Të ftuar:

Edi Rama – Kryeministri i Shqipërisë

Andi Bejtja – Gazetar

Andi Tela – Gazetar

Mirela Milori – Gazetare

Mentor Kikia – Gazetar

Mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama tha se do të ishte larguar nga posti i kreut të ekzekutivit, nëse do të mendonte se në vend do të normalizohej gjithçka.

“Jua them të gjithë shqiptarëve, nëse për një sekondë të vetme, unë do të mendoja se po iki unë, këtu do normalizohet gjithçka dhe këta do të sillen normalisht nesër, unë nuk do isha këtu sot, do kisha ikur. Nëse unë do të mendoja se këtu do të mbarojë kjo marrëzi, nëse do të mendoja se Saliu të nesërmen e ikjes sime do të bëhej njeri dhe do të mendojë më në fund një herë të vetme që ky vend nuk është i tiji dhe nuk mund të bëjë çfarë të dojë apo ta djegë sa herë nuk ka pushtet, apo të hedhë në erë institucionet, sa herë i teket atij, unë do kisha ikur, por nuk është çështje personi, është çështje e një sistemi që duhet ta ndërtojmë për fëmijët tanë. Kemi ardhur këtu, sepse nuk e kemi marrë kurrë seriozisht.”

Ai tha se nuk mund të hyjë në atë që e quajti marrëzi të shtyrjes së zgjedhjeve mbi kërkesa të pabaza, pasi do të krijohej precedent.

“30 Qershori është data e zgjedhjeve vendore, por nëse ne hyjmë në këtë marrëzi që të diskutojmë a duhet në një sistem demokratik të krijojmë një traditë që s’ka lidhje me demokracinë, që ai që e përdor mandatin që i ka dhënë populli për të marrë peng nga pozitat e pakicës ngaqë nuk fiton dot zgjedhjet, ngaqë është i rrezikshëm, se mund të bëjë këtë, këtë, këtë, duhet t’i hapim rrugë, këtu ka marrë fund. Nuk është çështja e 30 Qershorit, çështja është që nuk ka mundësi të bëhen më kurrë për kushedi sa vite zgjedhje normale, procese normale dhe të ketë bashkëjetesë normale nëse legjitimohet djegia e mandateve, do të vijë tjetra do të bëjë të njëjtën gjë. “

“Po u bë dhunë kush e ka fajin? Po u bë dhunë e ka fajin ai që dhunon. Këtu kemi ardhur në pikën që kemi relativizuar dhunën dhe e konsiderojmë një shprehje të natyrshme të një pozicioni politik të disa njerëzve që kanë luftuar për drejtësi.”

Kryeministri shprehu bindjen se në 30 qershor mund të ketë gjëra që mund të ndodhin tek tuk, po shqiptarët nuk përzihen në trazira.

Dosja 339, krijoi jo pak debat në studion e “Opinion” këtë të enjte. Pyetjes së analistit Andi Bejtja se përse nuk kishte reaguar duke i larguar emrat e përmendur në dosje, për t’i dhënë një mesazh reflektimi opozitës, Kryeministri Edi Rama tha se nuk mund të largojë njerëz në bazë të përgojimeve. Më tej Kryeministri kërkoi nga Bejtja emrat konkretë që sipas tij kanë dalë në përgjime. Biseda u shoqërua me debate e ironi.

Andi Bejtja: Çfarë duhet të bëjë opozita kur 339 nuk hetohet nga prokuroria për 4 muaj? Kur kryeministri vetë nuk jep një mesazh reflektimi për këtë, për shembull të shkarkojë 2-3 që janë përmenduar në këtë dosje, se nuk u bë qameti. Çfarë e gjeti kryeministrin t’i jepte një mesazh opozitës, që unë reflektova, i shkarkova këto dy veta, e pastaj t’i hetojmë dhe t’i rehabilitojmë prap.

Edi Rama: U përgojuan 2-3 veta thotë Bejtja..

Andi Bejtja: Jo u përgjuan, dolën në dosje thashë unë. Që kanë folur me bandidë, kanë folur me emra që kanë qenë në përgjim. Nuk mjafton për një kryeministër t’i japin një mesazh popullsisë.

Edi Rama: Tani edhe njëherë që të vijmë në sens. Zotëri i dashur, shkëputja e disa fjalive këtu, disa atje dhe kthimi i tyre në argumente politike dhe për më tepër, një arsye për të marrë këtu Kryeministrin dhe për t’i thënë përse mbi bazën e këtyre fjalive, ti nuk ndëshkon njerëz, është fundi, këtu nuk kam më çfarë them.

Blendi Fevziu: Të tërhiqen tha Bejtja, jo të ndëshkohen.

Edi Rama: Është fundi, është fundi. Kush të tërhiqet? Më thuaj kë?

Andi Bejtja: Ata që kanë dalë në dosje.

Edi Rama: Kush ka dalë në dosje, ma thuaj ti se unë nuk e di.

Andi Bejtja: Damian Gjiknuri.

Edi Rama: Ku e ke në dosje?

Andi Bejtja: Ka dalë o vlla…

Edi Rama: O vlla ku? O vlla ku, ma nxirr.

Andi Bejtja: Vangjush Dako.

Edi Rama: Më thuaj ku ka dalë Damian Gjiknuri… ka dalë o vlla, hë vlla ku ka dalë, më trego ku ka dalë.

Blendi Fevziu: (Për) Damian Gjiknuri ka një koment, por nuk është parë përgjimi.

Edi Rama: Vangjush Dako ka dalë duke thënë çfarë? Më thuaj se nuk dua ta rikthej gjithmonë atë histori, sepse nuk dua në asnjë mënyrë se dikush të mendojë se unë po komentoj, sepse ka një proces për Saimir Tahirin dhe unë respektoj procesin.

Andi Bejtja: Po s’thashë gjë…

Edi Rama: Jo më nuk the ti, do them unë tani, do flas dhe unë.

Edi Rama: Por nuk e nxorët akoma mësimin mor zotëri. E bëtë këtë milet të flasë me vete, duke u marrë me përgojime, me muhabete jo ky i tha kështu, jo ky ashtu.

Kryeministri Edi Rama tha në “Opinion” se nuk ka asnjë shans që ai si kryeministër dhe lider i shumicës të pranojë qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, pasi kjo është një logjikë që nuk ka lidhje me shtetin.

Rama tha se logjikën e anulimit të lojës e përdor me djalin e tij të vogël, Zahon, kur luan, porse kjo logjikë nuk ka lidhje me raportin e të zgjedhurve me zgjedhësin.

Mirela Milori: Përse ju për zhbllokuar situatën nuk bini dakord për qeveri tranzitore deri në Shtator a tetor kur kërkohet, hyni përsëri në zgjedhje dhe fitoni bindshëm?

Edi Rama: Këtë logjikë unë e përdor me Zahon, d.m.th. kur luajmë dhe kur kërkohet anulim loje unë e pranoj anulimin e lojës, por kjo logjikë nuk ka lidhje me shtetin, me marrëdhëniet mes institucioneve dhe publikut dhe nuk ka lidhje me raportin e të zgjedhurve me zgjedhësin. Kush jam unë këtu? Që unë bëkam anulim loje dhe futemi edhe një herë nga e para, kujt ia kanë për borxh këtë populli?….Janë disa që po na thonë ne jemi gati të çmendemi, dhe ne jemi gati të hidhemi në erë dhe t’ju marrim të gjithëve me vete, prandaj ju tani anuloni lojën. Nuk ka shans! Nuk ka shans! Nuk ka shans! Sepse nuk jemi tek fusha e vogël e lojës në Surrel, ku ka anulim loje dhe i lëmë të bëjnë edhe ndonjë gol. Jemi në kushtet kur po flasim për gjëra shumë serioze dhe kjo teoria që meqë ai nuk i fiton zgjedhjet, pse nuk i bën edhe një herë nga e para.

Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për akuzat e Kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se në samitin e Berlinit, Rama i kishte bërë presion për të hequr taksën me Serbinë. Kryeministri shqiptar tha se homologu i tij kosovar gënjen dhe se e vetmja gjë që i është kërkuar kishte qenë pezullimi i taksës. Kjo kërkesë, sipas Ramës kishte ardhur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të cilët kishin shprehur gadishmërinë e tyre për të ndihmuar në rifillimin e dialogut me Serbinë.

Edi Rama: Është një perceptim i gabuar që ka Ramushi, që fatkeqësisht ka gënjyer. Sepse nuk i ka kërkuar askush që ta heqë taksën, i është kërkuar pezullimi i taksës. Nuk i ka kërkuar njeri ta heqë taksën, i është kërkuar pezullimi për t’i dhënë një shans rifillimit të dialogut me angazhimin direkt të Kancelares dhe Presidentit francez. Tani më fal, taksa, unë e kam mbështetur.

Blendi Fevziu: Pra ju i keni bërë presion për pezullimin?

Edi Rama: S’kam bërë presion më, çështë ky presion. I kam thënë ky për mendimin tim është propozim fantastik dhe pranoje.

Blendi Fevziu: Dhe çudi është t’i bësh Ramushit presion, edhe shumë nuk ta mban… Po kur thotë kryeministri i Kosovës më ka bërë presion, 3 herë, jo njëherë, unë të mos e citoj tani.

Edi Rama: Po të them që ka qenë një moment ideal që taksa të funksiononte, sepse taksën e kam mbështetur që ditën e parë, jo si masë tregtare, si masë tregtare është absurde, është kundër gjithë rregullave. Por e kam thënë dhe e kam mbrojtur në çdo takim me të gjithë partnerët, është klithmë që Kosova e bën për t’u dëgjuar, për të thënë: Ej ne jemi këtu, jemi angazhuar në një dialog, për vite e vite dhe nuk po marrim asgjë, ndërkohë që Serbia vazhdon hap kapituj për negociata. Ama klithma për çfarë bëhet? Bëhet që të sensibilizosh dhe në momentin kur të vijnë dy liderët e Europës, Gjermani dhe Franca, Presidenti dhe Kancelarja thonë aman, të lutem ta pezullojmë këtë për 4 deri në 6 muaj dhe ne do të angazhojmë personalisht, do të vemë kreditet tona i tha ajo zonja, që të funksionojë procesi dhe ta shtyjmë përpara. Tani normalisht, po pezullojë se nuk po të thotë hiqe. Se amerikanët thonë hiqe, sezbën sepse nuk duam të dëgjojmë për gjë tjetër. Këta thanë pezulloje që ne të vazhdojmë procesin. Tani si do të vazhdosh, nëse i thua jo… po mirë në rregull, jo. Po ama kujt i shërben kjo, sepse taksa është instrument negocimi në këndvështrimin tim.

Blendi Fevziu: Kryeministri thotë është një masë për të ndaluar ndarjen e Kosovës, kështu e tha.

Edi Rama: Urdhëro? Po si do të ndahet Kosova?

Blendi Fevziu: Me atë planin kështu… një këtej, një andej…. fusim këtë, fusim atë?

Edi Rama: E si do bëhet plani?

Blendi Fevziu: Se di njeri..

Edi Rama: Po si mund të bëhet more, po si ka mundësi? Si mund të bëhet realitet një plan që se di njeri.

Cilesia e karburanteve, si ndikon ne mjedis!