata, s’ka shoqëri civile, interesat e qytetarëve kush do i mbrojë? Ata kanë votuar sepse ka 8 vjet opozita që thotë se di Rama po abuzon dhe po kontrollon të gjitha pushtet. Këta thonë ta bëjmë Lulzim Bashës noter që t’i vulosë Ramës, çdo gjë që bën Rama. Opozita ka tjetër mision, nuk lihet vendi pa opozitë”, tha Shkullaku.

Ndërkohë Erla Mëhilli shtoi se, “Numerikisht Edi Ramës nuk i duhet fare Lulzim Basha. Shqiptarët kanë votuar që Edi Rama dhe PS t’i qeverisë, dhe Lulzim Basha e PD të jenë në opozitë. Nëse do të futeshin në qeveri ky do të ishte deformim i vullnetit të qytetarëve”.

Analisti Preç Zogaj tha se një qeveri me bazë të gjerë duhet të ndikohet nga numrat dhe duke qenë se PS-ja e ka shumicën, kjo nuk do të bënte sens. Prandaj sipas tij, rezultati që doli nuk e përligj bashkëjetesën.

“Një qeveri i koalicionit të madh që nuk diktohet nga numrat nuk ka sens. Vetë PD-ja, kushdo që të jetë aty e Luli nuk kanë mundësi që ta pranojnë sepse populli ka votuar. Edi Rama ka marrë përgjegjësinë. Rama ka luksin që bën akrobaci me këtë ftesë sepse nuk pyet njeri. Të ftosh një palë për bashkëqeverisje pa mbledhur një forum veç një lider që është vetë zot vetë shkop mund ta bëjë. Kjo është një gjë e madhe. Ai është tërhequr nga ajo. Edhe në fushatë tha që mua më keqkuptuat, e tha për bashkëpunim për reformat. Rezultati që doli nuk e përligj bashkëqeverisjen. Edhe po ta ketë dashur Rama, qytetarët e votuan më shumë dhe i thanë qeveris vetëm”, tha Zogaj./tvklan.al