Opinion – Çfarë po ndodh me Presidentin?

Opinion – Çfarë po ndodh me Presidentin?

Autori: Blendi Fevziu

21:55 09/09/2019

Të ftuar në Opinion:

Mustafa Nano, Alfred Peza, Andi Bejtja, Robert Rakipllari dhe Ledio Braho.

“Bëhuni gati për zgjedhje”. Analisti zbulon çfarë i tha Rama grupit parlamentar të PS

“Duhet të bëheni gati për zgjedhje sa më shpejt. Partia duhet të jetë gati në çdo moment”. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, sipas analistit Robert Rakipllari i cili është i ftuar këtë të hënë në studion e emisionit “ Opinion” në Tv Klan.

I pyetur lidhur me vajtjen e Presidentit Ilir Meta përpara Komisionit Hetimor Parlamentar, gazetari tha se: Vajtja e presidentit Ilir Meta tek Komisioni Hetimor ka domethënie politike për faktin se çfarë ndodhi gjatë Qershorit, ku presidenti anuloi dekretin e zgjedhjeve dhe ishte përplasja politike për zgjedhjet e 30 Qershorit. Në këto momente jemi në një situatë tjetër dhe palët kanë bërë llogari të tjera. Në kuptim, që nuk jemi në situatën ku secila palë kërcënonte njëra- tjetrën.

Ndërsa për mesazhet “e koduara” të Presidentit Ilir Meta gjatë verës, Rakipllari u shpreh se politika që bëhet në verë nuk është shumë jetëgjatë.

Janë mesazhe politike, por politika që bëhet në verë nuk është shumë jetëgjatë. Ka një kontekst tjetër. Sot presidenti në të gjithë përballjen me Komisionin Hetimor kishte argumente juridike më tepër sesa politike.  

 I pyetur nga gazetari  Blendi Fevziu nëse ka patur ndonjë takim të mundshëm mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama apo shtërngim duarsh, Rakipllari tha se nuk ka patur.

Nga informacionet që kam nuk ka patur shtrëngim dore, por mund t’ju them një informacion tjetër. Sot kryeministri në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, ka thënë “Duhet të bëheni gati për zgjedhje sa më shpejt. Partia duhet të jetë gati në çdo moment”.

Peza: Zgjedhjet në vitin 2021, nuk ka tentativa për negociata

Duke komentuar krizën politike në vend, analisti Alfred Peza thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por ato do të mbahen në vitin 2021.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Peza është shprehur se edhe në mbledhjen e sotme të Kryeministrit Rama me grupin e tij parlamentar, nuk është diskutuar një gjë e tillë, ndryshe nga sa tha analisti Robert Rakipllari në “Opinion”.

“Partia Socialiste ka hyrë në një proces zgjedhjesh të brendshme pas zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe pas çdo palë zgjedhjesh lokale, PS futet në proces zgjedhor të brendshëm. Nëse është folur për zgjedhjet, z.Rama ka folur vetëm për këtë. Dihet që çdo parti politike, si Partia Socialiste që është partia më e madhe në Shqipëri, është një makineri elektorale që gjithmonë është gati për zgjedhje dhe nuk ka lidhje fare me ndonjë pritshëmri për zgjedhje të shpejta. Zgjedhjet do të jenë në vitin 2021 dhe pikë! Jam shumë i informuar për këtë gjë, kështu që flijeni mendjen, në vitin 2021 zgjedhjet. Ka zero zhvillime në këtë drejtim. Vazhdon në pozicionet që kemi qenë”, deklaroi Peza.

Edhe sot e kësaj dite, sipas Alfred Pezës nuk ka tentativa për negociata mes mazhorancës dhe opozitës.

“Nuk ka asnjë tentativë underground për negociata. PD është e qetë”.

Sa i përket raportimit të Presidentit Meta ditën e sotme në Komisionin Hetimor, analisti Peza u shpreh se ndodhi për herë të parë që një Presidenti paraqitet në një komision për shkarkimin e tij.

“Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar kemi një President Republike paraqitur përpara një Komisioni Hetimor Parlamentar me procedurë për shkarkimin e tij. E dyta është që Presidenti është më në fund me kostumin e Presidentit dhe jo me kostumin e plazhit. Dhe e treta, ajo që ndodhi sot tregon sa serioze është mazhoranca socialiste përpara një procedure të tillë dhe një hapi që ka ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Ajo nuk bën shoë politik siç mazhorancat e tjera kanë bërë në të kaluarën, por ka treguar se është në lartësinë e një mazhorance të përgjegjshme”.

Presidenca i përgjigjet Pezës për raportin: I pavërtetë, vetëm binjakëzimi i Lazio me Peqinin

Analisti Alfred Peza dhe Presidenca janë përplasur në distancë lidhur me diskutimet e bëra në emisionin “Opinion” në Tv Klan për informacionet e klasifikuara që kishte Ilir Meta për djegien e Kuvendit në protestën e opozitës më 8 Qershor.

Gjatë debatit në emision, Alfred Peza u shpreh se raporti konfidencial që pretendon se kishte marrë Presidenti, nuk ishte i vërtetë.

Pas kësaj deklarate, erdhi reagimi i zëdhënësit të Presidentit Ilir Meta, i cili ironizoi për premtimin e Alfred Pezës në vitin 2013 për binjakëzimin e ekipit të futbollit të Peqinit me skuadrën italiane të Lazios. Kujtojmë këtu se pas zgjedhjeve të vitit 2013, Alfred Peza fitoi mandatin e deputetit nën siglën e PS.

Reagimi i Presidencës“I pavërtetë! Është premtimi për binjakëzimin e Lazios me Peqinin, por jo që ekziston raport i një institucioni të lartë të sigurisë kombëtare që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit”.

Por, analisti Peza sqaroi këtë premtim të tij për binjakëzimin mes Peqinit dhe Lazios të bërë në vitin 2013, si dhe i bëri një pyetje Presidentit Ilir Meta.

Alfred Peza: “Është një premtim i bërë në vitin 2013 vetëm një muaj pasi unë isha në Itali dhe kam intervistuar në qendrën stërvitore të Lazio-s. Kapiteni i ekipit tonë kombëtar Lorik Cana dhe drejtori sportiv i Lazio, që është Igli Tare, është shqiptar dhe është mik jo vetëm i imi, por i shumë njerëzve të tjerë dhe kur kam qenë atje e kam diskutuar. Çfarë është binjakëzimi? Binjakëzimi është dhënie dhe marrje eksperience. Sa fshatra janë binjakëzuar në Shqipëri? Sa shkolla janë binjakëzuar në Shqipëri? A e dini ju që Kamza është binjakëzuar me Parisin? Kam një pyetje për Presidentin. Kur do ta mbani fjalën që do vrisni veten z.President”?

Kjo pyetje ironizuese e analistit Alfred Peza lidhet me një deklaratë të Presidentit Ilir Meta në muajin Mars 2019, kur tha se ishte i gatshëm të sakrifikohej njësoj si ish-Presidenti i Kilit në periudhën ’70-’73, Salvador Allende, kur ky i fundit vrau veten si një veprim ekstrem për të kundërshtuar instalimin në pushtet të juntës ushtarake.

Mustafa Nano përplaset në “Opinion” me juristin Braho

Analisti Mustafa Nano dhe avokati Ledio Braho janë përfshirë në një debat mes tyre, mbrëmjen e kësaj të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan të gazetarit Blendi Fevziu. Sipas Nanos,  Presidenti Ilir Meta duhet të shkonte në polici menjëherë pas marrjes së informacionit të klasifikuar se në 8 Qershor do digjej Kuvendit. Por kjo gjë është kundërshtuar nga juristi, Braho i cili tha se institucionet nuk janë funksionale dhe nuk mund të bëhen kallëzime sa për formalitete.

Mustafa Nano: Unë e besoj Metën kur thotë se ka një dokument të klasifikuar sekret.

Robert Rakipllari: Sepse ai do ta çojë në Parlament, e tregoi dokumentin….

Mustafa Nano: E thotë sepse do ishte budalla nëse të mos e kishte dhe ta thoshte. Ju  bëj thirrje që të bien dakord për një gjë. Një President në çdo lloj vendi, normal, anormal nëse e merr një informacion të tillë, Pyetja është çfarë bën një President? Ndryshon një dekret që e ka nxjerrë një herë? Jo, një President, bën gjëra të tjera.

Ledio Braho: Çfarë mund të bënte Presidenti?

 Mustafa Nano: Duhet të shkonte në polici, prokurori…

 Ledio Braho: Ku të shkonte tek policia e ministrit të Brendshëm?

Robert Rakipllari: I ka shkuar i njëjti informacion policisë…

Mustafa Nano:  Këto janë institucionet e vendit, ore zotëri….çfarë juristi je ti?

Ledio Braho: Institucion është Gjykata Kushtetueses që nuk ekziston sot, ai është institucioni që përgjigjet. Nuk është institucion Prokuroria dhe Ministria e Brendshme

 Mustafa Nano: Ma jep kënaqësinë të flas me një jurist përballë…po më duket si..

Ledio Braho: Nuk ka rëndësi të krijosh përshtypje…

Mustafa Nano: Nuk them përshtypje, thashë më jep kënaqësinë…

Ledio Braho: Unë të bëra një pyetje ku të shkonte Presidenti dhe ju më thoni në polici. Dakord nëse ishte për të shkuar në polici të shkonte…

Mustafa Nano: Dëgjo këtu ka disa institucione, legjitimitetin e të cilave mund ta verë në diskutim kushdo, por ato janë aty dhe janë legjitime.

Ledio Braho: Po Gjykatën Kushtetuese që nuk e kemi fare?

Mustafa Nano: Po se kemi pra…çfarë ti bëjmë?

Ledio Braho: A se kemi dhe të shkojmë në Prokrurori, në KQZ, Kolegj Zgjedhor?

Mustafa Nano: Që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe gjykata të tjerët janë fajtorë të dy palët sepse me 140 vota kanë miratuar platformën e një reforme, janë të dyja palët. Por në rrethanat që jetojmë ne, kjo është Shqipëria që jetojnë ne, në terma institucionalë, kjo është. Presidentit i vjen një informacion i klasifikuar, e paskan dhe të tjerët, çfarë duhet të bëjë? Ka mendim të mirë apo jo ai për disa institucione punë e madhe, është opinion e tij. Këshilli i Sigurisë është e aty dhe mblidhet nga ai, Policia e Shteti është kjo që është, mund të jetë kriminale, e oligarkëve, por është kjo që është Dhe një President i Republikës është kësaj Republike dhe jo i një republike imagjinare.

Ledio Braho: Ne nuk po flasim për të bërë kalime për formalitet. Nëse është për formalitet kemi Komision hetimor siç e pamë  sot (9 Shtator).

Mustafa Nano: Ky është Presidenti i kësaj Republike konkrete që ne jetojmë…me këto institucione.  /tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:55 09/09/2019