Në studio: Klodiana Lala, Esmeralda Mulaj, Tomor Alizoti, Baton Haxhiu. Në lidhje skype: Blerta Dalloshi Berisha

Një komando me numër të papërcaktuar të pjesëtarëve të saj ka hapur zjarr në orët e para të mëngjesit të së dielës ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Si pasojë e zjarrit të hapur prej tyre ka humbur jetën Afrim Bunjaku, një oficer i Policisë së Kosovës dhe janë plagosur dy policë të tjerë.

Në fakt, ngjarja që u duk si një reagim i momentit pati komplikime të mëtejshme. Në orët e para të mëngjesit, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbledhur Komitetin e Sigurisë Kombëtare në të cilën është diskutuar për një komando të mirëorganizuar, të stërvitur ushtarakisht, të armatosur me të gjitha llojet e armatimit, e cila ka qenë e vendosur në brendësi të territorit të Kosovës dhe është transferuar pak më tutje në një manastir serb. Për thuajse 14 orë, midis kësaj komandoje dhe Policisë së Kosovës, ka pasur shkëmbime zjarri në distancë. Një numër pjesëtarësh të komandos kanë humbur jetën, janë eliminuar nga forcat speciale të Kosovës, ndërkohë që deri tani një pjesë tjetër mendohet që janë larguar. Kryeministri i Kosovës ka folur për një komando me rreth 30 persona të cilët ishin të mirëarmatosur, të stërvitur dhe me të gjitha pajisjet e një skuadre për operacione speciale jo thjesht për reagime të zakonshme.

Gazetarja: Janë 702 km vijë kufitare, gjithë njësia policore e Kosovës nuk e monitoron dot

Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ka deklaruar sonte për “Opinion” në Tv Klan se policia e Kosovës nuk ka kapacitetet e duhura për të monitoruar të gjithë vijën kufitare të vendit.

Përmes një lidhjeje Skype, ajo konfirmoi po ashtu se janë arrestuar dhe dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal serb.

Klodiana Lala: Ajo është një polici e papërgatitur për të bërë luftë me formacione luftarake. Policia shqiptare, uroj të mos ketë më përplasje të tilla sepse tensioni dhe rreziku aty është shumë i lartë. Nuk është lejuar askush të kalonte në fshatin Banjskë sepse policia besonte se grupi mund të kishte minuar dhe tokën. Zgjidhja ideale do të ishte politike.

Blerta Dalloshi BerishaJanë 702 km vijë kufitare e Kosovës, më shumë se gjysma është vetëm me Serbi. Ushtria e Kosovës nuk ka të drejtë të ruajë kufirin me Serbinë.

-KFOR kontrollon pikat apo edhe kufirin e gjelbër? Edhe malin, pyjet…

Blerta Dalloshi Berisha: Po flas për komplet zonën e gjelbërt, gjithë njësia e Kosovës nuk ka gjasë ta monitorojë.

-Po nuk e ruajti dot Jugosllavia! Në kohën e Jugosllavisë, UÇK ka futur armë sa ka dashur.

Blerta Dalloshi Berisha: Në veri gjithçka është ndryshe.

Klodiana Lala: Këtë thashë dhe unë, që policia nuk ka kontroll mbi veriun.

Blerta Dalloshi Berisha: Me marrëveshjen e 2016-ës ka qenë qëllimi me integru strukturat paralele.

-Duan të integrohen serbët e Kosovës?

Blerta Dalloshi Berisha: Nuk besoj. Ata dolën prej institucioneve, shumica prej tyre e kanë keqpërdor pozitën e policit në veri. Shumë gra kanë filluar ta lajmërojnë policinë për dhunën në familje, është shtuar besimi. Një lajm i fundit është që janë arrestuar dhe dy persona, e konfirmoi dhe zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës. Kryeministri, e keni vërejtur se ka hezituar ta quajë agresion sepse do të duhej të çojë ushtrinë në aksion, nuk mundet kjo.

“Ajo që ka ndodhur dje e ka tejkaluar Brukselin”, Haxhiu për situatën në veri të Kosovës

Analisti Baton Haxhiu thotë se situata që ka ndodhur dje në veri të Kosovës, e ka tejkaluar Brukselin teksa ka shtuar se tanimë ka lindur një situatë e re në raportin Kosovë-Serbi.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Haxhiu shprehet se nuk do të mendojë fare nga lufta, teksa shton se me një gjë të tillë “jemi të humbur”.

Baton Haxhiu: Ajo që ka ndodhur dje, realisht në një farë mënyre, e ka tejkaluar Brukselin. Brukseli më nuk ka kuptim për arsye se kemi një situatë të re, e cila realisht i ka 2 momente.

Blendi Fevziu: Ishte rast i veçuar, apo rrezikon të jetë fillimi i destabilizimit të vazhdueshëm?

Baton Haxhiu: Më herët, Tomori tha diçka, por kaloi si e heshtuar, tha se “këtu është momenti që do të kemi konflikte të vazhdueshme apo një zgjedhje politike” dhe zgjedhje politike është ajo që më së shumti i duhet Kosovës. Zgjedhja politike i ka 2 momente: Ose vetëizolimin, ose atë që SHBA thonë. Kësaj here, edhe Kurtit, edhe Vuçiçit i është dashur një Radoçiç për ta shkërmoqur një situatë të “status-quosë”. Albin Kurti ishte i izoluar nga të gjithë ndërkombëtarët, kur se ky përfitoi nga një situatë për shkak të kryeneçësisë së Albin Kurtit. Kemi ardhur në një pozitë ku nuk ka shtyrje më. Nuk dua të mendoj nga lufta fare, fare sepse aty jemi të humbur fare.

“Destabilizo dhe faktorizohu”, Alizoti: Serbia më e rrezikshme se Rusia, shqiptarët të unifikohen

Deputeti Tomorr Alizoti ka folur sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan për situatën e vështirë të krijuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, Serbia është më e rrezikshme se Rusia dhe po përdor taktikën e bazuar te doktrina politike “destabilizo dhe faktorizohu”. Kjo e fundit thotë Alizoti është kërcënim serioz për shqiptarët.

Tomorr Alizoti: Serbia madje është më e keqe se Rusia, në 1876-ën Serbia ka guxuar e vetme të sulmojë Perandorinë Osmane pa këshillimin dhe pa miratimin e palës ruse. Në 1914-ën ka qenë sebeb për Luftën e Parë Botërore. Është i vetmi vend në Ballkan që ka guxuar të hyjë në luftë me NATO-n. Serbia është një vend me psikozë të madhe dhe në Mars të 2013-ës vrau kryeministrin për arsye nacionalizmi. Edhe Vuçiç nuk del dot jashtë kësaj kornize se rrezikon.

-Deri tani a kanë qenë ata drejtpërdrejtë të involvuar? Deri tani janë serbë të Kosovës të trajnuar në Serbi?

Tomorr Alizoti: Sepse Beogradi e ka taktikë. Pse duhet të rrëmbente policia zyrtare e Beogradit policët e Kosovës?! Edhe ai është një akt terrorist, vetë taktika është si koncepti i Rusisë “destabilizo dhe faktorizohu.” Negocimin Serbia e ka bërë falë një rezistence që ka bërë Kurti ndaj serbëve, që filloi gjithë qeveria e Kosovës u atakua në mënyrë diplomatike, tani u atakua ushtarakisht. Të vetmit që i kanë qëndruar Serbisë janë kroatët dhe sllovenët që u shkëputën. Mesazhi im është që serbët në sytë e mi kanë një taktikë, që do fillojn ë të krijojnë një rezistencë brenda Kosovës, si serbët e shtypur ndaj shqiptarëve, një lëvizje çlirimtare e serbëve për të mbajtur një vatër të nxehtë, do kthehemi doktrina politike “Destabilizohu, faktorizohu”.

Për mua ky është thelbi i problemit, Serbia është historikisht satelit i Rusisë, i vetmi vend që nuk shkëputet dot prej Rusisë. Një gjë është e saktë në Serbi, nëse guxon të cenosh nacionalizmin tradicional serb, rrezikon në Serbi. Për mua, nëse shqiptarët në këtë moment që po fillon të jetë seriozisht i vështirë, nuk unifikohen, do kenë kosto të mëdha në përballje me Serbinë, është vend shumë i rrezikshëm.

Haxhiu: 2 priftërinj serbë u distancuan për hyrjen me dhunë të sulmuesve brenda Manastirit të Banjskës

Analisti Baton Haxhiu thotë se gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur dje në veri të Kosovës, për të cilin nuk ka folur askush, është sipas tij distancimi i 2 priftërinjve serbë për hyrjen me dhunë të sulmuesve brenda Manastirit të Banjskës.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Haxhiu thotë se nëse formacionet e priftërinjve do ta kishin mbrojtur manastirin brenda ambienteve të tij, atëherë qasja do të ishte ndryshe.

Baton Haxhiu: Nuk po flasim për një kufi që kontrollohet, por po flasim për një kufi poroz. Gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur dje që askush nuk e përmend: 2 priftërinj të rëndësishëm serbë, Sava në Deçan dhe Aji në Prizren janë distancuar që në mëngjes për hyrjen me dhunë brenda manastirit dhe kjo i ka dhënë një kahje tjetër, që po këto formacione kishtarësh ta kishin mbrojtur brenda, atëherë qasja do të ishte krejt ndryshe.

Blendi Fevziu: Pse ka formacion kishtar që mbron vrasjen e një polici?

Baton Haxhiu: Për të gjithë ata që nuk e dinë, Njësitë Speciale të Serbisë, të gjitha formacionet ushtarake që dalin në pension të hershëm, bëhen pjesë e kishës. Në një mënyrë, ata duken sikur janë njerëz, por në një farë mënyrë janë legjenarë.

Baton Haxhiu: Grupi terrorist serb i rebeluar politikisht kundër Vuçiç dhe institucioneve të Kosovës

Analisti Baton Haxhiu thotë se grupi terrorist në Kosovë që vrau një efektiv të Policisë së Kosovës, është i rebeluar kundër Presidentit serb Vuçiç dhe institucioneve të Kosovës.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu mendon se kjo situatë ndodhi për shkak të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që sipas tij është në fund të këtij procesi.

“Është fundi i procesit, do të thotë ka një marrëveshje. Kjo marrëveshje i bën të pavlerë këta njerëz. Për herë të parë, të gjithë të vrarët janë vrarë nga snajperët e Policisë së Kosovës dhe janë të fotografuar. Ne e kemi dhënë lajmin e parë për 3 të vrarë për arsye se kemi pasur komunikim me njerëzit që kanë qenë në pikën e aksionit. I kemi miq dhe kemi një përvojë të jashtëzakonshme për njësinë speciale dhe kanë cakun e parë dhe lejen e parë për sulm e kanë marrë diku në mëngjes.

Grupi që ka hyrë këtu mendoj që grupi i rebeluar politikisht me prapavijë të shërbimit sekret që ka pasur prekje ruse dhe të formacioneve të tjera. Ka pasur dhe mercenarë rusë. Grupi i cili është i ka 2 rebelime. Të pari e ka kundër Vuçiç dhe të dytin kundër institucioneve të Kosovës dhe dëshirojnë prezencën e tyre në veri duke luajtur rolin e atyre formacioneve që ne i quanim AKSH. Këta janë grupi radikal brenda institucioneve të Serbisë”.

Sipas analistit Haxhiu, pritej që të ndodhte një sulm i tillë. Ai thotë se edhe Qeveria e Kosovës ka patur informacione për një sulm që mund të ndodhte, por shton se ndoshta jo të këtyre përmasave.

“Qeveria e Kosovës ka pasur informacione disa javë më herët që po përgatitej një gjë e tillë. Dhe ne e kemi pritur. Fakti që kishte ngërç politik mes Serbisë dhe Kosovës vetëm pritej dita kur do niste sulmi ndaj Policisë së Kosovës. Ne kishim vetëm frikën se cilët policë do vdesin faktikisht. Policia e Kosovës është e rrezikuar në çdo pikë të veriut të Kosovës. Ata janë viktimat e para. Ky formacion ushtarak realisht ka hyrë për destabilizim total të veriut”.

Baton Haxhiu analiston se grupi terrorist serb u strehua brenda manastirit të Banjskës me qëllimin për t’u flijuar. Por, Haxhiu vlerëson punën profesionale të Policisë së Kosovës.

“Ekziston një farë mendimi të një qytetari serb që flijim brenda një institucioni fetar është i shenjtë dhe kur kanë hyrë në manastir, analiza e parë kanë hyrë të flijohen. Gabimin që e kanë nënçmuar Policinë e Kosovës që janë të trajnuar jashtëzakonisht mirë nga ndërkombëtarët. Pse Policia e Kosovës ka merita të jashtëzakoshme? Brenda manastirit nuk ka sulmuar askënd për arsye se do rebeloheshin serbët. Në manastir forcat policore nuk guxojnë të hyjnë pa një marrëveshje. Ata kanë menduar, po supozoj, që do sulmojnë forcat e Policisë së Kosovës dhe aty do realizohej plani i tyre. Manastiri ka një tunel, kurse vendi ku gjendet manastiri është i papërshtatshëm për luftë. Ndoshta më i keqi i mundshëm në Kosovë. Për faktin që kanë menduar do ketë luftë, Policia e Kosovës ka vendosur ta rrethojë perimetrin dhe jo të gjuajë brenda manastirit dhe ata 3 të parët janë vrarë që në fillim. Nga mesdita ka filluar negociimi. Është negociuar”.

Lala: Operacioni special në Banjskë vijon, i gjithë fshati konsiderohet vendngjarje

Gazetarja Klodiana Lala e ka ndjekur nga afër situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku orët e para të ditës së Dielë.

Sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan, Lala thotë se gjithçka ka nisur në orën 2:34 të 24 Shtatorit, ku ka pasur shkëmbim të vazhdueshëm zjarri mes forcave policore të Kosovës dhe anëtarëve të grupit kriminal serb.

Klodiana Lala: Zanafilla e ngjarjes është në orën 02:34 të ditës së dielë, në kryqëzimin e  vogël të Banjskës ishin vendosur dy kamionë pa targa dhe nuk lejonin hyrje-daljet. Me të parë këtë situatë, policia është afruar.  Afrim Bunjaku ishte rreshter rendi. Duke parë situatën që mund të ishte e ngjashme me atë që kishte ndodhur më herët, forcat policore janë afruar pranë manastirit. Janë gjendur përballë një breshërie armësh dhe granatash, ai mbeti i plagosur rëndë dhe më pas u shpall i vdekur në spital. Duke qenë të papërgatitur për t’i bërë ballë një sulmi të tillë, policia është tërhequr dhe disa minuta më vonë janë nisur drejt vendit të ngjarjes Forcat Speciale, pikërisht kjo diferencë kohe është shfyrtëzuar nga anëtarët e grupit terrorist, mendohet se kanë marrë pjesë në luftime të mëhershme.

Thuhet se ka armë të policisë së Kosovës, të vitit 2021. Forcat Speciale kanë rrethuar manastirin, kanë qenë 50 pelegrinë brenda, persona që lëvizin në manastire të ndryshme. Në momentin që është rrethuar manastiri, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe grupit të armatosur. Më pas është rrethuar gjithë perimetri i manastirit, gjatë përplasjes. E kam pyetur ministrin e Brendshëm dhe nuk ka një përgjigjie të saktë për operacionin, mendohet që mund të ketë dhe të tjerë të vrarë, por zyrtarisht janë 3 të vrarë. Pasi janë vrarë disa prej pjesëtarëve, të tjerët janë të pagjetur, vetëm 3 trupa janë në morg. 6 të tjerë janë duke u mjekuar në një spital në Novi Pazar dhe ministri i Brendshëm ka bërë thirrje që të dorëzohen.

Gazetarja thekson se operacioni i kontrollit po vijon ende dhe se i gjithë fshati konsiderohet vendngjarje.

-Forcat Speciale patën rezistencë për të hyrë në manastir?

Klodiana Lala: Ka pasur shkëmbim zjarri gjatë gjithë kohës, por qëllimi kryesor ka qenë të minimizohej humbja e jetëve njerëzore sepse siç ju thashë brenda manastirit ishin rreth 50 pelegrinë dhe janë lëvizur mesditën e sotme me një autobus për t’u larguar sepse fshati konsiderohet i gjithi një vendngjarje dhe po zgjat jashtë mase kontrolli. Dhe në këto momente që unë kam folur me një nga zyrtarët e policisë së Kosovës është duke vijuar ky aksion dhe konsiderohet mjaft i rrezikshëm dhe special për mënyrën si po zhvillohet, sepse është vendngjarje e shtrirë që nga hyrja e fshatit e deri në kufi me Kosovën.

Publikohen pamjet kur grupi i sulmuesve serbë largohen nga mali drejt Serbisë

Këto janë pamjet kur grupi i sulmuesve të armatosur serbë largohen nga malet drejt Serbisë pas ballafaqimit me forcat speciale të Policisë së Kosovës.

Pamjet e publikuara nga Klan Kosova dhe të transmetuara edhe në emisionin Opinion në Tv Klan, tregojnë momentet se si një numër i personave të armatosur të grupit kriminal po arratisen në këmbë dhe kalojnë malin nga Kosova drejt Serbisë.

Ata kanë qenë në manastirin në fshatin Banjskë pas vrasjes së policit të Kosovës Afrim Bunjaku dhe pas rrethimit nga Policia e Kosovës, u arratisën nga mali.

Kryeministri Kurti tha se bëhet fjalë për një grup komando prej rreth 30 personash. Zyrtarisht Policia e Kosovës ka vrarë 7 nga këta persona, 4 janë arrestuar, 10 janë plagosur, një pjesë e të cilëve të arratisur në Serbi.

“Ku shkuan 21 pjesëtarët e grupit kriminal serb në Kosovë?”, Gazetarja: 6 të tjerë dyshohet se…

“Nga 30 pjesëtarë të grupit kriminal në veri të Kosovës, 3 prej tyre të vrarë janë shtetas të Kosovës me kombësi serbe”. Kështu ka deklaruar gazetarja e “Klan Kosovës”, Blerta Dalloshi Berisha në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”.

Gazetarja ka treguar dhe dyshimet që qëndrojnë pas fshehjes së anëtarëve të tjerë të grupit kriminal në veri të Kosovës.

Blendi Fevziu: A ka informacion deri tani se për sa persona të vrarë bëhet fjalë dhe çfarë kombësie janë këto persona të vrarë?

Blerta Dalloshi Berisha: 3 persona zyrtarisht janë të vrarë edhe pse ministri Sveçla la të nënkuptohet se dyshohet se mund të jetë numri më i madh i tyre. 3 personave iu janë gjetur trupat. Trupi i fundit është gjetur sot.

Blendi Fevziu: Pra, 3 persona janë në morgun e Kosovës?

Blerta Dalloshi Berisha: Këto 3 personat janë nga veriu i Kosovës të vrarë.

Blendi Fevziu: Pra, janë shtetas të Kosovës me kombësi serbe?

Blerta Dalloshi Berisha: Po.

Blendi Fevziu: Kryeministri ka folur për rreth 30 persona. Nga këta, 3 janë vrarë, 6 janë kapur. Po 21 të tjerë ku shkuan?

Blerta Dalloshi Berisha: 6 të tjerë dyshohet se janë të plagosur dhe gjenden në Serbi. Dyshimet janë që gjatë sulmit i kanë përdorur automjetet e blinduara për t’u larguar nga manastiri.

Blendi Fevziu: Po, a ishte i rrethuar manastiri?

Blerta Dalloshi Berisha: Ka shumë pikëpyetje rreth këtij aksioni dhe si kanë ikur nëse ka qenë i rrethuar siç është thënë dhe në konferencë për mediat./tvklan.al