Opinion – Atentatet mafioze!



Opinion – Atentatet mafioze!

Autori: Blendi Fevziu

21:33 25/09/2019

Të ftuar: Gazetari Ermal Vija, gazetarja Dorjana Bezat, gazetari Artan Hoxha, ish-funksionari i lartë i policisë Aleks Hajdari dhe Ervis Koxhaj.

Hoxha: Për vrasjen e ish-policit Malko janë paguar 300 mijë Euro

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha tha se vrasja e Santjago Malkos është kryer nga vrasës me pagesë.

Sipas tij, për këtë kryer këtë ekzekutim, janë investuar disa persona dhe janë përdorur tre automjete në atentat.

“Ekzekutorët që kanë vrarë Santjago Malkon janë të njëjtët që kanë ekzekutuar dhe Edison Harizajn. Janë të njëjtët vrasës me pagesë. Janë vrasës profesionistë. Është puna e tyre, me atë jetojnë. Atë mjet pune, nuk kanë aktivitet tjetër.

Në rastin konkret, se për këtë ka hetime dhe unë informacionin e kam pikërisht nga hetimet që janë duke u bërë lidhur me këtë ngjarje, ky është një atentat që dyshohet të jetë paguar diku te 300 mijë Euro. Sepse Santjago Malko duhej me se s’bën të vritej.

Është tentuar dhe në Prill për ta vrarë dhe për fat të mirë skuadra operacionale në atë kohë ka ndërhyrë në kohën e duhur dhe ka arrestuar katër persona”, tha gazetari Artan Hoxha. 

Ish-drejtuesi i policisë kundërshton gazetarin Hoxha

“Nuk besoj të jenë paguar 300 mijë euro për vrasjen e Malkos”

Ndryshe nga sa tha gazetari Artan Hoxha, ish-funksionari i policisë, Aleks Hajdari, nuk beson se vrasja e Santiago Malkos më 27 Gusht të jetë paguar rreth 300 mijë euro.

Mbrëmjen e së mërkurës, nga studio e “Opinion”, Hajdari tha se 300 mijë euro është një vlerë shumë e madhe për të paguar vrasjen e një personi si Malko.

Ish-funksionari i policisë Aleks Hajdari: Vlerat e pagesës nuk besoj të jenë aq të larta sa ç’thotë zoti Hoxha. 300 mijë euro është një vlerë shumë e madhe për Santiago Malkon.

Gazetari Artan Hoxha: Sepse kanë dështuar disa herë për ta goditur atë…

Ish-funksionari i policisë Aleks Hajdari: Është një vlerë shumë  e madhe për të paguar një vrasje, por ajo që të shqetëson është se numri i vrasjeve me pagesë, numri i vrasjeve për shkak të kontrollit të territorit dhe linjave të drogës, po vjen dita e ditës duke u rritur. Vërtetë që në kronologji dhe në vijimësi ka pasur një numër të konsiderueshëm vrasjesh, por nëse i shikojmë motivet, dhe arsyet…sepse çfarë ndodh? Ne duhet të largohemi nga statistikat, analiza që duhet të bëhet sot është motivet, arsyet, impakti që ka tek ata njerëz që kanë qenë prezent në atë vrasje aty është impakt shumë negativ, impakt që të ngel në kujtesë për një kohë të gjatë. 

Eksperti kriminalist: Përse atentati ndaj Malkos nuk është vrasje me pagesë

Eksperti kriminalist Ervis Koxhaj, duke analizuar atentatin mafioz të ish-policit Santjago Malko, thotë se nuk beson që të jetë vrasje me pagesë, kjo për shkak të rrethanave të ngjarjes.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, eksperti Koxhaj renditi edhe arsyet përse mendon kështu.

“Jemi përpara një vrasje në rrethana cilësuese për shkak të rrethanave të vecanta që e karakterizojnë vrasjen. Kam përshtypjen se jemi përpara një vrasje me paramendim.

Në Kodin Penal ekzistojnë katër vrasje me paramendim; e thjeshtë, për ineteres ose pagesë, për hakmarrje dhe për gjakmarrje. Nga numri i atentatorëve, nga mënyra se si është kryer vepra penale, nga vendi ku është kryer vepra penale, unë do ta përjashtoja vrasjen me pagesë. Mendoj se nuk është një vrasje me pagesë.

Duke angazhuar 8 persona, mundësia që të dilte informaconi është më e madhe. Vendi i ekzekutimit është i hapur dhe ekziston rreziku që të pikaseshin.

Për ekzekutimin është zbrazur një karikator kallashnikovi dhe vetëm një plumb ka kapur viktimën. Një person duke kryer vepra të tilla nuk është kaq i paaftë sa të zbrasë 12 gëzhoja të rrezikojë që të shkaktojë viktima të tjera dhe të kryejë veprën në rrethana të tilla”, u shpreh eksperti Ervis Koxhaj.

Por ka ndërhyrë gazetari Artan Hoxha, i cili ka këmbëngulur se vrasja e Malko është kryer nga ekzekutorë me pagesë që janë paguar 300 mijë Euro. 

“Haka, 3 javë që ka dalë nga burgu”

Ish-funksionari i policisë, Aleks Hajdari tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, se Mariglen Haka, i riu të cilit iu bë atentat mbrëmjen e së shtunës në Nikël, kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu.

Ish-funksionari i policisë Aleks Hajdari: Zona e Niklës ka qenë historikisht problematike, jo në këto përmasa që po diskutojmë sot, por zona e Mamurrasit, zona e Niklës, kanë qenë historikisht problematike, ku fshiheshin mjete, të dyshuar si autorë veprash… por nëse i referohemi ndërhyrjes në Shtator të vitit 2018, pra një operacion që u trumbetua i përmasave të tilla, sikur të gjithë të fortët e Niklës u futën në burg. Dhe ty të përsëritet ky lloj skenari një vit më pas, në dijeninë time, Mariglen Haka ka diku 3 javë që ka dalë nga burgu.

Blendi Fevziu: 3 Javë?

Artan Hoxha: Pak më shumë se 3.

Ish-funksionari i policisë Aleks Hajdari: Diçka e tillë, plus, minus.  

Blendi Fevziu: A qenka i sapo dalë d.m.th.?

Artan Hoxha: 2 muaj duhet të ketë për mua.

Ish-funksionari i policisë Aleks Hajdari: Ka shumë pak kohë që ka dalë nga burgu. Tani të kesh këtë lloj situate kriminale, këtë përplasje mes grupesh në zemrën e Shqipërisë, të kesh këtë përplasje rreth 15 kilometrash nga Tirana, as 15 nuk është, dhe të mos kesh asnjë lloj reagimi, qoftë edhe formal, apo për të marrë nën kontroll territorin nga ana e policisë. Që të hysh i veshur polic natën në zonën e Niklës, tani i bie që të jenë banorë të zonës ata.

Mbrëmjen e së shtunës në Fushë Krujë u vra një grua, ndërsa i plagosur mbeti nipi i saj. Viktima mbeti Shpresa Basha, 50-vjeçe dhe i plagosur 28-vjeçari Mariglen Haka.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23 në oborrin e banesës së të riut, i cili dyshohet se ka qenë në shënjestër të atentatit.

Ndaj tyre u qëllua me breshëri armësh nga persona të paidentifikuar. Haka njihet si një prej “të fortëve” të Fushë–Krujës. /tvklan.al







Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:33 25/09/2019