I ftuar:

Fatmir Xhafaj

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj të enjten lidhur me atentatin e Shkodrës, ka deklaruar se ajo nuk është një akt terrorist, por një tentativë vrasjeje me eksploziv. Xhafaj tha se ngjarja ka lidhje me një grup kriminal nga qyteti i Elbasanit, për shkak të një konflikti në trafikun e drogës. Ministri tha se vrasjet e ndodhura gjatë këtyre kohëve, përveç kësaj të fundit, kanë ardhur për pasojë të konflikteve që kanë ndodhur jashtë vendit mes anëtarëve të grupeve kriminale të trafikut të drogës. Lidhur me atentatin e Shkodrës, ai tha se është një grup kriminal nga qyteti i Elbasanit, të cilët kanë përdorur një anëtar të grupit për të vendosur eksplozivin. Agjentët kriminal që në hetimet e para zbuluan se atentatori nuk kishte lidhje me një tentativë vrasjeje që lidhej me Shkodrën, por jashtë këtij qyteti.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se në vendin tonë, veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet. Ministri deklaroi se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit. “

A e dini sot ju sa ka të regjistruara grupe të strukturuara kriminale Europoli në Europë? 5000 grupe dhe 60% e anëtarëve të këtyre grupeve janë shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Në Shqipëri sipas standardit të Europolit, nuk do ta kalonin 15 të tilla, kurse sipas kritereve që kemi vendosur ne për efekt të vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, janë 40 grupe të tilla. Nuk janë grupe të strukturuara në nivelin e një organizate kriminale

”, -deklaroi Xhafaj. Nga skanimi i grupeve kriminale rezulton se 53 % e tyre merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 % me trafiqe të paligjshme, 18 % me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje, dhe 18 % me krim ekonomik.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, është shprehur se është gabuar me kthimin në punë të ish-drejtuesve të policisë të shkarkuar në Elbasan. 

“Pa dyshim që policia ka gabuar, dhe kjo është arsyeja që janë marrë masat përkatëse në këtë drejtori. Një gabim ka qenë edhe emërimi në poste të tjera të personave që u shkarkuan në Elbasan. Kjo sepse nuk e meritonin për shkak të paaftësisë në hetimin e atyre grupeve kriminale në Elbasan. Ata që u shkarkuan në Elbasan nuk e meritonin të ktheheshin në postë drejtuese. Ka firmosur Haki Çako sigurisht”,

 – tha Xhafa. Dhjetëra punonjës policie janë shkarkuar nga puna, si pasojë e zbatimit të strukturave të reja në Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe komisariate në mbarë vendin. Vala e shkarkimeve ka përfshirë më shumë Qarkun e Elbasanit, ku burimet thonë se të paktën 19 punonjës janë hequr nga puna, me motivacionin se emërimet e tyre janë bërë jashtë kritereve të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zbuluar një nga pistat kryesore në të cilat po hetohet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” ai tha se një nga pistat kryesore që po ndjek grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së 64-vjeçarit Memli Begalla janë konfliktet për borxhe të vjetra të pashlyera. 

“Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet për shkak të disa llogarive të vjetra financiare. Kjo sipas të dhënave të para që ka policia”

 – tha Xhafaj. Biznesmeni Memli Begalla u vra në parkimin e pallatit ku po jetonte nga një plumb në kokë. Autorët kishin përdorur silenciator dhe u larguan me një BMË të zezë.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se javën e ardhshme do të ketë një sërë arrestimesh që lidhen me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike në vend. Sipas Xhafës, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar një sërë hetimesh dhe javën që vjen do të nisin gjyqet për disa persona. Xhafaj tha se kemi disa çështje penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në rrethet Kavajë, Durrës, si dhe ka një proces hetimi në Lezhë, por do ta shtrijmë në Vlorë dhe gjithë vijën bregdetare.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për rrezikun e kthimit të vizave për shkak të numrit të lartë të kërkesave për azil nga shqiptarët në vende të ndryshme europiane. Xhafaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se shteti francez në ditët e sotme nuk e ka si problem fluksin e azilantëve shqiptarë. Sipas tij, ky problem nuk ekziston më as për Holandën, Gjermaninë dhe Belgjikën. Ai theksoi se nuk ekziston aspak rreziku i vendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët, duke shprehur siguri dhe vendosmëri në këtë deklaratë. 

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për Klement Balilin, të ashtuquajturin ‘Escobari i Ballkanit’. Xhafaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se policia është në një proces kërkimi për kapjen e Klement Balilit. Ministri u shpreh për operacionin e kryer pak ditë më parë në Delvinë, se kishte një dyshim, por që rezultoi jo efikas. Në lidhje me pyetjen e shtruar nga drejtuesi i emisionit, nëse Balili është i fshehur në Shqipëri apo jashtë vendit, ministri Xhafaj deklaroi se një gjë e tillë mbetet për t’u parë.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten është përgjigjur në lidhje me akuzat e bëra një vit më parë në emisionin ‘Opinion’ nga Valbona Duka, përmes një lidhje telefonike nga Gjermania, e cila e denoncoi për dhunë në kohën kur ishte hetues në rrethin e Krujës. Në lidhje me këto akuza, mbrëmjen e sotme, ministri Xhafaj deklaroi se disponon dy dokumente të marrë para noterit gjerman që të gjitha këto akuza janë bërë të nxitura dhe të paguara nga disa persona.

Blendi Fevziu: Mund të ma jepni mua këtë dokument, jam i gatshëm ta botoi?

Fatmir Xhafaj: Do t’a publikoi atëherë kur unë t’a shikoj të arsyeshëm.

Ministri u shpreh se kurrë nuk ka ndodhur që të ushtrojë dhunë dhe asnjëherë nuk është marrë me çështje politike. Ai tha se vetëm një vit ka punuar si hetues.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur edhe për zonat më të mëdha kriminale në vend, ku Policia e Shtetit ka skeduar bandat kryesore kriminale. Xhafaj theksoi në studion e emisionit ‘Opinion’, se në vendin tonë ushtrojnë aktivitete kriminale 40 grupe, kryesisht të bazuara tek vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrja dhe vrasjet. Ai tregoi se është realizuar një raport voluminoz, që ka skicuar profilin e këtyre bandave kriminale, si dhe harten e veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Në lidhje me zonat kriminale, Xhafaj tha se Durrësi konsiderohet një zonë e nxehtë për shkak të pozitës gjeografike dhe influencës që i sjell porti më i madh i vendit. Pastaj, situata nuk është ndryshe në qarqet Vlorë, Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër.

Gjatë intervistës drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, i ka nxjerrë në ekranin e madh të studios një foto ku Xhafaj shfaqet në krah të diktatorit Enver Hoxha. I pyetur nga gazetari se a e kujtonte këtë foto dhe kur ishte shkrepur, Xhafaj i zënë ngushtë është përgjigjur se aty dukej mirë pasi ishte tepër i ri. Ai tha se e kishin përzgjedhur për t’i çuar lulet diktatorit Hoxha pasi ishte student me rezultate të larta.

E kujtoni këtë foto? Në çfarë rrethanash është shkrepur?

E kujtoj. Mirë dukem aty Fevzi kam qen i ri. 

Kam qenë student në Fakultetin e Drejtësisë, në vitin e dytë. Ishte një buqetë me lule që dërgohej nga studentët e Kosovës. Meqë ardhja e tyre atë vit nuk u bë e mundur na e dhanë mua dhe zonjës t’ja jepnim.

Përse ju zgjodhën ju zoti Xhafaj?

Isha student, besoj që kam qenë student i mirë. Nuk ka arsye tjetër unë nuk vija nga nomenklatura e lartë.

Ju njoftuan që do t’i çonit ju buqetën me lule?

Po, një natë më parë.

Xhafaj deklaroi se ai regjim nuk ishte me i miri për vendin, por duke e vlerësuar këtë nga këndvështrimi i sotëm. Ministri nuk mbajti asnjë qëndrim në lidhje me regjimin diktatorial që ka kaluar vendi ynë për gati gjysmë shekulli, ku mijëra familje janë internuar, qindra njerëz të dënuar politikisht dhe qindra të vrarë në burgjet e diktaturës.

****

Debati mbi Teatrin Kombëtar!