Të ftuar:

Enrik Shehu – Student

Celdo Brahimaj – Student

Inva Mamica – Studente

Nikol Mukaj – Student

Rezart Prifti – Pedagog

Eni Papa – Pedagoge

Arlind Qori – Pedagog, aktivist i Levizjes per Universitetin

Ervin Goci – Pedagog

Studentët pjesëmarrës në protestë kanë treguar në studion e emisionit “Opinion” mënyrën se si ka nisur protesta e tyre 1 javë më parë. Një student i arkitekturës ka thënë se pikërisht nga ky universitet nisi dhe protesta, kur ata u njohën në sekretari me VKM nr.288 që thoshte se një student përveç taksës është i detyruar të paguaje edhe për kreditet e provimeve të prapambetura. “Tarifa ka qenë 17.500 lekë të vjetra për një kredit, ndërkohë që tarifa e shkollimit është 400 mijë lekë në vit bachelori dhe 2 milion leke masteri total”, tha ai.

Një tjetër studente tha se sipas një përllogaritjeje të kryer nga lëvizja “Për Universitetin” një student i ardhur nga rrethet përgjatë një viti akademik në Tiranë, duke llogaritur tarifat e shkollimit, qeranë, transportin, librat, detyrat e kursit , veshmbathjet i duhet të shpenzojë 5 milion lekë të vjetra. Shumë nga studentët e pranishëm në studio kanë treguar se detyrohen që paralelisht të punojnë, ndërsa kryejnë studimet.

Ndërsa kanë folur për tarifa të larta dhe gati të papërballueshme të shkollimit të tyre, shumë nga studentët e pranishëm në studion e emisionit “Opinion” janë shprehur se janë të detyruar të punojnë përgjatë gjithë vitit për të përballuar shkollimin.

E tillë ishte edhe historia e një studenteje, e cila tha se familja e saj e ka të pamundur të përballojë financimin ekonomik të saj dhe të motrës së saj që janë të dyja studente, ndërsa përgatitet për në universitet edhe i vëllai. “Kam punuar edhe në verë”, tha ajo.

Një student i pranishëm në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, tregoi se është fëmija e dy prindërve të papunë dhe për më tepër nuk trajtohet me asnjë bursë nga Universiteti edhe pse është një student i dhjetës.

Ai u shpreh se babai dhe nëna e tij janë të papunë, por pavarësisht kësaj, falë edhe një ndihme modeste nga e motra, ndjek studimet me rezultate tepër të larta.

Studenti tha se lista e kërkesave të studentëve të publikuar në media nuk është e plotë, pasi mungojnë disa pika.

Pedagogu i UT-së, Ervin Goci, të hënën, deklaroi se Bordi i Administrimit të Universitetit të Elbasanit është mbledhur vetëm 7 herë gjatë një viti dhe anëtarët e tij i kanë përcaktuar vetës një shpërblim prej 350 mijë lekë.

Goci tha se kjo është diçka e papranueshme, pasi ky bord mblidhet një herë në muaj, rreth një orë dhe i përcakton vetës edhe shpërblim.

Gazetari Blendi Fevziu ka përdorur në studion e emisionit “Opinion” megafonin e studentëve për të ngritur zërin lidhur me shpenzimet e larta të kryera nga bordet e universiteteve për zëra të pajustifikuar. Veçanërisht ata u ndalën në shpenzimet e kryera nga Unibversiteti i Elbasanit për ruajtjen e godinës me një kosto prej 210 milion lekësh, ndërkohë që po i njëjti bord vetëm në një mbledhje i ka atribuuar vetes shpërblimin për 35 mijë lekësh të reja.

Studentët e ftuar në emisionin “Opinion” kanë reaguar live gjatë programit, ndërsa zëra të pakonfirmuar u kishin thënë që Edi Rama do të vinte në program të përballej live me ta.

Drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu është shprehur se nuk e kishte një informacion të tillë, ndaj gjithashtu live ka kërkuar konfirmimin e Kryeredaktores, Desada Metaj.

“Po qarkullojne lajme që mund të vijë për të takuar studentet. Nuk e kam të konfirmuar, thjesht është një lajm që qarkullon”, tha Kryeredaktorja Metaj.

Inva Mamica, studente në vitin e gjashtë të Mjekësisë, deklaroi se vjen nga një fakultet ku po ndodh hemorragjia më e madhe e studentëve, ku dhe prodhohen mjekë për gjermaninë.

Mamica tha në studion e emisionit “Opinion”, se në një brez studentësh prej 300 vetë, të gjithë duan të braktisin vendin.

Ajo shprehu edhe arsyet se pse studentët nuk pranojnë të futen në dialog me kryeministrin.

Sipas saj, prej gjashtë vitesh që studion në Universitetin e Mjekësisë, s’ka vënë re asnjë përmirësim të cilësisë së mësimdhënies që sot të jetë një studente e mirë dhe nesër një mjeke e aftë.

Një student në mënyrë metaforike ka shpjeguar gjendjen e arsimit në vendin tonë. Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai tha se situata e studentit në Shqipëri është vendosja e tij në një cep, ndërsa goditet me grushte.

Ai tregoi se vjen problemi me librat, studenti goditet me grusht, vjen problemi i godinave goditet përsëri me grusht.

“Vjen tani dhe kjo tarifa dhe i vendosin këmbën në fyt, ne u gjendem përballë kësaj situate, e hoqëm këmbën nga fyti dhe tani, ata që të godasin, ulen dhe thonë a të negociojmë ne pak për punën e dajakut”,- tha studenti.

Deklarata e tij mori përshëndetjen e pedagogëve dhe studentëve të tjerë të pranishëm në studio, ndërsa u shoqërua edhe me duartrokitje dhe të qeshura.