Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, I (Video)

Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, I (Video)

Autori: Blendi Fevziu

22:18 09/12/2004

Dosier-Lëvizja studentore e Dhjetorit të vitit 1990 është historike pasi që nga data 8 deri në datën 12, kjo lëvizje solli pluralizmin politik. Ishte një lëvizje që në një mënyrë ose në një tjetër ndryshoi sistemin në Shqipëri dhe i dha fund një epoke 46-vjeçare. Dhjetori i 1990-s mbetet një nga momentet me shumë pikëpyetje, por edhe një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që solli ndryshimin. Ishte një moment transformimesh të mëdha dhe një sërë faktorësh filluan të lëvizin.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu trajton në dy seri Dhjetorin e vitit 1990. Nga 8 Dhjetori filluan një seri protestash të paorganizuara dhe njerëzit kuptuan se ata që ishin kundër regjimit ishin më tepër se sa ata që kërkonin ta mbronin atë sistem. Protesta nisi me pak studentë në “Qytetin Studenti” dhe më pas u bë masive. Protesta ishte paralajmëruar që paradite, për arsye se kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani, kishte lajmëruar se dritat, që mungonin prej shumë ditësh në “Qytetin Studeti” në orën 21:00, do të lidheshin.

Por në këtë orë, studentët e parë dalin nga godinat drejt qendrës së “Qytetit Studenti”. Me kërkesë të disa studentëve, Azem Hajdari u shpall lideri i tyre. Studentët nisën të zbresin, por pikërisht pas Ambasadës italiane, grupi i studentëve u bllokua nga forcat e policisë. Rreth mesnatës, protestës së 8 Dhjetorit i bashkohen edhe të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes që po zhvillohej në Institutin e Lartë të Arteve. Bashkë me ta ishte edhe Robert Stringa, i cili me kameran e tij filmoi disa pamje të 8 Dhjetorit.

Nga ky material vihet re që, pëveç dy parrullave “Tirana është me ne” dhe “Largoni policinë” kishte edhe parrulla politike. Studentët mbetën rreth 2 orë të bllokuar nga policia, duke kërkuar një kusht të vetëm, negocim me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alia. Në atë moment mbërrin lajmi se Presidenti i priste në një takim në Korpusin e Universitetit. 13 studentë të prirë nga Azem Hajdari nisen në takim me Presidentin Alia. Në këtë moment Azem Hajdari u thotë studentëve:

Qëndroni 45 minuta, nëse ne nuk kthehemi, atëherë nuk do të kthehemi kurrë. Ju vazhdoni protestën dhe thërrisni studentët e tjerë”.

Të 13 studentët hipën në një mikrobus pa e ditur se ku po shkonin dhe gjejnë në Korpusin e Universitetit Presidentin e vendit, i cili ishte i predispozuar për të gjetur një zgjidhje. Studentët e mbledhur prisnin që 13 studentët të ktheheshin nga takimi me Presidentin, për të marrë vesh ç’kishte ndodhur. Presidenti i kishte garantuar ata se nuk do të kishte dhunë.

Kur studentët bashkohen me të tjerët, Azem Hajdari hipën mbi shpatullat e dy studentëve të tjerë për t’i njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Në atë moment një polic bërtet:

Më vodhën pistoletën”.

Kjo thirrje, e cila ishte jo reale, do të provokonte dhunën ndaj studentëve. Ishte një moment i tmerrshëm dhe një prej studentëve iu drejtua Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai duke i thënë:

Ramiz Alia na premtoi se nuk do të kishte dhunë!”.

Por përgjigja ishte e menjëhershme:

President këtu jam unë!”

Një dhunë e tmerrshme filloi ndaj rreth 1000 studentëve që ndodheshin aty, të cilët u tërhoqën drejt “Qytetit Studenti”. Por policia nuk ndërhyri në “Qytetin Studenti” dhe kjo i la hapësirë studentëve të organizonin me qetësi se çfarë do të bënin të nesërmen. Mëngjesin e datës 9 Dhjetor, një grup studentësh bëhen bashkë dhe në mencën e “Qytetit Studenti” listojnë një sërë pikash drejtuar Presidentit Ramiz Alia. Ndërkohë, disa prej pedagogëve kishin filluar të mbështesnin studentët në mënyrë direkte, apo indirekte.

Një grupim studentësh të Institutit të Lartë të Arteve, të pakënaqur me mënyrën se si Shqipëria po ecte përpara, po bëhej një lloj promotori për të tërhequr pas strukturat studentore të asaj kohe.

Rreth orës 09:00 të datës 9 Dhjetor, studentët braktisin mësimin dhe nisen sërish drejt qendrës së qytetit. Forcat e policisë nuk ishin të përgatitura, pasi pas dhunës së një nate më parë, menduan se ata nuk do të dilnin sërish. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që grupet e protestuesve të riktheheshin të nesërmen. Por duket se studentët kishin vendosur. Në rrugën e Elbasanit sërish bllokohen nga forca të shumta policie për rreth 2 orë. Për të shmangur bashkimin e studentëve me mijëra tifozë, që do të ndiqnin ndeshjen Tirana-Partizani, forcat e policisë ndërhyjnë egërsisht.

Vetëm pak minuta më pas, ai grupim studentësh ishte shpërndarë, por ishte një fitore shumë e madhe, sepse studentëve që banonin në konvikte të ardhur nga rrethet iu ishin bashkuar edhe studentët e Tiranës, të cilët ishin më të vendosur se kurrë që të rezistonin për të sjellë një sistem të ri politik. Të gjithë u bënë thirrje familjarëve dhe qytetarëve për t’iu bashkuar dhe protesta e studentëve dukej se nuk kishte më kthim pas. Strukturat e Partisë së Punës kishin filluar të shkërmoqeshin, studentët e Akademisë Ushtarake refuzuan të qëllonin studentët dhe një pjesë e intektualëve të kohës nisën të bashkohen me ta, por nuk mundën për shkak të gardhit të policisë së përforcuar.

Ndër intelektualët që u ulën në shkallët e Akademisë së Arteve për të ndjekur protestën ishte edhe mjeku Sali Berisha, i cili kërkonte hapjen më tej të Shqipërisë. Ndërkohë që Azem Hajdari ishte bërë lideri i lëvizjes së studentëve, familja e tij në Tropojë nuk dinte asgjë. Kur gruaja e tij kthehet nga puna i thonë se në shtëpinë e saj policia kishte bërë një kontroll të imtësishëm.

Mëngjesin e 10 Dhjetorit, lëvizja studentore u shndërrua në një lëvizje masive popullore. Shumë qytetarë të Tiranës i ishin bashkuar studentëve në “Qytetin Studenti” dhe mbështesnin kërkesat e tyre, të cilat ishin afishuar në mencë dhe kinoteatër.

I informuar për atë që po ndodhte, Ramiz Alia vendos të përdorë të gjitha mundësitë për të arritur negociatat me studentët. Ai vendos Sali Berishën që të negociojë me Azem Hajdarin, duke ditur që edhe ai ishte nga Tropoja. Berisha shkon në shtëpinë e Ramiz Alisë dhe më pas tek studentët, por nuk arrin negociata. Në të vërtetë, Berisha, i cili do të bëhej edhe zëvendësuesi i Ramiz Alisë në postin e Presidentit, e ka mohuar këtë bisedë.

Mëngjesin e datës 11 Dhjetor 1990, më së fundmi ishte vendosur që Alia do të priste 30 studentë në Pallatin e Brigadave. Po atë paradite, në një sallë të pallatit Ramiz Alia kishte mbeldhur pleniumin e Komitetit për të vendosur shpalljen e pluralizmit politik, që duhet ta kishte si kartë në takimin e studentëve.

Në këtë mënyrë, ai do t’i hiqte studentëve pikën kryesore. Ishte një moment kaosi, pasi thuhej se ata po kërkonin të shtypnin studentët. Studentët nisen në Pallatin e Brigadave rreth orës 17:30 të përgjysmuar nga numri fillestar që ishte 60 persona./ tvklan.al

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:18 09/12/2004
UKT