Opinion – Blloku dhe Enver Hoxha sipas Isuf Kalos

Opinion – Blloku dhe Enver Hoxha sipas Isuf Kalos

Autori: Blendi Fevziu

22:00 11/09/2019

Ish-mjeku i Enver Hoxhës: Raporti me ish-diktatorin dhe historia e Doktorit të arratisur

Isuf Kalo, ish-mjeku i Enver Hoxhës, në një rrëfim për emisionin “Opinion” në Tv Klan, flet për raportin që ai kishte me ish-diktatorin e Shqipërisë.

Isuf Kalo tregon momentin kur ai nga mjek personal i Hysni Kapos, u propozua nga ky i fundit që t’i shërbente Enver Hoxhës.

Kalo flet edhe një nga mjekët që i shërbenin ish-diktatorit, për të cilin thotë se u arratis nga Shqipëria drejt Çekisë, por për arsye personale dhe jo politike. Për këtë arsye, regjimi komunist i asaj kohe nuk e ndoqi historinë e tij.

Blendi Fevziu: Çfarë raporti keni pasur ju me Enver Hoxhën? Keni qenë mjeku personal, i parë dhe kryesor i tij apo jo?

Isuf Kalo: Në koncept mjek personal nuk mund të ketë. Edhe në klinikën special për një kohë të gjatë, nuk ka pasur mjek personal. Për Enver Hoxhën në të vërtetë është kujdesur fillimisht Ibrahim Dervishi, pastaj një Doktor Shameti, i cili çuditërisht u arratis në Çeki. Ishte drejtor i klinikës speciale dhe u arratis nga vitet ’60. Ai kishte gruan e tij ose të dashurën e tij në Çeki dhe ai simuloi një situatë të tillë, sikur do shkonte për kurim në Vienë dhe prej andej iku për atje. Por nuk u përzje më në politikë, nuk tha asgjë për Enverin dhe as regjimi mesa di nuk është se i gjëmoi pas, sepse e bëri për arsye krejt personale jo politike. I vetmi mëkat që i quajti, sepse ai mori një shumë parash për të bërë ekzaminimet, nuk i ktheu më. Ai mori trenin për nga Viena vajti në Pragë edhe atje u mbyll kjo histori.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, z.Kalo çfarë raporti keni patur me Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Raporti mjek-pacient. Unë isha në vitit 70′-73′ u caktova mjek personal për Hysni Kapon, vuante nga diabeti. Arsyeja e mjekut personal ka qenë shumë e lidhur me sëmundjen e diabetit që do një kujdes të vazhdueshëm pothuajse gjatë gjithë jetës dhe është mirë që këta ta ketë një mjek që ndjek ecurinë e saj dhe njeh mirë pacientin. Aty ka qenë një mjek tjetër, Hektor Peçi, i cili u largua për një arsye të caktuar, dhe Hysni Kapo me iniciativën e tij, nuk ka qenë kërkesë e Enverit, i propozoi Enverit që mjekun e tij, domethënë unë, të kaloja Enver Hoxha. 

Isuf Kalo: Enver Hoxha aktronte, kishte në dorë gjëra që i ka Zoti

Isuf Kalo: Në Korrik ’73, Hysni Kapo më thirri në shtëpi bashkë me Profesor Fejzi Hoxhën dhe më tha që partia ka vendosur të të japë një detyrë shumë të rëndësishme, jetësore, që ti të kujdesesh për shokun Enver. Dhe tha që po e bëre mirë, partia dhe populli nuk do ta harrojë kurrë.

Blendi Fevziu: Dhe ju u vendosët si mjek personal pranë Enver Hoxhës? Që do të thotë, ju e takonit personalisht çdo ditë Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Jo absolutisht. Enver Hoxha kishte relacione të caktuara me sëmundjen. Ai nuk donte që të jetonte për diabetin, por mjekonte diabetin për të jetuar, për të vazhduar funksionet e tij. Ai konsultohej shumë herë sepse ne e kërkonim, jo sepse kërkonte ai. Por e dinte që unë isha përgjegjës për të, dhe herë pas here kaloja që e kontrolloja, bisedoja me të.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë ju ishit përditë në shtëpinë e tij dhe pranë tij?

Isuf Kalo: Jo absolutisht, sepse unë e kam shkruar dhe në libër, që më ka bërë një nder të madh. Më ka thënë që ti je djalë i ri dhe nuk ke nevojë të rrish pas meje gjithë kohës. Shiko gjeje vetë mënyrën se si të bësh zhvillimin tënd nga ana profesionale dhe çështë e vërtetë, kjo më krijoi mua hapësirë që u mora dhe me punë shkencore që mora gradat. Por kjo u bë e mundur edhe në sajë të një fakti, që pasi ai kaloi infarktin e miokardit u krijua një ekip shëndetësor, pati një ndryshim substancial nga mënyra e kujdesit shëndetësor, nga një mjek i vetëm tek një ekip që kishte dy funksione. Një për të ndjekur gjithë ecurinë e sëmundjes, por kishte dhe funksion të urgjencës.

 Blendi Fevziu: Pra, ky ekip jetonte pranë Enver Hoxhës në vilën e tij?

Isuf Kalo: Në një vilë afër vilës së tij. Kjo u krijua si ekip i plotë në kohën që pësoi infarktin dhe pastaj u strukturua që do ishte ndjekëse e tij dhe në shtëpi dhe në punë. Në vitin ’74 u kthye nga vila 4 dhe erdhi në Bllok.

Blendi Fevziu: Dhe për sa kohë ju keni ndejtur në Bllok dhe pranë tij thuajse përditë?

Isuf Kalo: Koha më e gjatë që kam ndjejtur ka qenë gjatë kohës që bëri infarktin. Unë kam ndejtur në një dhomë afër tij bashkë me Fahrin Bufin, ndihmës mjekun e tij. Ne ishim në gatishmëri, ishim skalioni i parë.

Blendi Fevziu: A keni pasur gjatë kësaj kohe momente emergjence ku duhet të ndërhynit?

Isuf Kalo: Po po. Patjetër! Dhe kjo ishte arsyeja që ishim aq pranë. Dhe një emergjencë e tillë më kujtohet ka qenë në Janar ’74. Ai e vlerësoi shumë faktin që unë ndërhyra shpejt edhe nuk prita ekipin. Dhe ai këtë koncept kishte për mjekun, që mjeku duhet të marrë vendime.

Blendi Fevziu: A krijohet një relacion i afërt mes mjekut dhe një pacienti permanent që e ndjek për rreth 12 vjet?

Isuf Kalo: Patjetër! Unë jam ndjerë i përkëdhelur në këtë rast, në mënyrën se si ai më ka pranuar, se si ka dialoguar, se si ka komunikuar, si më ka besuar dhe thashë krijohet një afërsi sepse ai ishte njeri që ishte mitizuar, ishte dikush që i thoshe s’është si gjithë të tjerët, dhe në të vërtetë ai nuk ishte si gjithë të tjerët.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë nuk ishte si gjithë të tjerët?

Isuf Kalo: Sepse kishte në dorë disa gjëra që i ka vetëm Zoti. Dëshirat e tij dhe vendimet e tij ishin urdhër.

Blendi Fevziu: Ai mund të zbatonte çdo dëshirë, çdo mendim të tij, pa pasur nevojë të thoshte si është e vërteta?

Isuf Kalo: Ishin shumë çështjen që kalonin patjetër në vendimmarrjen e tij.

Blendi Fevziu: A e keni dashur ju Enver Hoxhën?

Isuf Kalo: Fjala dashuri është e madhe. Por a e kemi respektuar do thoja unë. Unë e kam respektuar sepse ai rrezatonte autoritetet, dinjitet si person. Nuk ishte njeri që ankohej, qahej, merrej me gjëra të vogla. Ishte mjaft serioz në dialog. Por ai dhe aktronte. Aktronte sepse ai qe koshientë që neve duke qenë se ai ishte ai që ishte, ne propozonim dhe masa që jo domosdo ishin në përputhje për rrezikshmërinë dhe problemin. Por donim të ishim brenda.

Blendi Fevziu: E dini sa e rrezikshme do ishte nëse ju do gabonit?

Isuf Kalo: Ne i trembeshim sepse atëherë gabimi nuk quhej njerëzor, quhej politik, quhej armiqësor. Pra gjëja më e pamundur në mjekësi është pagabueshmëria. Sepse është një shkencë jo ekzakte. Dhe pikërisht në këtë kontekst ishte tensioni jonë.

Blendi Fevziu: Ç’domethënë aktronte? Çfarë bënte?

Isuf Kalo: Ta zëmë një moment me temperaturë. Për të qenë brenda, ne i jepnim antibiotik. Ai revoltohej dhe ti nuk e merrje vesh revoltohej vërtetë apo revoltohej sepse donte të dinte deri në ç’masë ishin të domosdoshme.

Blendi Fevziu: A ishte aktrimi pjesë e punës së përditshme të Enver Hoxhës?

Isuf KaloEnver Hoxha aktrimin e kishte art. Edhe në kontakt me popullin kur dilte. Nganjëherë më dukej sikur edhe në rolin që bënte si gjysh, që aktronte me kalamaj, donte të linte një imazh pas që mund të ishte e natyrshme. Thashë, mund të jem i padrejtë në këtë pikë. Por mua nganjëherë më dukej që po punonte të linte një arkivë ku ai të kishte këto veti.

Ish-mjeku i Enverit: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ecnin me sytë ulur se mos binin në dërrasë të kalbur

Blendi Fevziu: Si ishte Ramzi Alia në raport me Enver Hoxhën, në komunikim personal?

Isuf Kalo: Alia ishte si djalë i Enver Hoxhës, shumë i afërt.

Blendi Fevziu:Po në komunikim me të tjerë ishte agresiv? E kishte këtë imponim si Enver Hoxha?

Isuf Kalo: Jo, absolutisht, Ramiza Alia ishte më i kulturuar më i butë.

Blendi Fevziu: Edhe me Mehmet Shehun?

Isuf Kalo: Jo, Mehemt Shehu e dallojë, kishte shumë gjëra të veçanta. Fliste 5 gjuhë të huaja, lexonte, kishte talent ushtarak dhe ekonomik Kishte një mënyrë anglo-sanksone të të shprehurit dhe të menduarit. Po të lexojë një fjalim të Mehmetit e dalloje lehtësisht nga të tjerët.

Blendi Fevziu: Ndërkohë Ramiz Alia kishte një formim prej masoviku, të marrë në Moskë…në shkollën e partisë…

Isuf Kalo: Kishte një formim agjipropit

Blendi Fevziu: Dhe ishte më imponues më i hapur se Enver Hoxha në komunikim?

Isuf Kalo: Linte të kuptonte, e fliste më gjuhën e trupit, të iluzioneve që dukej sikur mendonte ndryshe.

Blendi Fevziu: Cili ishte defekti i Ramiz Alisë?

Isuf Kalo: Nuk them që ishte direkt, por pasojë e fatit të tij, ai ishte gjithë jetën në pozitën që nuk merrte vendime, por ishte zbatues.

Blendi Fevziu: E reflektoi këtë dhe në kohën kur u bë numër 1?

Isuf Kalo: Kjo ishte në nëse quhet kritikë që i bëj unë. Ai nuk ishte i prerë për të qenë lider.

Blendi Fevziu: A mendonte dikush në vitin 1985 kur ai erdhi për të zëvendësuar Enver Hoxhën në krye të shtetit se ai mund  të merrte vendime? Kam përshtypje se kishte një opinion të përgjithshëm se Ramiz Alia nuk sihte njeri që merrte vendime të rëndësishme.

Isuf Kalo: Në atë regjimi numri që absolut. Personi i parë pas 1-shit ishte zero e parë, zero e dytë, zero e tretë, sa më shumë zero bëheshe i fuqishëm.

Blendi Fevziu: Në momentin që Ramiz Alia  mori pushtetin a kishte pushte absolut?

Isuf Kalo: Çfarë të donte.

Blendi Fevziu: A kushtëzohej nga Nexhmije Hoxha?

Isuf Kalo: Absolutisht jo. Kjo është fabul, për mendimin tim e ka pranuar vetë Ramiz Alia.

Blendi Fevziu: Ju thoni në libër një moment diskutimi, ndoshta ditët menjëherë pas varrimit të Enver Hoxhës,  ku shefi i rojeve të sigurisë, Sulo Gradeci ju thotë për Ramiz Alinë se ky mbeti kalama gjithë jetë. Pra tregon se dhe drejtuesit e tjerë nuk kishin ndonjë respekt të madh për Ramiz Alinë…

Isuf Kalo: Ai ka qenë momenti pas vdiq Enver Hoxha she shtypi sipas Sulos do merrej me këtë mynxyrë dhe futja e aktiviteteve të tjera tregonte se jeta vazhdon dhe prandaj Sulo i quajti si cenim të zisë.

Blendi Fevziu: Pra ju thoni se që në vitin 1985 dhe deri në vitin 91 kur Ramiz Alia u largua nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë kishte autoritet absolut për të marrë vendime?

Isuf Kalo: Absolut, po.

Blendi Fevziu: Pse nuk mori vendime të menjëhershme në fund të viteve  ‘80?

Isuf Kalo: Çështja është se Ramizi mbeti marksist-leninist, pavarësisht linjës së butë. Dhe kur ndryshoi ai ndryshoi që të vazhdonte sipas konditave të reja. Nuk ishte Ramizi një reformator i mirëfilltë.

Blendi Fevziu: Pse Nexhmije Hoxha ishte më komode me Ramiz Alinë?

Isuf Kalo: Po ishin njësoj të dy, se dhe Nexhmije Hoxha nuk merrte dot vendime, ishte mësuar ti zbatonte. Unë i kam vënë një metaforë; Të dy ecnin me sytë ulur se mos binin në dërrasë të kalbur. Po nuk shikonin para dhe lart. Meraku i madh ishte të mos gabonin dhe mos e pësonin.

“Nexhmija humbi personalitetin pasi u lidh me Enver Hoxhën”

Blendi Fevziu: Ju thoni gjatë gjithë kohës që Nexhmije Hoxha ishte një bashkëshorte e devotshme pranë Enver Hoxhës  më shumë si bashkëshorte sesa si një shoqe?

Isuf Kalo: Absolutisht po, për devotshmërinë ndaj të shoqit të saj ajo ka qenë një model që unë se kam parë. Ajo ishte vetëmohuese, kishte dhënë lirinë e saj dhe përkushtuar të shoqit duke e përjetuar si një detyrim, jo vetëm familjare, partiake por edhe shtetërore.

Blendi Fevziu: Ju thoni që ajo ishte kryesisht një person i akullt, por që ishte shumë prekur në raport me familjen, por edhe  rrethi i saj familjar…

Isuf Kalo: Ishte tradicionaliste, ishte si nuse zamani, njerëzit e burrit duhet ti respektonte, kushërinjtë duhet ti respektonte.

Blendi Fevziu: A ishte e predispozuar të ndihmonte njerëzi jashtë rrethit të saj familjar?

Isuf Kalo: Ajo nuk donte të lunte rolin e institucionit, por nuk është se nuk ka ndihmuar njerëz, 2-3 i kam thënë, për çështje shëndetësore i kam ndihmuar dhe unë se më është lutur, por i ka bërë në mënyrë jo zyrtare. Ndonjë artisti të madh i ka dhënë shtëpi. Por duhet ti thoshte Komunitetit Ekzekutiv dhe e kishte tmerr, nuk donte të ndërhynte.

Blendi Fevziu: Si do ta përkufizoni ju Nexhmije Hoxhën?

Isuf Kalo: Ishte një person që ka pasur një “brumë” shumë të mirë kur ishte e re, vajzë e mbarë, ishte shumë mirë me mësime, donte të punonte për një botë të re, por lidhja me Enver Hoxhën e bëri që ajo humbi personalitetin, integritetin e saj, humbi aftësinë për tu kundërvënë. /tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:00 11/09/2019