Gazetari Artan Hoxha publikoi mbrëmjen e kësaj të enjteje një fotografi të Kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapja, një prej personave të përmendur në listën e Operacionit Forca e Ligjit. Sipas gazetarit, fotografia është bërë në kohën e fushatës zgjedhore në 2017-n.

Artan Hoxha: Jemi para fushatës së zgjedhjeve të 2017-s. Personi është i listuar në listën që ka publikuar OFL. Ky këtu është Ardian Çapja, kjo është faqja në Instagram e biznesit që ka ky personi. Ky këtu është Kryeministri i Shqipërisë. Në ndryshimet e ligjit, pika 14 thotë se çdo gjyqtar apo prokuror që konstatohet, apo shoqërohet me persona të dënuar apo nën hetim do të penalizohet dhe lë detyrën.

Blendi Fevziu: Po ai është politikan, atij mund t’i dalin 50 veta në rrugë, mund t’i thonë dalim ne fotografi.

Artan Hoxha: Zakonisht Edi Rama akuzohet se ka lidhje me Çelat, madje edhe ish-Kryeministri Berisha e ka akuzuar se ka favorizuar dhe ka lidhje me Çelat dhe i ka shfrytëzuar kur ka ardhur në pushtet. Çapjat janë akuzuar se kanë marrëdhënie me PD. Në datën 25 Nëntor, kur Kryeministri Rama prezantonte KÇK, ngjarja që ai iu referua, ishte ngjarja që kishte të bënte me lirimin e nipit të Ardian Çapjan, i cili u lirua 5 ditë më parë, në datën 20 Nëntor, nga gjyqtari Tomorr Kullolli i Elbasanit. Dhe Edi Rama atë ditë tha, ne nuk do të lejojmë më, që banditë, bosë të krimit të hyjnë me pranga në gjykatë dhe të dalin me duar në xhepa që në seancën e parë, kur për atë person dhe për atë grup shteti shqiptar ka 6 muaj që ka një person të penduar, i cili ka marrë pjesë në një vrasje ku janë varë dy persona, Gentian dhe Nezir Beqiri, babë e bir, që ishin në ruajtje nga Policia e Shtetit në vitin 2012 dhe ky person ka qenë bashkëautor i asaj ngjarjeje dhe shteti shqiptar, prokuroria i ka ofruar mbrojtje.

Blendi Fevziu: Po çlidhje ka me fotografinë?

Artan Hoxha: Prit… dhe Edi Rama thotë tek KÇK-ja atë ditë, ndërsa shteti i ka ofruar mbrojtje një personi të tillë për të luftuar krimin e organizuar, gjyqtari vete e liron këtë person. Dhe sapo del lista direkt ky person, i është lexuar emri dhe është thënë ekzaktësisht, ky person akuzohet që në bashkëpunim ka marrë pjesë në një seri vrasjesh, të ndodhura nga viti 2009 deri në vitin 2016. Këtij personi i janë bërë 2 herë atentate. Realisht ndaj tij nuk ka dënim mesa di unë, por në deklaratën që ka lexuar zëdhënësja e OFL, e ka përcaktuar qartë, që ky person dhe grupi shoqëror i tij, farefisi dhe pasuritë e tij janë objekt i ligjit.

Blendi Fevziu: Tani është person publik dhe politik, sa njerëz të kapin ty në rrugë dhe të thonë bëj fotografi. Ku e di unë, nuk i kërkoj dot pasaportën./tvklan.al