#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Në pjesën e parë të emisionit “Opinion”, i ftuar ishte kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, për të folur për të gjitha zhvillimet brenda kësaj partie. Çfarë po ndodh në raportet e thyera të opozitës gjatë këtyre 2 viteve? Si po rifunksionon grupi parlamentar, dhe çfarë vendimi ka marrë opozita për ditët në vijim?
Në pjesën e dytë, në “Opinion” ishin 3 përfaqësues të lëvizjes “Shqipëria bëhet”, e cila u prezantua pak ditë më parë. Adriatik Lapaj, Florian Binaj dhe Edlira Çepani, vijnë për të folur se cilat është platforma e tyre. Përse kjo lëvizje tani dhe ky synojnë të pozicionohen ata në politikën shqiptare?
Si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën, në studio ishin dy përfaqësues të mediat të cilët bënë pyetje dhe komente: Robert Rakipllari dhe Ervis Iljazaj.
Në pjesën e tretë, në historitë e të enjtes në “Opinion” vjen një histori interesante që lidhet me arsimimin. Tirana Business University përveç degëve të Biznesit dhe Juridikut që ka pasur prej 13 vitesh, këtë vit ka hapur një risi, duke sjellë Teknologjinë e Informacionit, si një degë më vete. Kjo është një prej atyre degëve që ka ardhur si pasojë e kërkesës shumë të madhe të tregut. Opinion sjell nga afër sesi është menduar kjo gjë dhe përse ky universitet po mundohet të ecë në këtë degë dhe në një kampus të ri.
Të ftuar: Adriatik Lapaj, Edlira Çepani, Florian Binaj, Robert Rakipllari, Ervis Iljazaj
“Pse ti je ndryshe?”, Lapaj i përgjigjet Fevziut: Kam13 vjet beteja, i paguaj taksat këtij vendi
Adriatik Lapaj ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan për të dhënë më shumë detaje sa i takon lëvizjes “Shqipëria Bëhet” e cila sipas tij synon demokratizimin e vendit.
Blendi Fevziu e pyeti se pse ai duhet të jetë i besueshëm në krahasim me personazhet e tjera politike, duke argumentuar se gjithnjë ka ndodhur që pushteti i ka tjetërsuar njerëzit.
Lapaj iu përgjigj duke thënë se ai ka 13 vite në opozitë dhe se i paguan taksat këtij vendi.
-Çdo njeri ka folur si ty, kanë folur për kempin, për varfërinë, për ikjet. Dhe kur vijnë në pushtet thonë jo ne e përmirësuam.
Adriatik Lapaj: Do më faturosh mua mëkatet e këtyre ti tani?
-Jo! Po të faturoj mosbesimin normal publik sepse këtë fjalim e kemi dëgjuar si këngë 32 vjet. Më jep argumentin pse duhet të të besoj ty në raport me të tjerët?
Adriatik Lapaj: Secili nga ne ka historikun e tij, ai zotëria që përmende ti (referuar Erion Veliajt) rrogën e parë e ka marrë si deputet, kryetari i bashkisë. Kurse unë kam 13 vjet në opozitë zotëri, kam 13 vjet beteja, 13 vjet që i paguaj taksa këtij vendi dhe nuk qëndron krahasimi jot.
-Mosbesimi është gjëja më normale për çdo njeri dhe ndaj çdo force.
Edlira Çepani: Kjo nuk domethënë që të mos dalin alternativa te reja.
“Politikanët në Shqipëri thonë çfarë nuk bëjnë dhe bëjnë çfarë nuk thonë”, Binaj: Këtu edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë
ë ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte ishin 3 nga nismëtarët e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, Edlira Çepani dhe Florjan Binaj.
Binaj i ktheu përgjigje analistit Robert Rakipllari në lidhje me mosbesimin ndaj kësaj lëvizjeje. Ai u shpreh se në Shqipëri “edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë”.
Sipas tij, në këtë lëvizje ka njerëz që kanë kontribut në shoqëri.
Robert Rakipllari: Ajo që përtej kësaj që do ju pyes dhe ajo që gjithë ne kemi, mesbesimi, është fakti që nga ajo që kam dëgjuar deri tani është që nuk po dëgjoj ide të reja. Ideja është që jemi keq, pse pensionet aq… Edhe njëherë po ju them, ajo që keni bërë ju në këto kushte është ajo që duhet. Pra tre personazhe me kauza publike që nuk jeni të përdorur nga politika. Çfarë duhet përtej kësaj, për t’u bërë i besueshëm në politikë? Ide nuk shoh. Të gjitha ato që tha Lapaj janë gjëra që bëhen pasi vjen në pushtet. Shqipëria ka një problem tjetër sipas këndvështrimit tim. Këtu është bllokuar rotacioni. Pra kemi një qeveri që e quajnë regjim pjesa e intelektualëve që ka bllokuar rotacionin dhe i rregullon zgjedhjet me mënyra të ndryshme. A ke ide që njerëzit të të besojnë para se të shkosh aty?
Florjan Binaj: Është plotësisht e drejtë ajo mosbesia që është gjithandej lart e poshtë për këtë vend. Fakti që ne po themi të njëjtat gjëra që kanë thënë dhe ata para nesh është fakti që ata i kanë thënë dhe nuk i kanë bërë. Se politikanët në Shqipëri thonë çfarë nuk bëjnë dhe bëjnë çfarë nuk thonë. Këtu edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë, e marrin nëpër këmbë, e çojnë andej këndej, e bëjnë për budalla e këtej me radhë.
Robert Rakipllari: Kanë dështuar lëvizjet e reja?
Florjan Binaj: Janë blerë. Problemi i këtyre se për ne është një nga pikat më të forta. Ne secili kemi mbi 1 dekadë përvojë. Unë kam gati 20 vite përvojë kontribut në fushën time, Edlira po ashtu më shumë se 20 vite në fushën e saj, Adriatiku gati 20 vite në fushën e tij… Ne kemi bërë këtë dhe po vijmë në këtë pikë. Gjithë pjesa tjetër që po na krahasojnë dhe po na venë në peshore e kanë filluar nga kjo pika e fundit dhe e kanë bërë karrierën mbrapa.