Në studio: Saimir Kodra

“Janë paguar para”, Saimir Kodra zbulon mesazhin që i ka ardhur për dhunën ndaj vajzës: Ulëritës!

Drejtuesi i emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Saimir Kodra thotë se janë paguar para për të fshehur historinë e dhunës ndaj vajzës 3-vjeçare në kopshtin “Stinët”.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kodra tregon dhe mesazhin ulëritës që i ka ardhur nga dikush që ështënë brendësi të ngjarjes.

Saimir Kodra: Nuk e ke idenë sa shumë raste kanë denoncuar pas transmetimit të rastit. 1 orë e 47 minuta, të gjithë fëmijët kanë dëgjuar se si nuk i jepet ndihma. Si mund ta lësh në një krevat që nuk i shtrin dot këmbët që është shumë më i gjatë se krevati? Ato nuk janë më shumë se 1 metër e pak. Më habit fakti se si prindër që janë në këtë kopsht nuk tregojë rastet e tjera. Janë paguar para për të gjithë këtë histori. Dikush aty brenda më ka bërë mesazh ulëritës “a mund të hahen lekët për një frakturë të një fëmijë 3 vjeçar?”, domethënë që është brenda kësaj skene dhe kësaj historie.

Saimir Kodra shprehet se të gjithë historinë e deformoi shefi i Krimeve, Çako, për të cilin thotë se mund të bënte arrestimin në flagrancë të edukatores, gjë që nuk e bëri.

“Me shumë vonesë, por më mirë vonë se sa kurrë. Të gjithë historinë e deformoi Ilir Çako, shefi i Krimeve, i cili nuk e arrestoi në flagrancë edukatoren, por nuk e bëri”, shprehet Saimir Kodra.


Saimir Kodra hap llogari GoFundme për familjen e vajzës 3-vjeçare që u dhunua nga edukatorja

Drejtuesi i emisionit Stop në Tv Klan, Saimir Kodra, që denoncoi rastin e dhunës ndaj vajzës 3-vjeçare nga edukatorja në kopsht, ka deklaruar se ka hapur një llogari GoFundme në internet për familjen e vajzës të cilës ju thye këmba.

I ftuar në emisionin Opinion, Kodra bëri apel që kushdo që mundet të kontribuojë për të ndihmuar familjen që do të përballet me shpenzime të mëdha financiare për shkak të trajtimit që do t’i duhet 3-vjeçares.

“Vajza do të ketë, për fat të keq, një rrugë të gjatë rehabilitimi, jo vetëm kockor por dhe fizioterapi e gjëra të tjera. Për këtë arsye, përfitoj nga rasti, kam hapur një llogari GoFund në mirëkuptim të plotë me llogarinë bankare të nënës së vajzës, për ta ndihmuar sepse kostot sipas ekspertëve financiarë dhe atyre që janë të fushës, do jenë tmerrësisht të mëdha. Pa llogaritur, që njëri nga prindërit, në këtë rast nëna, duhet të rrijë minimalisht 1 vit me vajzën pa punuar. Pra tani babait i bie që të bëjë 3 punë”, u shpreh Saimir Kodra.

Edukatorja Majlinda Dehima u arrestua pasditen e sotme nën akuzën e keqtrajtimit të të miturve. Rasti i dhunimit të 3-vjeçares në kopshtin pa licencë “Stinët” u denoncua për herë të parë nga emisioni Stop në Tv Klan, ndërsa punonjësit e policisë që morën denoncimin e ngjarjes ditën e parë, janë pezulluar dhe po hetohen për shpërdorim detyre pasi nuk ndoqën plotësisht procedurat për hetimin.


“24 fëmijë në dhomë 4 me 4”, Saimir Kodra për kopshtin “Stinët”: Tmerr, as kapanonët e ushtrisë nuk janë kështu

24 fëmijë në një dhomë 4 me 4, ka qenë kjo gjendja e dhomës së gjumit të fëmijëve në kopshtin privat “Stinët” në kryeqytet.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, drejtuesi i “Stop” që denoncoi rastin e dhunës së shkaktuar ndaj vajzës 3-vjeçare, ka thënë se këto kushte nuk i kanë pasur as kapanonët e ushtrisë.

Gjatë fjalës së tij, Saimir Kodra shprehet se edhe edukatorja tjetër që shfaqet në pamjet e publikuara nga “Stop” duhet të përballet me akuzën për “mosdhënie ndihme”.

Saimir Kodra: Këtë video mezi e konvertova me një IT më të mirin dhe më pas e konvertova. Pas thyerjes së këmbës së vajzës, zhurma që dëgjoni është kocka e vajzës, kjo sipas ekspertëve mjeko-ligjorë. Pas këtij momenti, vajza rënkon 1 orë e 40 e sa minuta. Njëra nga edukatoret, Ola në këtë rast, i thotë që ndoshta e ka thyer. Fshehje krimi dhe mos dhënie ndihme të parë një fëmije. Ajo e kupton shumë mirë dhe kërkon ta fshehë dhe manipulojë. Mesa kuptova, vajza që është poshtë këtij krevati, duhet ta ketë nxjerrë këmbën në një nga këto të çarat e krevatit dhe ka qenë duke vënë veten në gjumë.

Blendi Fevziu: Po edhe këto krevatë, ngjit e zbrit…

Saimir Kodra: Janë tmerr.

Blendi Fevziu: Sa veta janë?

Saimir Kodra: 24 fëmijë në një dhomë 4 me 4. Ti më the dje kapanonët e ushtrisë, por kapanonët nuk janë kështu, janë me distancë e të gjata.

Blendi Fevizu: Jo nuk kanë qenë kështu as kur kam qenë në zbor në Mamurras.

Saimir Kodra: Këto 2 edukatore duhen të përballen dhe me akuzën për “mosdhënie ndihme”.

Jordan Daci: Përgjegjësia më e madhe, për mua është e atyre që nuk kanë vepruar. 100 po të shkarkohen nuk më dhimbset asnjë njeri.

/tvklan.al