Opinion: Çfarë fshihet pas vrasjes së Kavajës?

Posta

Opinion: Çfarë fshihet pas vrasjes së Kavajës?

Autori: Blendi Fevziu

21:45 15/10/2019

Të ftuar: Klodiana Lala, Redi Shehu, Marinela Sota, Erzen Breçani, Edmond Petraj dhe Ermal Vija.

Avokati tregon si u kap me drogë në Gjermani burri i Marsida Qatjas

Edmond Petraj, avokati i bashkëshortit të Marsida Qatjas, ka treguar rrethanat e arrestimit të Indrit Hysenit në Gjermani.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të folur për vrasjen e Kavajës, avokati Petraj tha se Hyseni u arrestua pasi në makinë iu gjet një sasi lënde narkotike.

Automjetin, sipas avokatit, burri i Marsida Qatjas ia kishte marrë një mikut të tij për të udhëtuar nga Holanda drejt Gjermanisë. Edmond Petraj sqaroi se klienti i tij, Indrit Hyseni, nuk ishte në dijeni të drogës së fshehur në makinë.

Është dënuar mes Dyseldorfit dhe Duisburgut. Ai jetonte në Holandë. Ishte në Holandë. Nga Holanda i merr rastësisht një personi makinë dhe niset drejt Dyseldorfit. Atë ditë ka ndodhur operacion rutinë në gjithë Gjermaninë. U ndaluan 1800 persona dhe është ndaluar dhe ky person, në momentin që është ndaluar nuk ka pasur asnjë lloj… Kur i del që kishte të kaluar dhe ishte i dënuar në Shqipëri, i hynë me themel dhe makinës. Ka pasur një rast tjetër në Shqipëri, rast krimi por nuk ka lidhje me drogën. 16 orë bëhet kqyrja fizike e mjetit. Policia gjeti substancë, mbi 6 kg substancë. Prokuroria e ka skanuar. Personi nuk është i lidhur me këtë ngjarje fare. Ky nuk ka lidhje me këtë. Është dënuar për një vepër penale që ka penguar zbulimin e të vërtetës. Por ai nuk kishte lidhje dhe me këtë. Kishte pak muaj që kishte shkuar në Holandë”, tha Edmond Petraj, avokati i Indrit Hysenit.

Mesazhi i fundit që Dritan Haxholli i dërgoi Marsida Qatjas

Avokati: Unë i kam thënë Marsidës ‘stop deklarimeve, çfarë po flet?’

Edmond Petraj, avokati i bashkëshortit të Marsida Qatjas, është në të njëjtën kohë personi që i ka ofruar trajtim ligjor edhe të resë nga Kavaja, në shtëpinë e së cilës u vra një person javën e kaluar.

Në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, Petraj tha se ka qenë ai personi i cili ka frenuar deklarimet e Marsida Qatjas në media.

Ai po ashtu zbuloi edhe mesazhin e fundit të Dritan Haxholli i kishte dërguar Marsidës, kur i kishte shkuar me kallashnikov poshtë pallatit.

Edmond Petraj: Marsida më kërkoi një ndihmë. Unë nuk është se jam avokati i Marsidës. E ndjek rastin duke qenë se ajo më kërkoi një trajtim ligjor. Në momentin që kam marrë vesh për ngjarjen besoj ka qenë rreth 30 orë që kishte ndodhur situata. Kur e kam parë edhe nëpër media, i kam thënë që ‘stop deklarimeve, çfarë po flet?’ Me një fjalë kam qenë unë personi që e ka frenuar.

Blendi Fevziu: Për çfarë e ke frenuar?

Edmond Petraj: E kam frenuar sepse e para e punës, për një çështje nën hetim dhe me një traumë psikike siç ishte ajo, nuk duhej të jepte deklarata. Sepse ju e kuptoni, jeni brenda një ambienti, ka ndodhur një breshëri. Një ngjarje shumë e pazakontë.

Blendi Fevziu: Si e dini ju ngjarjen, si jua ka treguar?

Edmond Petraj: Ngjarjen ajo e ka treguar edhe në një emision tjetër, në Top Channel, dhe ajo e ka trajtuar ashtu siç e dinte. Dhe unë kam qenë iniciatori ti do të tregosh ashtu siç e di ngjarjen. Me një fjalë, trajtoje, juridikisht ashtu siç e ke bërë deklaratën. Tani se mund të ketë shtesa, lidhje e këto, mua nuk më interesojnë fare këto. Problemi është që kemi një sms të ardhur në drejtim të saj “Dil në dritare se jam këtu”. Një person i ka ardhur me kallashnikov. 

Krimi në shtëpinë e Marsidës, gazetarja: Po hetohet dhe për trafik droge

Misteret e vrasjes së Dritan Haxhollit në banesën e Marsida Qatjas në Kavajë, kanë qenë temë e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Momentet e para të ngjarjes, vrasja u dyshua për krim pasioni, për shkak se viktima Haxholli ka patur lidhje intime me Marsida Qatjan. Dritan Haxholli dyshonte se vrasësi i tij Bledar Toçi, kishte lidhje me Marsidën.

Por gazetarja Klodina Lala tha në emisionin “Opinion” se hetimet e Prokurorisë janë fokusuar në pistën e trafikut të drogës. Kjo për shkak se në banesën e Marsida Qatjas ku ndodhi përleshja me armë, ka patur mbetje kokaine. Disa prej të pranishmëve në banesë rezultuan se kishin konsumuar lëndë narkotike.

Sipas gazetares, hetuesit kanë dyshime se Dritan Haxhollit mund t’i kenë ngritur kurth kur e thërritën të shkonte në banesën e Marsidës.

“Nuk mund të diskutohet për krim pasioni. Prokuroria po thellon hetimin në pistën e trafikut të drogës. Marsida Qatja ka pretenduar që Haxholli e kishte kërcënuar. Kjo ngjarje ka shumë pikëpyetje. Prokuroria e ka cilësuar si vrasje me dashje. Dritan Haxholli nuk ka vajtur në banesë papritur. Duket sikur është i futur në kurth.

Flitet për një sinjalizim që i ka vajtur Policisë së Kavajës. Dikush lajmëroi policinë që një person i armatosur është duke lëvizur në lagjen nr.2 të Kavajës. Është fshehur fakti që personat që kanë qenë në shtëpinë e Marsida Qatjas, kanë përdorur kokainë. Ka dyshime të forta që këta persona kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

Marsida Qatja në “Opinion”: Haxholli nuk ka pasur kohë të kishte marrëdhënie me mua

Me Bledar Haxhollin ka pasur njohje dhe thotë se ai e kërcënonte vazhdimisht. Kjo është deklarata që ka bërë 30-vjeçarja Marsida Qatja në emisionin “Opinion” në Tv Klan përmes një lidhje telefonike.

Duke diskutuar për ngjarjen e rëndë të Kavajës, Marsida Qatja tha se viktima Bledar Qatja ka qenë një person me precedent penal, i cili nuk ndalohej as nga policia.

“Jam kundër të gjithëve që dal akoma përsëri të flas. Nëse kam dalë të flas kam dalë për një shfajësim timin. Haxholli vinte çdo ditë në darkë. Nuk jam e vetmja e kërcënuar e Haxhollit. Haxholli kërkonte lëndë narkotike dhe alkool. E kam deklaruar se jam natyrë paqësore dhe nuk dua t’i bëj keq askujt. Kur shkoi policia ta kapte, ka qëlluar mbi furgonin e policisë. Armën nuk e hiqte kurrë. Çfarë policie të lajmëroja unë kur ai ishte person problematik. Kurrë nuk ka qenë pjesa për ta vrarë Haxhollin. Kishin njohje, një njohje të largët. Nuk e dinim që mund të vinte apo jo”.

A kishin konsumuar kokainë në banesë Marsida Qatja, Bledar Toçi dhe dy personat e tjerë që ndodheshin aty? 30-vjeçarja e mohon një gjë të tillë.

“Aty ka qenë një bidon që nuk ka pasur lëndë narkotike. Bidoni nuk ka qenë absolutisht me lëndë narkotike, ka qenë e kërkuar nga unë që nëse mund të konsumohet lëndë narkotike me bidon”.

Marsida Qatja u shpreh se me mikun e saj polic të burgjeve, Bledar Toçin, ishte takuar edhe më herët gjatë ditës para se të vritej Dritan Haxholli.

“Jam takuar me Bledar Toçin në drekë. Ja kisha shprehur shqetësimin edhe më përpara. Në shtëpi mbërriti në 22:30 dhe Bledari lëvizte vazhdimisht sepse kishte punë. Bidoni ishte i pakonsumuar me lëndë narkotike”.

E pyetur nëse ka patur marrëdhënie më shumë se sa shoqërore me viktimën, Marsida Qatja u shpreh: “Një shoqëri deri diku, Haxholli donte të konsumonte alkool, i duheshin para. Haxholli ka qenë në burg, në kërkim, dhe nuk ka pasur kohë për marrëdhënie me mua”. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:45 15/10/2019

Reklama
UKT
UKT

Grupi