OPINION – C’DO TE NDODHE ME 30 QERSHOR!

OPINION – C’DO TE NDODHE ME 30 QERSHOR!

03:36 14/06/2019

Të ftuar:

Etilda Gjonaj

Mark Marku

Lorenc Vangjeli

Prec Zogaj

Iris Luarasi

Andi Bejtja

Fjala e fundit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i takon Gjykatës Kushtetuese, një procedurë kjo e cila u pohua edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. E ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Ministrja u pyet nga Blendi Fevziu se kur do të ngrihet kjo gjykatë. Pavarësisht se Gjonaj tha se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në fazën e fundit të verifikimit të kandidaturave, drejtuesi i emisionit u shfaq mosbesues, duke u shprehur se “nëse konstituohet gjykatë këtu edhe 3 vitet e ardhshme do të ishte sukses i madh”.

“Këtu janë disa pyetje, disa çështje. E para, padyshim ka filluar një procedurë për shkarkimin e Presidentit, sipas rezolutës. Pikërisht Kuvendi ka ndërmarrë sot një vendim politik me rezolutën, ku ka konstatuar pavlefshmërinë, apo shkeljet kushtetuese të dekretit të Presidentit. Dhe më pas procedura është shumë e qartë në Kushtetutë, ka dhe gjithashtu rregullorja e Parlamentit, që e përcakton si procedurë, do marrë kohën. Padyshim, fjalën e fundit, pavarësisht se ka një vendim të parlamentit, do ta thotë Gjykata Kushtetuese”

Kur?

“Gjykata Kushtetuese do ta thotë kur të ngrihet.”

Edhe po u ngrit pasi të mbarojë mandatin Ilir Meta?

“Tani ne nuk do presim që Gjykata Kushtetuese të ngrihet pasi të mbarojë mandatin Presidenti”.

Edhe për Prokurorin e Përgjithshëm u tha 3 muaj, u bënë 1 vit e gjysmë.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në fazën e fundit të verifikimit të kandidaturave për Gjykatë Kushtetuese. Do të jetë pikërisht pastaj Presidenti që do të zgjedhë 3 anëtarët”.

Nëse konstituohet gjykatë këtu edhe 3 vitet e ardhshme do të ishte sukses i madh…

Tre prej anëtarëve të kësaj Gjykate emërohen nga Presidenti. Por çfarë do të ndodhte nëse kreu i shtetit nuk do t’i zgjidhte? Nëse një situatë e tillë do të ndodhte, Ministrja Gjonaj tha se ekziston një mekanizëm zhbllokues.

“Do të jenë 3 anëtarët që do të sjellë Presidenti. Presidenti ka detyrimin ligjor që t’i zgjedhë brenda 30 ditëve”.

Po nuk i zgjodhi?

“Po nuk i zgjodhi ka një mekanizëm zhbllokues në ligj, ku thuhet që i pari automatikisht që është rankuar më i mirë nga KED emërohet automatikisht, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Emërohet si kandidat i presidentit?

“Patjetër”.

Gjonaj foli gjithashtu për zgjatjen e procesit të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ajo u shpreh se nuk ishte parashikuar që ky proces do të bllokohej nga opozita.

Përse u zgjat kaq shumë zonja Gjonaj? U tha që për dy vjet do t’i kishim të gjitha gjërat e bëra, ndërkohë kanë kaluar 3 vjet dhe jemi akoma rrugës.

“Gjithë zbatimi i Reformës në Drejtësi është një proces tërësisht kompleks. Për të gjithë arsyet që ne i dimë dhe nuk kemi përse t’i rikthehemi. Ajo çfarë u mendua në momentin që ligjbërësit, grupi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, menduan për reformën dhe zbatimin e saj, vendosën që do të kishte një periudhë tranzitore për këto institucione që do të ngriheshin për herë të parë. Por çfarë ndodhi? Ndodhi që ngërçet politike të cilat nuk ishin parashikuar që do të kishte për sa kohë që Kushtetuta u miratua unanimisht, e bënë atë që të vonohej. Sepse nëse vjet KED do të funksiononte, sot ne do të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Por ekspertët e huaj që kanë parashikuar, u larguan prap nga Shqipëria, janë në punën e tyre. Ndërkohë shqiptarët kanë ngelur pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa Prokurore të Përgjithshme, pa Prokurore të Krimeve të Rënda, po flas të emëruar në mënyrë definitive dhe jemi në qiell të hapur dhe në një situatë krize, ku secili citon Kushtetutën dhe ku nuk kemi një arbitër.

“Periudhën tranzitore e kërkon çdo institucion i ri, çdo arkitekturë e re. Ky proces nuk do të zgjaste kaq shumë nëse ne nuk do të kishim bllokime të opozitës në mënyrë të vazhdueshme. Për sa kohë që Kushtetuta u miratua unanimisht me 140 vota, nuk u mendua që opozita do të dilte kundra Reformës në Drejtësi”.

Si funksionon tregu imobilar ne Tirane!

Të ngjashme
UKT