#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan i ftuar është kryeministri i vendit Edi Rama. Përballë gazetarit Blendi Fevziu, kryeministri Rama do u përgjigjet pyetjeve që lidhen me zhvillimet e fundit në sferën politike dhe krimin në vendin tonë. “Shqipëria 2030” dhe anëtarësimi në BE do të jetë në fokus të diskutimin dhe pyetjeve në studio, ndërkohë që kryeministri do u përgjigjet pyetjeve për skemën e pensioneve, sigurimeve shoqërore dhe shumë nismave të tjera qeveritare.

Atentati në Shkodër, Rama në “Opinion”: Tragjedi, por krimi sot është më i tkurrur se kurrë më parë!

Kryeministri Edi Rama është i ftuari i mbrëmjes së sotme në “Opinion” në Tv Klan. Përballë gazetarit Blendi Fevziu, Rama u pyet fillimisht për atentatin me 3 viktima e 1 të plagosur në Dobraç të Shkodrës. Sipas kreut të qeverisë, numri i vrasjeve në vend ka ardhur duke u ulur vit pas viti. Sa i takon bandave të krimit, Rama u shpreh se ato po goditen brenda perimetrit të tyre.


-Keni deklaruar më parë se në fund të fundit, të hanë kokat e njëri-tjetrit. Po hanë dhe kokat e njerëzve të pafajshëm, një numër personazhesh që kanë humbur jetën krejtësisht pa faj.

Edi Rama: Me krimin po ndodh që është më i zbrapsur se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Patjetër që janë tragjedi, por ne e kemi marrë detyrën me 110, 115 vrasje në vit. Dhe sot jemi në numrin më të ulët të vrasjeve që vjen duke u ulur progresivisht.

-Të qëllosh 300 metra rresh, të sharrosh…

Edi Rama: Nuk ka nevojë të ma shpjegosh se e pashë. Me krimin në Shqipëri po ndodh që është më i tkurrur se kurrë ndonjëherë. Është një betejë që vazhdon, por ajo që them unë si kryeministër është që ky vit është  viti me numrin më të ulët të vrasjeve që kur unë kam marrë detyrën. Ndërkohë dikur ka pasur mesatarisht një vrasje në 3 ditë.

-Krimi po gëlon, do ju tregoj më pas edhe konkretisht

Edi Rama: Kjo historia e Sky ECC dhe Encro Chat i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë. Ata s’duhet të thonë asgjë, deri në momentin kur çfarë thotë njëri…Këto janë muhabete kot.

-Po flas për vrasje konkrete.

Edi Rama: Më thua të mos flas me statistika, po me çfarë të flas?! Sot ka numrin më të vogël të vrasjeve dhe jemi…Vrasjet kriminale janë akoma më pak, se llogaris dhe ato brenda familjes. Këto kriminalet janë dhe më pak se më përpara. Duke iu referuar këtyre të dhënave dhe qëndrimeve të të gjitha institucioneve partnere ndërkombëtare, sot jemi në pikë kthese të madhe me krimin e organizuar. Nuk është një betejë që ka mbaruar, vazhdon…

-Perceptimi është se bandat po kontrollojnë vendin…

Edi Rama: Nuk besoj që ka një perceptim të tillë publik. Ne bëjmë anketime të përmuajshme. Policia e Shtetit vlerësohet nga qytetarët, sepse ata e ndërtojnë perceptimin…Bandat janë brenda perimetrit të tyre dhe brenda atij perimetri po goditen. Në këtë shtet ka organe që merren me atë punë dhe është Prokuroria e Posaçme që po bën goditje, por duhet edhe t’i provojë ato gjëra se aty ka shumë llum…

Arrestimi i Ilir Metës, Edi Rama në “Opinion”: Nuk kam asnjë koment, jua kam lënë juve ta trajtoni si viktimë!

Kryeministri Edi Rama është i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të enjte. Kreu i qeverisë u pyet në lidhje me arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta. Pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu, Rama iu përgjigj shkurt, se nuk ka koment mbi subjektet me të cilët merret drejtësia.

“Ke gjetur njeriun e gabuar për t’ia bërë këtë pyetje. Nuk kam asnjë koment. Është një subjekt me të cilin merret drejtësia, nuk kam asnjë koment”, tha Rama.

I pyetur në lidhje me mënyrën e arrestimit nga efektivët e policisë, Rama u përgjigj se Policia e Shtetit nuk varet nga ai. Sipas kreut të qeverisë emisionet janë duke e trajtuar ish-presidentin si viktimë.

“Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit ka drejtues, ka protokolle, ka operacione që i ndërton mbi bazë të këtyre protokolleve. Dhe unë nuk bëj komente për një subjekt të drejtësisë. Jua kam lënë juve ta trajtoni si viktimë nëpër emisione, ditën dhe natën”, u shpreh ai.

Përgjigje u ktheu edhe kritikëve që e krahasojnë vendin me Kolumbinë.

“Gjëja më e lehtë për ju është të krahasoni Shqipërinë me Kolumbinë. Të krahasoni Shqipërinë me narkoregjimet. Bëjeni, nuk ka problem fare. Shqipëria ka hapur negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Hapja e negociatave nuk i bëhet një vendi që është si Kolumbia, as një vendi që është narkoregjim, as një vendi që është regjim, por një vendi që skanohet me fakte, skanohet, jo nga gazetarë që janë këtu brenda vorbullës, por nga ekspertë të BE-së që vetëm me atë merren”, tha Rama.

“Kemi krijuar një mitraloz që godet kudo”, Rama: Unë luftoj për emrin tim…

I pyetur për arrestimet në krahun e socialistëve, kryeministri Edi Rama përsëriti sonte në “Opinion” se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për këdo që shkel ligjin dhe vjedh pasuritë e përbashkëta. Ai tha se reforma në drejtësi që u udhëhoq nga Partia Socialiste po jep “frytet” e saj si asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi.


“Përgjegjësia morale e imja është vetëm një, të bëj gjithçka kam në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Pushteti politik të tërhiqet nga çdo drejtim me drejtësinë. Ka një fakt, që është shumë kokëfortë që nga viti 1912 kur është ngritur flamuri. Deri kur reforma në drejtësi, që e udhëhoqëm ne Partia Socialiste, jo edhe LSI-ja. Erdhi pastaj mbrapa për arsye që i kemi diskutuar. E udhëhoqëm ne, e futëm ne në program në vitin 2013. Që kur ka filluar të zbatohet, persona të lidhur me pushtetin politik janë të marrë nën hetim, ka të akuzuar, prapa hekurave. Nuk ka ndodhur kjo ndonjëherë!”

Për Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion u shpreh se po “godet” kudo pa asnjë lloj dallimi politik.

“Kemi krijuar një mitraloz të pavarur që godet majtas, djathtas, afër meje, larg meje…”

E teksa gazetari Blendi Fevziu i kujtoi se deputetja Monika Kryemadhi e ka cilësuar kryeministrin “peshku i madh”, Rama tha:

Po te unë për çfarë?! Për cilat çështje? Unë jam peshku më  i madh nga të gjithë se jam dy metra. Po problemi nuk është sa metra është peshku, por cilido ka futur duart në pasuritë e përbashkëta dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Dhe unë nga këto nuk kam. Jam informuar që i vogël se kur shkon në anën tjetër, je lakuriq përballë atij që të del atje. Nuk të duhet as cashi, as pasuria. Ndërkohë që mbrapa lë emrin. Unë luftoj për emrin. Këta sharlatanë që flasin për luksin tim, sarajet e mia…Unë s’kam vetëm shpjegime, unë kam fakte dhe kam letra.

A e ndikoni SPAK-un? Rama: Ajo që ka bërë PS nën udhëheqjen time është epokale

Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama u pyet nëse po i bën presion SPAK për të arrestuar kundërshtarët e tij politikë. Rama u përgjigj se kjo është ofendim për inteligjencën e gjithë popullit. Ai u shpreh se ajo që ka bërë PS në drejtimin e tij sa i përket drejtësisë është epokale.  

Blendi Fevziu: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. E ndikoni ju SPAK-un zoti Rama?

Edi Rama: Për këtë po të jepja përgjigje.

Blendi Fevziu: A i bëni presion SPAK për të arrestuar kundërshtarët tuaj politikë?

Edi Rama: Është ofendim i madh i inteligjencës së gjithë këtij populli kjo. Po përsëris që ajo që ka bërë Partia Socialiste nën udhëheqjen time është epokale. Është e para forcë politike në historinë e këtij vendi që ka marrë një vendim dhe ka shprehur vullnetin më të plotë që të tërheqë fuqinë e vet nga territori i drejtësisë. Dhe me kosto patjetër që ajo drejtësi e çliruar nga pushteti politik do të godasë edhe brenda nesh. Dhe një kosto jo e paftuar, por një kosto e mirëseardhur për mua. Sepse nga pikëpamja organizative, nga pikëpamja administrative, ti mund të bësh gjithçka, por kur vjen puna te gjykimi për vepra penale nuk e bën dot këtë. Për këtë duhet drejtësia, duhet prokuroria, duhet gjykata.

SMS me Monika Kryemadhin? Rama: Histori lehaqensh! Nuk ka bir nëne të…

Deputetja Monika Kryemadhi ka deklaruar se ka shumë komunikime me kryeministrin Edi Rama dhe ministra të PS-së, që sipas saj, SPAK i ka hequr në dosjen kundër saj.

I pyetur në emisionin “Opinion” se çfarë ka biseduar me ish-krytetaren e LSI-së, Rama u shpreh se nuk debaton me njerëz që janë në hall.

I pyetur më tej nga gazetari Blendi Fevziu nëse kreu i qeverisë është vetë në hall nga këto mesazhe Rama tha se nuk ka probleme të kësaj natyre.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë njeri që mund të dalë dhe të thotë se e ka vjedhur. Prandaj këtë histori e konsideron si një histori “lehaqensh”.


Blendi Fevziu: Çfarë mesazhesh keni shkëmbyer me Monika Kryemadhin? A ka pasur pazare politike, të vendosim këtë drejtor, të vendosim këtë, të heqim këtë?

Edi Rama: Më vjen shumë keq zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në hall të madh nuk debatoj.

Blendi Fevziu: A jeni ju në hall nga këto mesazhe përveç halleve të zonjës?

Edi Rama: E di si është kjo pyetje të të them unë ti je në hall mo Fevzi se më dukesh içik i hutuar? Ti je në hall tani për shembull që po mi bën mua apo nuk po mi bën mua pyetjet e duhura? Çfarë pyetje është kjo?

Blendi Fevziu: Pyetje normale.

Edi Rama: Nuk kam asnjë hall të kësaj natyre. E kam thënë dikur kur kam qenë më i ri dhe e kam pasur gjuhën më të lirshme në atë kohë. Nuk ka bir nëne apo bir tjetër që mua të më dalë përpara dhe të më thotë që një qindarkë e imja, e x, gjendet në xhepin tënd. Doli njëri, dhe ai njëri ka ardhur te unë më vonë dhe më ka shpjeguar se ishte ashtu puna etj. Kjo histori është një histori qensh, lehaqensh, dykëmbësorësh që kanë marrë rolin e qenit në mjedisin tonë publik dhe që lehin në të katërta anë dhe që i turren çdo njeriu e bëjnë çorbë dynjanë.

Blendi Fevziu: Ishte në dokumentin e SPAK që zonja thotë fola me Ramën dhe Rama për interkonjeksionin më tha do ta bëjmë shpejt. Si është kjo?

Edi Rama: Lexoje mo. Ti ke një gjë të mirë lexoje pjesërisht se dakord do të bësh emisionin interesant. Lexoje se ka shpjegim aty. Lexoje është  Lexoje është ndërruar, apo nuk është ndërruar. Ka kaluar apo nuk ka kaluar. E ka bllokuar apo jo? Lexoje, është e shkruar. Mund të bësh pyetje sa të duash por pse i bën me gjysmën e së vërtetës.

“Rrahja, Çyrbja dhe Koka s’janë më në listë”, Rama-Fevziut: Pse i fut të gjithë në një thes?!

Kryeministri Edi Rama u pyet këtë të Enjte në “Opinion” edhe për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

-Kjo është lista e kandidatëve për deputet të PS-së në Durrës. Jurgis Çyrbja rezulton sipas përgjimeve të SPAK që është kandidat i grupeve kriminale i vendosur në pozicionin e tretë. Ka lëvizur nga i pesti tek i treti.

Edi Rama: E para punës njëherë hetimi nuk është për këtë dhe nuk rezulton kështu. Këto janë broçkullat që fliten nëpër telefonat e bandave. Nuk është aspak e pamundur që në një vend si yni njerëzit të dijnë diçka paraprakisht dhe të flasin. Ai është sot subjekt i drejtësisë për një temë që e ka sqaruar vetë organi që ka vepruar.


-Ka marrë dokumente shtetërore sekret dhe ua ka dhënë bandave.

Edi Rama: Për ato arsye që thotë organi përkatës, ai është sot prapa hekurave. Për këtë e kemi ndërtuar drejtësinë. Përzgjedhja e njerëzve bëhet mbi bazën e atyre që di, jo mbi bazën e asaj që njerëzit mund të bëjnë nesër. Shumë njerëz në rrugën e jetës devijojnë, bien në grackën e përfitimit të paligjshëm dhe për këtë arsye ka një sistem që i ndëshkon. Edhe në familje mund të ndodhë që fëmija që ke rritur e edukuar, mund të ndodhë që të del binarëve.

Gazetari Blendi Fevziu i përmendi edhe faktin që 3 emra nga kjo listë deputetësh kanë probleme me drejtësinë, përkatësisht Rrahman Rraja, Jurgis Çyrbja dhe Lefter Koka.

Kreu i qeverisë u përgjigj kështu: Pse i fut të gjithë në një thes?! Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen dhe s’ka pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë. Nuk ka arritur dot të menaxhojë ose të ketë një djalë që nuk ia nxin faqen.

Ai shtoi se reformën në drejtësi që tanimë po funksionon e ka sjellë Partia Socialiste dhe jo amerikanët.

A do shkojë në SPAK nëse e thërrasin? Edi Rama i përgjigjet Blendi Fevziut në “Opinion”

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse SPAK e thërret do të shkojë atje. Gjatë emisionit “Opinion” ai tha se vajtja në Prokurorinë e Posaçme nuk është fajësim.

I pyetur nëse e di që SPAK ka hapur hetim për rastin McGonigal, Rama tha se nuk ka asnjë problem dhe se kjo histori e bën për të qeshur.


Blendi Fevziu: Nëse SPAK do ju thërrasë, do shkoni zoti Rama?

Edi Rama: Mua?

Blendi Fevziu: Po!

Edi Rama: Po pse mos të shkoj. Patjetër. E vajtura në SPAK nuk është fajësim.

Blendi Fevziu: A e dini që ata kanë hapur një hetim për McGonigal?

Edi Rama: Ata të hapin çdo hetim që shohin të arsyeshme nuk kam asnjë problem unë. Dhe kjo çështje e McGonigal sidomos mua më bën shumë për të qeshur. Më krijon një të papërmbajtur gaz kur thoshte Konica.

Blendi Fevziu: Pse?

Edi Rama: E kemi shpjeguar këtë tani. Me këtë do merremi tani? Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim. U premtove njerëzve që do flasim për ekonominë dhe pensionet. Tani shkojmë te McGonigal merremi me telefonin e një hallexhie, dalim ke këta hallexhinjtë e tjerë. Këta janë njerëz në hall.

Rama rrëfen netët pas daljes nga spitali: Më ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe…

Kreu i qeverisë Edi Rama u ndal sot në “Opinion” edhe te problemet e tij shëndetësore. Në fillim të këtij muaji, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurigjikale të hernies inguinale. Ai rrëfeu se pavarësisht se i duhej të qëndronte 3 ditë në spital, të nesërmen ai inauguroi Xhaminë e Namazgjasë me Presidentin turk.

E sigurisht për të qenë në formë, Rama tha se u detyrua të përdorë ilaçe që i shkakton pagjumësi.


“Mua më ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe. Jo fakti që shkova në spital dhe bëra operacion se s’kishte asnjë fatkeqësi. Vajta në spitalin publik, bëra për të dytën herë operacion dhe për të dytën herë pashë të gjithë mënyrën si funksiononte duke dalë natën nëpër korridore dhe asnjë ndryshim nga asnjë spital jashtë vendit. Mirëpo ngaqe dola kundër shkencës komplet, pasi duhet të rrija 3 ditë në regjim shtrati. Dola që të nesërmen sepse do vinte miku nga Ankaraja, duhej të hapej xhamia, duhet të rrija në këmbë. Dhe përdorja ilaçe shumë të forta që të linin pa gjumë dhe çfarë bëja gjithë natën?! I bëja vetes një dëm të jashtëzakonshëm, fillova të futem..Se unë nuk i shohin këto programe. U futa në Youtube pashë këto fragmentet që nxirrni ju, futu tek ti, dil tek dritarja tjetër. Filluan të dalin ato, o Zot! Çfarë u serviret shqiptarëve çdo natë!!”, tha Rama në “Opinion”.

“O satelit pa bisht”, Monika Kryemadhi i përgjigjet Edi Ramës. Si reagon kryeministri në “Opinion”

“Pa merak o satelit pa bisht se ne këmbësorët ta kemi fijen për të të sjellë me këmbë në “tokë”.

Kjo ishte përgjigja e deputetes Monika Kryemadhi dhënë direkt në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion”.


E pikërisht këtë reagim, Blendi Fevziu ia lexoi kreut të qeverisë live në studio.

Por fjalët e Kryemadhit, për Edi Ramën nuk tregojnë asgjë tjetër veçse degradim të bisedës dhe gjuha e saj tregon se ajo është në hall sipas tij.

“Ça është kjo tani. Pse na e degradon këtë bisedë se të vjen një letër nga. E dëgjon tani çfarë gjuhe, ata janë njerëz në hall”, u shpreh Rama.

Kryeministri: Kush merret me “sarajet” e mia, është për Bathoren…

Eksponentë të shumtë politikë të së djathtës e jo vetëm i janë referuar gjithnjë banesës së kryeministrit Edi Rama si “sarajet e Surrelit”. Edhe për këtë, kreu i qeverisë Edi Rama e ka një përgjigje sonte në “Opinon”.


“Unë jetoj në një shtëpi që është e ndërtuar si qindra, mijëra shtëpi që kanë ndërtuar shqiptarët me dy, tre, pesë kate. Unë nuk e kam me dy, tre kate.. E kam sipas dëshirës, kënaqësisë dhe mënyrës si e shoh unë botën. Është një shtëpi e çuditshme! Mbi mua, 30 metra është një familje nga veriu që kanë ardhur vite përpara dhe kanë një super shtëpi me 3 kate dhe ta gëzojnë, janë njerëz punëtorë… Dhe palaçot përdorin fjalën saraje, pse janë saraje?! Tani, të lutem mos më fol për injorantë! Nuk matet me 50 metra se nuk është hapësirë banimi e gjitha. Është muri rrethues…Është arkitekturë dhe për arkitekturën pastaj ne kemi një ndarje epokale. Jam për arkitekturën që e ka bërë Tiranën kryeqytetin turistik. Kush merret me sarajet e mia, është për Bathoren…Mrekullinë e 7-të të botës!”, tha Rama.

Bileta për ndeshjen në NBA, Rama: Ftesë nga një mik pa lidhje me Shqipërinë, nuk është dhuratë

Gazetari Blendi Fevziu e pyeti kryeministrin Edi Rama në emisionin “Opinion” në lidhje me akuzat e opozitës për një biletë basketbolli ku kreu i qeverisë ka parë një ndeshje të NBA-së.

Rama tha se bileta në fjalë ka qenë e rezervuar nga persona që e bëjnë këtë për vite me radhë. Ai u shpreh se nuk ka asnjë biletë të marrë apo të blerë. Rasti, sipas tij, është njësoj si ta ftonin në restorant apo në kafe.

Kur u pyet se kush është personi që e ka ftuar, Rama tha se është një mik pa lidhje me Shqipërinë dhe nuk ka arsye ta deklarojë sepse nuk është dhuratë, por një ftesë, njësoj si ta ftonin në restorant apo kafene.


Blendi Fevziu: Si ishte puna e asaj biletës së basketbollit? Zoti Meta për 15 mijë Euro operacione në Vjenë është atje ku është. Ju uleni atje tek ai stoli i basketbollit. Sa kushtonte bileta?

Edi Rama: Faleminderit që ma bëre këtë pyetje.

Blendi Fevziu: Sa kushtonte?

Edi Rama: Ajo biletë as nuk blihet e as nuk shitet. Ato janë vende të rezervuara nga personat që i kanë marrë për vite të tëra.

Blendi Fevziu: Që në rastin konkret kush ishte?

Edi Rama: Po ç’rëndësi ka kush ishte? Miq të mi… Dhe që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Në Amerikë kjo gjë është njësoj sikur të fton dikush në restorant.

Blendi Fevziu: Miq që kanë interesa në Shqipëri, apo miq që s’kanë lidhje me Shqipërinë?

Edi Rama: Jo fare. Do me korruptonte mua me biletën? Këto janë muhabete kot o Fevzi tani. Unë as kam marrë biletë, as kam parë biletë, as kam vënë njeri të blejë biletë, as ka blerë njeri biletë. Në SHBA vendet e rezervuara janë në të gjitha llojet e sporteve. Rezervohen nga njerëzit jo thjesht për vete që të shkojnë çdo herë, por edhe për të ftuar miq siç ftohen në restorant, siç ftohen në kafe. Meqë hape çështjen e dhuratave unë po të them. Unë jam i pari kryeministër në historinë e këtij vendi. Tani nuk po fus kohën e komunizmit se atëherë nuk kishte të tilla që çdo dhuratë me dhuratat që më vijnë se vjen një delegacion dhe lënë dhurata. Dhuratat në raste të caktuara kanë vlerë shumë të madhe. Unë me dhuratat e marra kam krijuar një muze në kryeministri dhe çdo dhuratë që vjen për mua regjistrohet si pronë e Republikës së Shqipërisë. Dhe vetëm në ora në vlerë që janë të regjistruara si pronë e Republikës së Shqipërisë bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha. Pra që të jemi shumë të qartë.

Blendi Fevziu: Pyetja ime është kush është personi që ju ka ftuar?

Edi Rama: Është një mik pa asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk kam arsye ta deklaroj sepse nuk është dhuratë. Është një ftesë. Është njësoj, atëherë duhet të deklarojmë me kë ishim në restorant, me kë ishim në kafe. Nuk i kemi këto detyrime. Po të shpjegoj pyetja ime është. Ore këta kryeministrat e tjerë, kanë marrë dhurata këta? Se unë kur kam vajtur në kryeministri kam gjetur “terra vuota”, asnjë gjë. Pyetja ime është a kanë marrë a s’kanë marrë dhurata.

Rama flet për pensionet me tabelë, replikon Fevziu: Do i rrisësh apo jo? Ato janë si vizatimet e tua…

Ka patur disa replika mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kryeministrit Edi Rama sonte në “Opinion” sa i takon pensioneve. Rama e shpjegoi përmes një tabele me statistika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, situatën ekonomike të vendit.

Edi Rama: Shikoje borxhin sot, të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mos harro se kemi pasur tërmet, pandemi.. Shiko mesataren e rajonit…


-Do i rrisësh rrogat e pensionet apo jo?

Edi Rama: Pse nuk kam premtuar, më nxirr premtime për rritje pensionesh më përpara. U kam thënë që do bëjmë çmos të rrisim mundësitë.

-E ke premtuar para 2013-ës.

Edi Rama: O zot! Sot kemi mundësi që të flasim për pensionet…

-Sa do rriten pensionet?

Edi Rama: Këtu kemi shpenzimet në sektor, shikoje sa e kemi rrit mbrojtjen sociale. Ka qenë 870 mln euro dhe është 1 mld e 900 euro.

-Shko njëherë në supermarket shiko çmimet. Ato janë tabela me ngjyra, si vizatimet e tua…

Edi Rama: Pse ma banalizon tani?! Kështu flitet për ekonominë, jo me hamendje. Ti merri e verifikoji.

-Ku ta verifikoj?!

Edi Rama: Banka Botërore, vazhdojmë…

-Ore si do jetojë zonja me 200 mijë lekë?

Edi Rama: Unë po flas me zonjën, jo me ty. Po i them se si është situata, si ka qenë dhe çfarë mund të bëjëm ne për pensionet. Këto janë shpenzimet në raport me rajonin.

Rama theksoi se sot mesatarja e pensionist është 183 euro.

Dënimi i Salianjit, Rama: Po ta kontrolloja drejtësinë nuk do zgjaste 6 vjet gjyqi

“Ai vendim është një lajm nga më të mirë që të kam dëgjuar”.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama kur u pyet në lidhje me vendimin për dënimin me burg të ish-deputetit Ervin Salianji. Kreu i qeverisë tha në “Opinion” se Salianji është “një fabrikant faktesh të paqena, një mashtrues popullor që ka përdorur mandatin e deputetit të opozitës për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik”.

Rama shtoi se e dinte që në ditën e parë që rasti në fjalë ishte fabrikim dhe ka pritur 6 vjet që të shohë drejtësinë. Koha e gjatë e pritjes, sipas tij, është një përgjigje për kritikët që thonë se kontrollon drejtësinë. Nëse do kishte qenë gjykatës, Rama tha se do e kishte dënuar Salianjin prej kohësh.


Blendi Fevziu: Ku e dinit ju që Salianji do dënohej që i thatë do ta shohësh dhe ti do të dënohesh, në parlament?

Edi Rama: Jo, unë nuk i thashë kështu. S’i thashë do ta shohësh. I thashë që nuk do e shtysh pafund me raporte, me ikje dhe me shmangie. Unë dija atë që kam ditur që ditën një që ai ishte një fabrikim i ndyrë, skandaloz dhe kam pritur unë 6 vjet unë që ta shoh këtë rezultat. Nëse unë do kontrolloja drejtësinë dhe do isha gjykatës ai do ishte prej kohësh aty kush është sot.

Blendi Fevziu: Po të ishte gjykatës?

Edi Rama: Po patjetër, por s’jam.

Blendi Fevziu: A keni ndikuar ju tek gjykatësit që të jetë atje ku është sot?

Edi Rama: O Fevzi ta thashë pra se ti edhe s’dëgjon. Po ta kontrolloj unë drejtësinë nuk do zgjaste 6 vjet. Kurrë. Sepse është një krim shumë i rëndë. Është vrasje pa gjak dhe pa të marrë jetën, por duke i marrë shpirtin, duke i marrë trutë e kokës jo një personi sepse në fund të fundit personi i goditur drejtpërdrejt, ministri i Brendshëm, unë që jam këtu, nuk është normale, por prapë i kemi dalë kësaj pune përballë. Por janë nëna. Janë prindër. Janë fëmijë. Janë nipër. Janë mbesa që dëgjojnë këto tmerre dhe llahtarisen njerëzit nga gjithë ky tmerr. Këtë lloj tmerri më vjen keq ta them se je një nga përgjegjësit nuk e përjeton as Serbia, as Kosova, as Mali i Zi, as Maqedonia e Veriut, as Bosnja. Në të gjitha këto vende në rajonin tonë nuk ndodh kjo, nuk i kanë këto situata terrori të shpifjes dhe baltës çdo darkë.

Krijimi i “Shtetit Bektashi”, Edi Rama përgjigjet në “Opinion”: Po ta kisha unë në dorë do e kisha bërë

Krijimi i “Shtetit Bektashi”  të ngjashëm me atë të Vatikanit  në zemër të kryeqytetit vazhdon të mbetet ende një ndër temat më të nxehta të opinionit publik. Kryeministri i vendit, Edi Rama në një intervistë ekskluzive mbrëmjes e kësaj të enjteje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan “shkoqiti” gjithë idenë e tij.

Gjatë përgjigjeve të tij ai u shpreh i vendosur për krijimin e “Shtetit Bektashi” në një territor prej 11 hektarësh brenda perimetrit të Kryegjyshatës. Megjithatë Rama tha se kjo temë kërkon sqarime të mëtejshme duke shtuar se krijimi i këtij “mikro Vatikani” nuk sjell asnjë risk apo dëm për shtetin shqiptar.


Blendi Fevziu: New York Times një prej gazetave më autoritareve sot në planet publikon një artikull ku ju citoheni, ju dhe Baba Mondi, për idenë e ndërtimit të një shteti bektashi prej 11 hektarësh, në zemër të kryeqytetit shqiptar. Nuk u kuptua se çfarë ishte, u përmend dhe në OKB. A mund të ma sqaroni se çfarë ishte?

Edi Rama: Kjo do një bisedë më të gjatë. Nuk është një nga këto përgjigjet e shpejta që do ti.

Blendi FevziuAtëherë po e bëj pyetjen më të qartë. Jeni i i vendosur për ta bërë këtë gjë?

Edi Rama: Kjo do një diskutim më të qetë. Unë besoj se kjo është një ide e cila, një ditë nuk diskutohet se do të realizohet.

Blendi Fevziu: Është trill apo është një ide konkrete?

Edi Rama: Është një ide konkrete dhe është një ide shumë pozitive për Shqipërinë, për shqiptarinë, për kulturën dhe traditën shqiptare, për pozicionin tonë në hartën më të madhe të kontinentit dhe të botës, po të doni. Pa diskutim! Përsëri po i referohem historisë, ti e di shumë mirë se çfarë roli kanë bektashinjtë në historinë e vendit tonë dhe çfarë fenomeni kulturor janë bektashinjtë.

Blendi Fevziu: Jo e kam vetëm tek funksionimi.

Edi Rama: Dhe tjetra është që ky është një thesar i trashëgimisë tonë kulturore që rrezikon të zhduket sepse është një komunitet që e ka qendrën botërore në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Por, a është dakord Irani me 70 milionë dhe Turqia me 10 milionë, për këtë qendër?

Edi Rama: Pse do të pyes unë ça është dakord Irani? Ne po flasim njëherë “pse-në” e dobisë kombëtare të kësaj ideje.

 Blendi Fevziu: Pra jeni të vendosur për të ndërtuar një shtet?

Edi Rama: Tani kjo nuk është një gjë që jam i vendosur unë dhe e kam unë në dorë të gjithën dhe e bëj unë. Po ta kisha unë të gjithën në dorë do e kisha bërë.

Blendi Fevziu: Kush e ka në dorë?

Edi Rama: Kjo duhet diskutuar, kjo duhet shpjeguar. Qendra botërore është këtu e para dhe nuk funksionon si një e tillë. E dyta ky është një komunitet që ndryshe nga komunitete e tjera fetare, nga komunitetit mysliman, nuk i përket një bashkësie globale, siç janë myslimanët dhe katolikët. Ata janë pjesë e një rrjeti dhe kanë mundësi të edukojnë imamët, priftërinjtë të gjithë klerikët e rinj nëpër shkolla, kanë mundësi të marrin mbështetje, donacione dhe vëmendje. Ndërkohë që ky është një thesar shqiptar, është një komunitet shumë i veçantë dhe dhënia e një statusi të veçantë këtij komuniteti.

Blendi Fevziu: Të një statusi të veçantë apo të një shteti?

Edi Rama: Të një statusi të veçantë, të një juridiksioni. Është ngritje e një tjetër piedestali i një thesari të kulturës shqiptare. Të gjithë duhet të kenë parasysh që bëhet fjalë për të njëjtin perimetër brenda mureve të cilit është Kryegjyshata dhe brenda atij perimetri jepet një juridiksion i posaçëm. Ai entitet aty, me atë juridiksion të posaçëm nuk është një shtet në kuptim që vendos taksa, që ka policinë apo ushtrinë, por është një entitet me një imunitet diplomatik, me një përfaqësim diplomatik dhe në një farë mënyre është një “mikro Vatikan” që funksionon për komunitetin bektashi, por që është i hapur për të tërë. Vetëm efekti ekonomik i kësaj lëvizjeje për shqiptarët është i pallogaritshëm. Të gjitha artikulimet janë çështje detajesh, ideja është kjo dhe çdo shqiptar që ka respekt për historinë, për gjithë diversitetin e kësaj bashkësie shqiptare duhet ta shikojë këtë si një gjë që është vetëm vlerë e shtuar, nuk ka asnjë lloj risku apo dëmi.

106 vjet për anëtarësim në BE? Rama: Ne e bëjmë gati që të futet në 2029-ën…

Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria i ka shanset e plota për anëtarësim në vitin 2030. Madje ai theksoi se qeveria do e bëjë gati vendin edhe për më herët se aq.

“Shqipëria ka të gjitha mundësitë dhe ne do e bëjmë gati që të futet në BE në 2029-ën, 2028-ën. Pastaj futja është vendim politik, për të cilin do luftojmë siç kemi bërë gjithmonë.”


Rama iu përgjigj edhe deklaratës së Sekretares së Përgjithshme të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal  Majlinda Bregu. Kjo e fundit ka thënë se nëse vendi ynë ndjek hapat e Malit të Zi, do i duhen plot 106 vjet për t’iu bashkuar Unionit.

“Për nga aritmetika është 7×7=42. Unë nuk di të bëj asgjë tjetër siç bëra deri tani përveçse të flas me fakte. Lufta me faktet është e pakëshillueshme, këto janë faktet për ekonominë, pensionet dhe për Shqipërinë anëtare të BE-së. Meqë zonja përmendi Malin e Zi. Nuk na intereson shumë a na i hapin ose jo politiikisht, por kur Komisioni Europian thotë hapini, kjo do të thotë se i kemi bërë detyrat. Kur të na hapen negociatat, ne do jemi më përpara”, tha Rama këtë të Enjte në “Opinion”.

/tvklan.al