#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në studio: Artan Hoxha, Eni Ferhati, Jordan Daci, Artan Hoxha, Në lidhje direkte: Taulant Balla, Genc Gjokutaj

Audio-regjistrimi i publikuar për “21 Janarin”, avokati Genc Gjokutaj: Nuk përbën asgjë, nuk përcakton kohën e bisedës

Avokati mbrojtës i ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi, Genc Gjokutaj, thotë se audio-përgjimi që ka publikuar gazetari Artan Hoxha ku dëgjohen komunikimet për urdhrin e hapjes së zjarrit në 21 Janar 2011, thotë se ky material nuk ka asnjë vlerë.

Në një lidhje live me emisionin Opinion në Tv Klan, Gjokutaj u shpreh se në këtë audio-regjistrim nuk përcaktohet koha kur është biseda mes zinxhirit komandues të Gardës gjatë protestës së 21 Janarit 2011.

Blendi Fevziu: Përbën indicie të re dhe a preket klienti juaj?

Genc Gjokutaj: Që të shkohet drejt të vërtetës kjo është logjike, morale, është dhe ligjore. Unë e kam ndjekur të gjithë parashtrimin. Këtu kemi 3 momente. Është problemi ligjor, është prova në vetëvete është edhe ngjarja që ka ndodhur. Pa i vënë këto mbi njëra-tjetrën ne nuk mund të dalim në konkluzion. Ne mund të rrimë deri nesër në mëngjes, ne nuk mund të bëjmë hetimin në studio pasi kjo çështje është e hetuar. Pra pamjet filmike janë po ato që kanë qenë në kohën e hetimit. Ky përgjim që po thuhet nuk përbën absolutisht asgjë pasi nuk përcaktohet koha kur është bërë biseda, para apo pas.

Artan Hoxha: E përcakton prokurori atë.

Genc Gjokutaj: E përcakton prokurori, por prokurorit ju i keni thënë që e keni dorëzuar në Korrik.

Artan Hoxha: Jo jo nuk kemi thënë e dorëzuar kështu, i kemi çuar kërkesë prokurorit.

Genc Gjokutaj: Kjo çështje duhet të themi cila është pjesa e hetuar e çështjes, cila është pjesa e pahetuar e çështjes dhe atë të pahetuarën që pretendohet nga Artani dhe nga të tjerë që kanë bërë kallëzimin. E vërteton këtë rrethanë ky material që është ofruar? Pra, ç’lidhje ka materiali i ofruar me atë që kërkon të hetohet pasi ligji vendos një pengesë ligjore. Janë dy standarde; rifillimi i hetimeve siç është rasti i Aleks Nikës sepse nuk është bërë e mundur identifikimi i autorit pasi predha e dëmtuar në këmishë e nxjerrë nga koka e të ndjerit Nika, në Turqi, është konkluduar që nuk është qitur nga armë që është në inventar të Gardës dhe është pezulluar çështja për atë. Për pjesën tjetër, ligji pengon pasi rishikimi i vendimit nuk mund të bëhet për vendimet që kanë dhënë pafajësi apo për vendimet që rëndojnë pozitën e të gjykuarit. Nëse materiali që kemi argumenton dhe provon në mënyrë shteruese që ka persona të tjerë përgjegjës për vrasje, për cilin person dhe cilin moment, ajo le të hetohet, nuk është njeri kundër hetimit. Por kjo provë nuk ka parametrat e një prove, nuk mund të përdoret në një proces.

Blendi Fevziu: A mund të shërbejë si indicie?

Genc Gjokutaj: Ajo mund të shërbejë si indicie kur ka parametrat e një prove e marrë në formën e kërkuar nga ligji. Të paktën autenticitetin. Me çfarë mjeti është bërë përgjimi? Dhe a është i vlefshëm ky përgjim? I vlefshëm zëri për t’u identifikuar dhe krahasuar me personat e tjerë.  Te interpretimi gramatikor që kur thotë bëhuni gati se po afrohen, a ka vrasje që ka ndodhur në momentin kur është mësyrë në Kryeministri? Apo ka qenë një moment tjetër. 

Audio e Gardës për “21 Janarin”, avokati Daci: Nuk plotëson kriteret për të ndryshuar rrjedhën e asaj që është vendosur

Avokati Jordan Daci thotë se audio-përgjimi ku pretendohet se kreu i Gardës, Ndrea Prendi urdhëron vartësit tij të qëllojnë mbi protestuesit, nëse thyejnë perimetrin e sigurisë, në protestën e 21 Janarit nuk plotëson kriteret për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve për 21 Janarin e 2011.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, avokati Daci është shprehur se protesta e 21 Janarit ishte ekstremist e dhunshme dhe kjo protestë në vetvete duhet të hetohet.

Jordan Daci: Hetimi duhet të bëhet bazuar në parimet e shtetit të së drejtës. Vetë çështja në drejtësi juridike kur merr zgjidhje, siç ka marrë deri në Gjykatë të Lartë, do të duhet që provat e reja do të duhet të jenë aq forta sa të japin përfundime të ndryshme nga ato që ka arritur Gjykata dhe mua më rezulton se me aq sa ky material ka, nuk plotëson kriteret për të ndryshuar rrjedhën e asaj që është vendosur deri tani.

Edhe përsa i përket përdorimit të armëve, kemi një protestë që nuk ishte e dhunshme, por ishte ekstremist e dhunshme, ishte dhunë e përgatitur. Ata kishin ardhur me mjete të gatshme me vete. Edhe kjo duhet të hetohet.

Avokati Jordan Daci është shprehur kundër të bërit kallëzim nga ministri i Drejtësisë, referuar kallëzimit që bëri publik ditën e sotme ministri Manja për “21 Janarin”.

Jordan Daci: Ministri i Drejtësisë duhej të ishte personi i fundit që bën kallëzim dhe del me deklarata.

Po ashtu, avokati Daci ka thënë se protesta e 21 Janarit ishte në vijimësi të një serie ngjarjeve në Kryeministri teksa ka thënë se “duhet një hetim për thirrjen e kësaj proteste që askush të mos e marrë guximin që t’i çojë njerëzit mish për top”.

Jordan Daci: Ajo ngjarje përtej faktit që kemi 4 viktima të pafajshme, nga ana tjetër ne ishim në serinë e ngjarjeve ku ishte kthyer Kryeministria në një vend që ti mund të hyje e të dilje e të bëje çfarë të doje. Duhet një hetim që askush të mos marrë më guximin që t’i çojë njerëzit mish për top.

“Protesta e 21 Janarit paqësore”, Hoxha i kundërpërgjigjet Ballës: Po të ishte e tillë nuk hipja në katin e katërt unë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se protesta e thirrur nga PS-ja më 21 Janar 2011 ishte një protestë paqësore.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”, gazetari investigativ i ftuar Artan Hoxha i është kundërpërgjigjur Ballës duke i thënë që “nëse do të ishte paqësore protesta e 21 Janarit 2011, ai nuk do të hipte në katin e katërt”.

Ndër të tjera, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla ka deklaruar se është thirrur në Prokurori për të dhënë dëshmi si pjesë e forcës politike, organizuese të kësaj proteste.

Taulant Balla: Qoftë unë apo kolegët tanë që jemi hetuar për organizimin e protestës kemi dhënë dëshmitë tona. Berisha mund të ndërhynte, me këto veprime urdhri për të goditur Ndrea Prendi i ka ardhur nga Sali Berisha.

Artan Hoxha: Ju keni qenë në hetim, a jeni thirrur nga Prokuroria? Si u pushua çështja juaj?

Taulant Balla: Ne jemi thirrur disa herë, kemi dhënë të gjitha deklarimet tona. Ajo ishte një protestë paqësore që u godit pa u mbledhur protestuesit.

Artan Hoxha: Po të ishte paqësore ajo, nuk hipja në katin e katërt unë.

Taulant Balla: Nuk keni asnjë qytetar apo protestues, të ketë depërtuar brenda murit rrethues të godinës, ke 2 dëshmorë të cilët janë pa autor.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dhënë më shumë detaje rreth kallëzimit të ri është dorëzuar në SPAK për çështjen e 21 Janarit si dhe ka thënë që edhe grupit parlamentar i PS-së do të dorëzojë një kallëzim tjetër lidhur 21 Janarin e vitit 2011.

Taulant Balla: Unë jam një prej personave, ose organizatorëve të cilëve iu është hequr imuniteti për organizimin e protestës së Janarit 2011. Në Mars 2013 kemi dorëzuar një kallëzim penal, kemi dorëzuar herë pas here dokumentacion. Do të ketë dhe një kallëzim tjetër në emër të grupit parlamentar të PS.

Në momentin që jemi, nga ana e Prokurorisë së Tiranës ka ende një procedim penal dhe 2 vrasje pa autor, dëshmorët Aleks Nika dhe Hekuran Deda, plagosja e një gazetari dhe në këtë kontekst, vrasjet pa autor nuk arkivohen.

Gjatë 2022-shit, familjarët dhe po ashtu edhe unë, i jemi drejtuar publikisht drejtuesit të Njësisë së Posaçme SPAK. Personat të cilët në vlerësimin tonë duhen vendosur nën akuzë, ose janë persona që duhen hetuar për një sërë çështjesh penale, janë persona që hyjnë nën juridiksionin e Njësisë së Posaçme, SPAK, që nga Ndrea Prendi, ministri i brendshëm dhe kryeministri i asaj kohe.  

Nuk ke asnjë person të vrarë brenda Kryeministrisë, kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore. Është e turpshme që me urdhrin e Berishën janë fshirë serverat dhe vepra e parë penale është pengimi i drejtësisë.

Ne kemi bërë në kallëzimin tonë të parë 11 Mars 2013. As unë dhe as ju nuk kemi pritur që prokuroria e drejtësisë së vjetër ta hetojë këtë çështje. PS si organizatore e protestës është palë e dëmtuar, ata 4 dëshmorë ishin 4 nga shokët tanë.

“Komandanti fliste, njësia me MP5 dëgjonte në kufje”, Artan Hoxha flet për 21 Janarin: Komunikimi u regjistrua me diktofon

Publikimi i një materiali audio ku dëgjohen urdhrat e zinxhirit komandues të Gardës për të qëlluar me armë zjarri ndaj protestuesve më 21 Janar 2011 ku mbetën të vrarë 4 persona, ka bërë që gazetari Artan Hoxha të japë dëshmi ditën e sotme në Policinë e Tiranës si personi që zotëron këtë regjistrim.

Por si është regjistruar kjo audio dhe përse doli 12 vite më vonë? I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Artan Hoxha u shpreh se në këtë regjistrim ku dëgjohen urdhrat e komandantit të Gardës, bisedat bëheshin në një frekuencë në radio me pak pjesëmarrës.

Kjo frekuencë, sipas gazetarit, është dëgjuar edhe nga një person tjetër në radio-marrësen, që më pas e ka regjistruar me diktofon.

Në këtë komunikim mes komandantin e Gardës kanë qenë vetëm pjesëtarët e njësisë së armatosur me armë MP5.

“Ishte një urdhër i prokurores së Tiranës e cila ka çështjen e 21 Janarit në hetim prandaj nuk e kuptoj për çfarë duhen bërë kallëzimet e tjera, çështja është në Prokurori. Ka një dosje të 21 Janarit e cila nuk është mbyllur, sepse kemi 2 të vrarë pa autorë. Dhe këta 2 që janë pa autorë njëri është vrarë në krahun tjetër të bulevardit, Hekuran Deda është hipur mbi platformën e mediave. Janë në dy vendet më të pajustifikueshme për tu goditur në atë protestë. Unë kam nxjerrë të premten një transkriptim të marrë nga një regjistrim ku është komunikimi në radio në momentet para, gjatë dhe pasi ka ndodhur vrasja. Komunikimi është më i gjatë por komunikimi thelbësor që unë mendoj vlente më tepër është dinamika e momentit kur është marrë vendimi për të hapur zjarr mbi turmën.

Prokuroria në hetimin e parë nuk e ka patur, nuk e ka gjetur asnjë regjistrim. Ndërkohë në librin e shërbimit ku shënohen urdhrat këto mungojnë, Prokuroria nuk i ka gjetur këto elementë. Është përdorur një kanal komunkim për një grup të caktuar njerëzish që komunikonin me radio dhe kufje që janë ata me ato MP5 (armë). Këto urdhra i kanë dëgjuar zinxhiri komandues i Gardës dhe kjo njësia me MP5. Komunikimi ka qenë në radio, janë urdhra, flet komandanti të tjerët konfirmojnë. Si mund të jetë marrë ky material? Ky material është regjistruar, ky është diktofon. Një radio nga ato që janë përdorur ka hyrë në atë kanal dhe iu ka regjistruar me diktofon. Në një kasetë është origjinali”, u shpreh gazetari Artan Hoxha. /tvklan.al