#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
48 orë nga zgjedhjet e 11 Majit në të cilat shqiptarët do të zgjedhin kush do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ekipi i tij përballë gazetarëve në “Opinion”.
Të ftuar: Edi Rama, Adea Pirdeni, Marjana Koceku, Delina Ibrahimaj, Erion Malaj, Mirela Milori, Fatjona Mejdini, Mark Marku, Neritan Sejamini
E premtja e fundit përpara zgjedhjeve të 11 majit. Sipas një tradite, emisioni “Opinion” ka marrë në natën e fundit të fushatës elektorale kryetarin e partisë që është në pushtet, ndërsa një ditë më parë, kryetarin e partisë më të madhe të opozitës. Dje, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha me ekipin e tij ka qenë në studio përballë një paneli gazetarësh. Sot është radha e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama i cili bashkë me 4 pjesëtarë të ekipit të tij do të përballen me gazetarët.
Rama: Projekti i inceneratorit është i duhuri, por individë të caktuar nxorrën përfitimet e tyre
Inceneratorët kanë qenë një “patate e nxehtë” për vite me radhë pas akuzave të vazhdueshme të opozitës për vjedhje, deri sa drejtësia ngriti akuza konkrete dhe ka shpallur dënime ndaj zyrtarëve të caktuar.
Megjithatë, Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, e konsideron legjitim planin për inceneratorin, teksa shtoi se persona të akuzuar për këtë dosje kanë nxjerrë përfitimet e tyre.
“Te inceratorët projekti është i duhuri, plani është legjitim dhe pikërisht pse brenda procesit të projektit ka pasur individë që kanë nxjerrë përfitimet e tyre, është dhe pjesa që ka të bëjë me korrupsionin. Nuk është paguar asgjë për të bërë incenerator, për Tiranën flasim, 2 të tjerat nuk janë bërë me paratë e shtetit, janë bërë me të privatit. Shteti në mënyrë periodike ka paguar për vite të tëra deri sa tani i ka marrë në pronësi”, u shpreh Kryeministri.
Sa i përket zyrtarëve të akuzuar dhe dënuar, Rama thotë se ky është fryt i Reformës në Drejtësi.
“Kjo burgjet e mbushura plot është rezultati i gijotinave mediatike dhe i faktit që të gjitha mexheliset e debatit mediatik merren 95% me këtë punë. Ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Nga njëra anë është e qartë dhe nuk diskutohet sepse ky ka qenë qëllimi, reformën në drejtësi e kemi bërë, që të bëhet drejtësia që të godasë majtas dhe djathtas. Po flas për një atmosferë gijotine, për gjyqe që bëhen nëpër media”.
“Dixhitalizimi i shërbimeve publike uli korrupsionin”, Rama: Fakti që kanë rënë denoncimet lidhet me…
Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se vetëm nga dixhitalizimi i shërbimeve publike është pastruar një pjesë e mirë e korrupsionit në vend.
Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Rama thekson se fakti që kanë rënë denoncimet lidhur me korrupsionin tregon që korrupsioni është ulur në vend.
Kreu i qeverisë është ndalur edhe tek prokurimet publike për të cilat ka thënë se janë të vlerësuara nga instrument të KE si prokurimet më me integritet në rajon.
Edi Rama: Në qoftë se ne sot jemi në tryezë me BE dhe na ka dhënë afat 2027 kjo vjen pikërisht sepse ne kemi bërë shumë gjëra në aspektin që po flasim sepse po të mos i kishim bërë nuk kishim shanc të uleshim ne në tryezë negociatash. Unë po të marr një shembull shumë të thjeshtë. Shqipëria ka qenë një vend rradhësh për të marrë një çertifikatë dhe ka qenë një vend bashkishi në çdo anë. Vetëm nga transformimi i shërbimeve publike që i kemi kaluar në shërbime dixhitale ne kemi pastruar një pjesë të konsiderueshme të atij korrupsioni. E dyta prokurimet publike në Shqipëri janë të vlerësuara nga Sigma që është instrument i KE, si prokurimet më me integritet në rajon. Në aspektin e procesit, procesi është komplet tjetër gjë. Në hyrjet në universitet të kujtohej si bëheshin.
Qëkur ne bëmë ndërhyrjen dhe transformimin e procesit të hyrjes nuk ka pasur më ankesa se kush po hynë e kush nuk po hyn. Me platformë hyn. Rekrutimi i mësuesve ka qenë një problem i madh me Lekë. Nuk ndodh më. Nuk i shkon kujt në mendje. Të gjitha këto janë sistem dhe jo muhabete. Në menaxhimin e financave publike Shqipëria është njishi në rajon sot. Njishi në përparimin e administratës publike. Ne diskutojmë sikur këtu është një vend që ka vetëm korrupsion.
Korrupsioni është një problem që lidhet me modernizimin. Pse ne po modernizojmë shtetin hap pas hapi edhe korrupsioni do të shkojë duke u ulur. Pjesa e drejtësisë pastaj është ndëshkim ajo s’ka lidhje me ne. Ajo që thuhet që pse nuk çoni ju, ne nuk jemi hetues. Ne kemi sistemin tonë antikorrupsion dhe fakti që ka rënë edhe denoncimi lidhet me faktin që ka rënë edhe korrupsioni.
Pasaporta europiane, Rama: Negociatat duhet të mbyllen brenda Dhjetorit 2027
Pasaporta europiane është një nga pikat kyçe të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, me premtimin se është rruga e vetme drejt saj. por sa e realizueshme është në praktikë?
Sipas Kryeministrit Edi Rama i cili ndodhet në “Opinion” në Tv Klan, i shoqëruar nga njëpjesë e ekipit të tij përtu përballur me gazetarët, Bashkimi Europian ka vendosur një afat që deri në Dhjetor të vitit 2027 duhet të mbyllen të gjitha negociatat.
Rama thotë se kjo duhet të nënkuptojë diçka për këdo që e dëgjon pasi Shqipëria është i vetmi vend që BE i ka dhënë një kalendar të tillë.
Deklaratat e tij kundërshtohen nga Neritan Sejamini që thotë se BE nuk e ka thënë këtë publikisht dhe as në raportet e tyre.
Blendi Fevziu: Z. Rama, ju thoni që deri në 2027-ën kemi shanse të përmbyllim procesin me Bashkimin Europian. Ndërkohë, ish-kryenegociatori juaj ka thënë që ky është një afat i pamundur për t’u kapur.
Edi Rama: Tani çfarë të të them unë?
Blendi Fevziu: Po të bëj pyetjen konkrete, ka qenë njeriu që është emëruar nga ju si kryenegociator dhe thotë kjo është e pamundur. Më jepni një përgjigje. Mund të jetë që ai s’ka të drejtë ose…
Edi Rama: Ai kur ishte kryenegociator, thoshte që deri në 2028 ne do të futemi. Tani nuk është kryenegociator dhe ka një mendim tjetër, njerëzit ndryshojnë, kanë fleksibilitete të caktuara. Ai ka opinionin e vet. Tani në 2027 nuk e them unë se kjo është një gjë tjetër, nuk e them unë, nuk është një datë që e kam vënë unë ose që e kemi vënë ne. 2027 është datë e vënë nga BE në tavolinë me ne. Fakti që ata i japin Shqipërisë një gjë që s’ia kanë vënë asnjë vendi duhet t’ju vërë një çikë në mendime, nuk mund të jeni kaq…
Blendi Fevziu: Sa herë e kanë ndërruar ata…
Edi Rama: Asnjëherë!
Neritan Sejamini: Kush jua ka vënë kalendarin?
Edi Rama: Komisioni Europian na ka vënë kalendarin përpara me faza, do të hapet ky kapitull, do të punohet këtu, do të mbyllet ky kapitull, do të hapet ky kapitull. Brenda Dhjetorit 2027 duhet të mbyllen të gjitha negociatat.
Neritan Sejamini: Kanë thënë ata që duhet t’i mbyllim?
Edi Rama: Duhet t’i mbyllim ne bashkarisht me ata, duhet t’i mbyllim ne dhe ata.
Neritan Sejamini: Procesi është i bazuar mbi meritë dhe mbi plotësimin e të gjitha kushteve.
Edi Rama: Po çfarë po thua tani? E dimë pra këtë gjë dhe fakti që ata e bëjnë këtë, do të thotë që ata kanë parë gjëra që nuk i sheh ti Neritan, a e kupton sepse ata kanë 1000 veta që punojnë për negociatat.
Neritan Sejamini: Unë mund të them përmendësh të gjitha raportet e tyre, të gjitha përfundimet e tyre…
Edi Rama: Kush mëson përmendësh… si prapë këtë do të diskutojmë tani? Po si mo do të diskutoj mety unë se çfarë thotë Bashkimi Europian?
Neritan Sejamini: Mund të më dëgjosh një sekondë?
Edi Rama: Do vësh ti në dyshim çfarë thonë ata?
Neritan Sejamini: Jo, nuk po them këtë gjë, po them diçka tjetër që…
Edi Rama: A mund të flisni me këta të tjerët se nuk kemi ardhur, mua këtu më keni prapë.
Neritan Sejamini: Po t’i numëroj të gjitha me radhë, kanë tjetër qëndrim nga ai që thoni juve. Ti thua atje ku jemi ne me dhomë të mbyllur, ma thonë mua ata dhe nuk ia thonë askujt se ata nuk kanë deklaratë publike për këtë gjë, raportet e tyre nuk e thonë këtë gjë.
Edi Rama: Për çfarë nuk kanë deklaratë publike?
Neritan Sejamini: Për 2027.
Edi Rama: Po nuk ke dëgjuar mo Neritan se e kanë publike disa herë.
Neritan Sejamini: Ku? Kush?
Rama qesh. Luftë me faktet.
“Është në hall”, Rama për Metën: Nuk bëj boks me një njeri me duar të lidhura…
Kryeministri Edi Rama, ndodhet sot i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, nga ku ai duhet të japë përgjigje për shqiptarët lidhur me qeverisjen e tij, e të sqaroj programin e tij për këto zgjedhje parlamentare, ndaj të cilave edhe dy ditë na ndajnë.
E teksa fokus i Ramës mbetet theksi tek reforma në drejtësi, si një krenari e Partisë Socialiste për vendosjen e saj, drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, i rikujtoi se kjo reform u votua me në krah Ilir Metën, të cilët ishin së bashku në krye të shtetit asokohe.
Kryesocialisti në një farë mënyre e mohoi, duke thënë se nuk dëshiron të flasë për Metën, madje e quajti “një person në hall”, duke u referuar faktit që ai është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe ndodhet në paraburgim. Më tej, Rama shtoi se nuk mund të bëjë “boks me një njeri që i ka duart e lidhura”.
Fevziu: Sa mandate do merrni?
Rama: Minimumi 78.
Fevziu: Minimumi 78?
Rama: Ka logjikë mo. Po ju s’doni të dëgjoni. Ju doni të luftoni me fakte. Ka logjikë. Ne sot i kemi 74.
Fevziu: Edhe do shkoni pas 12 vjetësh qeverisje, ju shtohen mandatet?
Rama: Po pse ça ka? Ça ka? Ku është problemi?
Fevziu: Jo unë s’kam gjë, këta që ju shikojnë…
Rama: Jo mo ça ka? Shqipëria nuk është ajo që komentoni ju në studio. Se po të ishte ajo që komentoni ju në studio, ne do kishim ik, do na kishin përzënë fare nga Shqipëria. Shqiptarët nuk janë njerëz të kufizuar që të thonë meqë disa nga këta… ky në burg… atëhere ne duhet të heqim këta. Jo mo zotëri, se shqiptarët dinë një gjë shumë të thjeshtë, që fakti që sot për herë të parë ka një përpjekje për barazi para ligjit, është meritë e jona. E vumë ne, partia në pushtet.
Fevziu: E gjithë parlamentit shqiptar.
Rama: More e bëmë ne. ishte iniciativa jonë. Votat në Parlamentin shqiptar ishin shumica krenarë, pakica kokën poshtë.
Fevziu: Tek kjo shumica krenare ishte dhe Ilir Meta, bashkëpunëtori juaj.
Rama: Jo, jo.
Fevziu: E bashkëqeverisësi juaj.
Rama: Për atë jo. Për këtë person nuk flas, sepse është në hall.
Fevziu: Pse?
Rama: Jo, nuk flas.
Fevziu: Nuk të shkon t’ja thuash këtë fjalë.
Rama: Është në hall.
Fevziu: Ai është duke bërë një betejë me drejtësinë, presupozohet i pafajshëm deri në ditën që do ketë një vendim gjykate.
Rama: Unë Fevzi nuk bëj boks me një njeri që i ka duart e lidhura. Këtë po të them. Në këtë sens. E them në të mirë, nuk e them…
Rama i përgjigjet Berishës: Të dielën merr mesazh të qartë, nuk ka shans të debatojë me mua
Kryesocialisti dhe Kryeministri Edi Rama thotë se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, kundërshtari i tij Sali Berisha do të marrë një përgjigje të qartë.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama iu përgjigj pyetjes së Fevziut, që solli reagimin e Berishës në rrjete sociale pak minuta më parë, ku shkruante se “Rama nuk vjen në debat sepse e di që pësoi fatin që pati Biden me Trumpin”.
Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për atë që e quan… ai është një buf kënete që sot ka mbaruar fushata e jetës së tij dhe që ditën e dielë do marri një mesazh shumë të qartë nga populli shqiptar.
Blendi Fevziu: Dje tha që vetëm ai lart më largon nga PD.
Edi Rama: Vetëm ai lart e largon një buf nga këneta. Këneta ka nevojë për bufin e vetë.
Blendi Fevziu: Ore pse nuk del në debat?
Edi Rama: Nuk ka asnjë shans që një katran me bojë që nuk ka lënë të gjallë e të vdekur të shtëpisë time pa e marrë zvarrë, të ketë fatin që unë t’i jap 1 minutë nga prania ime. Është tërheqje zvarrë e të vdekurve dhe të gjallëve të familjes time në mexhelis duke i pështyrë për hesapet e tij të ndyra politike.
“Ajo që kemi bërë me pensionet është epokale”, Rama: Deri në 2013 nuk kemi pasur sistem fare
Kryeministri Edi Rama në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është ndalur edhe tek pensionet, për të cilat është shprehur se ajo se çfarë është bërë në këtë drejtim është epokale.
Rama thekson se janë dy blloqe pensionistësh, një bllok që ka dalë përpara dhe një bllok që ka dalë pas reformës së qeverisë. Për këto të fundit Kryeministri tha se kanë pensione më të larta për të njëjtat vite pune.
“Ne kemi pasur gati me ndihmë ekoniomike gati 90 mijë e diçka dhe sot kemi 54 mijë. Gjithë kjo pjesa tjetër është futur në treg. Është rritur numri i njerëzve që punojnë. Ne bëjmë shpesh krahasime me rajonin. Ajo që kemi bërë ne në këto 10 vite është diçka epokale. Me pensionet është epokale. Deri në vitin 2013 ne nuk kemi pasur sistem pensionesh fare, ndërkohë që vendet e rajonit nuk kanë prishur gjë more zotëri. Ne kemi pasur asistencë sepse sistemi i pensioneve bazohet tek sigurimet. Ne e kemi pasur me një tavan 240 mijë Lekë të vjetra dhe ti hidhu përpjetë aq e ke maksimumin e pensionit. U shkatërrua gjithë industria dhe u bënë pensionist edhe 40 vjeç dhe gjithë ky stok është aty. Ne futëm sistemin e sigurimeve. Faktikisht ne sot kemi dy blloqe pensionistësh, një bllok që ka dalur përpara dhe një që ka dalë mbrapa. Këto që kanë dalë mbrapa me reformën tonë kanë pensione më të larta për të njëjtat vite pune”, thekson Rama.
Rama ndër të tjera tha se target është që pensioni minimal 200 Euro të arrihet brenda 2030.
“Ne kemi të gjitha ato analizat që na kanë bërë që të vendosim si target që 200 Euro pensioni minimal ta arrijmë brenda Shqipërisë 2030, pra brenda këtij mandati. Do ta bëjmë gradualisht”, shprehet Rama.
Ndërkohë ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka dhënë detaje lidhur me shiftar për pensionet aktuale.
“Ne kemi sot një pension mesatar në qytet kur ti paguhesh me një pagë mesatare me vite të plota pune ne kemi një pension, i cili është 300 Euro. Dhe kemi edhe pensione që shkojnë 500 dhe 600. Pensioni minimal sot është rreth 12 mijë Lekë. Përveç kësaj ne kemi në buxhetin e shtetit përveç buxhetit që marrim nga tatimet për kontributet, që hedhim nga buxheti i shtetit për të mbushur defiçitin, ne kemi 300 milionë Euro në vit që jepen për pensionistët, që janë kompensime”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj thekson se pavarësisht plakjes së popullsisë qeveria do të vijojë të rrisë pensionet.
“Shqipëria ka një trajektore rritëse. Rritja ekonomike do të vazhdojë të ndikojë tek rritja e pagave dhe të gjitha reformat që do të bëhen do të ndikojnë që niveli i kontributeve nga të punësuarit, pavarësisht plakjes së popullsisë dhe rënies së numrit të atyre që janë potencialisht kontribues në të ardhmen ne do të vazhdojmë të rrisimi pagat që të rrisim kontributet. Ne sot që flasim kemi akoma një popullsi të aftë për punë, e cila ka potencial të angazhohet në punë. Ndonëse papunësia ka rënë ne kemi akoma hapësirë… Fuqia punëtore në krahasim me vitin 2013 si numër është rritur”, shprehet ministrja Ibrahimaj.
“Pa PS, BE nuk na pranon më?”, Rama “i papërmbajtshëm”: Vetëm ne i kemi kapacitetet për negociata
Kreu i qeverisë, Edi Rama, është vënë përballë një pyetje “pikante” nga Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
I pyetur nëse shqiptarët ditën e diel mund të votojnë për mazhorancë kryetarët e partive të reja, Bashkimi Evropian i ndërpret automatikisht negociatat me vendin tonë, duke theksuar se kështu thotë slogani i PS-së, Rama ka dhënë një përgjigje jo dhe aq modeste. Ai tha se vetëm me Partine Socialiste mund të ketë negociata me Bashkimin Evropian, pasi sipas tij vetëm kjo forcë politike i ka kapacitetet për një gjë të tillë.
Fevziu: Kam një pyetje. Kam dëgjuar dhe kam parë që vetëm me Edi Ramën në 2030 në BE. Është slogan, e këtu kanë ardhur përfaqësues të PS. Pyetja ime është shumë e thjeshtë. Nëse shqiptarët pasnesër paradite votojnë Agron Shehajn apo Adriatik Lapajn, për mazhorancë, nuk po them zoti Berisha se e di që do fillosh… BE nuk na pranon më? Thotë që jo, me këta nuk hyhet në BE?
Rama: Nuk është problemi që nuk të pranon BE, problemi është që nuk arrin dot ti, të bësh atë që duhet të bësh.
Fevziu: Pse janë të paaftë këta dy të tjerët?
Rama: Nuk kanë asnjë kapacitet.. jo këta dy të tjerët, asnjë nga të tjerët përveç nesh nuk kanë kapacitete për të bërë këtë që bëjme ne. Nuk e kanë.
Fevziu: Paraardhësi juaj na futi në NATO. S’është integrim i vogël…
Rama: Tani të lutëm… Po më pyet mua, po të jap përgjigjen.
Fevziu: Jo, duket sikur BE, po humbët ju, i mbylli gjitha dyert me Shqipërinë…
Rama: BE negocion me Shqipërinë.
Fevziu: Atëherë e mora përgjigjen.
Rama: Jo, jo, nuk e more përgjigjen. BE negocion me Shqipërinë, por që Shqipëria të ketë kapacitet të negocojë me BE duhet vetëm me ne që na sheh këtu. Të tjerët nuk e kanë këtë kapacitet.
“Si do bëni në 2 vjet ato që s‘bëtë për 12?” Rama i shuan kureshtjen Sejaminit
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi rama u sshpreh përballë gazetarëve se Bashkimi Europian i ka vënë në dispozicion Shqipërisë një kalendar për negociatat. Sipas këtij kalendari, deri në dhjetor të vitit 2027 duhet të mbyllen të gjitha negociatat. Siç shprehet kryeministri, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka marrë këtë kalendar nga BE.
Neritan Sejamini e pyet për mënyrën sesi do të realizohen të gjitha kërkesat që BE ka brenda këtyre 2 vjetëve nëse s’janë realizuar në 12 vjet. Tonet mes tij e kryeministrit tensionohen ndërsa Rama ngulmon se çështjet për të cilat ka nevojë për më shumë kohë, nuk do të shtyjnë anëtarësimin.
Neritan Sejamini: Si do i bëni këto gjëra në 3 vjet që si keni bërë në 10, 12 vjet? Pyetja ime është: në qoftë se s’keni bërë gol në 90 minuta, si do të bëni 10 gola në minutën e fundit? Çfarë do të bëni ju që të mos shkojnë mandarinat e dezinfektuara në Kroaci? Çfarë strukture do të krijoni ju për këtë gjë? E dyta merr kë të duash, merr çfarë të duash ti, merr një nga detyrat që ju janë vënë juve është kadastra.
Edi Rama: Më lër të të jap një përgjigje! Po ke një orë pyetje!
Neritan Sejamini: Po flas për detyrat që duhet të bëni!
Edi Rama: Do të na numërosh gjithë detyrat që na ka dhënë Bashkimi Europian?
Neritan Sejamini: Patjetër. T’i them, pse…
Edi Rama: Po e morëm vesh pyetjen!
Neritan Sejamini: Duhet dixhitalizuar kadastra, duhen paguar vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të gjitha pronat që Shqipëria ka humbur qeveria dhe kanë fituar privatët…
Edi Rama: Çfarë thotë ky mo vëlla? Pyetjet!
Neritan Sejamini: Pyetja ime është: kur s’i bëtë 12 vjet, si do e bëni në 2 vjet?
Edi Rama: Ja ta jap unë përgjigjen që ta mësosh.
Neritan Sejamini: Po dëgjoj me kureshtje se dua ta mësoj.
Edi Rama: Ta mësosh diçka që ti nuk e di fare dhe po bën kompetentin kot. Në negociata ka edhe një negocim tjetër që për disa çështje të cilat ka nevojë për më shumë kohë.
Neritan Sejamini: E shtyn 5 vjet anëtarësimin.
Edi Rama: Jo, nuk shtyn anëtarësimin. Je i paditur!
Neritan Sejamini: Jo, jam shumë i ditur!
Edi Rama: Nuk shtyn anëtarësimin.
Neritan Sejamini: Do ta zbatosh 5 vjet pas anëtarësimit.
Edi Rama: Atëherë pse e bën pyetjen?
Neritan Sejamini: Po të pyes, si e keni planni, do ta shtyni?
Edi Rama: Jo, nuk do të shtyjmë asgjë!
Sipas kryeministrit, çdo detyrë e ndërmarrë përsipër do të realizohet.
Edi Rama: Përgjigjja është: të gjitha ato që janë marrë përsipër për t’u realizuar do të realizohen..
Neritan Sejamini: Si?
Edi Rama: Nuk të jap përgjigje fare! Do rri të të them ty si do të realizohen?! A je në vete a s’je në vete?
Edi Rama tregon kur do tërhiqet: 2 rrugë ka që të largohem nga Kryeministria
Kryeministri Edi Rama është i bindur në fitore për një mandat të 4 qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Megjithatë, kryesocialisti ka treguar se kur ka në plan të tërhiqet nga politika.
I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Edi Rama u pyet nga drejtuesi Blendi Fevziu nëse do të largohet nga drejtimi i PS nëse humbet zgjedhjet.
Sipas Ramës, ka vetëm 2 rrugë që ai mund të largohet nga zyra e Kryeministrisë; vota e qytetarëve dhe kur ta vendosë vetë tërheqjen politike. Sipas tij, vota kundër nuk ka gjasa të ndodhë, kështu që vendimi i mbetet vetë atij.
Blendi Fevziu: Nëse do humbni zgjedhjet, do largoheni nga drejtimi i PS?
Edi Rama: Ne kemi 74 mandate, nuk kemi asnjë qark ku ne mund të humbim një mandat nga këto që kemi. Në Shkodër ne kemi 3 nga 11. Rezultatin më të keq kemi marrë herën e kaluar. Me çfarë ka sot Shkodra, ne minimumi do marrim 1+. Në Lezhë po them le të rrimë ashtu siç është. Në Tiranë ka 2 deputetë që janë shtuar, ne jemi sot që flasim jemi 18, nuk humbim mandat në Tiranë. Në Durrës nuk ka shans që ne ta humbim 8, mund të marrim 9. Në Elbasan është e sigurt që do marrim 1 më shumë. Në Fier do kthejmë në shtëpi mandatin e 10. Të tjerat do rrinë stabël. Mund të ketë lëvizje në Vlorë. Dy rrugë ka që unë të largohem nga zyra e Kryeministrit. E para, të më votojnë shqiptarët kundër, nuk diskutohet që unë jo Kryeministër po nuk ka asnjë shans që unë të bëj bufin socialist të kënetës, por duhet ta mësosh, unë do iki kur ta vendos unë. Kur ta vendos unë do iki. Votat patjetër, por nuk do vijë puna te vota. Kur ta vendos unë do iki nga politika.
Kujtojmë se një ditë më parë, në intervistën për Opinion, Sali Berisha tha se do të tërhiqet nga politika kur ta vendosë Zoti.