Opinion – Arrestimi i shqiptarit në Kolumbi dhe droga në Ekuador

Opinion – Arrestimi i shqiptarit në Kolumbi dhe droga në Ekuador

Autori: Blendi Fevziu

01:48 27/09/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar në studio: Fatjona Mejdini, Artan Hoxha

Bandat shqiptare në Amerikën Latine, gazetarja: Roli i tyre është ekzagjeruar! Në Ekuador, problem janë meksikanët

Gazetarja Fatjona Mejdini ka qenë e ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion”. Ajo ka folur në lidhje me vizitën e saj Amerikën Latine, më konkretisht në Kolumbi dhe Ekuador, për të hetuar mbi bandat shqiptare.

Sipas Mejdinit, bandat shqiptare janë mediatizuar shumë dhe roli i tyre është ekzagjeruar. Sipas saj, një nga problemet kryesore të Ekuadorit janë meksikanët, por edhe banda të tjera.

“Janë mediatizuar së tepërmi. Janë mediatizuar përtej peshës reale. Mendoj që roli i tyre është ekzagjeruar. Sot një nga problemet kryesore që Ekuadori ka janë meksikanët që i përdorin brigjet e tij për të trafikuar kokainë në vendin e tyre ose Amerikë. Edhe kolumbianët vetë i përdorin portet e Ekuadorit. Është mafia ruse, askush nuk flet për të, por është e vendosur. Janë serbët, janë malazezë. Ekuadori po përdoret sot nga shumë nacionalitete”, është shprehur Mejdini.

Vizitoi Amerikën Latine të investiguar bandat shqiptare, gazetarja tregon detaje: Kishte abuzime seksuale të grave në rrugë…

Gazetarja Fatjona Mejdini e ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion”, në Tv Klan ka treguar për eksperiencën e saj si gazetare investigative në Amerikën Latine. Ajo ka treguar për problematikat e shqiptarëve mes shqiptarëve dhe grupeve vendase në Guayaquil, për shkak të të cilave në vitet e fundit kanë ndodhur 4 vrasje.

Sipas gazetares, Ekuadori është një vend shumë i korruptuar dhe për shqiptarë është e lehtë të japin ryshfet për të kaluar kufirin mes Perusë dhe Ekuadorit apo edhe Kolumbisë dhe Ekuadorit. Ata kanë fituar një lloj sigurie për të zhvilluar veprimtari kriminale, pasi kanë gjetur një vend kaotik.

Blendi Fevziu: A janë të ekspozuar?

Fatjona Mejdini: Jo. Mundohen mos ta bëjnë këtë. Ajo që i ka ekspozuar janë vrasjet. Në qoftë se nuk do kishin ndodhur vrasjet nuk jam e sigurt nëse do flisnim për shqiptarët në Ekuador. Shqiptarët nuk janë vetëm në Ekuador. Shqiptarët e Guayaquil dhe Ekuadorit janë identifikuar.

Blendi Fevziu: Sa shqiptarë mund të jenë në ekuador?

Fatjona Mejdini: Unë besoj, mbase 300.

Blendi Fevziu: Sa ditë qëndruat atje?

Fatjona Mejdini: Unë qëndrova 4 ditë në Guayaquil.  Dua të them që në fillim vizita në Guayaquil nuk ishte e lehtë. Të duhej fillimisht të siguroje përkthim se është një vend që flet spanjisht. E dyta të duheshin njerëz të cilët mund të siguronin intervista me zyrtarë, sepse procedurat ishin shumë burokratike dhe shpesh nuk funksiononin. Ajo që është më e rëndësishme është se doje siguri. Për të lënë hotelin për një intervistë.

Blendi Fevziu: Edhe  për të lënë hotelin?

Fatjona Mejdini: Po sepse kishte dhunë shumë të theksuar.

Blendi Fevziu: Edhe në rrugë?

Fatjona Mejdini: Po, patjetër kishte edhe abuzime seksuale të grave në rrugë. Kishte vjedhje të sendeve personale duke drejtuar armët në kokë. Domethënë Guayaquil, është një nga 50 qytetet më të dhunshme sot në botë.

Blendi Fevziu: Zyrtarët që ju takuat, i identifikonin shqiptarët si problem?

Fatjona Mejdini: Ajo që kuptova është se nuk kanë shumë informacione për shqiptarët, është ngritur miti i shqiptarëve, por nuk e dinë.

Gjthashtu gazetarja ka rrëfyer një eksperiencë të sajën ku një javë pasi intervistoi një prokuror të Guayaquil-it, në po të njëjtën ndërtesë, një javë më vonë u vra një prokuror i cili po hetonte lidhjet e krimit me trafikun. Ky ishte prokurori i tretë i vrarë brenda viti.

Fatjona Mejdini: Unë zhvillova në datën 13 një intervistë me një prokuror në Guayaquil, është një ndërtesë e madhe në qendër të Guayaquil-it, fola me një prokuror që  ndiqte dosjet e trafikut të drogës. Po të shikoje  në fakt zyra e tij ishte e mbushur me dosje, nuk kishte sistem digjital për të punuar, kishte frustrim shumë të madh dhe ishte një intervistë kur pash vështirësitë e organit hetimor. Ajo që ka ndodhur fiks një javë më vonë të hënën pasardhëse, është që një prokuror i cili hetonte lidhjet e krimit me trafikun ndërkombëtar të Ekuadorit është vrarë sapo po dilte nga ajo godinë.

Blendi Fevziu: Kjo nuk është e rrallë për Ekuadorin.

Fatjona Mejdini: Po, por mendo sa rrezik, mund të kishte ndodhur atë ditë që unë zhvillova intervistën.

Hoxha: Shqiptarët në Amerikën Latine në vitet e ardhshme do të jenë bosët

Gazetari Artan Hoxha ka sjellë detaje nga vizita që ka bërë në Amerikën Latine. Ai u shpreh se shkoi në Kolumbi dhe Ekuador për të kontaktuar me personazhe që në mediat shqiptare fliten çdo ditë. Sipas tij, autoritetet shqiptare, por edhe ato ekuadoriane nuk kanë informacione fare për këta individë.

“Fatjona ka bërë shumë kontakte me zyrtarët. Qëllimi i vajtjes sime atje ishte të kontaktoja pikërisht për ata personazhe që ne flasim këtu dhe për ata që ne flasim këtu. Shumica dërrmuese e atyre ne nuk i njohim fare. Ne nuk kemi fare informacion. Autoritetet tona nuk kanë fare informacion për ata. Zero. Ca më keq, autoritetet në Ekuador nuk i njihnin fare. Ata njihnin vetëm çfarë ka çuar DEA dhe Antimafia italiane për hesap të tyre dhe shqiptarët atje janë ende të panjohur, janë ende çfarë ata shohin nga mediat”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, shqiptarët në Amerikën Latine janë më tepër biznesmenë.

“Shqiptarët që ndodhen atje më tepër janë biznesmenë. Ata që janë atje në vitet në vijim do të jenë bosët. Shqipëria është nga çerdhja deri tek shkolla 9-vjeçare. Gjimnazi është Amerika Latine. Universiteti pastaj është në Dubai”, u shpreh Hoxha.

Pasi u pyet nga gazetari Blendi Fevziu, Artan Hoxha nuk e tregoi se kë takoi në Ekuador. “Do të jetë dimër dhe pranverë e gjatë këtë vit”, tha Hoxha.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Një kompani pranë Gjukanoviç financoi fushatën e mocionit të mosbesimit kundër meje, nisi 10 pas marrjes së detyrës

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha mbrëmjen e kësaj të hëne në një intervistë për Opinion se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij nisi 10 ditë pasi kishte marrë detyrën. Ai tha se gjithçka erdhi pas një operacioni antikontrabandë që çoi në kapjen e një sasie të madhe cigaresh që ishin në pronësi të një kompanie, sipas Abazovi,ç të lidhur me Gjukanoviç.

Keni thënë dhe që në mocionin ndaj jush është përfshirë dhe ka frymëzuar/sponsorizuar krimi i organizuarÇfarë domethënë kjo?

Dritan Abazoviç: A e dini kur ka filluar me u rrëzuar qeveria? Jo kur ishte shkruar kontrata me kishën, por 10 ditë pasi kam hyrë në kabinet. Kur kemi bërë një aksion të madh në portin e Tivarit dhe kemi kapur 148 mijë paketa cigare, në treg kishte vlerën mbi 120 milionë euro. Ishin cigare kontrabandë, që janë të konfiskuara prej shtetit dhe do t’i djegim. Çka ka ndodhur? Në atë moment, ajo ka qenë 10-12 ditë pasi ka nisur qeveria e re.

Kush ishte pronari i këtyre?

Dritan Abazoviç: Janë disa pronarë. Por pronari është një kompani që e kam përmendur në parlamentin e Malit të Zi, që ka të bëjë me ndërtimin në Mal të Zi, e cila ishte afër Gjukanoviç, edhe financon komplet median dhe fushatën kundër meje për shkak të këtyre gjërave.

Për shkak të këtyre 120 milionë eurove?

Dritan Abazoviç: Absolutisht.

Abazoviç: Raportet me Ramën, vëllazërore! Me Vuçiç shumë të mira, Kurtin e çmoj shumë  

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka folur për marrëdhëniet me kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçciç.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Vuçiç?

Dritan Abazoviç: Shumë të mira, raportet e mija me

Vuçiç janë shumë të mira, janë kolegiale, të gjitha ato që fliten se Vuçiç se ka patur dorë në grushtin e shtetit ose involvimin e qeverisë të re apo diçka tjetër për mua nuk janë reale. Ai është president në shtetin e vet, ne kemi shtetin tonë sovran, i cili ka politikën e vet. Atë çfarë unë mundohem të bëj edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe me atë të Kosovës, edhe me të Kroacisë, Plenkoviç, edhe me kryeministrin e Bosnjes, edhe me Kovačevskin, i cili është jashtëzakonisht bashkëpunues. Është për të pasur një marrëdhënie e cila është jo vetëm politike, por edhe personale, njerëzore sepse është një komponent shumë i rëndësishëm në Ballkan.

Blendi Fevziu: Kjo marrëdhënie shumë e mirë që ju quani me Vuçiç, se unë pyeta edhe kryeministrin e Shqipërisë disa ditë më parë, raport që edhe ai e konsideron shumë të mirë duket se nuk replikohet njësoj në raport me Kurtin. Raportet me Kurtit duken të ngurta.

Dritan Abazoviç: Unë nuk jam dakord me këtë thënie. Ne jemi takuar me zoti Kurtin dy apo tre herë…

Blendi Fevziu: Jeni të dy shqiptarë të Malit të Zi kam përshtypjen, dy shqiptarë nga i njëjti vend nuk shkojnë mirë shumë…

Dritan Abazoviç: E vërtetë unë mendoj se ne shkojmë mirë, ndoshta disa pyetje i shohim ndryshe, ndoshta atë të Ballkanit të Hapur e shohim ndryshe, por ajo nuk është gjë restrektive prej anës time, si unë për të pasur një mendim më të lartë apo të ulët për një person. Unë e çmoj shumë Albin Kurtin dhe e ka treguar se është parimtar në çdo aspekt ashtu siç jam edhe vet krenar që e ka prejardhjen prej Ulqini. I uroj çdo sukses në udhëheqjen e tij në Kosovë.

Blendi Fevziu: Po marrëdhënien me Ramën?

Dritan Abazoviç: Marrëdhëniet me Ramën janë shumë miqësore, vëllazërore, janë raporte specifike, personalisht kam qejf personat që mund të flasin për tema shumë serioze, por kur vjen momenti kanë qejf të bëjnë pak humor relaksojnë situatën. Mua këta persona shumë më konvenojnë, mendoj se edhe vetë jam ashtu.

Blendi Fevziu: Për ju po, po ne paguajmë për kryeministër jo për të bërë humor.

Projekti i urës Ulqin-Velipojë, Abazoviç: Do jetë Florida e re në mesin e Ballkanit

Në intervistën e dhënë për emisionin Opinion, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç foli edhe për projektin e urës që lidh Ulqinin me Velipojën. Ai u shpreh besimplotë se nëse ky projekt realizohet, do të kemi një zonë turistike jashtëzakonisht të veçantë në nivel europian, apo siç e quajti ndryshe “një Florida e re në mesin e Ballkanit”..

Do vazhdojë ura mbi Bunë?

Dritan Abazoviç: Unë gjithnjë i bëj presion kryeministrit.. Herën e fundit kryeministri i Shqipërisë më ka thënë rregulloje njëherë çështjen në qeveri dhe më vonë vazhdojmë bisedat. Unë mendoj që jemi duke ecur në drejtim të duhur. Është duke bërë projekti kryesor. Si të përfundojë projekti kryesor, që po e bën Fondi për Zhvillim i Shqipërisë, kur të përfundojë projekti kryesor ne mundemi të ecim përpara. Mali i Zi ka parashikuar mjetet në buxhetin e shteti… një pjesë për të filluar. Besoj se ai projekt do jetë historik.

Do jetë historik për Ulqinin, po do jetë historik për të dy vendet…

Dritan Abazoviç: Besoj se Edi Rama mundet ta konfirmojë. Kur jemi kthyer prej Kievit së bashku, kemi qenë në avion, i kam thënë shikoje zonën, ajo zonë prej Ulqinit ku fillon plazhi me rërë dhe ku përfundon në Shqipëri është gati 30 kilometra. Me atë urë ne jemi në gjendje në të ardhmen, të jetë një zonë turistike jashtëzakonisht e veçantë në nivel europian. Kjo është nisma më konkrete mes dy vendeve dhe jam i bindur se nuk ka projekt që do jetë më i suksesshëm se me krijuar urën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në atë vend. Ku do keni me pas mundësinë me u larë në plazhin e Velipojës e të shkoni të hani një darkë në Ulqin, apo anasjelltas. Besoj, shpresoj, sepse duhet me punuar shumë në këtë drejtim, që në atë zonë, të kemi 30-40 hotele me kategori lart. Do të jetë shpëtim për vende pune, zonë turistike, për njerëz që duan me u argëtuar dhe do të jetë Florida e re në mesin e Ballkanit.

“Ballkani i Hapur”, Abazoviç tregon çfarë i ka kërkuar Kosovës: Ne dhe Shqipëria i garantojmë që do jenë të barabartë

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi në një intervistë për emisonin “Opinion” në Tv Klan tregoi se pse ai është mbështetës i iniciativës së “Ballkanit të Hapur”. Sipas tij popujt e Ballkanit janë në të njëjtën zgjedhje që kanë bërë dikur shtetet e Bashkimit Evropian, të zgjedhin të krijojnë partneritete për të përballuar situata apo të vazhdojnë të thellojnë konfliktet mes tyre. Ai shprehet se ne nuk duhet të shikojmë se kush po e ndërmerr iniciativën, por a është apo jo funksionale dhe sipas tij nga marrëveshjet e tre vendeve gjërat kanë ecur përpara.   

Blendi Fevziu: Ka pasur akuza për ju që ndryshe nga politika zyrtare e Malit të Zi që ka mbajtur një distancë nga nisma e “Ballkanit të Hapur”, ju e keni mbështetur këtë iniciativë, e keni mbështetur publikisht dhe ndërkohë keni marrë pjesë edhe si vëzhgues në takimet e “Ballkanit të Hapur”. Unë e di parimin tuaj për “Ballkanin e Hapur”. Ka qenë para se të merreni me politikë, ideja e hapjes dhe integrimit? Por kur bëheni kryeministri i një vendi duhet të respektoni edhe sentimentet jo vetëm bindjet tuaja personale, si është sentimenti i malazezëve.

Dritan Abazoviç: Të gjitha sondazhet që kemi bërë është që në Malin e Zi shumica e popullatës është për “Ballkanin e Hapur”.

Blendi Fevziu: Ishte për “Ballkanin e Hapur”? Dhe pse presidenti është kundër?

Dritan Abazoviç: Presidenti është kundër, ai është qëndrimi i i tij. Ne kemi një problem në rajon. Problemi është të merremi vesh njëri me tjetrin. Ne nuk po shikojmë emrin e iniciativës, kush e ka krijuar iniciativën. Ne si shtet kemi një interes si shtet a është funksionale apo nuk është funksionale. “Ballkani i hapur” është e vetmja iniciativë funksionale, ajo ka treguar nëpërmjet marrëveshjeve të tre shteteve se disa gjëra kanë ecur përpara. Ndoshta nuk janë historike, unë mendoj se janë, por kanë lëvizur.

Blendi Fevziu: Dhe mendoni që Mali i Zi duhet të përfshihet?

Dritan Abazoviç: Absolutisht, unë kam folur në Kombet e Bashkuara, unë jam përkrahës i “Ballkanit të Hapur”.

Blendi Fevziu: A është një hegjemoni serbe “Ballkani i Hapur”?

Dritan Abazoviç: Çfarë hegjemonie serbe është me Shqipërinë brenda? Është një komunikim mes meje dhe zyrtarëve të Kosovës hajdeni ta bëjmë gjithëpërfshirëse. Ne dhe Shqipëria i garantojmë që do jenë të barabartë. Ne nuk do marrim pjesë në asnjë vend nëse 6 shtete nuk do jenë të barabartë. Nëse unë prezantoj shtetin tim me flamur të Malit të Zi me emër të Malit të Zi e njëjta gjë do jetë edhe për Kosovën dhe për Bosnjën.

Blendi Fevziu: Po ju e dini sa përpjekje ka bërë Mali i Zi për të marrë pavarësinë nga Jugosllavia? Ka qenë referendum me tensione jo të vogla.

Dritan Abazoviç: Ato janë gjëra që nuk do ndryshojnë kaq shpejt në Ballkan. Ajo hegjemoni nuk ndodhi në  30 vitet e fundit, por në 120 vitet e fundit. Ajo është një gjë historike. Ne nuk mund të ndryshojmë shtetet, e vetmja gjë që mund të bëjmë si politikanë, është të menaxhojmë situatën. Dallimi me Bashkimin Evropian në Luftën e Dytë Botërore dhe tani është se tani menaxhohet situata që të krijohet partneritet, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore thanë duam luftë. Tani kemi të njëjtën zgjidhje, duam ta menaxhojmë situatën me këto shtete që janë, me popujt që jetojnë këtu, apo duam t’i “biem murit me kokë” dhe të themi ju na keni borxh e ne ju jemi borxh e të vazhdojmë konfliktet. 





Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

01:48 27/09/2022