#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Ipeshkëvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta flet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut i cili vizitën e parë jashtë Vatikanit si Papë e nisi nga Shqipëria. Ipeshkëvi i Rrëshenit e ka takuar edhe personalisht. Fokus te trashëgimia e Papa Françeskut, si do të zgjidhet Papa i ri, kush janë kandidatët kryesorë? më pas, bisedë rreth zhvillimeve në vend. Çfarë po ndodh me Shqipërinë? Çfarë po ndodh me ikjet e mëdha? Çfarë po ndodh me të rinjtë që s’duan të qëndrojnë në Shqipëri? A ka zgjidhje problemi i varfërisë në vend? Pse politika nuk po i jep një zgjidhje problemeve më të mprehta shoqërore dhe çfarë raportesh ka mes saj e njerëzve?

“Ridimensionoi figurën e tij”, Dom Gjergj Meta tregon në Opinion se çfarë e bënte të veçantë Papa Françeskun

Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar më shumë për Papa Françeskun dhe takimet e tij personale me të. Dom Gjergj Meta tregon se ka pasur mundësi ta takojë disa herë Papën, takime të cilat i ka quajtur mjaft të bukura.

Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit ka zbuluar disa karakteristika që sipas tij e bëjnë Papa Françeskun më të veçantë nga Papët e tjerë.

Blendi Fevziu: Ju e keni takuar vetë Papa Françeskun. Sa herë e keni takuar atë?

Dom Gjergj Meta: E kam takuar disa herë  që nga 2014 kur ai ishte këtu në Shqipëri që isha prift dhe në atë kohë isha përgjegjës dhe zëdhënës i asaj vizite dhe pata rastin ta takoja personalisht. Dhe kanë qenë disa takime në mënyrë të veçantë pas 2017 kur u bëra Ipeshkëv i Rrëshenit dhe kam pasur shumë raste ta takoj. Kanë qenë takime mjaft të bukura.

Blendi Fevziu: Çfarë ishte e veçanta e Papa Françeskut?

Dom Gjergj Meta: Unë do të doja që mos të shkoja për krahasim sepse çdo Papë ka veçantitë e tij. Mendoj që që nga qasja e parë e tij ai bëri disa gjeste që kanë nevojë për një lloj kuptimi teologjik për tu kuptuar se përse ai ishte i veçantë sepse ai tha dy gjëra. E para tha që Kardinalët zgjodhën Ipeshkëvin e Romës, pra ridimensionoi në njëfarë mënyre figurën e tij sepse  Papa është i tillë pikërisht sepse është Ipeshkvi i Romës. I prin në dashuri të gjitha kishave kudo që janë dhe ai e nisi me këtë terminologji, pra ‘unë jam Ipeshkëvi i Romës’. Edhe e dyta është që tha që tani populli do të bekojë Papën kur të gjithë prisnin bekimin e Papës për populli ai kërkoi dhe uli kryen dhe e priti këtë lutje. U krijuar një heshtje e jashtëzakonshme.  Këto ishin dy gjestet e para që menjëherë ai dha një input. Për ata që e njohin historinë e kishës e kuptojnë që ku donte të rihte Papa, pra të jepte mesazhin e një kishe që ishte populli i zotit dhe jo një kishe piramidale, por një kishë që ka në bazën e vetë popullin e të pagëzuarve. Gjestet e tij kanë qenë edhe të tjera. Një gjest tjetër ka qenë tërheqja nga pallati Apostolik.

Ndër të tjera Papa Françesku ishte i përshtatur edhe me epokën e teknologjisë ku mbante llogari në rrjetet sociale.

“Ai ka lejuar që bashkëpunëtorët e tij dhe u përshtat me mënyrën e komunikimit modern. Komunikonte në këtë mënyrë edhe përmes mjeteve teknologjike që në këtë epokë arritën një kulm.  Ideja që Papa e ka thënë shpesh, ideja e mjeteve të komunikimit është që janë mjete dhe nuk janë qëllim në vetvete që nga pikëpamja morale janë neutrale dhe varet se si e përdor ti”, u shpreh Dom Gjergj Meta.

Trashëgimia e Papa Françeskut për botën, Dom Gjergj Meta: Ngriti në nivelet e refleksionit disa realitete

Ipeshkev Dioqeza e Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, nga ku foli për Papa Françeskun, politikën dhe Shqipërinë.

Duke kujtuar aktivitetin e Papës, u ndal tek komunikimi modern përmes rrjeteve sociale, në të cilat Ati i Shenjtë zotëronte llogari dhe ndante mesazhet e tij. Në këtë mënyrë Papa delegonte mesazhet e tij tek çdo person dhe me qëllim të mirë.

“Papa thoshte që ideja e mjeteve të komunikimit janë mjete, jo qllim në vetvete, janë neutral, varet si i përdor ti, çfarë vlere i jep ti”, sqaroi Imzot Gjergj Meta.

I pyetur përse Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë, Dom Gjergj Meta hodhi dy hipoteza të mundshme, të cilat sipas tij mund të sqarojnë përse Ati i Shenjtë ka vizituar vendin tonë si shtetin e parë evropian në turin e tij. E para lidhej me dëshirën për të prekur nga afër një realitet periferik dhe së dyti nga lëximi i vuajtjeve të shqiptarëve përgjatë komunizmit.

“Kur ne kemi marrë lajmin diku nga 4 Qershor, gjëja e parë që unë bëra ishte një vizitë e organeve të shtypit të Vatikanit, e me pyesnin pse zgjodhi Papa Shqipërinë, e unë u thash që duhej ta dinit ju më mirë. Kemi bërë atëhere një punë të mrekullueshme për 3 muaj. Mendoj se dy kanë qenë arsyet kryesore, e para interesit të tij ndaj periferive, realitetit. Vendi i parë evropian që Papa viziton ishte Shqipëria, e unë kisha bërë një shkrim, që Papa e nisi nga A, Albania. Mendoj që arsyeja e dytë ishte leximet që Papa kishte bërë për Shqipërinë, për vuajtjet e Shqipërisë gjatë komunizmit”, tha Dom Gjergj Meta.

Cila është trashëgimia që la pas Papa Françesku për botën? Kësaj pyetjeje, Dom Gjergj Meta u përgjigj me shumë modesti se kanë qenë veprat e tij të mira, por gjithashtu që u përpoq të bëntë një Kishë e cila merret me problemet reale të botës, siç janë çështja e emigrantëve, pjesëmarrja e grave në shoqëri, diversiteti njerëzor.

“Solli në qendër disa realitete që ishin periferike. E ngriti në nivelet e refleksionit disa realitete, si ekosistemi, emigrantet, pjesëmarrja e grave, diversiteti. Ai i bëri këto gjëra përmes gjesteve të tij se sa me fjalët, dhe i beri këto të rëndësishme. Ishte i pakët që foli hapur me atë që ndodhte ne Gaza apo Ukrainë. E kanë bërë që këto gjëra të bëjnë që Kisha të dalë nga guacka e vetë, e ka përmendur shpesh herë, një “Kishë në dalje”. Një Papë, që del me të pastrehet e Romës dhe i mbledh në tavolinë ata, që zbret nga makina dhe i takon…”, tha Imzot Gjergj Meta.

Lidhur me ceremoninë mortore, Dom Gjergj Meta sqaroi se ai nuk do të mundet të jetë prezent në Vatikan, por Shqipëria do të ketë si delegacion zyrtar ipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine dhe i Tiranës, Arjan Dodaj.

Dom Gjergj Meta: Arbëreshët falë ritit fetar kanë ruajtur Gjuhën Shqipe

Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan është ndalur edhe tek Arbëreshët e Italisë.

Dom Gjergj Meta u shpreh se riti fetar ka ndikuar shumë në ruajtjen e Gjuhës Shqipe në komunitetin e Arbëreshëve.

Ipeshkëvi theksoi se ka pasur edhe koloni të tjera shqiptarësh që tashmë janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën.

Blendi Fevziu: Si mund të kesh edhe ritet ortodokse dhe të jesh pjesë e Vatikanit?

Dom Gjergj Meta: Shiko kemi kishën dhe kemi kishat dhe ekzistojnë rreth 21 kisha të ritit lindorë, pra që nuk janë të ritit latin dhe ndër ta është edhe kisha Bizantine, por nuk është e vetmja që janë rite të veçanta brenda krishterimit. Disa nga këto kisha kanë një pjesë që varen nga Roma. Ato kisha kanë hierarkinë e tyre dhe zgjedhjet e tyre.

Blendi Fevziu: Arbëreshët këtë gjë e kanë për arsye gjeografike se u zhvendosën në Itali apo edhe gjatë kohës që kanë qenë në Shqipëri…

Dom Gjergj Meta: Janë të dyja, por edhe gjatë kohës që ata kanë qenë në Shqipëri kanë qenë të lidhur me Romën sepse jemi në vitet ku ka një lloj paqartësie dhe kur ata kanë ardhur në Itali e kane parë të natyrshme këtë lidhje me Romën që sigurisht hyn edhe elementi i mbijetesës. Edhe pse ata kanë vuajtur shumë për ta ruajtur ritin e tyre nga latinizmi dhe nga një lloj asimilimi. Por ama duhet thënë kjo që Gjuhën Shqipe atyre ua ka ruajtur riti fetar, dhe jo e kundërta, sepse ne kemi koloni shqiptarësh edhe në Puglia, por në Puglia tashmë janë asimiluar sepse kanë ardhur nga zona kanë gjetur ritin latin aty dhe kanë harruar edhe gjuhën. Kurse arbëreshët falë ritit të tyre fetarë kanë ruajtur edhe gjuhën.

“3 ditë rresht votime, 1 ditë pushim”, çfarë ndodh në konklavën brenda Kapelës Sistinë?

120 kardinalë do të mblidhen në Vatikan për të zgjedhur pas  ceremonisë mortore të Papa Françeskut dhe ditëve të zisë, papën e ri të Kishës Katolike. Kushti i vetëm është mosha pasi vetëm kardinalët nën 80 vjeç mund të marrin pjesë për të qenë kandidatët e mundshëm.

Zgjedhja e papës së ri nis procesin e konklavës, një nga proceset më hermetike në botë ku fletët e votimit  digjen menjëherë pas përfundimit të çdo seance, kardinalët u nënshtrohen kontrolleve rigoroze, nuk lejohen media, gazetarë, vendosen bllokues valësh e sinjali dhe dyert e Kapelës Sistine mbyllen.

Dom Gjergj Meta shpjegon në emisionin “Opinion” në Tv Klan si zhvillohet çdo seancë votimi. Thelbi është që pas 3 ditësh votime radhazi, kur nuk është përmbushur numri i 2/3-ave, bëhet një ditë pushim dhe nis nga e para. Kjo zgjat derisa vendoset që dy kardinalët më të votuar të dalin në balotazh ku sërish duhet të grumbullojnë 2/3 e votave.

Në fletat e votimit, kardinalët duhet të përpiqen të ndryshojnë shkrimin e tyre që të mos kuptohet se kujt i përket.

Dom Gjergj Meta: Ditën e parë kur nis votimi, të gjithë kardinalët nga Bazilika e Vatikanit, nga Kapela e Shën Palit shkojnë në rresht dueke kënduar “Eja o Shpirt i Shenjtë” shkojnë te Kapela Sistina. Ditën e parë bëhet vetëm një votim që është pasdite, kurse çdo ditë tjetër bëhen 2 votime paradite, 2 votime pasdite. 4 votime në ditë. Duhet të dalë patjetër me 2/3 , përndryshe nuk quhet.

Blendi  Fevziu: Po kur nuk zgjidhet me 2/3?

Dom Gjergj Meta: Bëhen 3 ditë rresht votime herën e parë që do të thotë 1 plus votimet  e tjera, nëse nuk zgjidhet lihet 1 ditë pushim, kardinalët bisedojnë me njëri-tjetrin dhe bëhet një predikim, reflektim shpirtëror nga një prej kardinalëve të Urdhrit të Diakonëve. Fillon votimi përsëri me të njëjtin sistem dhe bëhen 7 votime. Nëse në këto 7 votime prapë nuk ka zgjidhje, bëhet 1 ditë pushim, reflektim nga kardinali. 

Blendi  Fevziu: Sa i lodhkan kardinalët me këtë!

Dom Gjergj Meta: Pastaj hyjnë prapë në votim, 7 votime të tjera, në qoftë se prapë nuk zgjidhet bëhet 11 ditë pushim dhe bën predikimin një nga kardinalët ipeshkëvi. Pastaj bëhen edhe 7 votime të  tjera, në qoftë  se prapë nuk zgjidhet, atëherë bëhet prapë 1 ditë pushim dhe dy më të votuarit nga votimi i fundit  hyjnë në balotazh dhe duhet të zgjidhet me 2/3. Zakonisht aty del.

Shpopullimi/ Dom Gjergj Meta: Në Shqipëri mungon shpresa e vazhdimësisë

Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan ka prekur problemin social të shoqërisë, atë të largimit nga vendi.

Shpopullimi është një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Sipas Dom Gjergj Metës, kjo ndodh për shkak të mungesës së shpresë së vazhdimësisë.

“Duket diçka e pandalshme dhe shpopullimi krijon probleme jo vetëm zbrazje, por problemi tjetër gati kriminale është që ata që mbeten kanë varfëri të dyfishtë sepse janë të izoluar, janë në kurth.

Mendoj që këtu është mungesa e një lloj shprese të vazhdimësisë. Janë në kërkim të një sistemi që funksionon.

Në Shqipëri ende nuk funksionojnë hallkat ashtu siç duhet të gjitha. Ka familje që janë në zona thella dhe janë në kurth sepse as janë të zotë që të rrinë aty, as janë të zotë që të ikin nga aty.

Ikja nuk na bën mirë si vend, por ama nuk e kemi bërë analizën sakte pse po ikin. Ikja është një dëm tashmë”.

Përfshirja në krim është një tjetër plagë e shoqërisë shqiptare. Kjo e fundit, sipas Dom Gjergj Metës, është një shoqëri e sëmurë.

“Unë mendoj që është një shoqëri e sëmurë në bazën e saj. Krimi është e keqe, por krimi i organizuar është një kancer që kërkon sforco shumë të mëdha për të bërë. Një shpërfaqje e madhe e krimit, sidomos të organizuar, tregon një shoqëri të sëmurë, një sistem të kapur dhe tregon se shoqëria ka nevojë për injektim të vlerave që e bëjnë një shoqëri të jetë e mirë. Solidariteti neve na mungon tërësisht. Unë njoh në Shqipëri shumë biznesmenë. Po të shkosh t’u thuash kam nevojë për këtë gjë, ata thonë na thuaj sa do. Mendoj që solidariteti me ata që nuk kanë duhet të jetë një fakt thelbësor i jetës së një kompanie, por jo sepse shkoj unë. Shëndeti i një kompanie varet nga shëndeti i asaj shoqërie”.

Sa i përket harmonisë fetare në vendin tonë, Dom Gjerg Meta thotë se është reale dhe e vlerëson këtë gjë.

/tvklan.al