Të ftuar:

Edi Rama -Kryeministër i Shqipërisë

Lorenc Vangjeli – Gazetar

Andi Bejtja – Gazetar

Ervis Iljazaj – Gazetar

Robert Rakipllari – Gazetar

Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një të ri në vend të tij.

Sipas tij, godina e Teatrit Kombëtar është “një godinë që ka marrë fund dhe s’ka asgjë për të ruajtur, zero” dhe si pasojë “do të shembet”.

Deklarata e Ramës vjen pak orë pasi Parlamenti pranoi dekretin e Presidentit që kthente për rishqyrtim ligjin për Teatrin e ri dhe amendoi ligjin në fjalë duke rihapur garën për ndërtimin e godinës së re të këtij institucioni, në përputhje me kërkesën e institucioneve europiane.

Opozita e cilësoi antikushtetuese këtë hap dhe përmes një letre, kërkoi që mos të amendohej ligji sa kohë që pranimi i dekretit e bënte nul atë.

“Skena e këtij teatri është 8 metra e gjerë. 8 metra e gjerë është skenë për vatër kulture, jo për godinë teatri bashkiak në një vend normal dhe lërë më për skenë të një Teatri Kombëtar. 24 metra e gjerë është skena e Turbinës. E para kjo… E dyta, ka funksionuar nën logon e Teatrit Kombëtar, por ka qenë jashtë të gjitha standardeve të imagjinueshme për një teatër normal. Është një godinë ku t’i nuk fton dot një trupë të huaj, sepse nuk të ngjitet një trupë e huaj në atë skenë. Është një godinë ku të gjithë ata që kanë dhënë jetën atje kanë sakrifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është një godinë të cilës i ka ardhur fundi.”

Sipas kreut të qeverisë, godina e Teatrit Kombëtar “nuk ka asnjë lloj vlere nga pikëpamja e një trashëgimie kulturore, e cila të mund të justifikojë qëndrimin e saj atje si një varr i hapur. Ajo s’mund të jetë teatër, ajo s’mund të jetë muze, ajo s’mund të jetë destinacion, s’mund të jetë asgjë.”

I komentuar shpesh për veshjen nga mediat vendase e deri në ato ndërkombëtare, Kryeministri Edi Rama dallon gjithmonë për shijen e tij, që siç e ka komentuar në të shkuarën “shumë shpejt kthehet në modë”.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në Televizionin Klan, kreu i qeverisë shqiptare nuk mund të mos zgjidhte një veshje dhe një kombinim me detaje që nuk kishin si të mos binin në sy.

Kostumin elegant, Kryeministri e kishte plotësuar me një kollare me motive lulesh, ku binte në sy ngjyra e verdhë, ashtu sikurse edhe një spilë në formë ylli me gjashtë cepa, në qendër të së cilës ishte shqiponja.

Padyshim që nuk mund të mungonin atletet e bardha, për të cilat shpesh është kritikuar. Këtë herë Kryeministri kishte zgjedhur modelin All Stars, duke kompletuar kështu një tjetër look, që e dallon atë nga politikanët e tjerë.

Këtë të enjte, kreu i qeverisë shqiptare është përballë një paneli gazetarësh dhe pritet që të flasë për disa prej temave më të diskutuara të momentit, si ligji për teatrin, vetting-u në politikë etj.

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje liderëve të Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, që të krijojnë një proces, duke nisur edhe nga një konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë.

“P.sh. një pyetje tjetër dhe këtë ta dëgjojë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, në vend se të bëjnë deklarata me njëri-tjetrin, jo dil në luftë, jo do bëjmë luftë, ta dëgjojnë këtë: Kur ndërmorën atë nisëm që bëri histori dhe që nuk pyetën fare as për gazetarë as për ndërkombëtarët dhe që morën edhe damkën e terroristëve edhe nga Tirana u sulmuan si të ishin terroristë, shkuan në Amerikë krijuan lidhje dhe kanë marrë mbështetje të jashtëzakonshme edhe nga diaspora shqiptare e Amerikës. Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë ne na duhet një proces”, tha kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “po jetojmë një moment historik për të cilin jemi të pavetëdijshëm. Jemi të pavetëdijshëm dhe për fat të keq, deri më tani të paktën, po sillemi me historinë si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë. Tema është shumë e rëndë.”

Blendi Fevziu: Çfarë dini ju për këtë marrëveshje?

Edi Rama: Këtu fillon problemi, sepse kemi disa javë në mos gabohem a mos më shumë, që dëgjojmë komente për diçka që askush nuk di asgjë. Secili komenton versione të një gjëje që askush nuk e di çfarë është.

Blendi Fevziu: Ju jeni Kryeministër i Shqipërisë, çfarë dini ju për këtë?

Edi Rama: Asgjë.

Blendi Fevziu: Si asgjë, e keni dëgjuar në TV vetëm?

Edi Rama: Unë kam dëgjuar vetëm komente të klubit politik dhe mediatik shqiptar që më kujton ‘klubin e Selanikut’ të Çajupit.

Blendi Fevziu: A ju ka informuar Presidenti Thaçi?

Edi Rama: Unë e përjetoj me dhimbje realitetin bashkëkohor të të jetuarit brenda këtij klubi. Jam shumë serioz, është dramatike.

Blendi Fevziu: Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje?

Edi Rama: Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.

Kryeministri Rama tha se kishte biseduar me Presidentin Thaçi, por nuk kishte asnjë dijeni për asnjë lloj detaji.

Edi Rama: Ky është një moment historik që nuk mund të këputet duke u ndarë edhe një herë dhe duke bërë politikën e qenve që lehin dhe kafshojnë njëri-tjetrin duke personalizuar historinë…Opinioni im është ky, unë nuk e kam përgjigjen që të të them që kjo është zgjidhja, por mund të them se… e para një herë, nuk është kritikë për Hashim Thaçin, unë mendoj se personalizimi i kësaj gjëje është diçka që mund të ketë një kosto shumë të madhe, është një gjë që mund të ketë një kosto shumë të madhe. E di cila mund të jetë kostoja? Do ikë ky shans dhe pas 30 vitesh do të takohemi prapë. Ju do takoheni, se unë dhëntë zoti s’do kem më nevojë të vij tek studioja e Fevziut atëherë.

Blendi Fevziu: Çfarë shansi? Sepse ju thoni se nuk dini gjë konkrete?

Edi Rama: Këtu janë disa faktorë me radhë, sot Kosova ka perspektivë të qartë apo s’ka? Ma thoni pak. Sot Kosova ka 5 shtete të BE që nuk e njohin, nuk po marr ato të tjerat. Sot Kosova e ka Serbinë të ulur Brenda, nuk bën dot asgjë pa marrë ata. Po s’u futën serbët në qeveri s’bëhet. Ky shtet sot që një pjesë nuk e njeh, një pjesë tjetër dominohet nga Serbia, me Veriun që është në një situatë ku ‘de fakto’ s’ka asgjë tjetër përveçse një dominim të pakicës serbe atje dhe me një dialog që është marrë përsipër, por nuk është implementuar asgjë. Jemi në një ngërç të madh dhe bota nuk është më jo ajo e viteve ‘90, por as ajo e para 3 viteve”.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”, Kryeministri Edi Rama foli edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje të mundshme mes dy shteteve. Kreu i qeverisë shqiptare u pyet edhe nëse ka pasur ndonjë rol për bisedimet mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiç.

Blendi Fevziu: A e keni lehtësuar ju një marrëveshje mes Vuçiçit dhe Thaçit, personalisht?

Edi Rama: Në qoftë se ka ndodhur më vjen shumë mirë, por nuk më rezulton që të kem patur ndonjë rol në komunikimin mes tyre.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, tha se propozimin e Partisë Demokratike për vetting në politikë do ta dërgojnë në komisionin e Venecias.

“Tek vettingu, këtë çmenduri ne do ta çojmë në Venecia. Që të jemi shumë transparentë me të gjithë njerëzit që jo s’kemi frikë Nëse Venecia thotë se kjo është një gjenialitet, që parlamenti d.m.th. ne, do të caktojmë njerëzit që do të na gjykojnë ne…Pse ore shqiptarët budallenj janë? Si ore do të bëjë Lulzim Basha vettingun e Lulzim Bashës?…Vettingun në politikë e bën SPAK-u dhe institucionet e tjera.”

Kryeministri Edi Rama thotë se opozita po përpiqet të shmangur betejën politike të cilën e ka të humbur, me propozimin për vettingun në politikë.

I vënë përballë gazetarëve Lorenc Vangjeli, Ervis Iliazaj, Andi Bejtja dhe Robert Rakipllari si dhe drejtuesit të emisionit “Opinion”, gazetarit Blendi Fevziu, Rama tha se “kjo është një përpjekje për të shmangur në një hulli tjetër betejën politike, që ata janë të humbur. Ata nuk fitojnë dot zgjedhje, e tha Saliu vetë në mënyrë të përsëritur. E tha apo jo? Ne nuk fitojmë dot me vota me Edi Ramën.”

Robert Rakipllari: Sepse Rama i vjedh votat…

Edi Rama: Ky është një tjetër trup i juaji, sepse ju duhet të bëni sondazhe, ju flisni vetëm me njëri-tjetrin, nuk bëni informim. Bëni sondazhe. Nëse votat blihen edhe vidhen, sondazhet nuk blihen edhe vidhen. Bëni sondazhe dhe shikoni… Unë po ju them sot, nëse votohet sot ne marrim më shumë deputetë se kemi dhe ata marrin më pak, sot.

Kryeministri Edi Rama tha se dialogu Kosovë-Serbi është një shans historik që do të vendosë fatin e shqiptarëve kudo ku janë për 30 vitet e ardhshme.

Nga studioja e emisionit “Opinion” mbrëmjen e së enjtes, Rama bëri thirrje që të gjithë liderët shqiptarë në nisin një proces gjithëpërfshirës konsultimesh në mënyrë që ky shans të mos humbet.

Lidhur me deklaratat e Presidentit Thaçi, i cili është shprehur për korrigjim të kufirit Kosovë-Serbi dhe për dialogun Prishtinë-Beograd, “edhe me Ditmirin ne bëjmë shumë debat për këtë. Debati që bëjmë me njëri tjetrin, sepse është debat shumë i madh ky. Unë flas me shumë njerëz, jo politikanë po edhe shumë të tjerë, për të pasur fokus, se nuk është punë amatorësh kjo. Kjo kërkon realisht shumë profesione, shumë ekspertizë, shumë dashuri për këtë vend, këndej dhe andej bjeshkëve dhe mbi të gjitha kërkon vizion strategjik. Për sa i përket çfarë kam folur konfidencialisht, po e them prapë, kjo është një dilemë, nuk diskutohet. Ky është një moment historik, unë nuk e diskutoj që ky është një moment historik. Dhe tema kë një peshë shumë të madhe. Zgjedhja që ne bëjmë sot, për ta braktisur fare, për ta kthyer mbrapa, për ta çuar përpara, do të vendosë 30 vitet e ardhshme, jo për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët.”

Lidhur me kundërshtimin e Gjermanisë dhe Merkelit sidhe lëkundshmërinë e SHBA-ve përballë një marrëveshjeje të mundshme Kosovë-Serbi për shkëmbim territoresh, Rama tha se “Merkeli është liderja e Europës, unë jam lideri i Shqipërisë. Merkel është absolutisht e saktë në shqetësimin e saj, unë e kam shqetësimin e saj, por nuk kam hallin e të gjithë Europës, kam si fillim hallin e shqiptarëve.”

“Unë jam shumë i qartë se ne jemi përpara një shansi historik dhe kemi më shumë gjasa ta humbasim sesa ta fitojmë nëse sillemi si amatorë. Këtë di unë. Por unë nuk jam as presidenti as kryeministri i Kosovës dhe të them të drejtën nuk e kam zili fare pozicionin që ndodhet Thaçi.”

Korrigjimi i kufijve dhe arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ishte në qendër të diskutimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe panelit të gazetarëve në studion e “Opinion”, në Televizionin Klan. Kreu i qeverisë u pyet nëse korrigjimi i kufijve ka si qëllim një bashkim të mundshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pavarësisht insistimit, Rama tha se nuk kishte një përgjigje për këtë.

“Çfarë është korrigjimi? Korrigjimi i kufijve nuk është qëllim, është mjet. Dialogu nuk është qëllim, është mjet. Kush është qëllimi?”

Fevziu: Kush është qëllimi? Bashkimi i Shqipërisë më Kosovën është qëllimi? Për çfarë e bëjnë dialogun?

“Unë po ngre pyetje, po bëj avokatin e djallit. Për çfarë e bëjnë dialogun? Juve thoni, pse shtet mund të jetë, vazhdoni dialogun, ç’është ky tmerr? Jeni të bindur ju se dialogu si instrument do t’ju çojë tek qëllimi që keni, që Serbia të thotë ok, ky është shtet i pavarur? Unë nuk jam i bindur”.

Megjithatë, Rama insistoi se korrigjimi i kufijve duhet të vijë si hap për një qëllim të qartë që do ta çonte Kosovën përpara. Kryeministri u shpreh kundër ndërmarrjes së këtij hapi pa një qëllim të caktuar e madhor.

“Një pyetje për shembull, përgjigjen që e di jua them. Po ju them çfarë nuk duam. A t’i korrigjojmë kufijtë? Që të marrim njohjen, të futemi në OKB, por të mbetemi siç jemi, jo me Atisarin, jo me këto, nuk ia vlen fare t’i hysh diskutimit. Këtu çështja është qëllimi, rruga drejt qëllimit. Dhe pastaj energjitë që do të bashkohen gjatë qëllimit dhe janë edhe dy partnerët. Kemi dy partnerë themelor strategjikë. Kemi Gjermaninë që është në pozicion rigjit dhe SHBA që është pozicion fleksibël”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti një shans historik, momentin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një interviste me gazetarë dhe analistë në studion e “Opinion”.

Rama nuk pranoi të japë një përgjigje të qartë për qëndrimin e tij, por citoi Ibrahim Rugovën që fliste për shkëmbim territoresh në vitin 1992.

Në Opinion Rama foli edhe për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për idenë e vettingut në politikë.

Për të bindur gazetarët në studion e Opinion se vërtet ka dilema mbi idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Edi Rama pranoi se debaton edhe me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, që është shprehur kategorikisht kundër kësaj ideje.

Por megjithëse nuk pranoi të japë një përgjigje koncize mbi këtë çështje, u duk se kryeministri anon në anën e një marrëveshjeje, kur citoi Ibrahim Rugovën.

Rama pranoi se kishte folur edhe me Vuçiç për këtë çështje, por normalisht, presidenti serb qëndron në anën tjetër të interesave.

Për temën e Teatrit Kombëtar, kryeministri nuk ka dilema, as nostalgji dhe as emocione. Godina, sipas tij, nuk ka asnjë vlerë të trashëgimisë kulturore, ndërsa kullat në Tirane, janë shume pak.

Tonet në “Opinion” i ngriti ideja e vettingut në politikë, lidhjet e politikes me krimin dhe komentet për to.

Rama nuk pranoi se nga dekriminalizimi e pësuan deputetet e Partisë Socialiste, nga e cila u penalizua vetëm një deputet tha ai, legjislaturën e kaluar.

******************************

“Kinds Education” sistemi britanik i arsimimit!