Opinion-Albin Kurti

Opinion-Albin Kurti

Autori: Blendi Fevziu

21:47 09/10/2019

Intervistë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Albin Kurti në “Opinion”: Në parim, LDK ka pranuar të ketë koalicion

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” se Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar në parim të hyjë në koalicion me ta për krijimin e qeverisë së re.

Në parim kanë pranuar që të kenë koalicion me ne. Kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku do të marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Prof. Besnik Bislimi, ndërkaq nga LDK do të jenë prof. Isa Mustafa dhe kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Kurti tha se LVV dhe LDK nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të hyjnë në koalicion sëbashku.

Pra ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë. Ishim opozitë të dyja, ndryshimi nënkupton që opozita bëhet qeveri dhe mu këtë gjë e ka dashur populli me pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 6 Tetorit.

Kurti tha se posti i Kryeministrit nuk është në tryezën e negociatave, pasi sipas tij këtë e ka vendosur populli në kutitë e votimit, kur e nxori LVV si parti të parë.

A do të kërkojë Kurti shkarkimin e Hashim Thaçit?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi.

Blendi Fevziu: Është folur që mund të kërkoni shkarkimin e Presidentit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçi. Është e vërtetë?

Albin Kurti: Ne gjithmonë e kemi kërkuar këtë gjë.

Blendi Fevziu: A do të merrni ndonjë akt në këtë drejtim, se sot keni vota?

Albin Kurti: Nuk kemi vota për ta bërë shkarkimin.

Blendi Fevziu: Po me ç’shkak do kërkoni ta bëni shkarkimin, se kjo kërkon edhe një argumentim?

Albin Kurti: Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje,është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Albin Kurti: Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit.

Çfarë pritet t’i ofrojë Albin Kurti LDK-së në negociatat për qeverinë

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme, postin e Presidentit të Kosovës ta marrë Isa Mustafa, megjithatë ai thotë se momentalisht prioritet është formimi i kabinetit qeveritar. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”, Kurti u shpreh besimplotë se qeverisja me Vjosa Osmanin do të jetë e mirë. I pyetur për vizionin e tij, sa i takon postit që mund të mbajë në qeverinë e re zonja Osmani, kreu i LVV tha se qoftë Ministren e Punëve të Jashtme, qoftë Kryeparlamentaren, ajo do ta bënte shumë mirë.

Blendi Fevziu: A do të bënit ju një marrëveshje me LDK, për shembull që duke marrë Kryeministrin t’i lëshonit zotit Mustafa, në të ardhmen, brenda afatit që nevojitet, postin e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës?

Albin Kurti: Nuk e përjashtoj mundësinë që mund ta diskutojmë këtë gjë në të ardhmen. Por edhe njëherë po theksoj që tani për tani kemi një prioritet tjetër, është formimi sa më parë i kabinetit qeveritar.

Blendi Fevziu: Nëse unë ju pyes, edhe pse është shumë e parakohshme, që ku do ta shihnit ju personalisht zonjën Osmani në qeverinë tuaj, çfarë përgjigje do më jepnit?

Albin Kurti: Unë besoj që tani i takon zonjës Osmani që ta flasë. Ajo ka dashur që të bëhet Kryeministre e Republikës së Kosovës, tani duhet ta shohim se cili është plani B. Unë nuk e di cili është plani B, por do ta diskutojmë nesër këtë gjë.

Blendi Fevziu: Ky është plani i saj, por në fakt cili është vizioni juaj?

Albin Kurti: Unë kam pasur bashkëpunim shumë të mirë me zonjën Osmani çdo herë, si kolegë deputetë që kemi qenë. Edhe në legjislaturën e 4, edhe të 5 edhe të 6, besoj që edhe do të qeverisim mirë bashkë. Ajo ka qenë kryetare e Komisionit për Punët e Jashtme, Komisionit Parlamentar në mandatin që shkoi.

Blendi Fevziu: Aq më tepër që dialogu me Serbinë në këtë moment kërkon një konsensus përtej Vetëvendosjes…

Albin Kurti: Pa dyshim, por nëse shikoni votimet e zonjës Osmani për çështjet me Serbinë, përputhen pothuajse 100 % me Vetëvendosjen. Zonja Osmani e ka kundërshtuar madje dhe marrëveshjen Thaçi-Daçiç të 19 Prillit 2013, para 6 viteve gjysma e ka votuar. Prandaj kemi një shans shumë të mirë me të dhe gjithashtu unë besoj që qoftë Ministren e Punëve të Jashtme qoftë Kryeparlamentaren do ta kryente shumë mirë. Kjo është edhe vokacioni i saj nga përvoja parlamentare që kemi bashkë.

Kurti: Dialogun me Serbinë do ta drejtoj unë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se nuk do të jetë një kryeministër arrogant me opozitën dhe se bashkë me këtë të fundit do të krijojë një ekip negociator për dialogun me Serbinë. Këtë dialog thotë se do ta drejtojë vetë ai, ndërsa drejtimin e këtij dialogu nga Presidenti i Republikës e cilëson të gabuar.

Blendi Fevziu: Nëse do të shkoni në dialog me Serbinë, duket që SHBA e kanë marrë shumë seriozisht këtë dialog, përderisa Presidenti Trump ka caktuar një të dërguar special përtej atij për Ballkanin, një të ngarkuar direkt të tijin për dialogun Kosovë-Serbi. Sa të përfshira do të jenë SHBA-të në këtë dialog?

Albin Kurti: Do të jenë shumë të përfshira, ne kemi edhe letrën e Presidentit Trump nga Dhjetori i vitit të kaluar. Mirëpo Presidenti Trump aty thotë se ne duhet të flasim me një zë unik në Kosovë, gjë që nuk ka qenë rasti në dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Dhe ju mendoni se do ta keni zërin unik si Kryeministër?

Albin Kurti: Unë si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës nuk do të jem arrogant ndaj opozitës, do të krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do të lejoj që Serbia të futet si pykë në skenën politike kosovare, të në ndajë e të na përçajë.

Blendi Fevziu: Kush do ta drejtojë dialogun me Serbinë?

Albin Kurti: Unë.

Blendi Fevziu: Kush ju mandaton për këtë?

Albin Kurti: Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një shtet të pavarur që është republikë parlamentare dhe demokratike, kjo më takon.

Blendi Fevziu: Deri tani është marrë Presidenti i Republikës me këtë çështje.

Albin Kurti: Gabimisht pra, prandaj edhe dështoi.

Blendi Fevziu: Do të përjashtohet krejtësisht apo do të përfshihet edhe Presidenti në dialog.

Albin Kurti: Jo këtë do ta udhëheq unë. Presidenti i Republikës së Kosovës do të jetë president, por ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme, jo krijuesi i politikës së jashtme. Ai është sjellë si krijues i politikës së jashtme, ai nuk mund të jetë më krijuesi i politikës së jashtme.

“Më ka ofenduar vajzën minorene”, Albin Kurti i përgjigjet Vuçiçit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të dielën, tha se Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është në siklet me ardhjen e tij në krye të qeverisë.

Kurti po ashtu iu përgjigj edhe akuzave të Vuçiç, se lideri i LVV i ka ofenduar edhe vajzën minorene.

Blendi Fevziu:  Vuçiç, në një intervistë për Tv Klan, që do të transmetohet nesër, thotë se “nëse do të jetë më e vështirë apo jo, nuk e di, por për mua është më e vështirë që nuk kemi një zgjidhje kompromisi. Dhe unë flas për gjëra serioze, jo për gjëra personale, siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar bijën time minorene, duke e përfshirë në procese politike. Sepse njerëzit e ndershëm nuk e bëjnë këtë, por ta lëmë anash”.

Albin Kurti: Ta lëmë anash, por e përmend.

Blendi Fevziu: Vuçiç thotë “sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë mund të them se nëse nuk dëshironi kompromis, nuk ka problem njerëz, vetëm na njoftoni dhe më thoni që nuk duam kompromis, dhe ne do të jemi në rregull. Do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë, se ju dhe me një autoritet më të madh në bashkësinë ndërkombëtare, që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket”. Pra ai thotë, nëse s’doni, mund të vazhdojmë secili, që do të thotë, stanjacion ose status-quo.

Albin Kurti: Ai ka një siklet të madh sepse me ardhjen time kryeministër ai zbulohet në të vërtetën e tij origjinale. Që është që kur unë fillova në politikë si udhëheqës studentor, ai ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.

Blendi Fevziu: Jeni takuar me të?

Albin Kurti: Jo nuk e kam takuar, nuk e kam takuar kurrë. Por unë bëja protesta në Universitetin e Prishtinës, ai jepte intervista në Hotelin Grand, ku ndodheshin Tigrat e Arkanit. Pra ai e kupton shumë thellë çka do të thotë ardhaj e LVV në qeveri dhe e imja si kryeministër. Prandaj është ky siklet.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, ia keni përmendur vajzën?

Albin Kurti: Kur ka ardhur në Kosovë në Shtator, as që kam ditur që ka vajzë ky e që ka djalë Thaçi, skam ditë gjë. Unë kam thënë në parim që këta të dy, aq shumë janë afruar e duan të bëjnë marrëveshje si monarkë mesjetarë, vetëm ju ka ngelur edhe të bëjnë krushqi e t’i martojnë fëmijët e tyre. Idenë nuk ia kam pasur çfarë kanë këta.

Albin Kurti tregon pse u “ftoh” me Ramën

Mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi edhe arsyet se pse është “ftohur” marrëdhënia e tij me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Megjithatë, ai tha se kërkon të ketë marrëdhënie të mira me homologun shqiptar dhe se do ta takojë atë shumë shpejt.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Kryeministrin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Raportet i kemi pasur shumë të mira, tash nuk mund të them se i kemi shumë të mira, por unë dua t’i përmirësoj ato për shkak se ne nuk jemi persona të veçantë, por krerë shtetesh.

Blendi Fevziu: Pse u prishët me Edi Ramën?

Albin Kurti: Besoj se kjo ka ardhur si rezultat i afërsisë së tepruar të Kryeministrit me Presidentin e Kosovës, në një kohë kur në Kosovë u zhvillua protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës pikërisht kundër Presidentit. Ishte protesta e 29 Shtatorit të vitit të kaluar, me parullën “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”. Ai më pas mbështeti presidentin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Keni pasur bisedime private për këtë çështje me Ramën?

Albin Kurti: Jam takuar me të në Dhërmi, në rezidencën qeveritare, kemi diskutuar për shumë gjëra, për aq shumë gjëra jemi pajtuar, sepse jemi bashkë në forumet ndërkombëtare të partive simotra. Por për këtë gjë për mua ka mbetur pak enigmatike se si bëhet që ai nuk shkëputet dot prej aventurës së Presidentit, prej akrobacionit të tij të rrezikshëm për shkëmbim territorial.

Blendi Fevziu: A ka ardhur ftohja juaj për shkak të interferimit tuaj në politikën shqiptare? Nga zërat për krijimin e LVV në Shqipëri.

Albin Kurti: Nuk ka të bëjë me atë, jo fare nuk ka të bëjë me atë.

Blendi Fevziu: Do të takoheni shpejt me Ramën?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Po me presidentin e Shqipërisë?

Albin Kurti: Po.

Blendi Fevziu: Keni raporte të mira me Presidentin Meta?

Albin Kurti: Po kam raporte të mira, kam shumë kohë që se kam takuar./tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:47 09/10/2019

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori