#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Gazmend Bardhi, Andi Tela, Baton Haxhiu, Oerd Bylykbashi, Monika Kryemadhi, Eni Ferhati

Koalicioni opozitar, Bylykbashi: Këshillat bashkiakë me listë të përbashkët

4 parti opozitare do të shkojnë në zgjedhjet lokale të 14 Majit me koalicionin që mban emrin “Bashkë Fitojmë”. Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi shpjegoi sonte në “Opinion” në Tv Klan se në këshillat bashkiakë partitë do të kenë listë të përbashkët.

“Tani ka listë të përbashkët, PD, PL, PBDNJ dhe PDK do të kenë një listë të përbashkët. Do të biem dakord ne kush do të jenë kandidatët e secilës parti dhe është dakordësi”, theksoi ai.

Blendi FevziuSi do bëhen këshillat bashkiakë? Do jenë vetëm të Partisë së Lirisë apo do miksohen?

Monika Kryemadhi: Janë çështje teknikalitetesh që zgjidhen, s’ka asnjë lloj problemi.

Oerd Bylykbashi: Koalicioni me ligj, ka listë të përbashkët. Dikur e kishim shumë mirë ne, secili kishte listën e vet, Rama e ndërroi koalicionin në të njëanshëm në Korrik kur ndryshoi Kushtetutën, më pas në Tetor të 2020-ës kur bëri Kodin Zgjedhor. Tani ka listë të përbashkët, PD, PL, PBDNJ dhe PDK do të kenë një listë të përbashkët. Do të biem dakord ne kush do të jenë kandidatët e secilës parti dhe është dakordësi. Dhe ata që do të jenë këshilltarë dhe janë demokratë e deklarohen të tillë në këshill, janë në një listë të përbashkët dhe me ata të PL-së.

Kryemadhi tregon në “Opinion” kush është lider i koalicionit “Bashkë Fitojmë”

Monika Kryemadhi nga Partia e Lirisë dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike ishin këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku folën në lidhje me koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit. Kryemadhi dhe Bylykbashi bënë me dije se koalicioni do funksionojë si lokal pasi jemi në zgjedhje vendore. Kryemadhi u shpreh se në çdo bashki lideri i koalicionit do të jetë kandidati për kryetar bashkie.

-Pse do funksionojë kjo martesë mes jush?

Monika Kryemadhi: E para njëherë nuk është çështje martese, është bashkëjetesë mund ta quajmë. E dyta nuk është thjeshtë katër emra partish aty. Ne gjithmonë jemi marrë me teknikalitete dhe jo me thelbin e gjërave. Këto janë teknikalitete, duan s’duan njerëzit që janë me Edi Ramën do ia bëjnë deri në fund shërbimin Edi Ramës. Mediat që janë me Edi Ramën, prapë do ia bëjnë shërbimin deri në fund. Ajo që mendoj se është sot më e rëndësishme është fokusimi tek mesazhi dhe tek lideri i koalicionit. A e dini ju kush është lideri i koalicionit?

-Kush është lideri i koalicionit?

Monika Kryemadhi: Për mua në Tiranë është Belind Këlliçi. Në çdo bashki lider koalicioni është kandidati për kryetar bashkie.

-Pra koalicioni do funksionojë si lokal? Pra kandidati lokal do të jetë kryetari i koalicionit?

Monika Kryemadhi: Sigurisht sepse jemi në zgjedhje lokale.

-A është kjo një tentativë për të shmangur Berishën dhe Metën?

Monika Kryemadhi: Kryetari i koalicionit i Bashkisë së Tiranës është Belind Këlliçi dhe atje mblidhen të gjithë ata që nuk e duan Erion Veliajn.

-Si do bëhen këshillat bashkiakë?

Monika Kryemadhi: Do jenë çështje teknike, do zgjidhen, nuk ka asnjë lloj problemi.

“Zot fali…” Bylykbashi komenton vendimin e KAS-it: As ata nuk e dinë çfarë kanë miratuar sot

Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai komentoi vendimin e KAS-it që njohu grupimin Alibeaj.

“Zot fali”, tha Bylykbashi. Sipas këtij të fundit, as KQZ nuk e di çfarë ka arritur të miratojë ditën e sotme. Bylykbashi tha se ky vendim i duhet Ramës dhe në këtë mënyrë PD-ja mbahet peng.

“Nëse siç thotë KQZ, kryetari nënkryetar, i komanduar, as ata nuk kanë ditur ç’kanë arritur të miratojnë sot. Besoj e keni atë postimin e KQZ-së. Është një perlë, është shumë e bukur. Me kryetar nënkryetarin… Është një kaos saqë as KQZ nuk është në gjendje të kuptojë çka bërë. Zot fali se nuk kanë ditur ç’kanë bërë. Kjo është gati-gati trinia e pashenjtë atje.

Ne kemi përcaktuar kandidatët, do hyjmë në zgjedhje. Demokratët do të vijnë të votojnë kandidatët e demokratëve. Kushdo tjetër, një fraksion i partisë vendos edhe të ikë nga partia dhe të krijojë një parti tjetër. Në fakt i duhet Ramës kjo gjë. Kanë vendosur ta mbajnë peng PD-në dhe sigurisht më pas është sikur e japin, hajde kush do bëjë xhiro me këtë varkën”, u shpreh Bylykbashi.

Artikulli në EuReporter për paratë ruse, Kryemadhi: I sajuar, u pagua nga Mirel Mërtiri

Një ditë më parë EuReporter publikoi një shkrim sipas të cilit ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka marrë para nga kompani të kontrolluara nga biznesmenë rusë. Për këtë u publikuan edhe disa fatura, por vetë faqja e fshiu lajmin më pas dhe u shprehën se e fshinë pasi po investigojnë.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Monika Kryemadhi u shpreh se ky artikull është i sajuar. Sipas saj, portali është paguar nga Mirel Mërtiri biznesmeni i shpallur në kërkim për inceneratorin e Elbasanit. Kryemadhi tha se këtë çështje do ta dërgojë në prokurori.

Blendi Fevziu: Kanë nxjerrë edhe dy fatura. Këta rusët nuk paskan pasur punë të tjera veçse të shpërndajnë lekë në Shqipëri? Se u bëtë të gjithë që merrni…

Monika Kryemadhi: E para njëherë më vjen çudi që vlerat për të cilat kanë vendosur janë vlera qesharake po ta shikoni.

Blendi Fevziu: Për Perëndimin nuk janë qesharake këto. 13 mijë ,5 mijë.

Monika Kryemadhi: Share holders. Edhe qenkan off shore në Zyrih.

Blendi Fevziu: Pse jeni ju aksionere tek kjo kompani?

Monika Kryemadhi: Nuk jam aksionere, nuk kam qenë asnjëherë.

Blendi Fevziu: Pse i keni dhënë shërbime marketingu kësaj kompanie?

Monika Kryemadhi: Nuk i kam dhënë asnjëherë shërbime marketingu.

Blendi Fevziu: Pra është komplet e sajuar?

Monika Kryemadhi: Absolutisht. Vjen si rezultat i shkrimit të Financial Times që u bë për zotin Rama. Kam filluar ta investigoj. Më rezulton që pagesat e kësaj i ka bërë ortaku i Erion Veliaj, zoti Mirel Mërtiri në një portal të tillë.

Blendi Fevziu: Kush?

Monika Kryemadhi: Zoti Mirel Mërtiri ka bërë pagesa për këtë shkrim në mënyrë të tillë që është bërë tashmë e rëndomtë.

Blendi Fevziu: Si është bërë me fatura?

Monika Kryemadhi: Do t’i gjejmë edhe faturat mos i kini merak.

Blendi Fevziu: E keni hamendje apo informacion?

Monika Kryemadhi: Informacion. Ti më thërret mua për koalicionin dhe më pyet për mashtrimet e kësaj. E dyta, unë do ti drejtohem edhe prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut që ta hetojë këtë çështje sepse përdorimi i të dhënave personale  të njerëzve pavarësisht, siç jam unë, siç ishte dhe çështja e operacione plastike që thonin që nxirrnin shuma dhe paguheshin në një servis makinash. Dmth operacionet plastike ishin kryer në një servis makinash. Problematikat që ka sot mazhoranca janë shumë të mëdha saqë kanë shkuar në një portal që shquhet i lidhur ngushtë me kompanitë kineze, i lidhur ngushtë me Partinë Komuniste kineze. Ky është një portal i investuar gjatë gjithë kohës së Covid nga qeveria kineze.

“Në zgjedhje duhet të hyjmë me kandidatë të unifikuar”, Bardhi: Me çdo kosto, edhe për 1 orë…

Gazment Bardhi është shprehur mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan se demokratët duhet të shkojnë në zgjedhjet lokale të 14 Majit me kandidatë të unifikuar.

Ne në zgjedhje do të duhet të hyjmë me kandidatë të unifikuar. Me çdo kosto, edhe për një orë. Nëse ka vullnet mund të arrihet dhe për një orë“, theksoi Bardhi.

Ai u shpreh se përçarja në fushatë zgjedhore nuk i shërben Partisë Demokratike.

“Ajo që unë po them dhe do t’i qëndroj deri në fund. Deri në orën  e fundit kur do të regjistrohen kandidatët, qëndrimi im do të jetë ky: Ne në zgjedhje do të duhet të hyjmë me kandidatë të unifikuar. Me çdo kosto, edhe për një orë. Nëse ka vullnet mund të arrihet dhe për një orë. Aq më tepër që grupi jonë ka hequr dorë nga çdo gjë, pra praktikisht ka ofruar çdo gjë. Nuk e kuptoj ku qëndron pengesa që demokratët të shkojnë me një kandidat të unifikuar në zgjedhje. Kujt i shërben kjo?! Nxitja dhe vijimi i përçarjes edhe në fushatë zgjedhore, Partisë Demokratike nuk i shërben”, tha Bardhi.

Bardhi: Nëse ka hyrë për të fituar, Këlliçi duhet të jetë kandidat i demokratëve dhe jo i PL

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli mbi situatën aktuale në selinë blu. Bardhi u shpreh se kandidatët demokratë në mënyrë që të fitojnë kanë nevojë për të gjitha votat e demokratëve. Ai shtoi se Belind Këlliçi, i cili është kandidati i grupimit të Berishës në zgjedhjet e 14 Majit në Tiranë, në mënyrë që të fitojë do duhet të jetë kandidat i demokratëve dhe jo i Partisë së Lirisë. Bardhi theksoi më tej se Këlliçi duhet të investohet më shumë për t’i bërë bashkë të gjithë demokratët në një kandidaturë të unifikuar.

Gazment Bardhi: Unë mendoj që kandidati, meqë po marrim Belindin, të cilin e kam koleg dhe i kërkoj ndjesë që po i përdor emrin, por po e përdor si shembull pozitivisht. Belindi për të fituar ka nevojë për votat e Sali Berishës, për votat e Enkelejd Alibeajt. Për votat e Ilir Metës. Pra ka nevojë për votën e çdo opozitari. Ne po themi ekzaktësisht këtë. Në qoftë se Belindi del dhe thotë, jo unë nuk kam nevojë për votat e demokratëve që nuk mendojnë njëlloj si Sali Berisha, por kam nevojë për votat e vetëm…

Blendi Fevziu: Jo, jo, ka nevojë për çdo votë, patjetër.

Gazment Bardhi: Atëherë nëse ka nevojë për çdo votë do duhet të investohet nëse ka hyrë për të fituar, pikë së pari që të jetë kandidat i demokratëve, jo kandidat i Partisë së Lirisë dhe së dyti do duhet të investohet për t’i bërë bashkë të gjithë demokratët në një kandidaturë të unifikuar.

Edhe më herët gjatë bisedës në studio, Bardhi përsëriti se kandidatët e PD nuk kanë pse strehohen në partitë e tjera ndërkohë që kanë në dispozicion partinë e tyre.

“A e kam zgjedhur unë Këlliçin si kandidat? Jo e ka zgjedhur zoti Berisha. Pretendimi i deritanishëm ka qenë që e kanë zgjedhur demokratët. Atëherë pse do duhet që zoti Këlliçi të strehohet nën partinë e Ilir Metës ndërkohë që ka në dispozicion partinë e tij”, u shpreh ai. 

Bardhi: Ka faktorë jashtë PD që duan të na heqin nga zgjedhjet, skenari do t’u ngelë në derë

Gazment Bardhi ka folur mbrëmjen e kësaj të Enjteje në studion e “Opinion” për situatën e brendshme të Partisë Demokratike.

Bardhi u shpreh se forca më e madhe opozitare është në këtë gjendje sepse një pjesë brenda PD-së ka objektiv të krijojë një betejë mes demokratëve në 14 Maj.

Ai theksoi se janë disa faktorë jashtë kësaj force politike që synojnë të nxjerrin PD jashtë zgjedhjeve dhe të mbajnë “ndezur” konfliktin.

Blendi Fevziu: 800 mijë votues të opozitës shqiptare nuk do dinë nga të rrotullohen, se 7 veta nuk po merreni vesh mes jush?

Gazment Bardhi: Do duhet të kërkojmë arsye pse nuk po merremi vesh. Unë gjykoj që ne nuk po merremi vesh sepse kemi dy objektiva të ndryshme. Grupimi jonë ka objektiv për të qenë bashkë, unë nuk mund të them që PD fiton 61 bashki edhe nëse bëhemi bashkë,  por ka absolutisht një numër të konsiderueshëm bashkish që nëse opozitarët janë bashkë janë të fitueshme.

Sikundër për fat të keq ka një pjesë tjetër brenda Partisë Demokratike që kanë një objektiv tjetër që 14 Majin ta kthejnë në një betejë mes demokratëve kur rezultati dihet, fitues është Edi Rama.

Unë do bëj gjithçka, jo vetëm unë por gjithë kolegët e mi, që ky skenar t’u ngeli në derë atyre që po e gatuajnë. Atyre që kanë interesa për ta mbajtur zvarrë Partinë Demokratike, atyre që kanë interesa për të marrë zgjedhjet lokale, jashtë PD-së. Ka faktorë jashtë PD që po synojnë të lënë jashtë zgjedhjeve PD dhe po mbajnë të ndezur konfliktin brenda partisë, për të dalë pas zgjedhjeve si faktori apo lideri i opozitës. Këto skenare do t’u ngelin në derë!

Bardhi: Do të hyjmë në zgjedhje, mospjesëmarrja sjell efekte afatgjata për PD-në

Gazment Bardhi u shpreh se PD-ja do të hyjë në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Ai theksoi këtë të enjte në emisionin “Opinion” se vendimi i KAS-it regjistron Partinë Demokratike në zgjedhje me nënkryetar Enkelejd Alibeajn në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë.  

Bardhi tha se ka bërë betejë gjatë këtyre ditëve që opozita të hyjë e unifikuar në zgjedhje. Ai u shpreh se PD duhet të marrë pjesë në zgjedhje sepse e kundërta sjell efekte afatgjata për PD-në.

Blendi Fevziu: Do hyni në zgjedhje zoti Bardhi?

Gazment Bardhi: Patjetër zoti Fevziu.

Blendi Fevziu: Do keni 61 kandidatë?

Gazment Bardhi: E gjithë beteja e bërë edhe gjatë këtyre ditëve ka qenë pjesëmarrja e PD në zgjedhje. Kam qenë në këtë studio, por edhe në dalje të tjera mediatike, kam tentuar gjetjen e një rruge për të dalë të bashkuar në zgjedhje dhe kam patur vetëm një kusht, që PD e Shqipërisë të merrte pjesë në zgjedhje.

Blendi Fevziu: Do merrni pjesë në zgjedhje?

Gazment Bardhi: Absolutisht po. Edhe për faktin sepse nuk mund të mendohet partia sot për sot. Mospjesëmarrja apo mosregjistrimi i PD në zgjedhje sjell efekte afatgjata për PD-në që do të thotë në zgjedhjet e ardhshme humbim komisionerët, humbim kohën televizive që ndahet mes partive, humbim financimin e fushatës, financimi i ligjshëm i fushatave zgjedhore dhe do të ishim një lloj siç ishim në 2020 në dorën e Edi Ramës që të fusnim një dispozitë tranzitore në ligj siç bëmë në 2020 për shkak të mospjesëmarrjes në zgjedhje në 2019.

Blendi Fevziu: Do nxirrni kandidatë në 61 bashkitë e Shqipërisë?

Gazment Bardhi: Kam një qëndrim timin i cili ka qenë edhe qëndrim i strukturave të partisë që pavarësisht konfliktit që kemi brenda PD do duhet të gjejmë gjuhën për të patur një kandidat të unifikuar të të gjithë opozitës. Nuk bëhet fjalë vetëm për të Partisë Demokratike, por të gjithë opozitës./tvklan.al