OPINION – DOSJA 339, BILD PUBLIKON PERGJIME TE REJA!

OPINION – DOSJA 339, BILD PUBLIKON PERGJIME TE REJA!

02:18 06/06/2019

Të ftuar:

Basir Collaku – Gazetar

Fatos Hakorja – Gazetat

Në linje telefonike: Ardian Kokomani – Kryetari i Bashkisë së Shijakut

azetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu ka kritikuar urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë ndaluar publikimin në media të përgjimeve të dosjes “339/1” të botuar sot nga gazeta gjermane “Bild” për përgjimet e bandës së Avdylajve në Shijak.

Në emisionin “Opinion” ku trajtohet tema e përgjimeve të reja, Fevziu foli për urdhrin e dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara të cilët ndalojnë mediat për publikimin e këtyre përgjimeve. Këtë urdhër, Blendi Fevziu e konsideroi kriminale pasi cënohet liria e medias. Drejtuesi i “Opinion” apeloi këdo që disponon dokumente të vlefshme për përgjimet e kësaj dosje, t’i paraqesë pranë emisionit për t’u publikuar.

“Kjo është një shkelje e parimeve të shtypit të lirë, të fjalës së lirë dhe i deklaratës universale të Të Drejtave të Njeriut, artikulli 19 i të cilës i jep të drejtën shtypit të publikojë çdo material që e sheh si interes publik dhe aq më tepër materiale me një rëndësi të tillë. Shfrytëzoj një nen të Kodit Penal që nuk është për gazetarët. Ka pasur një nen në Shqipëri dhe është mbyllur me një fitore të shtypit, pra shtypi e ka tejkaluar këtë çështje në vitin 1995. Natyrisht Prokuroria mund të ruajë zyrat e saj mos dalin sekrete, por shtypi ka çdo të drejtë ta publikojë.

Është artikulli nr.19 i deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, është artikulli nr.10 i Konventës Europiane. Është një precedent i mbyllur në botë, është një precedent i mbyllur në Shqipëri, është më pak se dritëshkurtësi, nuk dua ta quaj idiotësi sepse e quajti Hakorja dhe nuk vlen më shumë se idiotësi, që Prokuroria t’i kërkojë shtypit të mos publikojë. Çdo dokument autentik që keni, silleni se e publikoj unë, le të veprojë Gjykata. Le të vijë Prokuroria përpara se të ndalojë banditët. Është kriminale t’i kërkosh shtypit t’i mbylli gojën. Është më shumë se kriminale. Unë nuk e di ku e gjen kurajon një prokuror të kërkojë t’i mbylli gojën shtypit. Është e paprecedentë”, thotë gazetari Blendi Fevziu.

Dhe si shembull për të treguar se media e ka fituar këtë betejë në Shqipëri 25 vjet më parë, Fevziu tregoi rastin e dy gazetarëve të asaj kohe, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka. Në 31 Janar të 1993, të arrestuar pas padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, me një fletë arresti të firmosur nga prokurori Arben Qeleshi, ishin dy gazetarët Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka.

Akuza që rëndonte mbi ta ishte ajo e nxjerrjes së sekretit shtetëror në bashkëpunim me ushtarakët Liçaj dhe Feta, ndërkohë që për Lekën ekzistonte edhe akuza për shpifje të bërë publikisht ndaj ministrit Zhulali. Në procesin e Gjykatës së Tiranës që zgjati katër ditë, Lekës nuk iu vërtetua dot akuza për shpifje dhe bashkëpunimi që parashikohej të ishte kryer nga katër të pandehurit, rezultoi të ishte e tillë vetëm për Lekën dhe Liçajnt. Frangaj, në atë kohë kryeredaktori i të pavarurës “Koha Jonë”, u lirua në sallë si i pafajshëm.

Në 27 janar të vitit 1994, gazeta “Koha jonë” do të hapej me titullin “Të gjithëve do t’ju fusim në burg” (Kërcënim nga prokuroria e asaj kohe), ndërsa si përgjigje epike për këtë kërcënim përgjegjësinë do ta merrte, Teodor Keko: “po iu përgjigjem me edukatë: të gjithëve do të na e hani m…”

“Përgjime të tjera pritet të dalin në vijim lidhur me vjedhjen e votës në zgjedhjet e vitit 2017, duke përfshirë dhe qytete të tjera, jo vetëm Durrësin”. Kështu deklaroi nga studio e emisionit “ Opinion” në Tv Klan, gazetari Basir Çollaku i ftuar për të diskutuar lidhur me 6 përgjimet e publikuara këtë të mërkurë nga gazeta gjermane “Bild”, regjistrime audio të “Dosjes 339/1”, pjesë e së cilës është grupi i Avdylajve të Shijakut. Në 6 përgjime audio të publikuara online dëgjohet Astrit Avdylaj, që sipas “Bild”, mbledh vota në favor të kandidatit të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Ilir Ndrazhi përpara zgjedhjeve të 2017-ës.

Gazetari deklaroi se në përgjimet e tjera janë përfshirë dhe zyrtarë më të lartë se kaq, pa dashur të japë detaje të tjera.

Blendi Fevziu: Basir ti e ke shoqëruar gazetarin e “Bild” Peter, a ka akoma materiale të tjera?

Basir Çollaku: Unë kam qëndruar afro dy ditë më Peter dhe them se ka materiale të tjera dhe jam konsultuar me të, dhe kam takuar shumë njerëz, janë edhe më të rënda se kaq.

Blendi Fevziu: Janë në të njëjtën dosje?

Basir Çollaku: Ai ka qenë në të gjithë Shqipërinë duke u marrë dhe me hetimin e krimit elektoral dhe trafikun e drogës dhe me abuzime të tjera të rënda që kryqëzojnë edhe trafikun e drogës dhe krimin elektoral. Të paktën janë çekuar, kemi Durrësi, Kukësi, Shkodra, Lezha, Hasi, Dibra.

Blendi Fevziu: Çfarë materiali ka?

Basir Çollaku: Ka materiale që janë zyrtare, që vijnë në institucionet shqiptare edhe për dosje të tjera që kanë probleme me politikën dhe me rëndësi më të madhe politike dhe kriminale.

Blendi Fezviu: Implikojnë persona më të rëndësishëm sesa niveli i Dakos…?

Basir Çollaku: Nuk dua ta cënoj punën e Peter, por them se po, dhe nuk e kam mendim por informacion.

************************************

Pieter Tiede, gazetari qe publikoi pergjimet!

Peter Tiede është gazetari i gazetës gjermane “Bild” i cili publikoi sot përgjimet e reja të dosjes “339/1” të bandës së Avdylajve në Shijak. Në një intervistë për emisionin “Opinion” realizuar nga gazetarja Desada Metaj, gazetari Tiede thotë se audio-përgjimet e publikuara nuk janë materiale autentike dhe nuk ka mashtrime.

Sipas tij, burimet që ai ka siguruar këto përgjime, janë shqiptare dhe i janë vënë në dispozicion nga Tirana. Në përgjimet e publikuara sot nga “Bild”, në bisedat telefonike me Avdylajt kanë rënë edhe funksionarë e zyrtarë të Durrësit e Shijakut.

Desada Metaj, Opinion: Përgjimet-audio që ju keni publikuar në Bild kanë shkaktuar një furtune të vërtetë në Shqipëri. Herën e parë disa persona nga mazhoranca ju akuzuan si të paguar nga opozita.

Peter Tiede: Kjo është totalisht marrëzi, pakuptim. Unë jam një gazetar gjerman, jetoj në një vend të lirë dhe tek ne, gazetarët paguhen nga punëdhënësit e tyre dhe ky punëdhënës quhet Bild dhe jo opozita shqiptare. Unë madje, nuk njoh fare dikë nga opozita shqiptare.

Desada Metaj, Opinion: A mbani ju përgjegjësi për autenticitetin e këtyre përgjimeve? Sepse në një situate krize si kjo që po kalon Shqipëria kjo mund të konsiderohet si një goditje e fortë.

Peter Tiede: Ky është material i vërtetë, nuk ka mashtrime ne e kemi testuar këtë material ashtu siç veprojnë, pra bëjmë gjithmonë me informacionet. Burimet janë absolutisht të besueshme, janë burime shqiptare që na janë vendosur në dispozicion nga Tirana.

Desada Metaj, Opinion: Si gazetar me eksperiencë a mendoni se publikimi i këtyre përgjimeve do të ndikoje në qëndrimin zyrtar të Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe hapjes së negociatave?

Peter Tiede: Nuk mendoj se kjo është diçka që domosdoshmërisht do të mund të ndryshojë qëndrimin e Gjermanisë, pasi për Gjermaninë ka rëndësi që Shqipërisë të mos i ndodhë e njëjta gjë si me Malin e Zi, që ndikohet nga rusët. Pra dhe ajo të mos ndikohet nga Turqia. Të gjithë duan ta kenë për vete Ballkanin, por për Gjermaninë rëndësi ka gjendja aktuale në të cilën ndodhet Shqipëria, me korrupsionin e madh që ka, me mungesën e lirisë së shtypit, me mungesën e gjykatave. Juve nuk keni madje as Gjykatë Kushtetuese. Me të gjitha këto Shqipëria kërkon ose përpiqet të anëtarësohet në BE. Ky është rasti aktual.

Desada Metaj, Opinion: Si mendoni se duhet të reagojë qeveria shqiptare në një rast të tille? A keni patur raste të ngjashme dhe si është proceduar më vonë?

Peter Tiede: Qeveria shqiptare ndoshta nuk ka se si të mund të reagojë ndryshe, përveçse të pretendojë se gjithçka është një mashtrim apo një konspirim i madh. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe ata gjermanë thonë krejt hapur dhe qartë që Shqipëria e ka humbur luftën. Aty qeveris mafia. Pra politika duhet ta ketë të qartë se çdo të thotë dhe çfarë është mafia. Në fakt ajo vetë është mafia.

Desada Metaj, Opinion: Këto shkrime ishin të planifikuara apo erdhën si reagim pas shkrimit të parë për Shqipërinë?

Peter Tiede: Pasi qeveria juaj pretendoi se unë jam blerë dhe gjithçka është mashtrim, vendosëm të vazhdonim kërkimet dhe të vërtetonim se neve nuk na ka blerë askush dhe të gjitha këto informacione janë të vërteta.Është e kote t’ju pyes për burimet e përgjimeve, por në Shqipëri ka dyshime dhe deklarata politike që një pjese e tyre janë pjesë e dosjeve që janë tek Krimet e Rënda.

Desada Metaj, Opinion: I jeni referuar me së shumti burimeve shqiptare apo atyre gjermane?

Peter Tiede: Burimet shqiptare. Prej andej e ka origjinën materiali. Materiali është i pranishëm edhe ne gjermanisht. Por siç e thashë, ai vjen nga Shqipëria dhe unë e kam marr nga Shqipëria.

Desada Metaj, Opinion: Ka shumë ish-oficerë policie në Shqipëri që kanë investiguar raste të implikimit të drejtuesve politike me çështje korrupsioni, te cilët tashmë kane kërkuar ose kërkojnë azil politik në vende të tilla si Holanda, Zvicra apo vendet skandinave?

Peter Tiede: Kjo është një pyetje interesante, përse duhet të përndiqen policë shqiptarë? Ju e njihni rastin e Saimir Tahirit apo të policëve nga Vlora, të cilët duhet të arratiseshin në Zvicër. Mund të marrim edhe rastin e policëve të tjerë që kanë ikur në Holandë apo të drejtorëve të klinikave spitalore të cilët kanë qenë të detyruar që të japin (lëshojnë) raporte mjekësore për kriminelët, me qëllim që këta bosë të drogës apo të mafias të dalin nga burgu. Përse duhet të arratisen këta njerëz? Përse përndiqen ata në Shqipëri? Dritan Zagani, apo policë të tjerë kanë qenë në burg pa një padi. Policët kanë qenë në arrest shtëpie dhe duhet të arratiseshin nga Shqipëria, pasi kanë dalë kundër politikës. Neve personalisht këto audio nuk na nevojiten, por mendoj se nevojiten për kolegët shqiptarë dhe për policët e guximshëm që kanë vepruar në mënyrë të tillë, që ato të publikohen.

Desada Metaj, Opinion: Në përgjimet tuaja janë përmendur shumë emra të njohur. Si keni menduar të përballeni me ta në rast se do t’i drejtohen gjykatës?

Peter Tiede: Uroj dhe shpresoj që ta bëjnë këtë gjë, pasi kështu do dalin në gjyq dhe ne do të paraqesim provat. Edhe unë vlej si provë, sigurisht. Kështu gjykatësit do të vërtetojnë nëse unë gënjej dhe nëse ju në Shqipëri qeveriseni nga një mafia e korruptuar. Unë e di që kam të drejtë.

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT