#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Avokati i Berishës për “Opinion”: Nuk ka policë tek dera e banesës së ish-kryeministrit, aktiviteti i tij politik është i pacenuar
Sonte në emisionin e parë të “Opinion” për vitin 2024, është diskutuar për masën e arrestit shtëpiak që u vendos më 30 Dhjetor 2023 ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit që prej ditës së djeshme e ka gjetur mënyrën për të folur me demokratët, pavarësisht izolimit në banesë.
Avokati i ish-kryeministrit Genc Gjokutaj foli për gazetarin Blendi Fevziu përmes një lidhjeje Skype. Ai theksoi se nuk ka efektivë policie tek dera e banesës së Berishës dhe se kjo masë e marrë nga Gjykata nuk e cenon aktivitetin e tij politik.
Genc Gjokutaj: Kjo masë është detyrim që personi të mos dalë nga banesa.
-Ka policë te dera?
Genc Gjokutaj: Është njëkohësisht dhe me ndalim dalje jashtë shtetit, e përjashtojnë njëra-tjetrën këto masa. Ky është një absurditet! Berisha nuk ka nevojë të ketë policë të dera sepse ai nuk i është shmangur drejtësisë.
Genc Gjokutaj: Nuk ka policë në derë!
-Pra ka mbikëqyrje policore? Kush mund ta takojë zotin Berisha? Kë përfshin kjo listë?
Genc Gjokutaj: Komunikimi i zotit Berisha ka dy funksione, si person nën hetim, por edhe si politikan. Ai në këtë cilësi ka detyrim për komunikimin siç po e realizon. Ai nuk po takon ekspertë apo dëshmitarë që t’i intimidojë.
-Aktualisht a mund t’i kryejë funksionet e tij, mund të shkojnë persona të partisë ta takojnë apo votues të tij?
Genc Gjokutaj: Absolutisht po! Nëse ka probleme që lidhen ngushtësisht me akivitetin politik patjetër. Gazetarët duhet të marrin autorizim. Por zoti Berisha mund të komunikojë edhe përmes rrjeteve sociale.
-Nëse ai do të zhvillojë mbledhje kryesie në shtëpi, i mundësohet?
Genc Gjokutaj: Dëgjo, ja ju bëj një pyetje, duhet ta gjykonte Irena Gjoka këtë çështje?
-Deri ku është i ndaluar dhe deri ku është i lejuar?
Genc Gjokutaj: Gjykata nuk ka detajuar, ne në ankim e kemi shtjelluar. Aktiviteti politik i zotit Berisha është i pacenuar nga vendimi i gjykatës, kjo është absolute.
-Në rast se ai dëshiron të shkojë në Parlament për të mos humbur mandatin, kujt duhet t’i marrë leje?
Genc Gjokutaj: Duhet të lajmërojë SPAK-un.
“Ti je pjesë e PD, s’mund të bësh debat me mua”, Zekthi-Boçit: Nuk mund ta refuzojmë vendimin e gjykatës
Luçiano Boçi e cilësoi masën e marrë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha si një vendim të orientuar politikisht, argument që e kundërshtoi analisti Fitim Zekthi.
Në studion e “Opinion” këtë të Enjte, Zekthi theksoi se SPAK nuk duhet ta marrë parasysh aspak postin politik të dikujt që është nën hetim dhe se vendimi i Gjykatës është i parefuzueshëm. Nga ana tjetër, Boçi duke iu drejtuar Zekthit si demokrati-demokratit tha se ai nuk duhet të flasë në mënyrë të tillë për Berishën.
Fitim Zekthi: Unë mendoj se kjo gjuha se SPAK është politizuar është e gabuar plotësisht, unë mendoj se arritja e vetme që mund të ketë një shoqëri në faqe të dheut është që askush të mos jetë mbi ligjin. Nëse SPAK nuk e ka parë që Berisha është kryetar i foltores, ka bërë shumë mirë. SPAK duhet të jetë i verbër ndaj këtyre gjërave.
Luçiano Boçi: I verbër ndaj ngjarjes kriminale, jo ndaj njerëzve. Parashtroje tamam, kush është afera te zoti Berisha.
Fitim Zekthi: A ka mundësi të më lësh të flas, nëse ke ardhur të prodhosh fabrikë fjalësh…
Luçiano Boçi: E para e punës unë s’bëj debat me ty fare sepse ti je pjesë e PD dhe s’mund të bësh debat me mua sepse unë kam parime të qarta politike. I vetmi kundërshtar i imi dhe yti është Rama jo Berisha. Je përfaqësues i PD-së se e keni bërë ritual në çdo studio…
Fitim Zekthi: Për Zotin e madh nuk të shkon, është e papranueshme. Më lër të flas se është e padenjë për ty kjo gjë!
Luçiano Boçi: Mos ma përcakto sa i denjë jam unë!
Fitim Zekthi: Mos më ndërprit pra! Ka një etikë minimale që kur dikush flet dikush tjetër e dëgjon. Më lër të them atë gjë që di. Unë s’kam në kokë asnjë emër, por askush s’duhet të jetë mbi ligjin. Në ditën që gjyqtari nuk sheh postet në atë ditë është krijuar shoqëri civile. S’ka lidhje fare me zotin Berisha kjo punë, nga ’91 në Shqipëri janë marrë zvarrë njerëz hallexhinj dhe janë poshtëruar në burgje dhe kur vjen dita…
Luçiano Boçi: Po që mashtrojnë or burrë, duhet ta thuash dhe këtë…
Fitim Zekthi: Ditën që është krijuar kjo Prokurori dhe disa njerëz që janë konsideruar të paprekshëm shkojnë në gjykatë ne themi obobo. Ne nuk mund ta refuzojmë vendimin e Gjykatës, refuzohen teorikisht ligjet e padrejta që kanë të bëjnë me ndërgjegjien. Është e padëgjueshme të refuzohen vendimet e gjykatave. Dhjetëra teologë e thonë këtë gjë, sepse atëherë çdokush do të kishte të drejtë ta refuzonte dhe do ishim në kaos. Kjo është e para dhe nuk ka të bëjë me Berishën. Luçiano e tha unë vij nga një familje demokratësh. Këta që bëjnë këtë lloj mbrojtje nuk e duan Berishën, duan të përfitojnë nga situata politikisht. Po të dalim me këtë lloj retorike askush nuk dënohet. Nuk i bëhet nder as PD-së, as të djathtës me këtë gjuhë politike, kur dikush thirret për t’u hetuar. Kjo gjuhë hiperbolike nuk i duhet as Shqipërisë, nuk i duhet kurrë Sali Berishës. Unë do doja që Sali Berisha të gjykohet drejtë dhe të dalë i pafajshëm.
“Gabimi më i madh do të ishte të fusësh në burg Berishën, këtë njeri e duan martir”
Në studion e “Opinion” këtë të Enjte, gazetari Baton Haxhiu theksoi se ashpërsimi i masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha vetëm sa e çoi atë në lidership të opozitës. Sipas tij “nuk mund të ketë lidership të ri, aq kohë sa Berisha del e flet me demokratët nga dritarja e banesës.”
Madje, gazetari theksoi se mbështetësit e Berishës e shohin atë përtej liderit.
Baton Haxhiu: A e di ku do të ishte gabimi më i madh, se sa arresti shtëpiak? Të fusësh në burg Berishën. Berisha dhe i gjithë lidershipi i Partisë Demokratike, e duan këtë njeri përtej liderit. E duan martir. Dhe mbi martirizimin e tij…
Luçiano Boçi: Jo, fare! Nuk është kështu, nuk është kështu.
Baton Haxhiu: Thuaj çfarë të duash. Dhe, vendoset kriteri i ri i lidershipit edhe i politikës.
-Çfarë sjell për opozitën izolimi i Berishës?
Luçiano Boçi: Të replikoj pak me Batonin, se biem në dakord që SPAK-u dhe GJKKO-ja, synimin e tyre politik, për ta eliminuar Berishën, për t’i dhënë goditje autoritetit të tij moral dhe politik, por dhe Partisë Demokratike, kanë dështuar, sepse nuk kanë atë impaktin sipas parashtrimit të Batonit: “Po ta kishim më të agravuar martirizimi do të ishte më i madh”. Ndërkohë që ne që jemi aty, përjetojmë një sulm të pazakontë, paprecedentë kemi thënë, prej vitesh dhe, ky është një fragment kulmor i bërjes së këtij sulmi në bashkëpunim me organet e drejtësisë. /tvklan.al