Opinion – Çfarë vendosi sot opozita?
Autori: Blendi Fevziu
01:45 22/09/2023#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Në pjesën e parë të emisionit “Opinion”, i ftuar ishte kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, për të folur për të gjitha zhvillimet brenda kësaj partie. Çfarë po ndodh në raportet e thyera të opozitës gjatë këtyre 2 viteve? Si po rifunksionon grupi parlamentar, dhe çfarë vendimi ka marrë opozita për ditët në vijim?
Në pjesën e dytë, në “Opinion” ishin 3 përfaqësues të lëvizjes “Shqipëria bëhet”, e cila u prezantua pak ditë më parë. Adriatik Lapaj, Florian Binaj dhe Edlira Çepani, vijnë për të folur se cilat është platforma e tyre. Përse kjo lëvizje tani dhe ky synojnë të pozicionohen ata në politikën shqiptare?
Si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën, në studio ishin dy përfaqësues të mediat të cilët bënë pyetje dhe komente: Robert Rakipllari dhe Ervis Iljazaj.
Në pjesën e tretë, në historitë e të enjtes në “Opinion” vjen një histori interesante që lidhet me arsimimin. Tirana Business University përveç degëve të Biznesit dhe Juridikut që ka pasur prej 13 vitesh, këtë vit ka hapur një risi, duke sjellë Teknologjinë e Informacionit, si një degë më vete. Kjo është një prej atyre degëve që ka ardhur si pasojë e kërkesës shumë të madhe të tregut. Opinion sjell nga afër sesi është menduar kjo gjë dhe përse ky universitet po mundohet të ecë në këtë degë dhe në një kampus të ri.
Të ftuar: Gazment Bardhi, Robert Rakipllari, Ervis Iljazaj
Bardhi e pranon: Dështuam të largojmë Sali Berishën
Gazment Bardhi, në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan pohoi se PD dështoi që të largonte Sali Berishën. Bardhi tha se beteja u nis për ta bërë PD dhe opozitën më të fortë, por rezultoi në dobësimin e të dyjave.
Blendi Fevziu: Duket që ka një problem në politikën shqiptare që njerëzit i shmangen për të mos e thënë të vërtetën. A mund të themi ne sot për të qenë dhe të sinqertë me publikun, ju keni votuar për përjashtimin e Berishës. A mund të themi ne tani që kjo ishte një betejë e brendshme politike ku Berisha doli më i fortë? Do ishte më e ndershme tek publiku. Kjo do ishte, që gjithë publikut t’i thuash, Sali Berishën nisëm ta përjashtojmë me shtysë, nën kërkesën e amerikanëve nuk ka rëndësi. Ky doli më i fortë se ne. Mbështetjen në bazë e kishte më të madhe. Kam dëgjuar deputetë të PD-së që kanë thënë unë kam qenë kundër Sali Berishës, kam qenë të përjashtohet, por shumica e PD ishte me Sali Berishën, unë nuk ndërroj dot bindjet e shumicës së demokratëve. A mund të themi ne sot, dy vjet për ta mbyllur këtë sot, a mund ta themi që aksioni i juaj ishte më i dobët dhe nuk e largoi dot Sali Berishën ose nuk u përkrah se kjo do ishte më e ndershme për publikun?
Gazment Bardhi: Kjo është krejtësisht e vërtetë dhe për shkak të këtij realiteti ajo që unë po pohoj është kjo: E nisëm betejën për ta bërë PD dhe opozitën më të fortë. Nga beteja është dobësuar PD dhe opozita, në tërësi. Në kushtet ku jemi do duhet të gjejmë një zgjidhje. E kemi nisur nga kjo tryezë, të bëjmë të paktën funksionale një herë opozitën në parlament. Nuk kam arritur dot ta kuptoj pse zoti Basha dhe një pjesë e vogël e kolegëve nuk janë bashkuar në këtë tryezë. Atje nuk kemi shkuar as rreth një individi, por për të paraqitur idetë tona dhe për ta bërë opozitën funksionale.
Bardhi sqaron dilemën: Kë zgjedh mes SHBA-së, Berishës dhe Ramës
Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri.” Kështu reagoi ditën e sotme ambasada e SHBA-së në Tiranë (Lexo më shumë) duke u distancuar nga debati i brendshëm se kush e kryeson grupin parlamentar dhe Partinë Demokratike.
Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan deklaroi se e mbështet plotësisht këtë deklaratë dhe qëndrimin e ambasadës amerikane për individët e shpallur “non grata”.
Këtu theksoi se nuk është bashkuar me Sali Berishën, pavarësisht se brenda grupit të PD ka një unifikim. Bardhi nënvizoi se mes SHBA-së dhe Berishës zgjedh të jetë me SHBA-në. Ndërsa mes Edi Ramës dhe Sali Berishës zgjedh të jetë me këtë të fundit për sa kohë ka besimin e një pjese të opozitës.
“Unë nuk jam bashkuar (me Berishën). E mbështes 100% deklaratën e SHBA. Kam qenë në studio me ju ditën e parë kur është bërë takimi dhe të kam pohuar ekzaktësisht atë që thotë deklarata. Nuk ka asnjë ndryshim të SHBA sa i përket “non gratave” dhe kjo është një çështje që mua më ndan me zotin Berisha. Mes SHBA-së dhe zotit Berisha unë zgjedh SHBA. Mes zotit Berisha dhe Edi Ramës unë zgjedh Sali Berishën sa kohë është opozitar dhe ka besimin e një pjese të popullit opozitar”, tha Bardhi.
“Kemi pasur raport të afërt”, Bardhi për Bashën: Tani ai në rrugë të vet, unë timen
Gazment Bardhi ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan se marrëdhënia e tij e mëparshme me Lulzim Bashën ka qenë shumë e afërt.
Aktualisht Bardhi thotë se janë në rrugë të ndara, pasi sipas tij Basha po bën veprime për interes personal e jo në dobi të Partisë Demokratike.
-Çfarë ka ndodhur mes jush dhe Lulzim Bashës? Ju pamë në Parlament shumë të tensionuar, më duket se edhe e shave.
Gazment Bardhi: E kam thënë publikisht, nuk ndihem krenar për atë debat që kam bërë me kolegun Basha sepse nuk jam atje për të debatuar.
-Çfarë ndodhi? Ju dukeshit se kishit një raport shumë të mirë.
Gazment Bardhi: Padiskutim kemi pasur një raport shumë të afërt personal dhe njerëzor, mesa duket zoti Basha nuk mirëkupton dot faktin që për Gazment Bardhin interesi i opozitës dhe PD-së është mbi çdo interes personal. Unë nuk jam në Partinë Demokratike për asnjë emër të përveçëm…
-Po interesi i Bashës cili është?
Gazment Bardhi: Në këtë moment, ajo që po bën zoti Basha absolutisht është jo në dobi të vendit, jo në dobi të PD-së.
-Po çfarë po bën atëherë?
Gazment Bardhi: Terësisht për një interes personal, nuk ka asnjë diskutim! Ai ka nevojë të reflektojë, nuk i takon zotit Basha të mbajë flamurin e përçarjes së opozitës. Ia kam thënë privatisht para qëndrimit tim publik, jam përpjekur t’ja shpjegoj që rruga që po ndërrmerr nuk e ndihmon PD-në dhe se kemi nevojë për zgjidhje. Ai në rrugën e vet, unë në rrugën time. Nuk bie dakord me atë që po bën, por nuk kam asnjë paragjykim për asnjë çështje.
Bardhi: Për momentin PD nuk ka kryetar. Konflikti po shuan opozitën
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se kush është kryetari i PD, Bardhi u përgjigj se për momentin selia blu nuk e ka një të tillë.
“Në momentin që flasim PD nuk ka kryetar. Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar që është institucioni më i lartë drejtues i partisë çështja e drejtimit të partisë është shtyrë për një moment tjetër”, tha ai.
Megjithatë pohon se sipas vendimit të Këshillit Kombëtar, Sekretar i Përgjithshëm vijon të mbetet vetë ai e jo Flamur Noka siç thotë grupi i Berishës, apo Enkelejd Alibeaj siç pretendon grupimi i Bashës. Bardhi e sheh problemin tek mosfunksionaliteti i partisë.
“Ajo që unë kam propozuar dhe ka gjetur mirëkuptimin e shumicës dërrmuese të kolegëve ka qenë që ta nisim nga çështje që na bëjnë bashkë. Ndoshta nga çështjet që na bëjnë bashkë mund të shkojmë edhe në zgjidhje për çështje që sot duken të largëta.
Sot kemi shumë kryetarë partie, shumë sekretarë të përgjithshëm, shumë nënkryetarë, i vetmi problem është që nuk kemi parti funksionale”, tha ai.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi tha se nuk ka marrëveshje personale me Berishën.
“Së pari dua të sqaroj që nuk ka marrëveshje timen me zotin Berisha. Ka një premtim timin që e kam bërë për herë të parë nëse i ktheheni intervistës, intervistës sime të parë si kryetar i grupit parlamentar që e kam dhënë në këtë studio. Në përgjigje të interesit tuaj kam thënë do bëj gjithçka kam unë në dorë si kryetar i grupit parlamentar që grupi parlamentar i PD të unifikojë qëndrimet dhe opozita në tërësi në parlament të jetë e unifikuar”, u shpreh ai.
Po ashtu theksoi se deputetët e PD po ndërgjegjësohen se konflikti brenda vetes po e shuan opozitën.
“Kam bindjen e plotë që secili që e do opozitën dhe do që të jetë funksionale, është ndërgjegjësuar dhe do duhet në ditët në vijim një pjesë e vogël që nuk është ndërgjegjësuar që konflikti po e shuan opozitën. Jo vetëm po shuan PD… Unë e kam kuptuar prandaj kam ardhur shpesh në këtë studio, kam bërtitur me të madhe për unifikimin”, tha Bardhi.
Çfarë është “Shqipëria bëhet”?
Të ftuar: Adriatik Lapaj, Edlira Çepani, Florian Binaj, Robert Rakipllari, Ervis Iljazaj
“Pse ti je ndryshe?”, Lapaj i përgjigjet Fevziut: Kam13 vjet beteja, i paguaj taksat këtij vendi
Adriatik Lapaj ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan për të dhënë më shumë detaje sa i takon lëvizjes “Shqipëria Bëhet” e cila sipas tij synon demokratizimin e vendit.
Blendi Fevziu e pyeti se pse ai duhet të jetë i besueshëm në krahasim me personazhet e tjera politike, duke argumentuar se gjithnjë ka ndodhur që pushteti i ka tjetërsuar njerëzit.
Lapaj iu përgjigj duke thënë se ai ka 13 vite në opozitë dhe se i paguan taksat këtij vendi.
-Çdo njeri ka folur si ty, kanë folur për kempin, për varfërinë, për ikjet. Dhe kur vijnë në pushtet thonë jo ne e përmirësuam.
Adriatik Lapaj: Do më faturosh mua mëkatet e këtyre ti tani?
-Jo! Po të faturoj mosbesimin normal publik sepse këtë fjalim e kemi dëgjuar si këngë 32 vjet. Më jep argumentin pse duhet të të besoj ty në raport me të tjerët?
Adriatik Lapaj: Secili nga ne ka historikun e tij, ai zotëria që përmende ti (referuar Erion Veliajt) rrogën e parë e ka marrë si deputet, kryetari i bashkisë. Kurse unë kam 13 vjet në opozitë zotëri, kam 13 vjet beteja, 13 vjet që i paguaj taksa këtij vendi dhe nuk qëndron krahasimi jot.
-Mosbesimi është gjëja më normale për çdo njeri dhe ndaj çdo force.
Edlira Çepani: Kjo nuk domethënë që të mos dalin alternativa te reja.
“Politikanët në Shqipëri thonë çfarë nuk bëjnë dhe bëjnë çfarë nuk thonë”, Binaj: Këtu edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë
ë ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte ishin 3 nga nismëtarët e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, Edlira Çepani dhe Florjan Binaj.
Binaj i ktheu përgjigje analistit Robert Rakipllari në lidhje me mosbesimin ndaj kësaj lëvizjeje. Ai u shpreh se në Shqipëri “edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë”.
Sipas tij, në këtë lëvizje ka njerëz që kanë kontribut në shoqëri.
Robert Rakipllari: Ajo që përtej kësaj që do ju pyes dhe ajo që gjithë ne kemi, mesbesimi, është fakti që nga ajo që kam dëgjuar deri tani është që nuk po dëgjoj ide të reja. Ideja është që jemi keq, pse pensionet aq… Edhe njëherë po ju them, ajo që keni bërë ju në këto kushte është ajo që duhet. Pra tre personazhe me kauza publike që nuk jeni të përdorur nga politika. Çfarë duhet përtej kësaj, për t’u bërë i besueshëm në politikë? Ide nuk shoh. Të gjitha ato që tha Lapaj janë gjëra që bëhen pasi vjen në pushtet. Shqipëria ka një problem tjetër sipas këndvështrimit tim. Këtu është bllokuar rotacioni. Pra kemi një qeveri që e quajnë regjim pjesa e intelektualëve që ka bllokuar rotacionin dhe i rregullon zgjedhjet me mënyra të ndryshme. A ke ide që njerëzit të të besojnë para se të shkosh aty?
Florjan Binaj: Është plotësisht e drejtë ajo mosbesia që është gjithandej lart e poshtë për këtë vend. Fakti që ne po themi të njëjtat gjëra që kanë thënë dhe ata para nesh është fakti që ata i kanë thënë dhe nuk i kanë bërë. Se politikanët në Shqipëri thonë çfarë nuk bëjnë dhe bëjnë çfarë nuk thonë. Këtu edhe Jezu Krishti të vijë nuk i besojnë, e marrin nëpër këmbë, e çojnë andej këndej, e bëjnë për budalla e këtej me radhë.
Robert Rakipllari: Kanë dështuar lëvizjet e reja?
Florjan Binaj: Janë blerë. Problemi i këtyre se për ne është një nga pikat më të forta. Ne secili kemi mbi 1 dekadë përvojë. Unë kam gati 20 vite përvojë kontribut në fushën time, Edlira po ashtu më shumë se 20 vite në fushën e saj, Adriatiku gati 20 vite në fushën e tij… Ne kemi bërë këtë dhe po vijmë në këtë pikë. Gjithë pjesa tjetër që po na krahasojnë dhe po na venë në peshore e kanë filluar nga kjo pika e fundit dhe e kanë bërë karrierën mbrapa./tvklan.al
TBU, degë të reja dhe mundësi për tregun e punës!