#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Gerta Zaimi, Klodiana Lala, Preç Zogaj, Merin Maçi. Në lidhje direkte: Genc Gjokutaj

Brenda kampit të MEK, gazetarja: Lëvizin njëri pas tjetrit, nuk bëjnë fëmijë

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë më shumë detaje sa i takon mënyrë si jetojnë muxhahedinët brenda kampit në Manzë të Durrësit.

Sonte në “Opinion” në Tv Klan, Lala theksoi se ata lëvizin gjithmonë njëri-pas tjetrit dhe kanë një mision: rrëzimin e regjimit në Iran.

Kjo e fundit lidhet dhe me faktin se ata nuk bëjnë fëmijë dhe as nuk kryejnë marrëdhënie intime me njëri-tjetrin, pikërisht sepse kanë statusin e “luftëtarit të lirisë”.

“Unë kam qenë në kamp edhe më herët. Lëvizin në grupime të vogla 3, 4 persona dhe asnjëherë një grupim i vetëm. Pra lëvizin njëri pas tjetrit, qëndrojnë të ndarë veçmas gratë dhe veçmas burrat. Kanë psikologjinë e turmës, ata nuk bëjnë fëmijë. Kanë statusin e “luftëtarit të lirisë”, nuk pranojnë marrëdhënie intime me njëri-tjetrin sepse misioni kryesor i tyre është që të rrëzojnë regjimin  në Iran. Grupimi në këndvështrimin tim, gabimi i parë është që ata u lanë të izoluar. Disa kohë më parë erdhi një çift nga Kanadaja që kërkonte të takonte vajzën në kamp dhe nuk u lejua. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se 450 prej tyre janë larguar dhe ka një persekutim për ata anëtarë që tentojnë të largohen. Fakti që mbahen të izoluar mendoj se ka sjellë këtë situatën dhe ky grup do jetë e vështirë të kontrollohet”, u shpreh gazetarja.

“O Gjokutaj mos më bërtit kot”, Fevziu shpërthen me tone të ashpra

Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u fol në lidhje me kontrollin e policisë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit. Në studio pati një debat të ashpër mes drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu dhe përfaqësuesit ligjor të muxhahedinëve, Genc Gjokutaj.

Blendi Fevziu: Gjokutaj gjëja e parë që firmos çdo emigrant… O Gjokutaj se tani mos më bëj për një gjë që e di shumë mirë.

Genc Gjokutaj: Jo, jo, jo Fevzi.

Blendi Fevziu: Gjokutaj, nënshkruajnë një deklaratë që nuk do të ushtrojnë aktivitet politik në territorin e atij vendi.

Genc Gjokutaj: Nuk ekziston…

Blendi Fevziu: Strehimi politik jepet me një deklaratë në të cilën do të firmoset se nuk do të ushtrosh aktivitet politik në territorin e atij vendi.

Genc Gjokutaj: Kush është aktiviteti politik, ke në dorë një fakt?

Blendi Fevziu: Këtë pra po hetojnë.

Genc Gjokutaj: Ore Fevzi a nuk e kupton këtë që Edi Rama…

Blendi Fevziu: Po ç’më duhet mua Edi Rama. Edi Rama, Edi Rama. Ne flasim për amerikanët këtu, ti thua Edi Rama. O Gjokutaj mos më bërtit kot tani, por kam pyetje, s’po merrem me Ramën fare.

Genc Gjokutaj: Për çfarë më ke ftuar mua, për çfarë më ke ftuar mua?

Blendi Fevziu: Ore Gjokutaj mund të më dëgjosh mua mos flasësh kot. Një pyetje kam. Sali Berisha kryeministër i shqipërisë, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, i mori muxhahedinët…. A mund të më dëgjosh tani apo jo?

Genc Gjokutaj: Fevzi fol mirë me mua se nuk jam i ftuari jot i përhershëm.

Blendi Fevziu: A mund të më dëgjosh o zotëri?

Genc Gjokutaj: Po.

Blendi Fevziu: Sali Berisha kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, i mori muxhahedinët se kishin hall të luftonin Iranin, apo i morën se ia kërkoi SHBA-ja?

Genc Gjokutaj: Se ia kërkoi SHBA-ja.

Blendi Fevziu: Kaq është, pra. Dhe sot SHBA po thotë këtë gjë. Nuk i morën këtu për të luftuar regjimin e Teheranit.

Gjokutaj: Nuk mund të trajtohen muxhahedinët si terroristë! Policia ka rrahur kë ka dashur

Përmes një lidhjeje Skype për “Opinion” në Tv Klan, avokati i muxhahedinëve në Manzë Genc Gjokutaj ka folur për përplasjet e ditëve të fundit.

Ai shprehet se drejtuesit e kësaj organizate kanë qenë bashkëpunëtorët më të mëdhenj të anti-terrorit në vend dhe nuk mund të trajtohen si terroristë. Sipas Gjokutajt, Policia e Shtetit ka sulmuar anëtarët e organizatës me urdhër politik.

Genc Gjokutaj: Sulmi që policia ka bërë është si pasojë e një vullneti politik të ndryshuar dhe unë duhet ta them te studio juaj këtë dhe me përgjegjësinë time personale.

-Qëndrim i ndryshuar i qeverisë shqiptare apo i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Genc Gjokutaj: Nëse SHBA-të nuk i qëndrojnë më këtij pakti, sigurisht që Edi Rama si kamarier i mirë në të gjitha këto historitë. Se sot e keni në Izrael…

-Rama me Iranin është prishur, tani të prishet me SHBA-në që muxhahedinët të mos lejojnë policinë shqiptare të hyjë brenda? Edi Rama ka gabimin që i ka lejuar të kryejnë aktivitet në territorin shqiptar ndaj një shteti tjetër. Ata janë të mirëpritur dhe çdo emigrant që i kërcënohet jeta, politik flas, por nuk kanë të drejtë të diktojnë ligjet në Shqipëri.

Genc Gjokutaj: Sa kohë kanë këta muxhahedinë në Shqipëri?

-11 vjet!

Genc Gjokutaj: Sa kohë kanë qenë të inkriminuar gjatë gjithë kësaj kohe se nuk ndodh sot për nesër.

-Njësoj, ne e kemi ditur që nuk duhet të kryejnë aktivitet politik.

Genc Gjokutaj: Muxhahedinët nuk kanë ndryshuar, ka ndryshuar politika e Tiranës që shpie policinë. Të gjithë drejtuesit e MEK-ut kanë qenë bashkëpunëtorët më të mëdhenj të anti-terrorit në Shqipëri, kanë bërë kallëzime, janë përballur në gjyqe dhe ata nuk mundet një mëngjes të trajtohen si terroristë.

-Nëse ka një mandat gjykate pse ata bëjnë rezistencë?

Genc Gjokutaj: Ky vendim gjykate mund të ankimohet, dhe atyre nuk u është dhënë e drejta. Muxhahedinët nuk kanë ndryshuar presje. Policia shqiptare ka marrë çdo gjë, ka rrahur kë ka dashur pa procesverbal, këta kanë një status të veçantë Blendi./tvklan.al