Opinion – Debati për “Bllokun”!

Opinion – Debati për “Bllokun”!

Autori: Blendi Fevziu

23:28 16/09/2019

Të ftuar: Jonila Godole, Fitim Zekthi, Mentor Kikia, Preç Zogaj, Nevila Nika, Ergys Mertiri.

Zekthi: “Blloku” i Kalos zbukuron krimet e komunizmit

Për politologun Fitim Zekthi, libri “Blloku” i mjekut personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, zbukuron krimet e komunizmit.

Nga studio e Opinion, në Tv Klan, Zekthi tha se “Libri ka dy shina”. “Paraqet një Bllok rozë, me njerëz që vishen bukur, që kanë sherre, kanë inate, kanë dashuri ku di unë… dhe shina e dytë, është glorifikimi i krimeve të komunizmit, pra zbukurimi i krimeve të komunizmit. Pra Enver Hoxha, aty del si një lider autoritar, i mirë, pra po ta shkëpusësh Shqipërinë, të lexosh librin, do kuptosh që bëhet fjalë për një vend me një lider që i dhimbset populli, ka shqetësime të zakonshme, nuk bën krime, nuk ka kampe përqendrimi, nuk ka të burgosur politikë.

Zekthi tha se një profesor nuk do të mund të shkruante kurrë një libër të tillë në SHBA apo Britani në Madhe, pa marrë parasysh pasojat.

Kalo është profesor, nëse në SHBA apo në Angli do të shkruante një profesor kështu, nuk do të kishte të drejtë kurrë të jepte mësim në universitet, do t’i hiqej titulli i profesorit. Sepse nuk mund të shkruhet në SHBA kështu për Hitlerin. Nuk mundet kurrë një njeri të shkruajë kështu për Musolinin, Gadafin, apo Hitlerin. Kurrë një profesor. Libri bën këtë gjë, zbukuron krimet e komunizmit. Pra këta njerëz që kanë bërë krime monstruoze, që kanë ndërtuar kampe përqendrimi, që kanë shkatërruar Shqipërinë për 45 vite, e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të izoluar ku njerëzit hanë baltë dhe jetojnë me baltë, ky këta njerëz i paraqet si njerëz normalë që hanë, pinë, vishen, dalin, gjezdisin, dashurojnë, kanë sherre, kanë inate…”

Sipas Zekthit nuk ka kujtime në të cilat glorifikohet, ose fshihet krimi. “Të gjitha ato që thotë zoti Kalo, nuk e bëjnë Enver Hoxhën kriminel më të mirë.” 

“Kalo reflekton një lloj kënaqësie që ka shërbyer familjen e diktatorit”

Debati për “Bllokun”, librin e ish-mjekut personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, ka bërë bashkë mbrëmjen e kësaj të hëne një panel të ftuarish në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Për Kryeredaktorin e Klan Plus, Mentor Kikia libri i doktorit nuk është libër historik. Sipas tij, Kalo ka shkruar një libër me kujtime, ku ndihet afeksioni që doktori kishte për familjen e ish-diktatorit.

“Duhet të kemi parasysh një gjë. Ky nuk është një libër historik dhe ne nuk mund t’i kërkojmë doktor Kalos të na shkruajnë historinë e komunizmit tani. Ai ka shkruar një libër me kujtime, ku pjesa më e madhe e librit janë perceptime personale, ku ai nuk i shpëton emocioneve, afeksionit që ka për familjen e diktatorit. Ne nuk mund ta fajësojmë atë sot, përse ti ke afeksion për Enver Hoxhën. Ajo që shfaqet në libër, është që doktori ende reflekton një lloj kënaqësie që ka shërbyer në familjen e diktatorit. Parë në këtë këndvështrim, doktori ka përgjegjësi që në momentin kur mori lapsin të shkruajë një libër, do të duhet t’i thotë disa të vërteta, përderisa është një person publik dhe po merr përsipër të shkruajë një libër që do të lexohet nga x njerëz”.

Më tej, Kikia tha se ajo që e bën shqetësues këtë libër është fakti që Kalo e zhvesh Enver Hoxhën nga përgjegjësitë e diktaturës.

“Përgjegjësia e tij është kur fillon që në emër të afeksionit që ka për familjen e diktatorit, fillon dhe zhvesh nga përgjegjësitë për të gjithë diktaturën Enver Hoxhën. Dhe këtu ose duhet të kesh prova shumë të mëdha dhe të hedhësh poshtë të tërë historinë që dimë ne ose të jesh i verbër”.

Në librin “Blloku”, Kalo sjell kujtimet e tij personale, ku rrëfen raportet me diktatorin Hoxha, bashkëshorten e tij Nexhmijen, Ramiz Alinë dhe shumë personazhe të tjerë të kohës.

Libri i Kalos, pedagogia: Si ka mundësi që nuk ka një dilemë ky njeri?

Pedagogia Jonila Godole thotë se Isuf Kalo nuk mund të jetë kurrsesi një person apolitik, duke qenë se jetoi për një kohë të gjatë pranë familjes së diktatorit Enver Hoxha.

“Në çdo vend të botës, nëse mjeku personal i një diktatori do të shkruante një libër opinioni publik dhe lexuesi sigurisht do të ishte shumë i interesuar për të parë se çfarë, ka shkruar ky person. Dhe sigurisht pritshmëritë, sidomos në një vend si Shqipëria janë shumë të larta. Në rastin e Kalos, unë do thoja që të jesh për një kohë të gjatë, për afro dy dekada, afër familjes së diktatorit dhe mjeku i tij personal për më shumë se një dekadë, ai nuk mund të jetë kurrsesi një person apolitik. Kështu që edhe përgjegjësia dhe pritshmëritë e mia ndaj tij, në çastin që ulet të shkruajë një libër se çfarë ka përjetuar, janë më të mëdha”.

Godole tha se në libër i kishte munguar reflektimi për krimet e ndodhura gjatë kohës së komunizmit.

“Ajo që më mungoi mua personalisht është si ka mundësi që ky person nuk ka pasur një dilemë. Nga njëra anë unë e kuptoj që si mjek ti ke një detyrim etik ndaj pacientit. Atë pacient të kanë dhënë dhe atij do t’i shërbesh. Por nga ana tjetër, kur kalon viti i parë, i dytë, i tretë, kur kalon po themi 10 vjet, kur po vjen viti i 20-të, si ka mundësi që nuk ka një dilemë ky njeri, pra po flas për personin që shkruan librin, për atë që unë si lexuese e këtij libri shoh. Si ka mundësi që ky njeri nuk ka një dilemë, që ky njeri që na paraqitet si engjëll dhe që ai ka një komunikim me një dhembshuri prej gjyshi, kurse Nexhmijen me një dhembshuri të jashtëzakonshme prej gjysheje e nëne, si ka mundësi që do t’i shpjegojmë krimet që ndodhin në këtë vend. Është e pamundur për mua që këta persona të mos kenë pasur dijeni për krimet që kanë ndodhur. Dhe nuk ka në asnjë moment, asnjë reflektim për këto”.

Mertiri: Kalo përshkruan anën rozë të “ferrit”

Sociologu Ergys Mërtiri, tha mbrëmjen e së hënës në emisionin “Opinion” se mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo, në librin “Blloku” përshkruan anën rozë të një gjëje, e cila në fakt ishte “ferr”.

Mërtiri tha se Kalo, përderisa me vetëdije refuzon të flasë për krimet e Hoxhës është dashur të mos shkruajë libër, pasi sipas tij, e vërteta e pjesshme është një gënjeshtër e madhe.

Portreti duhet dhënë i plotë, për sa kohë ai refuzon dhe refuzon me vetëdije të flasë për krimet e Enver Hoxhës, atëherë hesht mos shkruaj. Nuk mund të më japësh një gjysmë portreti si portret. Thjeshtë fakti që ti merresh vetëm me një aspekt të një figure dhe të një realiteti, ky është gjymtim i këtij realiteti dhe t’i përcjell mesazhe të gabuara tek ata që të lexojnë, sepse ti përshkruan anën rozë të një gjëje, e cila në fakt ishte ferr…Për mua, përshkrimi më i mirë i Bllokut është bërë nga Fatos Lubonja, që tregon vërtetë klimën e terrorit që ekzistonte vetë mes tyre. Kurse kjo nuk del tek ky libër. Aty del një bllok si të shikosh një telenovelë dashuriçkash. Sigurisht që janë pjesë e jetës, por shqiptarët presin të mësojnë të vërtetën, e vërteta është e plotë, nuk ka të vërtetë të pjesshme, e vërteta e pjesshme është një gënjeshtër e madhe.

Ndërsa një problem tjetër që ai ka hasur tek libri është metodologjik.

Çfarë ofron “Blloku”? Është libër historik? Jo nuk është. Është memuaristik, por ai futet në përshkrime gjërash që nuk mund t’i dijë, pra nuk është dëshmitar i atyre gjërave. Ai s’ka qenë në mbledhjet e partisë dhe nuk i di fare se kush i ka marrë vendimet aty. Ai po ashtu bën fiction, merret me dy personazhe që dashurohen dhe fillon e aludon si duhet të jenë ndjerë ata.” 

/tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:28 16/09/2019

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori