#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar në Opinion Fabian Zhilla, Spartak Koka, Artan Hoxha, Ergys Muzhaqi, Ledion Krisafi dhe Gentian Progni.

Publikimi i listës të së dyshuarve nga hakerat, Spartak Koka: Dyshime se janë të dhëna të sistemit Deep Sea

Gazetari Spartak Koka thotë se lista me persona të dyshuar në Shqipëri që u publikua sot nga hakerat iranianë, dyshohet se janë të dhëna të sistemit Deep Sea, i cili përmban të dhëna të detajuara për të gjithë qytetarët.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Koka u shpreh se “po të kenë marrë këtë sistem, i bie që të kenë marrë të gjithë shtetin”.

Spartak Koka: Ajo që nuk kontestohet në këtë listë të publikuar ditën e sotme, megjithë atë që po tenton qeveria të bëjë, është që informacioni brenda këtyre dosjeve është e saktë. Fotot e personave, ID e tyre është e saktë. Në konsultat sot që unë kam bërë me punonjës të nivelit edhe të mesëm dhe të lartë drejtues, është që dyshimet më të mëdha janë se janë të dhëna të sistemit Deep Sea, por është një rubrikë shumë e vogël e sistemit Deep Sea kjo që na kanë hedhur sot në treg se ato mund të kenë më shumë të dhëna, ku sistemi Deep Sea ka 22 motorrë kërkimi nga të gjitha institucionet ligjzbatuese. Po të kenë marrë atë, i bie që të kenë marrë gjithë shtetin dhe çdo të dhënë.  Futesh në emrin Blendi Fevziu dhe gjithçka që ka Blendi Fevziu të del.

Blendi Fevziu: Të del, gjoba, probleme, çdo gjë që ke bërë, prona.

Spartak Koka: Të del gjithçka.

Spartak Koka thotë se “lusim që ata të mos e kenë sistemin MEMEX pasi është profilizimi kriminal i një personi”.

Spartak Koka: Ajo që ne lusim që të mos ta kenë është sistemi MEMEX sepse sistemi MEMEX është gjithë profilizimi kriminal i një personi. Pra, nuk ka rëndësi kur është hedhur informacioni, ai që ka hedhur informacionin është aty, por është një informacion që nuk e akseson kushdo në polici. Është brenda një sektori të analizës kriminale. Në Drejtorinë e Tiranës ka 4 apo 5 punonjës që e aksesojnë në një nivel hiearkik dhe që hedhim të dhëna. Informacioni që është brenda është shumë i detajuar.

Gazetari Spartak Koka ngre alarmin se “po u publikua sistemi MEMEX, do të rrezikohen me dhjetëra punonjës policie, të cilët mund të kenë dhënë informacion për ngjarje të caktuara”.

Spartak Koka: Po u publikua MEMEX do të rrezikohen me dhjetëra punonjës policie që mund të kenë dhënë informacion për ngjarje të caktuara./tvklan.al

Spartak Koka: Në rast se hakerat publikojnë MEMEX-in, rrëzohet e gjithë Policia e Shtetit

Gazetari Spartak Koka thotë se lista e publikuar nga hakerat iranianë me personat e dyshuar të policisë, nuk i përket sistemit MEMEX të Policisë Shqiptare, por i ngjan më shumë sistemit të Deep Sea.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetari Koka u shpreh se nëse hakerat kanë arritur të marrin sitemin MEMEX dhe e publikojnë në rrjetet sociale, atëherë e gjithë puna 25-vjeçare e Policisë së Shtetit do të shkatërrohet.

“Në rast se publikohet MEMEX, uroj që të mos publikohet dhe të mos ketë pasur qasje, i bie që e gjithë organizata e policisë për 25 vite punë kriminale të rrëzohet dhe gjithçka të bëhet publike. Dhe këtu të parët që do të cënohen janë informatorët, të dytët do të jenë specialistët e policisë të cilët të detyruar nga puna e përditshme operative që bëjnë kanë dhënë informacione dhe ne e dime në jo pak raste kur edhe janë dekonspiruar informacionet brenda policisë ka patur përplasja, ka patur hakmarrje ndaj këtyre personave që i kanë dhënë”, theksoi gazetari Koka.

Gazetari tregoi edhe kur ka nisur funksionimin për herë të parë sistemi MEMEX.

“Sistemi i menaxhimit të informacionit është vënë për herë të parë, MEMEX, në vitin 2008 nga 23 Marsi dhe që në atë kohë ka patur vazhdimisht përditësime, por struktura e sistemit nuk ka ndryshuar. Vetëm nëpërmjet aksesimit të këtij sistemi krijon profilizimin tip të personit”, është shprehur Koka.

Gazetari Spartak Koka theksoi se në listat që kanë dalë sot ka edhe persona që nuk janë me precedent kriminal, por janë edhe kallëzuesit apo të kallëzuarit.  /tvklan.al

Lista e të dyshuarve e publikuar nga hakerat, Artan Hoxha: Janë të dhëna nga viti 2010

Gazetari Artan Hoxha thotë se lista me persona të dyshuar në Shqipëri që u publikua sot nga hakerat iranianë, nuk dihet saktësisht nëse sistemi MEMEX i Policisë së Shtetit.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Hoxha u shpreh se kjo listë nuk është e manipuluar, por janë të dhëna të vitit 2010 e në vijim.

“Në atë link ishte dhe problemi që nëse hyn mund të të hakerojnë dhe ty. Frika bën të vetën. Problemi nga ajo që pashë tek ai informacion, ato janë të dhëna të cilat dyshimi që është thënë që në fillim, janë nga MEMEX apo jo, sigurisht që MEMEX ka të dhëna të tjera më të detajuara. Ne nuk dimë saktë cili është niveli… Që ajo nuk është e manipuluar, atë harroje. Një rubrikë e ngjashme e personave të dyshuar e ka sistemi TIMS. Ka një rubrikë të veçantë, që në një moment të caktuar kur janë mbajtur këto të dhëna, këto të dhëna janë nga 2010 e mbrapa, dyshimi është fakti që ende sipas tyre këto të dhëna janë marrë nga MEMEX”.

Artan Hoxha tregon edhe se çfarë është sistemi MEMEX i policisë.

“MEMEX është kartoteka dixhitale e Policisë së Shtetit. Është një rrjet i brendshëm i policsë ku ka të dhëna për persona të dyshuar dhe kohë pas kohe puninjësit e policisë hedhin të dhëna të reja që vijnë, i mbivendosen. Nuk hyn dot kollaj atje, kushdo që hyn lë gjurmë”.

Por gazetari Artan Hoxha ngre edhe alarmin se hakerat iranianë kanë hyrë edhe në serverat e Bankës Qëndrore të Shqipërisë.

“Ditën e parë kur janë paraqitur të dhënat që janë hakeruar serverat, nuk e di pse nuk është komentuar, por në një video unë kam parë serverat e institucioneve zyrtare shqiptare që janë goditur nga hakerat iranianë. Midis tyre që në atë video janë të institucioneve kryesore, por midis të tjerave është regjistri bankar i Bankës Qëndrore të Shqipërisë. Ata kanë nxjerrë një listë të serverave që sipas tyre i kanë sulmuar. Dhe në atë listë janë të listuar një pjesë e serverave. Ne nuk dimë çfarë kanë marrë”.